Komentimi i kaptinës “El-Kehf”- (16)

Sprova e pushtetit - Rrëfimi për Dhulkarnejnin


"Të pyesin ty për Dhulkarnejnin, thuaju: "Do t'u rrëfej për punën e tij me Kuran (me shpallje)". Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë. Ai iu rrek një aso mundësie (dhe mori rrugën nga perëndimi). Deri kur arriti në vendperëndimin e diellit, e gjeti se po perëndon në njëfarë burimi me lym të zi, dhe aty e gjeti një popull. E Ne i thamë: "O Dhulkarnejn, ose do t'i dënosh, ose do t'i marrësh me të mirë e t'i udhëzosh!"Ai (Dhulkarnejni) tha: "Ai që vazhdon edhe më tej të jetë zullumqar, atë do ta dënojmë, pastaj i kthehet Zotit të vet e Ai e dënon atë me një dënim të tmerrshëm". Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë (xhen neti), dhe atij nga ana Jonë do t'i bëjmë lehtësi (në jetë). Pastaj, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën e lindjes). Deri kur arriti vndlindjen e diellit, e gjeti se po lind mbi një popull që nuk i kemi dhënë ndonjë mbulojë prej tij (diellit). Ashtu (bëri edhe me këtë popull), e Ne e kemi ditur gjendjen e tij (mundësitë dhe sundimin e drejtë të tij). Mandej, ai iu rrek përsëri një aso mundësie (një rruge të tretë mes perën dimit e lindjes - nga veriu), deri kur arriti mes dy kodrave (si penda), dhe prapa tyre gjeti një popull që thuajse nuk kuptonte asnjë gjuhë (përveç gjuhës së vet). Ata thanë: "O Dhulkarnejn, vërtet Jexhuxhi dhe Mexhuxhi janë duke bërë shkatërrime në tokë, a bën që ne të të japim ty një kontribut (në formë tagre a tatimi), e që të bësh një pendë mes nesh dhe mes tyre?" Ai (Dhulkarnejni) tha: "Atë që mua ma mundësoi Zoti im është shumë më e mirë (nga ajo që më ofroni ju), po ju më ndihmoni me fuqi punëtore të bëj një pendë të fortë mes jush dhe mes atyre!". Më sillni copa të hekurit! E kur e nivelizoi ai me dy anët e kodrave, tha: "Ndizeni!", e kur e bëri atë (hekurin) zjarr (si zjarr nga të ndezurit) tha: "Më sillni bakër të shkrirë t'ia hedhë atij!" E ata as nuk arritën ta kapërcenin atë e as ta shponin. Ai (Dhulkarnejni) tha: "Kjo është një e mirë nga Zoti im, e kur të vjen caktimi i Zotit tim, Ai e rrafshon atë, e caktimi i Zotit tim është i sigurtë". (El-Kehf, 83-98)


Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake


Pas përfundimit të ngjarjes së çuditshme dhe enigmatike në mes Musait a.s. dhe Hidrit a.s., nga e cila nxorëm mësime, porosi e përfitime të shumta, I Lartmadhërishmi e pasoi këtë rrëfim të udhëtarit të botës në kërkim të dijes (Musait a.s.) me rrëfimin tjetër edhe më enigmatik, atë të udhëtarit të botës në kërkim të kënaqësisë së Allahut, duke dhënë çdo gjë nga vetja vetëm për ta arritur këtë qëllim fisnik.
Madhështia e kësaj lidhmërie shihet edhe në faktin se Allahu xh.sh. rrëfimin e Musait a.s. me Hidrin a.s. qëllimisht e ka vendosur para atij të Dhulkarnejnit, për hir të epërsisë dhe vlerës që ka Dituria kundrejt Xhihadit.(1)
Pikërisht për hir të kësaj epërsie xhihadi apo përpjekja duhet ta pasojë diturinë, sepse xhihadi që nuk përcillet e ndihmohet me dituri, që në këtë rast nënkupton njohjen e thellë të Sheriatit, mund të çojë në ekstremizëm dhe devijim nga e vërteta.
Rrëfimi i Dhulkarnejnit, i këtij mbreti të urtë të cilit Allahu ia dha të gjitha mundësitë, duke ia lehtësuar çdo nismë të tij në lartësimin e fjalës së Allahut, si një udhëheqës i paepur ushtarak dhe sundimtar i drejtë, na mëson se ai që i mbështetet Allahut me sinqeritet të plotë do ta ketë ndihmën dhe përkrahjen e Tij të përhershme, ashtu siç e kishte edhe Musai a.s., i cili e la popullin dhe vendin e tij vetëm për t'u pajisur me dituri hyjnore.


