Udhëtimi i parë i Dhulkarnejnit - në Perëndim
"Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë (synimet). Dhe, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën nga Perëndimi). Kur arriti në vendperëndimin e Diellit, pa se ai po perëndonte (ulej) në një si burim të zi lymi, dhe në afërsi të tij gjeti një popull. Ne thamë: "O Dhulkarnejn, mund t'i ndëshkosh ata ose mund t'i marrësh me të mirë (e t'i udhëzosh!)." Ai (Dhulkarnejni) tha: "Ai që vazhdon edhe më tej të jetë zullumqar, atë do ta ndëshkojmë, e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të tmerrshëm. Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë (xhenneti), dhe atij nga ana Jonë do t'i bëjmë lehtësi (në jetë)." (El Kehf, 84-88).
Komenti
84. Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë (synimet).
Tregimi rreth Dhulkarnejnit dhe udhëtimeve të tij të famshme në Lindje e Perëndim të Tokës është rrëfimi i fundit që trajtohet në këtë sure të bekuar, të mbushur me plot enigma, mistere e fshehtësi. Ashtu siç kemi theksuar më parë, Dhulkarnejni ishte një mbret besimtar dhe i devotshëm, i cili duke u mbështetur në Allahun, u fuqizua nga i Plotfuqishmi me të gjitha mundësitë, forcën, ushtrinë dhe gjërat e nevojshme për një ekspeditë të tillë të suksesshme. S'ka dyshim se Dhulkarnejni pas vetes kishte një ushtri të madhe e të përgatitur, saqë asnjë ushtri e as mbret nuk mund të krahasohej me të. Kjo forcë ushtarake që iu dha Dhulkarnejnit nuk ishte një forcë që burim mund të kishte shtetet, korporatat ushtarake apo magnatët e fuqishëm, por ishte fuqizim i drejtpërdrejtë nga Allahu i Plotfuqishëm, e atë që e fuqizon i Madhërishmi nuk ka forcë që mund ta mposhtë dhe as që mund t'i rezistojë.
Në këto ajete rreth Dhulkarnejnit do ta hasim katër herë fjalën "Sebeb", ndërkohë që në Kuran është përdorur edhe pesë herë të tjera, gjithsej nëntë herë, prandaj edhe e shoh të arsyeshme që shkurtimisht të jap disa sqarime të dijetarëve lidhur me kuptimet e kësaj fale.
Fjala "Sebeb" në Kuran ka ardhur me disa kuptime: shkas, mjet, mundësi, rrugë, dituri etj. Sipas shumicës së dijetarëve kjo fjalë në ajetet ku flitet rreth Dhulkarnejnit nënkupton rrugët, mundësitë, fuqitë dhe shkaqet që atij ia mundësuan të kishte sukses në misionet dhe ekspeditat e tij ushtarake, si një mbret i devotshëm e i fuqishëm në Tokë. Për të bashkuar të gjitha këto gjëra patjetër se kërkohet dija (dituria), nëpërmjet të cilës, arsyes dhe logjikimit, bëhen analizat e thella. Pra, një prej kuptimeve të mundshme të fjalës "Sebeb" mund të jetë dituria(1), nëpërmjet të cilës Dhulkarnejnit iu hapën të gjitha rrugët dhe mundësitë. Kurse për ata që prete- ndojnë se ai ishte i dërguar i Allahut, kjo fjalë nënkupton pejgamberin. (Allahu e di më së miri).
85. Dhe, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën nga Perëndimi).
Dhulkarnejni mori rrugën duke shfrytëzuar mundësitë dhe mjetet luftarake që i kishte në dispozicion. Ai, me diturinë që posedonte si dhuratë nga Allahu, kishte bërë planifikimin e përpiktë për suksesin e ekspeditës së tij, e cila në radhë të parë synonte udhëzimin e njerëzve në besimin e pastër në Zotin e gjithësisë. Dhulkarnejni nuk ishte fuqizuar me ndonjë mrekulli të mbinatyrshme, nga ato me të cilat Allahu i forcon pejgamberët e Tij, por ai shfrytëzoi tërë zgjuarsinë që ia kishte dhuruar i Gjithëdijshmi, dhe falë kësaj intuite të paparë të një strategu ushtarak, ai arriti të ishte shembull i suksesit gjatë ekspeditave të tilla ushtarake, kur ato analizohen deri në detaje. Sipas Kuranit famëlartë, udhëtimi i tij i parë ishte drejt Perëndimit, dhe ai ndoqi këtë rrugë së bashku me ushtrinë e tij madhështore.
