Mbrëmë në Sheshin e Suvenireve në qytetin e Ulqinit, u hap edicioni i 24-të i Panairit të Librit - Ulqini 2025, një ngjarje e rëndësishme kulturore që mbledh botues dhe dashamirë të librit nga mbarë trevat shqiptare dhe më gjerë.
Shtëpia Botuese "Dituria Islame", në kuadër të përpjekjeve të saj të vazhdueshme për promovimin e dijes dhe shpërndarjen e literaturës islame cilësore, është pjesëmarrëse në këtë edicion me një përzgjedhje prej 55 titujsh. Botimet përfshijnë fusha të ndryshme të dijes islame - nga besimi dhe adhurimet, deri te edukimi, etika dhe historia islame.
Në natën e parë të panairit, stenda e Shtëpisë Botuese "Dituria Islame" është mirëpritur me interes dhe vëmendje nga vizitorët, ku shumë prej tyre kanë përfituar nga mundësia për të pasuruar bibliotekat e tyre personale me literaturë cilësore.
Stendën e "Dituria Islame" e vizitoi gjithashtu edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, i cili shprehu mirënjohje për rolin që luan "Dituria Islame" në ruajtjen e identitetit kulturor dhe fetar në hapësirat shqiptare.
"Dituria Islame" fton të gjithë lexuesit, studiuesit dhe dashamirësit e librit që të vizitojnë stendën e saj gjatë ditëve të panairit dhe të përfitojnë nga oferta dhe përzgjedhja e e gjerë që ofrohet.
Mos e humbni këtë mundësi unike për të qenë pjesë e një ngjarjeje që promovon dijen, kulturën dhe dashurinë për librin!
Panairi i Librit në Ulqin do të qëndrojë i hapur nga 27 deri më 31 korrik 2025, çdo ditë nga ora 18:00 deri në 24:00.