KOMENTI
Kush është Dhulkarnejni a.s.


83. Të pyesin ty për Dhulkarnejnin, thuaju: "Do t'u rrëfej për punën e tij me Kuran (me shpallje)".
Historia njerëzore na mëson se jeta është një arenë e vazhdueshme betejash mes të mirës dhe të keqes. Historia është një libër i hapur në të cilin individët dhe shoqëritë përbëjnë (shkruajnë) fletët e tij. Vitet dhe shekujt lënë gjurmët e tyre, saqë shpeshherë mendja turbullohet kur lexon për gjithë ato konflikte të përgjakshme, të nxitura më së shumti nga mendjet e sëmura njerëzore, si shfryrje e epsheve dhe egove të çakërdisura. Pothuajse gjithë këto konflikte përgjatë historisë prapavijë kryesore kishin shtypjen, egërsinë dhe pushtetin e dhunshëm.
Por, në të tilla çaste të ndjeshme për njerëzimin, gjithmonë ka pasur njerëz të mëdhenj, të pastër, të çiltër e të pajisur me forcën e besimit (imanit). Këta njerëz ishin të fuqizuar nga Allahu i Plotfuqishëm, që krahas Pejgamberëve, edhe këta të çojnë në vend drejtësinë dhe të ndihmojnë në përhapjen e fesë së Allahut. Njëri prej këtyre mbretërve të drejtë, të fuqishëm e të devo-tshëm, i përzgjedhur për këtë mision fisnik, ishte edhe Dhulkarnejni, për të cilin flet edhe Kurani famëlartë.
Surja "El-Kehf" është e mbushur me plot mistere e enigma, e një prej këtyre mistereve është personaliteti i Dhulkarnejnit. Për të Kurani na flet vetëm pak, apo thënë më mirë vetëm aq sa ka pasur nevojë që ne ta njohim atë dhe t'i njohim të bëmat e tij gjatë udhëti meve në lindje e në perëndim.
Meqë pikërisht personaliteti enigmatik i Dhulkarne jnit ishte njëra nga pyetjet e kurejshëve drejtuar Muhamedit a.s., pyetje këto që ua kishin mësuar çifutët e Medinës, na shtyn edhe neve të hulumtojmë e gjurmojmë nëpër libra të historisë, nëpër tefsirët e moçëm dhe bashkëkohor (komentimet e Kuranit) etj., vetëm e vetëm të përafrohemi tek e vërteta.
A thua kush ishte, apo kush është Dhulkarnejni i përmendur në Kuran? Dijetarët e tefsirit, historianë dhe studiues të tjerë kanë dhënë mendime të ndryshme, të cilat në të shumtën e rasteve janë larg nga e vër teta. Madje, disa prej tyre janë të ndikuara kryesisht nga predikimet e "Ehli-Kitabit", dhe janë jashtë çdo logjike të shëndoshë. Disa të tjerë kanë shkuar aq larg në hamendësime të parafytyruara, duke e konsideruar Dhulkarnejnin jo të kësaj bote. Sidoqoftë, ne do të sjellim të gjitha këto mendime, për të dhënë në fund edhe mendimin përfundimtar, që në bazë të fakteve dhe të dhënave historike të mbledhura nga dijetarët edhe mund të jetë më i afërti me të vërtetën.
Në Kuranin famëlartë emri i Dhulkarnejnit është përmendur tri herë, dhe atë në ajetet 83, 86 dhe 94, të sures "El-Kehf".
Nga vetë emri "Dhulkarnejn" bëhet e qartë se ky nuk mund të jetë emër i tij, por është një nofkë, titull apo ofiq. Ndonëse, as në Kuran e as në hadithe nuk kemi ndonjë sqarim të qartë se çfarë nënkuptohet me fjalën Dhulkarnejn, megjithatë dijetarët kanë dhënë mendimet e tyre rreth domethënies së këtij emri. Në aspektin gjuhësor, fjala "dhu" do të thotë pronar i diçkaje, ndërsa "karnejn" nënkupton brirë, shekull, gërsheta të flokëve etj. Në vazhdim do të sjellim disa nga këto mendime:
- Është quajtur Dhulkarnejn për shkak të udhëtimeve dhe marshimeve të tij ushtarake në lindje e në perëndim. Pjesa dërmuese e dijetarëve anojnë dhe e përkrahin këtë mendim, të cilit i bashkëngjitemi edhe ne.
- Ka pasur dy gërsheta të gjata të flokëve.
- Thuhet se përkrenarja apo kurora e tij mbretërore ka pasur dy brirë.
- Thuhet se ai ka hyrë në dritë dhe në errësirë gjatë ekspeditave të tij ushtarake.