86. Kur arriti në vendperëndimin e Diellit, pa se ai po perëndonte (ulej) në një si burim të zi lymi, dhe në afërsi të tij gjeti një popull. Ne thamë: "O Dhulkarnejn, mund t'i ndëshkosh ata ose mund t'i marrësh me të mirë (e t'i udhëzosh!)."
Se për cilin vend bën fjalë ky ajet nuk mund të thuhet saktësisht, por vetëm mund të hamendësohet. Sido qoftë, duke u nisur nga fakti se civilizimi i atëhershëm njerëzor, përqendrohej kryesisht në kontinentin aziatik, dhe në pjesën e Afrikës Veriore, brigjet e së cilës i prek Deti Mesdhe, pikërisht aty ku edhe fillon Oqeani Atlantik, atëherë shohim se në atë kohë me fjalën "Perëndim" nënkuptohej pjesa e botës që përfshin tokat e Marokut, Tunisit, Algjerisë, pra aty ku gjendet edhe ngushtica e Gjibraltarit.
Ajeti në fjalë mbase flet pikërisht se Dhulkarnejni arriti deri në brigjet e Atlantikut, i cili nga banorët e atëhershëm quhej edhe Deti i Errësirës së Pafundme, për shkak se madhësia e tij ishte e paimagjinueshme. Ai pra arriti deri te ky vend, ku dukej sikur dielli po perëndonte (ulej) në një burim të zi të lymit.
Kuptimin e këtij ajeti janë përpjekur ta përqeshin e tallin ata që në zemër kanë sëmundje dhe urrejtje ndaj Kuranit, me fjalët se gjoja Dhulkarnejni paska arritur fundin e perëndimit të diellit, dhe se ai kinse po perënduaka në një gropë, burim të ujit apo lymit të zi,(2) ndërkohë që dihet se Toka është eliptike, dhe dihet se kur perëndon e kur lind dielli, dhe dihet se në raport me planetët e tjerë në çfarë pozite hapësinore dhe kozmologjike gjendet ai. Sidoqoftë, këto fjalë fyese e ironike të tyre janë aq pavend e naive, saqë edhe njohësi mesatar i gjeografisë dhe astronomisë e di se fjala është pikërisht për perëndimin e Diellit teksa gjendesh në brigjet e Oqeanit të pafund. Ai, teksa perëndon, formon një hije të zezë rreth ujit, dhe duket sikur vërtetë është duke perënduar dhe duke u zhytur në ujë. I njëjti rast ndodh edhe kur gjendemi në mes të shkretëtirës, kur dielli duke perënduar na duket sikur po perëndon në rërë. Por, a është kjo e vërtetë, pra se dielli perëndon në ujë apo në rërë?! Natyrisht se jo. Por, shprehja kuranore është e vërtetë dhe shpreh mrekullinë stilistike, sepse nga ky ajet kuptohet katërçipërisht se Toka është eliptike dhe se ajo sillet rreth diellit.
Një mendim të tillë, para pothuajse 9 shekujve, e ka dhënë edhe mufesiri i madh Rraziu, në kohën kur në Evropë mbretëronte errësira e pafund e mjerimit mesjetar, kur shkencëtarët e guximshëm si Koperniku e Galileu dënoheshin nga Kisha me djegie në stivë drush, vetëm pse argumentonin shkencërisht se toka është e rrumbullakët dhe sillet rreth Diellit.
Rraziu thotë: "Me këtë argument të qartë vërtetohet se Toka është e rrumbullakët, ndërsa hapësira qiellore e mbështjell atë, dhe s'ka dyshim se Dielli është në hapësirën qiellore. Allahu në Kuran thotë: "...dhe në afërsi të tij gjeti një popull." Dihet dhe kuptohet (logjikisht) se njerëzit është e pamundur të jenë të ulur pranë diellit, dhe po ashtu dihet se ai është shumë herë më i madh se toka. Prandaj, si mund të mendojë dikush se ai mund të zhytet në një burim uji të kësaj toke?! Pasi kjo është shumë e qartë, atëherë themi se fjalët e Allahut: "po perëndonte (ulej) në një si burim të zi lymi", nënkuptojnë faktin se kur Dhulkarnejni arriti në vendperëndimin e Diellit ai pas vetes la çdo gjurmë të qytetërimit të ndërtuar, dhe pa se Dielli dukej sikur po perëndonte në një burim të errët të kësaj hapësire të pafund oqeani ke. Edhe pse në realitet kjo nuk është e vërtetë (se Dielli perëndon në një burim uji), ashtu siç udhëtarit në det i duket se dielli po perëndon në det, sepse nuk sheh gjëkundi bregun, e vërteta është se ai perëndon përtej detit. Ky është sqarimi që e ka dhënë edhe Ebu Aliel Xhibai në tefsirin e tij".(3)
Në brigjet e Oqeanit Atlantik Dhulkarnejni gjeti një popull të madh, jobesimtar: "...dhe në afërsi të tij gjeti një popull. Ne thamë: "O Dhulkarnejn, mund t'i ndëshkosh ata ose mund t'i marrësh me të mirë (e t'i udhëzosh)!"
