Komentimi i kaptinës “El-Kehf”- (15)


Dilemat e dijetarëve rreth personalitetit të Hidrit a.s.


Në qarqet shkencore, rreth personalitetit të Hidrit a.s., është diskutuar shumë. Madje janë zhvilluar biseda, polemika dhe disku time të gjata, të shumtën e rasteve mospajtuese, në mes të dijetarëve, përgjatë gjithë këtyre shekujve. Para se të hyj në dy pikat kontestuese rreth Hidrit, me të cilat janë preokupuar dijetarët, që janë:
1. Nëse Hidri a.s. ishte i Dërguar i Allahut (pejgamber) apo i Dashur i Allahut (velij-evlia), dhe:
2. Nëse Hidri a.s. është ende gjallë apo ka vdekur ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit, së pari do të sjell shkurtimisht mendimet e dijetarëve rreth vetë Hidrit a.s.:
Ibn Kutejbe në veprën "El-Mearif" citon fjalët e Vehb bin Munebbihut të ketë thënë: "Emri i Hidrit është Belja ibn Melkan".(1)
Ibn Kethiri në veprën e tij "Kisasul Enbija'ë", sjell një transmetim se Hidri a.s. ishte njëri prej fisnikëve të beni israilëve.(2)
Sipas Ebu Hatimes-Sixhistanit, Hidri është një prej nipave të Ademit a.s. dhe emri i tij është Hadrun bin Kabil bin Adem. Ai pohon ta ketë dëgjuar këtë nga dijetarët para tij, të cilët thonë edhe se Hidri ka qenë njeriu me jetëgjatë në fytyrën e Tokës.(3)
Kurse, për sa i përket emrit Hidr, Buhariu në Sahihun e tij, përcjell nga Ebu Hurejra të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: "Hidri është quajtur me këtë emër, sepse, kur ishte ulur në tokë të bardhë (ranore), ajo kishte filluar të gjelbërohej menjëherë prej tij".(4)
Po ashtu transmetohet nga Muxhahidi të ketë thënë: "Është quajtur Hidr, sepse, kur falej, çdo gjë rreth tij gjelbërohej".(5)
Një është e sigurt, emërtimi"robi i mirë", me të cilin është takuar Musai a.s., nënkupton pikërisht Hidrin a.s., sepse kjo vërtetohet nga hadithi që Muhamedi a.s. ua ka rrëfyer sahabëve në lidhje me ngjarjen në mes këtyre dyve.(6)


***


Ashtu siç e cekëm më lart, polemikat e dijetarëve rreth dy çështjeve kontestuese në lidhje me Hidrin a.s., vazhdojnë për shekuj me radhë. Në lidhje me këtë janë shkruar dhjetëra libra dhe dijetarët nuk kanë qenë e as nuk do të jenë asnjëherë unanimë për faktin nëse Hidri ishte një prej të Dërguarve të Allahut apo një prej Evliave të Tij, dhe nëse është ende gjallë apo ka vdekur.
Në lidhje me faktin nëse Hidri ishte Pejgamber apo prej Evliave, përthyerjet e mendimeve janë në mes dijetarëve të Ehli Synetit, të cilët me shumicë absolute anojnë nga mendimi se Hidri a.s. ishte i Dërguar i Allahut, por jo i dërguar tek një popull i caktuar dhe as i fuqizuar me ndonjë libër të shenjtë a fletushkë, dhe grupit të dytë, që e përbëjnë mistikët-sufinjtë, të cilët, në dallim nga pjesa tjetër e dijetarëve, ngulin këmbë dhe insistojnë se Hidri ishte një prej Evliave të Allahut, të cilit i Madhërishmi ia ka zbuluar një pjesë të Diturisë së Tij të fshehtë hyjnore-Ilm Ledunnijj, pa ndonjë prej shkaqeve të njohura të transmetimit të diturisë.
Ky mospajtim e ka zanafillën që nga momenti kur dijetarët e Ehli Synetit, duke e konsideruar veten si trashëgimtarë të pejgamberëve, në përcjelljen e diturisë, Hidrin e kanë konsideruar për pejgamber, kurse sufinjtë (mistikët) e kanë llogaritur si një prej Evliave të Allahut.
