Me ftesë të Kryesisë së Xhamisë “Ikra” në Emsdetten të Gjermanisë, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, më 3 maj 2025, mori pjesë në tubimin e organizuar me moton: “Koha për veprim – ndihmo blerjen e xhamisë Ikra”, i cili u mbajt në EMS Halle – Emsdetten.
Ky ishte një aktivitet i jashtëzakonshëm, në të cilin morën pjesë mbi 1000 mysafirë nga diaspora dhe trojet tona. Përveç numrit të madh të besimtarëve nga Gjermania e më gjerë, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve islame nga Gjermania, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut. Prania dhe fjalimet e tyre ishin dëshmi e mbështetjes së fuqishme për projektin e xhamisë.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, drejtori Simnica përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai foli për disa pika të rëndësishme që kanë të bëjnë me vlerën dhe rolin e xhamisë, veçanërisht duke theksuar rëndësinë e kontributit në ndërtimin, renovimin dhe blerjen e saj.
Në fund të aktivitetit u shkëmbyen dhurata dhe u ndanë mirënjohje për xhaminë, të cilat u pranuan nga kryetari Elvir Jellaj dhe imami Sedat Shabani.