Kryeimami i BIK, Vedat ef. Sahiti, takon kryeimamët e Këshillave të Bashkësisë Islame në vend

 


Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, së bashku me zëvendëskryeimamin Fatmir ef. Iljazi, zhvilluan një takim me kryeimamët e Këshillave të Bashkësisë Islame në vend, ku u diskutua dhe u vlerësua puna dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë muajit të bekuar Ramazan. 
Në fjalën e tij, kryeimami Sahiti shprehu mirënjohje për përkushtimin dhe angazhimin e treguar nga kryeimamët dhe imamët në të gjitha Këshillat e BI-së. Ai theksoi rëndësinë e këtij angazhimi në muajin Ramazan, duke e cilësuar atë si një amanet hyjnor që kërkon përkushtim në përcjelljen e fjalës së Zotit dhe mësimeve të Pejgamberit a.s.. 
Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet imamëve dhe xhematëve të tyre, si dhe koordinimin me Kryesinë në pritjen dhe mikpritjen e ekipës së ligjëruesve, të përbërë nga përfaqësues të Kryesisë, Fakultetit të Studimeve Islame, Medresesë dhe imamëve. 
Gjatë takimit u trajtuan edhe tema të tjera me rëndësi, me synimin për të avancuar jetën fetare dhe për të forcuar misionin e Bashkësisë Islame në shërbim të besimtarëve dhe shoqërisë.