Megjithatë, shumica dërrmuese e dijetarëve myslimanë, duke u bazuar në ajetet kuranore që flasin rreth takimit dhe shoqërimit të Musait a.s. me robin e urtë të Allahut-Hidrin a.s., kanë ardhur në përfundimin se Hidri a.s. është pejgamber i Zotit. Argumentet kuranore në lidhje me këtë konstatim janë të shumta, e ne do t'i përmendim ato më kryesoret që dëshmojnë për pejgamberinë e tij:
1. Argumenti i parë janë fjalët e Allahut xh.sh.: "atejnahurahmetenminindina-në ajetin 65 të sures El-Kehf: "Dhe e gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne". Dijetarët janë të mendimit se fjala "Rahme-mëshirë" nënkupton pikërisht Vahjin-Shpalljen.
2. Argument i dytë janë fjalët e Musait a.s. drejtuar Hidrit dhe anasjelltas: "Atij (Hidrit - njeriut të mirë e të dijshëm) Musai i tha: "A pranon të të shoqëroj, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (të është dhuruar) ti: di turi të drejtë e të vërtetë"? Ai (Hidri) tha: "Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua! Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar"? (Musai) Tha: "Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të të kundërshtoj ty për asgjë"! Ai i tha: "Nëse më shoqëron mua, atëherë mos më pyet për asgjë, deri sa të të tregoj unë vetë për të."- (El Kehf, 66-70)
Dijetarët thonë se, po të ishte Hidri prej evliave e jo prej të dërguarve të Zotit, Musai a.s. nuk do të kishte zhvilluar më të këso bisede dhe ai nuk do t'ia kishte kthyer këtë përgjigje. Ndërsa, po të mos ishte pejgamber, kjo do të thotë se ai nuk do të kishte qenë i mbrojtur dhe nuk do të kishte pasur ndonjë motivacion-shtytje për Musain a.s., që, duke qenë një prej të dërguarve më të mëdhenj e të mbrojtur, të kërkonte dituri prej njërit nga evliatë e Allahut, i cili nuk është e thënë që të jetë i mbrojtur doemos, si pejgamberët. Nga kjo bisedë mes Musait a.s. dhe Hidrit a.s., mund të konstatojmë se dituria e Hidrit nuk është dituri eksperimentale-empirike, të cilën e njohim ne në Tokë, e as është dituri e pejgamberëve, të cilën Ai ua shpall me anë të Vahjit, po është dituri të cilën nuk mund ta perceptojnë mendjet e kufizuara njerëzore e as logjika e rëndomtë, me të cilën studiohen e vrojtohen shkencat, pra ishte Dije e veçantë hyjnore-"Ilmledunnijj".
3. Argumenti i tretë është fakti se, kur Hidri a.s. ndër mori hapin e mbytjes së fëmijës, këtë e bëri me inspirim nga Allahu xh.sh. dhe me urdhër direkt prej Tij: "...
Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (po sipas udhëzimit të Zotit)...". - (El-Kehf, 82).
Këto ishin disa nga argumentet e pakontestueshme që dëshmojnë për pejgamberinë e Hidrit a.s., sepse askujt nuk mund t'i lejohet kryerja e një "krimi" të tillë, pa qenë i inspiruar paraprakisht nga ana e Allahut, prapa së cilës vepër fshihej një urtësi e madhe.
Ndërsa grupi i dijetarëve që mendojnë se Hidri ishte një prej evliave të Allahut, sjellin pothuajse të njëjtat argumente kuranore, në të cilat është cekur se "Hidri" ishte një prej robërve të dashur të Allahut, të cilin Ai e kishte inspiruar me një dituri të fshehtë, ashtu siç kishte inspiruar edhe nënën e Musait dhe Merjemen, nënën e Isait a.s., apo siç sjell "keramete" të ndryshme për disa nga të dashurit e Tij në çdo kohë dhe në çdo vend. E ker ametet e tilla që shfaqen për disa njerëz të devotshëm, nuk do të pushojnë kurrë, deri në Ditën e Gjykimit.
