Ushqimet e lejuara dhe ndryshimet kimike


Në bazë, çdo gjë është e lejuar (mubâh). Allahu i Madhëruar tregon: "Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka ka në tokë" dhe po ashtu thekson se edhe kafshët dhe bimët e tjera janë krijuar për njeriun. Në Kur'anin fisnik po ashtu flitet se për njeriun janë bërë hallall mishi, qumështi apo fuqia e kafshëve, që mund t'i përdorim, disa lloje të zogjve dhe gjahu nga deti. Në Kur'an është zgjedhur që, përveç gjërave të lejuara, të ceken në mënyrë të veçantë vetëm ato që janë të ndaluara - haram dhe të shëmtuarat, të papëlqyerat - mekruh. Në këtë çast, duke u vendosur edhe disa principe, është siguruar që dijetarët islamë të nxjerrin norma përmes analogjisë - kiasit. Caktimi i hallallit dhe haramit u takon vetëm allahut dhe Pejgamberit të Tij. Ndërsa njerëzve një e drejtë e tillë nuk u është dhënë, dhe është cekur një ajet për ata që i kundërvihen kësaj: "Mos i thoni asaj rrenës së gjuhëve tuaja: "Kjo është hallall e kjo është haram" e të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim". Vendosja e normave për hallall apo haram në Islam obligon mbështetjen në rregullin "Sigurimi i së mirës dhe parandalimi i së keqes". Për gjërat e pastra dhe të shëndosha në Kur'an është përdorur shprehja "et-tajjibatu", kurse për ato të dëmshmet dhe të ndaluarat "el-habaithu". Këtë e konkretizon edhe ky ajet kur'anor: "O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë, dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni". Pastaj: "O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira, se Unë e di atë që ju veproni". Dhe ajeti: "Që pranojnë të dërguarin (Muhamedin), Pejgamberin arab (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), tek ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta".


Disa mishra dhe kafshë Të ndaluara sipas Kur'anit


Prodhimet dhe ushqimet e disa kafshëve që Kur'ani i ndaloi, ndahen në ndalimin e dy sojesh në Mekë dhe dy të tjerave në Medinë, të gjitha në katër ajete. Njëri ajet kishte zbritur në periudhën e Mekës, në bazë të pyetjes së Malik in Avfit, që ishte nga mushrikët, që i kishte thënë Pejgamberit a. s.: "Ti je duke na e ndaluar cofëtinën, gjakun dhe mishin e derrit, e gjyshërit tanë këto i llogarisnin të lejuara". Ajeti që zbriti në bazë të kësaj, është ky: "Thuaj: "Në atë që më është shpallur mua (në Kur'an) nuk po gjej diçka të ndaluar nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është: cofëtinë, gjak i derdhur ose mish derri, ai i ndytë, dhe përveç asaj që është therur jo në emër të Allahut (por të ndonjë idhulli) e që është mëkat. E kush detyrohet (t'i hajë këto të ndaluara), por duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar; Zoti yt është që fal e mëshiron shumë". Kurse ajeti i fundit në lidhje me këtë çështje, që ka zbritur në Medinë, është: "Juve u janë ndaluar (t'i hani): ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e Allahut, e furura, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë), ajo që është therur për idhuj, dhe (ju është e ndaluar) të kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj Allahut...". Derisa Pejgamberi a. s. po lexonte suren Maide, gjatë haxhit të lamtumirës, kishte thënë: "O njerëz! Kjo është surja e fundit e zbritur. Kështu që ju hallallet që janë përmendur në të, pranoni hallall, kurse haramet haram".


Zgjerimi i ndalesave nga thëniet e Pejgamberit a. s.


Sipas Kur'anit, ajo që është cekur hallall, në bazë të saj me shprehjen mubah - e lejuar, mund të bëjmë këtë vlerësim: "Të pyesin ty (Muhamed), ç'u është lejuar atyre? Thuaju: "U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira (tajibat). Se cilat janë të mira (et-tajjibatu) dhe jo të mira (el-habaithu) Allahu xh. sh. i ka lënë në kompetencë të Pejgamberit a. s., që ai të vazhdojë t'i cekë ato, në bazë të ajetit: "i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme (tajjibat) dhe u ndalon ato të pakëndshmet (habath)". Për këtë autorizim që allahu i kishte dhënë Pejgmberit a. s., në këtë grup ndalesash Pejgamberi a. s. kishte futur edhe disa kafshë tokësore me llojin e maceve, nga lloji i shpezëve kishte ndaluar zogjtë me kthetra shqyese dhe grabitqarë. Në hadith është urdhëruar: "Pejgamberi a. s. kishte ndaluar të hahen kafshët shqyese si macet dhe shpezët me kthetra dhe grabitqarë". Sipas hadithit që ka transmetuar Xhabiri r. a., Pejgamberi a. s. "Në luftën e Hajberit kishte ndaluar - ka bërë haram ngrënien e mishit të gomarit shtëpiak". Me një thënie tjetër, të gjitha kafshët që kanë karakteristika të ngjashme me ato që u cekën më lart, hyjnë në rangun e atyre të ndaluarave, të ndoturave (el-habaithu). Sipas mendimeve të Ebu Hanifes, Shafiiut, Ahmed ibni Hanbelit dhe İmam Malikut, mishi i kafshëve të ngjashme me këto që janë theksuar në hadith, është i ndaluar të hahet. ndërsa mendimi i dytë i imam malikut është se, hadithet që u theksuan më lart, nuk tregojnë ndalimin e tyre të rreptë, por tregojnë se ngrënia e mishit të tyre është gjë e shëmtuar dhe afër haramit, pra janë në rangun e keraheteve. Shumica e juristëve janë të mendimit se akrepi, gjarpri, miu, bretkosa, buburreci dhe insektet e ngjashme me këto, janë të ndyra për t'i ngrënë dhe nuk është mirë të hahen. Në anën tjetër, përsëri pjesëtarët e mendimit të malikinjve thonë se, përderisa diçka nga insektet nuk dëmton shëndetin e njeriut, me kusht që ato të përgatiten sipas rendit të duhur, ngrënia e tyre lejohet. Ata, si kusht për ngrënien e gjarprit, vënë se atij duhet t'i nxirret helmi dhe të pastrohet mirë. I duhet bërë një vlerësim dhe analizë këtij mendimi lidhur me ngrënien e insekteve në vendet ku hahen ato. Po, në anën tjetër, Pejgamberi a. s. nuk e kishte ngrënë një lloj hardhuce të shkretëtirës (Lacertus), pasi nuk ishte zakon të hahej në vendet ku jetonte Pejgamberi a. s., mirëpo ai i kishte lejuar që shokët e tij që ishin në sofër, ta hanin atë.