Kur Dhulkarnejni e nënshtroi atë popull zullumqar, i Lartmadhërishmi, me anë të inspirimit (frymëzimit), në lidhje me çështjen e tyre e vuri në mes dy zgjedh jeve: Ose t'i ndëshkonte për shkak të mosbesimit dhe ligësive të tyre; ose t'i merrte me të mirë e t'i udhëzonte në fenë e vërtetë dhe besimin e pastër në Allahun.
Dihet se thirrja në Allahun është një prej detyrave më fisnike, dhe thirrësit e kanë parasysh faktin se ta udhëzosh një njeri në rrugën e drejtë është më e vlefshme se tërë bota me pasuritë e saj. Pikërisht këtë rrugë, me udhëzimin e Allahut, e ndoqi edhe Dhulkarnejni. Ai shpërndau thirrësit e tij më të dalluar gjithandej nëpër atë popull, që t'ua shpjegonin atyre rrugën e besimit të vërtetë dhe, pas një kohe, ai doli para tyre dhe ua komunikoi verdiktin e tij prej një sundimtari të drejtë e të vërtetë.
87. Ai (Dhulkarnejni) tha: "Ai që vazhdon edhe më tej të jetë zullumqar, atë do ta ndëshkojmë, e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të tmerrshëm."
Dhulkarnejni atij populli i shpjegoi se mosbesimi është një rrugë e kotë, e cila të çon në humbje edhe në këtë botë edhe në botën e ardhshme. Ai që në fillim të nënshtrimit të tyre u kishte thënë se ata që preferojnë të mbesin në errësirën e mosbesimit dhe vazhdojnë të bëjnë krime e ligësi në tokë, ai do t'i ndëshkonte rreptë, pa asnjë mëshirë, sepse është rregull nga Zoti që nëse një grup njerëzish rebelohet ndaj urdhrave të Allahut ata të ndëshkohen me forcë në këtë botë. Fjala "sevfe" "më pas", e përdorur në këtë pjesë të ajetit, nënkupton se ndëshkimi për ta, nga ana e Dhulkarnejnit, nuk do të ishte i menjëhershëm, por do të ndodhte vetëm pasi të shteronin të gjitha mundësitë e bindjes me argumente të pakontestueshme në Njëshmërinë e pastër. Nëse edhe atëherë nuk do të bindeshin, atëherë do të ndëshkoheshin.
Ai më pas ua bëri të qartë se, po që se nuk dëshironin të përudheshin, do t'i priste një ndëshkim edhe më i tmerrshëm në Ahiret, kur do të ndëshkohen rëndë nga Krijuesi, Fuqiploti. I Madhërishmi këtë ajet e përfundon me fjalët: "adhabennukra" që nënkupton ndëshkimin më të rëndë dhe më të tmerrshëm që mund të përjetohet me shqisat dhe ndjenjat trupore e shpirtërore.
88. Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë (xhenneti), dhe atij nga ana Jonë do t'i bëjmë lehtësi (në jetë).
Ndërsa sa i përket atyre që u udhëzuan në dritën e të vërtetës, duke u kthyer me zemër të penduar tek Allahu për krimet e bëra, atyre u takon shpërblimi më i madh nga Allahu - xheneti, ndërkohë që ata nuk do të ngarkoheshin më me ndonjë punë të rëndë e të padu rueshme as nga Dhulkarnejni. Kjo që të kenë mundësi dhe kohë t'i përkushtohen me ibadet vetëm Allahut, e të jenë larg vuajtjeve shpirtërore, me të cilat zakonisht, herët a vonë, ballafaqohen ata që në zemër nuk e kanë të pastër ndjenjën e besimit në Zotin e ekzistencës.
Udhëtimi i dytë i Dhulkarnejnit - në Lindje
"Pastaj, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën e Lindjes). Deri kur arriti vendlindjen e Diellit, e gjeti se po lindte mbi një popull të cilit nuk i kemi dhënë ndonjë mbulojë prej tij (diellit). Ashtu (bëri-veproi edhe me këtë popull), e Ne e kemi ditur gjendjen e tij (mundësitë dhe sundimin e drejtë të tij)." - (El-Kehf, 89-91).