Ne, të gjendur në mes të këtyre dy mendimeve, megjithatë anojmë nga mendimi se Hidri ka qenë një prej të dërguarve të Allahut, për shkak të diturisë së tij me inspirim-frymëzim hyjnor. Ndoshta prapa tërë këtij misteri rreth personalitetit fisnik të Hidrit a.s., qëndron ndonjë urtësi e madhe që ne nuk e dimë, mirëpo do të qëndrojmë të palëkundur në këtë pozicion duke e llogaritur Hidrin si një prej të dërguarve të Allahut, duke pasur një respekt të thellë ndaj tij edhe për faktin se ai ishte mësues i Musait a.s. për një kohë të caktuar...
Edhe në lidhje me çështjen tjetër, nëse Hidri a.s. është ende gjallë apo ka vdekur, po ashtu janë zhvilluar polemika të shumta në mes dijetarëve. Mund të konstatojmë se, lidhur me këtë çështje, përgjatë shekujve, për të janë thurur shumë legjenda e mite, shumica prej të cilave janë israiliate, tek të cilat nuk mund të mbështetemi për argumentim të sigurt..
Grupi i dijetarëve, të cilët mbështesin mendimin se Hidri a.s. është gjallë, dhe do të jetojë deri në ditën e fundit të botës, të cilin e përbëjnë mistikët-sufinjtë dhe ata që veten e quajnë "Ehli Ma'rifeh", sjellin argumentet e tyre, sikundër që argumente të fuqishme sjellin edhe grupi tjetër i dijetarëve të cilët, në mënyrë eksplicite, mendojnë se Hidri a.s. ka vdekur, ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit.


Në vazhdim do të sjellim mendimet e të dyja grupeve:


- Disa prej dijetarëve, si imam Kurtubiu, imam Neveviu, Ibën Salahi dhe disa të tjerë, pretendojnë se Hidri a.s është ende gjallë, për shkak se ka pirë ujë prej burimit të Jetës, por është i fshehur nga sytë e njerëzve të rëndomtë.
- Imam Neveviu përcjell fjalët e mufessirit të njour Tha'lebiut, i cili të ketë thënë: "Hidri është një i dërguar i Allahut, me jetë të gjatë, dhe sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, atë nuk mund ta shohin sytë e njerëzve të rëndomtë dhe thuhet se ai do të vdesë nga fundi i Botës, kur të ngrihet Kur'ani".(7)
- Grupi i dijetarëve- mistikëve, bazuar në disa thënie të dijetarëve të mëhershëm, anojnë nga mendimi se Hidri, ashtu siç thamë më lart, është një prej nipave të Ademit a.s. dhe është njeriu me jetëgjatë në fytyrën e Tokës.(8)
Në ndërlidhje më thënien e lartcituar, Ibn Is'haku transmeton se, kur iu afrua vdekja, Ademi a.s. i tuboi bijtë e vet dhe i njoftoi se Tufani-Përmbytja do të vinte, dhe u la porosinë atyre që, nëse do të arrinin atë kohë, ta bartnin xhenazen e tij në anije, dhe ua shënjoi e ua bëri të ditur edhe ven din ku do ta rivarrosnin pas Përmbytjes. Kaluan vite e shekuj dhe Përmbytja e Madhe ndodhi në kohën e Nuhit a.s.. Sipas porosisë që ishte përcjellë nga Ademi a.s. brez pas brezi, bijtë e Nuhit a.s. e morën me vete edhe xhenazen-trupin e vdekur të Ademit a.s.. Pas përfundimit të përmbytjes, Nuhi a.s. i urdhëroi bijtë e tij që ta merrnin xhenazen e tij dhe ta varrosnin sipas porosisë që kishte lënë ai, në vendin që ai vetë e kishte caktuar. Ata dolën për ta kërkuar vendin, por u kthyen prapë te Nuhi a.s. e i thanë se toka ende nuk ishte e përshtatshme për varrim. Ai për vite të tëra vazhdoi t'i nxiste bijtë dhe nipat e tij që të zbatonin porosinë e Ademit, sepse ai ishte lutur për atë që do ta varroste, që Allahu t'i dhuronte jetëgjatësi më tepër se çdo njeriu në fytyrën e Tokës. Pas një kohe të gjatë, këtë e kishte realizuar Hidri a.s., prandaj Allahu e realizoi premtimin e Ademit a.s., duke i dhuruar Hidrit a.s. jetëgjatësinë.(9)