- Thuhet se prejardhja e tij ishte fisnike, si nga ana e babait ashtu edhe nga ana e nënës.
- Është quajtur kështu për shkak se gjatë jetës së tij kanë kaluar dy gjenerata (dy shekuj), etj.
Kurse, sa i përket vetë personalitetit të Dhulkarnejnit, se kush ishte ky mbret i madh, ne gjithashtu do të sjellim disa mendime që janë përmendur nga dijetarët nëpër kohë të ndryshme:
1. Mendimi i parë dhe më i fuqishmi rreth Dhulkarnejnit është se ai ishte një prej mbretërve më të mëdhenj që kanë sunduar ndonjëherë mbi fytyrën e tokës. Përveç që ishte një mbret i fuqishëm, për çka flasin edhe ajetet kuranore, mbi të gjitha ai ishte edhe një besimtar i devotshëm dhe mysliman i sinqertë, që vazhdimisht ishte në lëvizje me ushtrinë e tij, në lindje e në perëndim të tokës. Kudo që shkonte ai, e përhapte Islamin, fenë e Allahut, u ndihmonte të varfërve dhe popujve të dobët e të shtypur, duke vënë rregull e drejtësi të pashembullt në tokë.
Është transmetuar nga Muxhahidi, të ketë thënë: "Mbretër të tokës, në lindje e perëndim të saj, janë katër. Dy prej tyre besimtarë, e dy prej tyre jobesimtarë. Mbretër besimtarë ishin Sulejmani, i biri i Davudit, (Paqja e Allahut qoftë mbi ta), dhe Dhulkarnejni, ndërsa mbretër jobesimtarë ishin Nebuchadnezzari (Nebu kadnessari) dhe Nemrudi."(2)
Ibn Kethiri thotë: "Allahu e ka lavdëruar Dhulkarnejnin për drejtësi, duke na njoftuar se ai kishte arritur pikat më të skajshme në Lindje e në Perëndim të tokës.
Kishte nën pushtet (sundim) shumë territore, rajone e krahina, duke sunduar me drejtësi të plotë, pa i bërë zullum (dëm) askujt. Mendimi më i saktë në lidhje me të është se ai ka qenë mbret prej mbretërve të drejtë."(3)
Ibn Haxheri, në lidhje me Dhulkarnenjnin, ka thënë: "Dijetarët kanë mospajtime për Dhulkarnejnin. Është thënë për të se ishte pejgamber; është thënë se ishte engjëll; dhe është thënë po ashtu se nuk ishte as pejgamber e as engjëll, por ishte mbret, dhe të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve."
Dijetari bashkëkohor, Muhammed Hajr Ramadan Jusuf, mendon se Dhulkarnejni i vërtetë është vetëm Dhulkarnejni i Kuranit, për të cilin na ka njoftuar Allahu xh.sh., sa për ta dalluar nga Dhulkarnejnët e ngjashëm përgjatë historisë, e për të cilët do të flasim në vazhdim.(4)
Mbase, Dhulkarnejni të cilin jemi duke e synuar në këtë komentim mund të jetë një person që ka jetuar në kohën e Ibrahimit a.s., dhe e ka pranuar fenë Islame nëpërmjet këshillave të tij. Këtë mendim e ka përmendur El-Ezrekiu, dhe është një prej mendimeve që, mbase, mund të jetë më i sakti. Kjo për arsye se ekzistojnë disa transmetime në lidhje me këtë.
2. Disa nga mufesirët e mëhershëm, si dhe disa historianë, konsiderojnë se Dhulkarnejni i përmendur në Kuran është Aleksandri i Madh, i biri i Filipit të II të Maqedonisë.
Është për t'u çuditur për naivitetin dhe mendjelehtësinë e këtyre "dijetarëve", të cilët këto mendime të paargumentuara i marrin kallëp nga disa pjesëtarë të "Ehlil-Kitabit". Aleksandri i Madh, me pushtimet e tij të njohura mbi Perandorinë romake dhe mbi Persinë, pastaj pushtimin e Indisë dhe një pjese të territoreve kineze, vërtet kishte sunduar në lindje dhe në perëndim, të njohur deri atëherë, por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë Dhulkarnejni i përmendur në Kuran, të cilit Allahu (xh.sh.) ia kishte dhënë të gjitha vetitë e një mbreti të devotshëm e të drejtë, që ngado që shkonte sillte drejtësi e dashuri mes njerëzve.
