Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut të Plotfuqishëm! Vetëm Atë e falënderojmë dhe vetëm Atë e madhërojmë! Salavatet tona ia dërgojmë të dashurit tonë, Pejgamberit Muhamed a.s., ndjekësve të tij dhe të gjithë atyre që ecin në rrugën e tij, të cilët do të arrijnë shpërblimin përfundimtar nga Allahu xh.sh.. Paqja dhe salavatet qofshin mbi të gjithë shokët e tij dhe ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Të nderuar vëllezër, falënderojmë Allahun që ma mundësoi të jem sot në mesin tuaj! E falënderoj Atë që më gëzoi e më nderoi me vizitën në vendin tuaj dhe me mundësinë të jem në mesin e vëllezërve të mi në Kosovë.
Nga ky vend i bekuar, falënderojmë gjithashtu kujdestarin e dy vendeve të shenjta, Mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz al Saud dhe trashëgimtarin e fronit, Muhamed bin Salman, të cilët dhanë pëlqimin dhe mbështetjen e tyre që të realizohej kjo vizitë në këtë vend të dashur. Mbretëria e Arabisë Saudite shtron ura dashurie, vëllazërie, miqësie dhe forcon marrëdhëniet mes shteteve të ndryshme. Ajo punon dhe angazhohet për të përhapur bashkëpunimin me të gjitha vendet e botës.
Gjithashtu falënderojmë kryetarin e Autoritetit për Kujdesin e Dy Haremeve të Shenjta, shejh dr. Abdulrahman al Sudais, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që kjo vizitë të realizohej. Falënderojmë edhe Ministrinë e Çështjeve Islame të Arabisë Saudite, në krye të së cilës është dr. Abdulatif bin Abdulaziz al Sheikh, i cili shtrin urat e bashkëpunimit me vende të ndryshme, dhe në veçanti me Kosovën. Një falënderim i veçantë edhe për Ambasadën e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, e cila na shoqëroi gjatë kësaj vizite.
Falënderoj edhe kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun e nderuar Naim ef. Tërnava, për angazhimin dhe mundin ë tij në shërbim të Islamit, Kuranit dhe të qytetarëve të Kosovës. Allahu i shpërbleftë të gjithë me të mirat e Tij, në veçanti juve që sonte jeni këtu me ne, ku së bashku falëm namazin dhe po dëgjoni këtë ligjëratë. Do ta titulloja fjalimin tim: "Vërtet, besimtarët janë vëllezër."
Ajo që e hidhëron më së shumti shejtanin është se besimtarët janë vëllezër, e kanë një Zot, një Pejgamber, një fe, një Kuran. Bashkimi i tyre është një bekim i madh. Shejtani nuk ka arritur kurrë t'i ndajë besimtarët kur ata janë të bashkuar. Por kur shkakton fitne (përçarje) mes tyre, ai arrin qëllimet e tij.
Në "Musnedin" e Imam Ahmedit, Pejgamberi a.s. në hytben e tij gjatë haxhit ka thënë: "Pas meje, mos u përçani duke luftuar njëri-tjetrin e duke u armiqësuar mes jush."
Shejtani e ka humbur shpresën që njerëzit të adhurojnë dikë tjetër përveç Allahut, por përmes përçarjes ai e arrin kënaqësinë e tij. Feja e Allahut është e fortë dhe nuk mund të shkatërrohet, por shejtani përpiqet ta dobësojë ymetin përmes urrejtjes, përçarjes dhe fitneve.
Në një hadith që transmetohet nga Muslimi, nga Xhabiri r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë: "Iblisi e vendos fronin e tij mbi ujë dhe dërgon ushtarët e vet. Ai që bën më shumë përçarje është më i dashuri i tij." Kur njëri prej tyre vjen dhe thotë se e ka ndarë një burrë nga gruaja, Iblisi i thotë: "Ti e meriton të rrish afër meje." Në një transmetim tjetër, thuhet se Iblisi e përqafon dhe i thotë: "Ti je punëtori im më i mirë."
Ky është qëllimi i shejtanit: përçarja mes çiftit, e pastaj përçarja të përhapet edhe më gjerë, mes familjes, shoqërisë dhe krejt ymetit.
Allahu në Kuran thotë: "Vërtet, ymeti juaj është një ymet i vetëm."
Dhe më tej thotë: "Ata që u përçanë e u bënë grupe të ndryshme, ti (o Muhamed) nuk je prej tyre."
Përçarja është ndër rreziqet më të mëdha që i kanosen këtij ymeti.
Në një hadith tjetër të gjatë, Pejgamberi a.s., ka bërë tri lutje para Allahut: Të mos e shkatërrojë ymetin e tij me thatësirë, e këtë dua Zoti ia pranoi; Të mos e shkatërrojë me vërshime, edhe këtë dua Zoti ia pranoi; Të mos ketë përçarje mes ymetit të tij, këtë dua Zoti nuk ia pranoi. Kjo e fundit mbetet sprovë për ne. Armiqtë e fesë, jobesimtarët dhe ateistët duan që t'i përçajnë myslimanët dhe të hedhin dyshime mbi fenë, besimin dhe identitetin e tyre. Ata duan ta njollosin imazhin e Islamit dhe të krijojnë fitne në mesin e myslimanëve.
Në Kuran, Allahu thotë: "Shumë nga ithtarët e Librit do të donin t'ju kthenin në mosbesim pasi keni besuar, për shkak të zilisë që kanë në shpirtin e tyre, edhe pasi e vërteta u është bërë e qartë."
Andaj, vëllezër të nderuar, një besimtar i sinqertë duhet të luftojë përçarjen, egon dhe nefsin që nxit për mëkate.
Jo me fanatizëm, sepse Allahu na porosit të mos i ngjasojmë jobesimtarëve, të cilët krenohen me përçarjen. Myslimani i devotshëm mbrohet me përkushtim, jo me urrejtje.
Allahu thotë: "O ju që besuat, binduni Allahut dhe Pejgamberit dhe udhëheqësve nga mesi juaj. Nëse keni mosmarrëveshje, atëherë drejtojuni Allahut dhe Pejgamberit."
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ymeti im do të përçahet në 72 grupe. Vetëm njëri do të shpëtojë." Kur e pyetën cili është ai grup, tha: "Ai që ndjek rrugën time dhe të shokëve të mi."
Andaj, shpëtimi qëndron në mbështetjen te Kurani dhe Suneti, në ndjekjen e dijetarëve të dijes së saktë dhe në shmangien e ekstremizmit, përjashtimit dhe paragjykimit ndaj të tjerëve. Në fund, ju ftoj që ta lusni Allahun që t'ju forcojë në fenë islame.
Pejgamberi a.s. ka bërë shpesh këtë dua: "O Ti që rrotullon zemrat, bëje zemrën time të palëkundur në fenë Tënde!" Kur e pyetën pse e përsëriste këtë dua, ai tha: "Zemrat janë në dorën e Allahut. Ai i rrotullon ato si të dojë: nga e vërteta tek e pavërteta dhe anasjelltas."
E lusim Allahun që të na forcojë në të vërtetën dhe të na bashkojë me Pejgamberin a.s. në botën tjetër, pranë kroit të tij të bekuar!
O Zot, na forco në fenë Tënde deri në vdekje!
Ju falënderoj shumë për praninë tuaj, për namazin e falur së bashku dhe për durimin që më dëgjuat!
Allahu ju shpërbleftë dhe ju ruajt të gjithëve!
Ligjërata e imamit të Qabesë, dr. Bandar Beleela, e mbajtur në xhaminë "Pavarësia" në Prishtinë