Transmetohet nga Harith ibn Usame, autor i Musnedit, nga Enesi r.a. e ky nga Resulullahu s.a.v.s. të ketë thënë: "Hidri qëndron (jeton) në det e Iljasi në tokë. Ata të dy takohen çdo natë tek penda (pengesa) të cilën e ka ndërtuar Dhulkarnejni në mes njerëzve dhe Jexhuxhit e Mexhuxhit. Ata kryejnë Umren dhe Haxhin për çdo vit dhe pinë prej ujit të Zemzemit, që u mjafton deri në vitin e ardhshëm...(10)
Po ashtu transmetohet se, pasi kishte ndërruar jetë i Dërguari a.s., ashabët kishin parë një plak me mjekër të thinjur, fytyra e të cilit rrezatonte dritë, i cili i këshillonte për durim ashabët e Pejgamberit a.s.. Pasi kishte dalë plaku, njerëzit kishin pyetur: Kush ishte ky njeri? e Ebu Bekri r.a. dhe Aliu r.a. ishin përgjigjur: Ky ishte vëllai i Pejgamberit a.s.-Hidri a.s.(11)
Ndërsa argumentet e grupit të dytë, që mendojnë se Hidri nuk është gjallë, por ka vdekur, janë këto:
- Ibn Kajjimel Xhevzijje thotë: Të gjitha hadithet që flasin rreth Hidrit a.s. dhe të jetuarit të tij deri në Ditën e Mbramë, janë të trilluara dhe të shpifura, dhe asnjëri nuk është i vërtetë.(12)
- Është pyetur Imam Buhariu rreth jetëgjatësisë së Hidrit a.s., dhe Iljasit a.s., nëse ata janë ende gjallë, ndërsa ai ka thënë: "Si mund të jenë të gjallë kur i Dërguari ynë a.s. ka thënë: "Pas 100 vjetësh asnjë njeri që sot gjendet mbi sipërfaqen e tokës, nuk do të jetë i gjallë".(13)
- Argument në lidhje me këtë konstatim është edhe ajeti 34 i kaptinës El-Enbija'ë: "Ne, asnjë njeriu para teje (Muhammed) nuk i dhamë jetë të përhershme, e nëse ti vdes, a mos do të mbesin ata përgjithmonë?" - Transmetohet nga Xhabir bin Abdullahu të ketë thënë: I Dërguari i Allahut ka thënë: Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, po të ishte Musai gjallë, nuk do të kishte zgjidhje tjetër përveçqë të më pasonte mua", prandaj, si mund të jetë Hidri a.s. i gjallë dhe të mos ketë falur me Resulullahun s.a.v.s. as namazin e xhumasë, as me xhematë e as të mos ketë luftuar përkrah tij. A nuk e shihni se kur Isai a.s. do të zbresë në Tokë, të falet pas imamit të këtij Ymeti, dhe nuk del si prijës (i namazit), në mënyrë që një gjë e tillë të mos vijë ndërhyrje-cenim i profetësisë së Pejgamberit tone a.s..(14)
- Sipas argumenteve logjike, është fakt se, po të ishte Hidri i gjallë, kjo do të ishte një prej çudive më të mëdha. Nëse Kurani e ka përmendur Nuhin a.s., i cili e ka thirrur popullin e vet për 950 vjet, atëherë si është e mundur të mos e ketë cekur Hidrin që është i gjallë deri në ditën e Fundit të Botës.(15)
Mendimi përfundimtar rreth jetëgjatësisë së Hidrit apo vdekjes së tij, shikuar nga perspektiva jonë, është vështirë të jepet, aq më shumë kur në lidhje me këtë, kanë pasur mospajtime dijetarët më të mëdhenj të Ymetit islam.