Natyrisht se një mendim i këtillë joserioz është hedhur poshtë nga shumica dërmuese e dijetarëve myslimanë, si: Ibn Kethiri, Ibn Haxheri, Ibn Tejmije, e shumë të tjerë. Për shembull, Ibn Haxheri thotë: "Aleksandri i Maqedonisë jetoi tre shekuj para Isait a.s., ndërsa Dhulkarnejni për të cilin flet Kurani, ai ishte 20 shekuj para Isait a.s., pra në kohën e Ibrahimit a.s. Dallimi në mes tyre është i madh, sepse përveç kohës kur jetuan Dhulkarnejni i përmendur në Kuran ishte mbret, besimtar, i drejtë dhe i sinqertë, kurse Aleksandri i Madh, i cili mësues e kishte Aristotelin, ishte idhujtar (pagan) që besonte në shumë zota.
Të njëjtin mendim e ka edhe Ibn Kethiri, i cili thotë se dallimi në mes Dhulkarnejnit dhe Aleksandrit të Madh është i dukshëm, sepse i pari është besimtar i devotshëm kurse i dyti idhujtar. Prandaj si mund të krahasohet i pari me të dytin? Këta të dy nuk janë absolutisht të ngjashëm e as të barabartë. Këtu, dallimin nuk mund ta bëjë vetëm një i marrë, i cili nuk di të dallojë gjërat.(5)
Ibn Tejmije ka thënë: "Aristoteli ishte mësues dhe ministër i Aleksandrit, të birit të Filipit të Maqedonisë. Jetoi rreth 300 vjet para Isait a.s., dhe i mundi persianët. Por ky nuk është Dhulkarnejni i përmendur në Kuran, të cilën gjë e besojnë një grup i njerëzve. Dhulkarnejni i Kuranit e ka ndërtuar pendën për të penguar Jexhuxhin dhe Mexhuxhin, ndërkohë që Aleksandri i Madh nuk ka arritur kurrë tek penda, e as që ka ndërtuar diçka të tillë. Përderisa i pari ishte besimtar i drejtë, i dyti ishte idhujtar që besonte në yje, planete dhe idhuj të shumtë.(6)
3. Dhulkarnejni mund të jetë një mbret nga Jemeni. Es-Sa'b Dhulkarnejn el Himjeri, për të cilin thuhet se ka jetuar 1000 vjet para Isait a.s.
4. Dhe së fundmi, ka disa dijetarë që mendojnë se Dhulkarnejni ishte Kurush (Syrus) el Ahmini, mbreti legjendar i Perandorisë persiane, i cili ka jetuar gjatë viteve 600-529, para lindjes së Isait a.s.
Nëpër librat e Tefsirit ekzistojnë edhe disa mendime të tjera rreth asaj se kush mund të jetë Dhulkarnejni, por ne qëllimisht përmendëm vetëm ata më kryesorët, sepse mendimet e tjera nuk kanë gjetur ndonjë mbështetje më serioze.
Duke analizuar këto mendime, edhe ne fuqishëm përkrahim mendimin e parë, pra se Dhulkarnejni nuk është asnjëri prej katër nga fundi, por është vetëm Dhulkarnejni i Kuranit, emrin dhe historinë e të cilit I Lartmadhërishmi qëllimisht e ka lënë enigmë. Pra ishte një mbret i drejtë, i devotshëm, i cili me lejen e Allahut nënshtroi nga lindja në perëndim, duke çliruar popujt të shumtë nga adhurimet e kota, dhe duke i udhëzuar në rrugën e vërtetë. Ky është Dhulkarnejni që e ndër toi pendën për t'i ndaluar dyndjet e popujve mizorë, Jexhuxh dhe Mexhuxh, të cilët do ta shpërthejnë këtë pendë pak para Kiametit, për të bërë shkatërrim të madh në tokë, e që është edhe njëra prej parashenjave të Kiametit. Ai vazhdimisht ishte në udhëtimet e tij të famshme nëpër tokë. Kurani famëlartë përmend tre udhëtime të tij: I pari në perëndim, idyti në lindje, kurse i treti në verilindje, për të cilët udhëtime do të bëjmë fjalë në vazhdim të komentimit.
- vijon -


________________________
1) El-Bukai "Nadhmud-d-Durreri fi tenasubi-l ajati ve-s suver", Kajro, 1984, v.12, f. 128.
2) Shih Tefsirin e Taberiut 5/433.
3) Shih Ibn Kethiri, "El-Bidajeve-n-Nihaje", v.2, f. 311.
4)Muhammed Hajr Ramadan Jusuf "Dhulkarnejn-El-Kaidu-l Fatih vel Hakimu-s-Salihu", Damask-Bejrut, 1994, f. 248.
5) Ibn Kethiri, "El-Bidajeve-n-Nihaje", Damask-Bejrut, 2010, v.2, f. 310.
6) Ibn Tejmije, "Mexhmu'ul Fetava", v.9, f. 171-172.


 


Sabri Bajgora