89. Pastaj, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën e Lindjes).
Pasi kishte arritur pikën më të skajshme në Perëndim, tash Dhulkarnejni, me tërë ushtrinë e tij madhështore, u nis në Lindje të Tokës. Ai la popullin që e kishte gjetur pranë brigjeve të Oqeanit Atlantik, pasi një pjesë e tij ishte udhëzuar në rrugën e drejtë.
Tash atë e priste misioni i ri, të udhëzonte një popull që jetonte në Lindje. Ai zgjodhi rrugët më të shkurtra për atje, dhe së bashku me strategët e tij ushtarakë planifikoi çdo gjë rreth kësaj ekspedite deri në detajet më të imta.
90. Deri kur arriti vendlindjen e diellit, e gjeti se po lindte mbi një popull të cilit nuk i kemi dhënë ndonjë mbulojë prej tij (diellit).
Ai u nis në Lindje dhe, kur arriti atje, takoi një popull tjetër të paudhëzuar. Te kjo tokë e largët vërejti se njerëzit nuk kishin ndonjë mbulojë-shtëpi, që të mbroheshin prej diellit. Nga ajeti në fjalë mund të kuptojmë se tek ky popull nuk kishte gjurmë të ndonjë civilizimi, por ata jetonin një jetë të thjeshtë, duke mos pasur ndonjë godinë apo ndërtesë ku të strehoheshin. Madje, shumë prej dijetarëve mendojnë se ata nuk kishin as rroba për të mbuluar trupin e tyre.
Duke u përpjekur të depërtojnë në ndonjë fshehtësi të vendit ku jetonte ky popull, disa dijetarë kanë thënë se toka ku ata jetonin ishte shumë e butë, dhe nuk mbante në këmbë asnjë ndërtesë, prandaj, ata kishin vendstrehime të thjeshta, e jo aso çfarë i njohu historia më e hershme njerëzore.
Se ku është saktësisht ky vend, i lindjes së Diellit, nuk dihet, por qëllimi është për horizontin e largët lindor, ku rrezet e diellit së pari puqin tokën. Ibn Ashuri mendon se Dhulkarnejni në udhëtimin e tij në Lindje arriti deri në brigjet e Detit të Japonisë, në kufi me Manxhurinë apo Korenë.(4) Ky ajet po ashtu shpreh një mrekulli tjetër stilistike kuranore, ashtu siç ishte edhe ajeti që fliste për vendperëndimin e Diellit, apo horizontin perëndimor.
Në të dy ajetet, për perëndimin dhe lindjen e diellit f litet në mënyrë metaforike, sikur ai të lindte e të perëndon te në Tokë, por kjo është vetëm një metaforë që tregon pika të caktuara gjeografike në rruzullin tokësor. Ndër kohë, në shumë ajete të tjera kuranore na bëhet me dije se në çfarë orbite lëviz Dielli gjatë rrugëtimit të tij në kuadër të galaktikës sonë "Rruga e Qumështit", së bash ku me miliarda yje e planete të shpërndarë gjithandej hapësirës kozmike.
91. Ashtu (bëri-veproi edhe me këtë popull), e Ne e kemi ditur gjendjen e tij (mundësitë dhe sundimin e drejtë të tij).
Dhulkarnenjni, pasi kishte arritur në Lindje, kishte nënshtruar edhe këtë popull. Ai kishte vepruar njësoj siç pati vepruar edhe me popullin në Perëndim: i kishte ftuar ata në besimin e pastër në Zotin Një, i kishte ftuar në ëmbëlsinë e besimit dhe lënien e adhurimit të idhujve. Gjatë këtij udhëtimi të tij në Lindje Dhulkarnenjni vazhdimisht ishte nën kujdesin e Allahut të Plotfuqishëm, i Cili e dinte më së miri gjendjen e tij, të ushtrisë së tij dhe të çdo veprimi që ndërmerrte.
- vijon -
__________________________
1) Ky është mendimi i Ibn Abasit, Muxhahidit, Seid bin Xhubejrit, Ikrimes, Suddiut, Katades dhe Ataut. Shih: Et-Tefsi ru-l Mevdui li suveril Kuran, v.4 f. 383!
2) Dr. Sallah Abdulfet tah el Halidij "El Kuran ve nakdumetaini-r-rruhbani", f. 21-25.
3) Shih Tefsirin e Fahru Rraziut Mefatihu-l Gajbi v. 21 f. 166!
4) Ibn Ashur Et-Tahriruve-t-Tenviru, v. 16 f. 28.
Sabri Bajgora