Sipas argumenteve kuranore dhe logjike, del se mendimi i grupi të dytë, që pretendojnë se Hidri a.s. ka vdekur, është më i përafërti, ndonëse as mendimi i parë nuk mund të hidhet poshtë kategorikisht. Sidoqoftë, të vërtetën e di më së miri vetëm Allahu xh.sh.. Atij i mbështetemi duke kërkuar prej Tij të na ndriçojë në rrugën e së vërtetës dhe saktësisë. Kurse, për sa i përket shfaqjes së Evliave, është e ditur se Allahu xh.sh. në çdo kohë dhe në çdo vend, njerëzve të caktuar e të devotshëm u shfaq keramete të ndryshme. Nuk është e thënë që ndonjëri prej atyre personave që u shfaqet njerëzve në rrethana të ndryshme, zakonisht të vështira, të shumtën e rasteve për t'i vënë ata në sprova të ndryshme, të jetë pikërisht Hidri a.s., por mund të jenë evliatë e Alla hut, të cilët, me devotshmërinë dhe dëlirësinë e tyre shpirtërore, shpërfaqin herë pas here keramete të tilla ndër njerëz, me ndihmën e të Madhit Zot..


Porositë nga rrëfimi i Musait a.s. me Hidrin (ajetet 60-82)


- Tregimi i Musait a.s. me robin e mirë të Allahut-Hidrin, ka shtjelluar në mënyrë mahnitëse sprovën në dituri. Nga kjo sprovë duhet të marrim mësime dhe porosi të mëdha. Mbrojtja dhe shpëtimi nga kjo sprovë, është modestia në kërkimin e diturisë, sinqeriteti dhe durimi i madh. Këtë e sqaron ajeti 96 i sures El-Kehf: "(Musai) Tha: "Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të të kundërshtoj ty për asgjë!"
-Dituria që ua mëson Allahu xh.sh. robërve të Tij, është dy llojesh: Dituri e fituar, të cilën njeriu e përfiton në bazë të përpjekjeve dhe mundit të tij, duke lexuar, mësuar e medituar, dhe Dituri hyjnore, të cilën Allahu ia dhuron kujt të dojë prej robërve të Tij.
- Edukata dhe mirësjellja e nxënësit ndaj mësuesit është një parim universal. Nxënësi duhet ta ketë gjithmonë parasysh që të kërkojë me përulësi nga mësuesi për të mësuar diçka prej tij.
- Modestia dhe përulësia duhet të karakterizojë kërkuesin e dijes (nxënësin) në çdo hap të shoqërimit të tij me dijetarët. Në rastin konkret, ndonëse Musai a.s., pa dyshim, ishte njeri më me vlerë tek Allahu sesa Hidri a.s., megjithatë, ai i kërkoi atij me përulësi që ta mësonte nga ajo dituri që ia kishte dhuruar Allahu.
- Vendosmëria është po ashtu një prej cilësive të nxënësit/kërkuesit të dijes.
- Çdo e mirë, e në këtë rast edhe pajisja me dituri, duhet t'i atribuohet Allahut xh.sh., dhe njëkohësisht duhet ta falënderojmë Atë për këto mirësi ndaj nesh.
- Gjatë nxënies së diturisë, duhet të kujdesemi që ajo dituri të jetë e dobishme dhe udhëzuese për mirësi, ose si tërheqje e vërejtjes nga e keqja e mundshme që mund të na godasë.
- Ai njeri që nuk është i pajisur me forcën e durimit dhe të përkushtimit për të mësuar e nxënë dituri, ai nuk është i denjë që të pajiset me dituri. Ai që nuk ka durim, nuk mund të kuptojë e as të perceptojë thellësitë e dijes, ndërsa ai që ka durim, zell dhe përkushtim të lartë, ai pa dyshim do t'i arrijë synimet dhe objektivat e tij në këtë botë.
