Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim zyrtar ndihmës sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, z. Miroslav Jenča.
Gjatë takimit u diskutua për rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në promovimin e paqes, harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në vend. Myftiu Tërnava e njohu z. Jenča për angazhimin e pandërprerë të BIK-ut në ruajtjen e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve fetare dhe në kultivimin e vlerave të respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe dialogut.
"Ne besojmë fuqishëm se feja duhet të jetë faktor i paqes, jo i ndarjes. Bashkësia Islame e Kosovës gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet promotore e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar," theksoi Myftiu Tërnava.
Nga ana e tij, z. Jenča vlerësoi lart kontributin e BIK-ut në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe paqësore në Kosovë. Ai potencoi rëndësinë që ka roli i liderëve fetarë në nxitjen e stabilitetit dhe ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.