Mbahet Tryeza Shkencore nga BIK kushtuar jetës dhe veprës së Ali ef. Jakupit

Në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, është mbajtur sot Tryezë Shkencore kushtuar personalitetit të shquar shqiptar, Ali ef. Jakupi.
Tryeza u organizua nga Drejtoria për Kulturë dhe Veprimtari Botuese pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, me qëllim që të ndriçohet jeta dhe vepra e këtij alimi të njohur, që la gjurmë të pashlyera në historinë fetare dhe kulturore shqiptare.
Ramadan Shkodra, Drejtor për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, theksoi se kjo tryezë vjen si një përpjekje për të vlerësuar kontributin e dijetarëve që shërbyen me përkushtim në kohë të vështira.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, Ali ef. Jakupin e vlerësoi si një dijetar të madh të shekullit të kaluar i çmuar dhe i vlerësuar nga e gjithë bota, por i harruar nga vendi i tij. 
Roli dhe kontributi i Ali ef. Jakupit u vlerësua lartë edhe nga ish kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili gjatë fjalës së tij dha shembuj interesant kur diplomacia e huaj mburrej me veprën e Ali ef. Jakupit. 
Atashehu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë, Bunjamin Albajrak, kujton punën e jashtëzakonshme të Ali Jakupit si profesor i gjuhës arabe, ku shumë imam, profesor të sotëm në Turqi, madje edhe vet Kryetari i Dijanetit të Turqisë ishin nxënës të Ali ef. Jakupit.
Sabri Bajgora, Hysen Matoshi, Sadik Mehmeti, Ferid Piku, Elez Osmani, Besir Neziri, Valon Shkodra janë studiuesit e tjerë të cilët përmes kumtesave të tyre prezantuan jetën, veprën dhe kontributin e Ali ef. Jakupit. 
Ali ef. Jakupi nga Desivojca e Kamenicës, u shkollua në Medresetë e Gjilanit dhe Shkupit për të vijuar më pas studimet e larta në Universitetin e Al Azharit në Kajro. Një pjesë të jetës së tij e kaloi në Egjipt, ndërsa tjetrën në Turqi. E gjitha jeta e tij ishte një shembull i mirë i një besimtari, dijetari, alimi dhe profesori të përkushtuar ndaj dijes.











 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)