- Shkaku kryesor që të arrihet durimi, është që të kesh njohuri të bollshme rreth një çështjeje për të cilën duhet të kesh durim, përndryshe, për diçka që është e vështirë ta perceptosh logjikisht, është vështirë të gjesh forcë për të qenë i durueshëm. Ky është edhe kuptimi i fjalëve të Hidrit drejtuar Musait a.s.: "Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar"?
- Është një mësim jetësor, që secili prej nesh duhet ta ketë ndër mend - se asnjëherë nuk duhet nxituar me gjykim për diçka pa e ditur qëllimin final të asaj që synohet.
- Mësuesi duhet të ketë parasysh aftësitë e të kuptuarit të nxënësit, dhe të mos ngutet me vlerësim negativ, për shkak të ndonjë momenti dobësie nga ana e nxënësit.
- Nëse njeriu merr një rrugë më të largët, është mirë të marrë me vete të paktën një shoqërues, me të cilin mund të bisedojë dhe ta mundë vetminë.
- Lejohet lundrimi në det, qoftë për çështje të kërkim it të rrëskut e të tregtisë, por edhe për relaksim.
- Njeriu nuk ngarkohet tek Allahu për shkak të harresës, sepse harresa është pjesë përbërëse e jetës të secilit prej nesh. Musai a.s. i tha Hidrit a.s. "(Musai) Tha: "Mos më qorto pse harrova".
- Mësuesi duhet të pajiset me cilësitë e faljes e butë sisë dhe të mos jetë i vrazhdë ndaj nxënësve të tij.
- Ngjarjet që ndodhin në këtë botë, ne i vështrojmë vetëm nga ana sipërfaqësore, dhe gjykojmë për to vetëm nga ky prizëm, por në realitet, në brendi të tyre fshihen edhe urtësi të cilat ne, me të kuptuarit tonë të kufizuar, nuk mund t'i perceptojmë dot. Të tilla ishin tri veprimet e Hidrit a.s., të cilat sipas dukjes së jashtme (anës sipërfaqësore) ishin gjëra të neveritura nga kënd vështrimi i Musait a.s..
- Vrasja e njeriut pa faj, është një prej gjërave më të tmerrshme dhe një prej mëkateve të mëdha. Për këtë arsye, Musai a.s. i tha Hidrit a.s.: "A e mbyte njeriun e pastër, pa mbytur ai askënd?! Vërtet ke bërë një punë të shëmtuar"!
- Allahu xh.sh. gjithmonë e merr në mbrojtje njeriun e mirë e të devotshëm, nderin, pasurinë dhe pasardhësit e tij.
- Kujdesi ndaj jetimëve është një prej obligimeve më madhore në Islam. Për këtë jemi të porositur nga Alla hu i Madhërishëm dhe nga Pejgamberi ynë fisnik.
- Si shenjë e mirësjelljes ndaj Allahut, çdo punë dhe veprim tonin të mirë duhet t'ia atribuojmë Allahut, ndërsa çdo dobësi dhe mangësi vetvetes, ashtu siç veproi Hidri a.s. kur, për shpimin e anijes, tha: "e unë desha ta bëj atë me të meta", kurse pas meremetimit të murit të dy jetimëve, tha: "... e Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetimë) ta arrijnë pjekurinë e vet dhe ta nxjerrin ata vetë thesarin e tyre".
- Udhëtimi në distanca të largëta dhe për një kohë të gjatë, për t'u pajisur me dituri, ka vlerë të madhe, saqë melekët dhe çdo krijesë në tokë e në det, luten dhe bëjnë dua për nxënësin/kërkuesin e dijes (dijetarin).
- Dijetarët e mëdhenj dhe koleksionuesit e haditheve: Buhariu, Muslimi dhe të tjerët, kanë udhëtuar mijëra kilometra nëpër tokat islame, vetëm për të marrë e shënuar një hadith në koleksionet e tyre.
- Të kërkuarit e diturisë është lehtësim i rrugës për Xhenet. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Atij që merr një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu do t'ia lehtësojë rrugën për në Xhenet".
