Nga data 28 deri më 30 prill 2025, në Sarajevë u mbajt Forumi Rajonal për Vakëfet në Ballkan, me temë “Përvoja, Strategji, Qëndrueshmëri”. Në këtë forum morën pjesë përfaqësues nga dhjetë vende të Ballkanit dhe më gjerë.
Bashkësia Islame e Kosovës u përfaqësua nga kryeimami Vedat ef. Sahiti dhe zyrtari për vakëfe, Abedin Sadriu. Forumi u organizua nga Drejtoria e Vakëfeve e Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, në bashkëpunim me Bankën Islame për Zhvillim (IsDB).
Gjatë forumit tre-ditor, u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me menaxhimin, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e vakëfeve në rajon.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të nënkryetarit të Rijasetit të BI të Bosnjës dhe Hercegovinës, dr. Enes Ljevaković, dhe drejtorit të Drejtorisë së Vakëfeve, z. Senaid Zajimović. Në sesionin hapës u theksua roli i vakëfit si institucion me rëndësi të madhe për zhvillimin arsimor dhe social të komuniteteve myslimane, si dhe nevoja për qasje të reja ndaj sfidave bashkëkohore në administrimin e pasurive vakëf.
Dita e dytë ishte e përqendruar në temat e ruajtjes dhe ringjalljes së trashëgimisë islame të vakëfit në Ballkan, si dhe sfidat që lidhen me financimin dhe qëndrueshmërinë e projekteve vakf. Në prezantimin e tij, Kryeimami Vedat ef. Sahiti vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rolin aktiv të besimtarëve në mbështetjen e projekteve të vakëfeve që nga paslufta. Po ashtu, u mbajt një tryezë e rrumbullakët me temë “Menaxhimi i pasurive vakf dhe qëndrueshmëria – identifikimi i praktikave të suksesshme dhe iniciativave të reja”, e cila u vlerësua lart nga organizatorët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në ditën e tretë, pjesëmarrësit vizituan disa nga vakëfet historike në lagjen e Vjetër të Sarajevës dhe morën pjesë në një pritje në selinë qendrore të Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në takim me nënkryetarin dr. Enes Ljevaković, u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e vakëfeve dhe ruajtjen e dokumentacionit historik si bazë për garantimin e të drejtave pronësore. U theksua gjithashtu rëndësia e digjitalizimit të vakëfeve dhe dokumenteve të tjera si mjet për njohjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë islame në rajon.