Smith Campus Center do të ketë një musallë (hapësirë lutjesh) të përhershme, duke i dhënë fund përdorimit të hapësirave të ngushta në bodrume, të kritikuara që prej vitit 1995 si të papërshtatshme për lutje.
Harvard University këtë vjeshtë do të hapë dy hapësira të reja të dedikuara për lutjet e myslimanëve, përfshirë një musallë të përhershme në Smith Campus Center.
Për gati tri dekada, hapësira kryesore e lutjeve për myslimanët në Harvard ishte e kufizuar në një dhomë të ngushtë bodrumi në Canaday Hall, të plotësuar herë pas here me hapësira të përkohshme, si kati i tretë i Sever Hall.
Studentët shpesh detyroheshin të ndryshonin vendndodhje - ndonjëherë duke udhëtuar mbi 15 minuta me autobus deri te 'Student Organization Center në Hilles' (SOCH) - për kryerjen e lutjeve të përbashkëta.
Hapësira e re, në katin e dytë të Smith Campus Center, do të ketë një ambient të posaçëm për abdes dhe zona të dedikuara për lutjet e përditshme.
Ky zhvillim është një nga rekomandimet kryesore të Grupit të Punës të Harvard-it për Luftimin e Islamofobisë, i cili kërkoi "hapësira të përhershme për lutjet e myslimanëve" si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të adresuar paragjykimet në kampus.
Adam Latif '27, bashkë-president i Shoqatës Islame në Harvard, e vlerësoi këtë hap: "Kjo hapësirë e re është një hap i madh për komunitetin mysliman në Harvard, duke rritur dukshmërinë, përfaqësimin dhe ndjenjën e përkatësisë në kampus."