- Ndaj dijetarëve duhet të jemi të sjellshëm duke përdoruar shprehjet më të mira edukative. - Kur dikush të kërkon falje, për një gjë të pakëndshme që ka vepruar para teje, pranoja faljen, sepse kjo është prej zemërgjerësisë, me se na ka nderuar Allahu i Madhërishëm.
- Gjatë udhëtimit në shoqëri, njeriu duhet të jetë i sjellshëm dhe i butë me bashkudhëtarët.
- Për një mirësi që dikush ta ka bërë, së pari falën deroje Allahun e pastaj edhe mirëbërësin, sepse kështu porosit edhe Pejgamberi a.s. kur thotë: "Ai që nuk E falënderon Allahun, nuk është falënderues as ndaj njerëzve".(16)
- T'i bësh konak mysafirit, është vaxhib, sipas konsensusit të dijetarëve. I Dërguari i Allahut ka thënë: "Ai që i beson Allahut dhe Ditës së Gjykimit, le ta respektojë e nderojë mysafirin e tij".
- Disa dijetarë mendojnë se tri gjërat që nuk i pëlqeu Musai a.s. nga veprimet e Hidrit a.s., në fakt i kishin ndodhur pikërisht atij edhe në jetën reale. f.v. tek shpimi i anijes kemi ngjashmëri kur nëna e tij e kishte futur në një sënduk dhe e kishte hedhur në lumin Nil; tek mbytja e djaloshit nga ana e Hidrit, kemi rastin kur Musai a.s. e mbyti koptin, duke i dalë në ndihmë një bashkëkombësi të tij; dhe në rregullimin e murit të dy jetimëve, gjejmë ngjashmëri kur Musai a.s. u ndihmoi dy vajzave të Shuajbit a.s. për t'u shuar etjen bagëtive të tyre duke ngritur kapakun e bunarit (pusit), pa u kërkuar shpërblim për këtë".(17)


__________________
1) Ibn Kutejbe El-Mearif f. 42; Imam en-Nevevijj Tehdhibul Esmai vel-Lugati, Bejrut, pa vit botimi, v.1, f. 176; Fet'hul Bari v. 6, f. 433; Tarih et-Taberi, v.1, f. 256 - Rrëfimi i Hidrit dhe të dhënat rreth tij.
2) Ibn Kethir Kisasul Enbija'ë, Kajro 1997, f. 548
3) Po aty.
4) Sahihul Buhari- "Kitabul enbija'ë", v. 4, f. 129.
5) Tefsirul Begavij Mealimu-t-Tenzil, Rijad, 1411 h.v.5 f. 188,
6) Sahihul Buhari hadithi nr. (4725); Sahihu Muslim hadithi nr. (2380); Shih:El-Kurtubi"El-Xhamiu li Ahkamil Kur'an" v. 13, f. 316.
7) Tehdhibul Esmai vel-Lugati, v. 1. f. 177.
8) Po aty.
9) Këtë transmetim e përcjell Ibn Kethir në Kisasul Enbija'ë, Kajro 1997 f. 548, por duke e konsideruar këtë si një rivajet të dobët. (Shënim yni S. B).
10) El Mula Ali el Kari'uel Herevi Dam ask-Bejrut 1991 El Hadheru fi emril Hadiri, f. 117.
11) Po aty.
12) El-Alusi RuhulMeani, v.15, f. 326.
13) El Imam IzzuddinAb dur-Rraziker-Rres'anijjel Hanbelijj Rumuzul Kunuzi fi tefsiri-l Kitabi-l Azizi, Mekë, 2008, v. 4 f. 324.
14) Ibn Kethir, El-Bidaje ve-n-Nihaje, v. 1. f. 256.
15) Shih më gjerësisht:El Hadheru fi emril Hadiri, f. 153-172.
16) Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tir midhiu nga Ebu Hurejra. Hadithi është i kategorisë "sahih".
17) Nasir bin Sulejman el-Umeri"Tedebbur suretul Kehfi"f. 119.


 


Sabri Bajgora