Kafshët detare


Edhe kafshët detare janë krijuar që njerëzit të kenë dobi prej tyre. Në Kur'an është cekur: "Ju është lejuar gjuetia në det". Po ashtu edhe Pejgamberi a. s. thotë: "Neve na janë lejuar dy cofëtina dhe dy gjakra; nga cofëtinat, karkaleci dhe peshku, kurse nga gjaku: mushkëritë e zeza (mëlçia) dhe shpretka". sipas hanefinjve, lejohet të hahen vetëm ato kafshë detare që hyjnë në grupin e peshqve. Argumenti i kësaj është ajeti i sures Maide (5/96) dhe hadithi që thekson se peshku dhe karkaleci janë nga të lejuarat, për shkak se hyjnë në grupin e ngordhësirave të lejuara. sa për ato gjallesa që nuk hyjnë në grupin e peshqve, si: oktapodi, kali i detit (hippopotamus), luani i detit, gaforrja, midhja (mythus edulus), breshka e ujit etj., meqë janë habaith - të papastra për ngrënie, atëherë janë mekruh. Sipas hanefinjve, qëllimi i ajetit për gjueti detare ka të bëjë me çdo lloj peshqish. Sipas tri medhhebeve të tjera përveç hanefinjve, ajeti "Ju është lejuar gjuetia në det" nuk ka kufizuar diçka konkrete dhe me këtë kuptohet gjithçka që jeton në det, pra çdo gjallesë që del nga ai, lejohet të hahet. Në anën tjetër, Pejgamberi a. s. ka thënë: "Uji i detit është i pastër dhe cofëtina e tij është e lejuar". Por, disa të tjerë nga kjo kanë përjashtuar derrin e ujit dhe qenin e ujit. Në këtë çështje është bërë një kias - analogji në këtë mënyrë: Gjallesat e detit nuk kanë gjak, e gjaku është ai që është ndaluar - është bërë haram. Për këtë shkak të gjitha gjallesave e detit sikur peshku, mund t'u hahet mishi, pra të gjitha atyre gjallesave të gjalla që jetojnë në det.


Mënyra e prerjes së kafshës sipas islamit


Pejgamberi a. s. ka thënë: "Kur të preni kafshën, prerjen bëjeni në mënyrën më të mirë". Qëllimi i prerjes tek kafsha është që të derdhet gjaku i papastër i saj dhe të ndahet pjesa e gjakut të pastër nga ai. Kjo mund të bëhet me çdo lloj mjeti prerës. Kur të bëhet prerja e kafshës, duhet të fillohet me madhërimin e Allahut dhe që gjahu të jetë zënë sipas rregullave të lejuara. Allahu xh. sh. thotë: "... andaj përmendni Emrin e Allahut duke qenë ato (të përgatitura për therje) në këmbë". Pejgamberi a. s. në këtë kontekst thotë: "Çdo punë që fillon pa bismil-lah, është e mallkuar". Sipas hanefinjve, nëse thënia e besmeles është lënë anash nga harresa dhe pa qëllim, lejohet të hahet ai ushqim i asaj kafshe të prerë nga një mysliman ose një pjesëtar i ehl-i kitabit. Hanefinjtë këtë më së shumti e bazojnë në faktin se gjatë periudhës mekase, kur ata, derisa po pritnin kafshë në emër të putave, duhej të priteshin në emër të allahut dhe në faktin se Pejgamberi a. s. ka porositur që punët e mira dhe të rëndësishme të fillojnë me bismil-lah. Sipas një transmetimi që ka ardhur nga Aliu r. a., lejohet të hahet ushqimi i asaj kafshe të prerë nga një pjesëtar i feve hyjnore. Sepse ata thonë se i besojnë vetëm një zoti. Ndërsa, në anën tjetër, Allahu xh. sh. na e ka bërë mubah - të lejushëm ushqimin e tyre. Argumenti i kësaj është: "Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar)". kurse, sipas shafiinjve, sikurse është synet apo mubah që të bëhet bismil-lah në fillim të çdo pune, lejohet të hahet edhe ushqimi i asaj kafshe që e pret një mysliman, edhe nëse e braktis besmelen, ose nga dikush që e pret prej ehli-kitabëve. Edhe çështja e kafshës së gjuajtur qëndron kështu. Në transmetimin e Bera ibni Adhib, bërë nga Ebu Hurejre, Pejgamberi a. s. ka thënë: "Ajo është e prerë në emër të Allahut qoftë myslimani ta ketë përmendur emrin e Allahut apo jo". dhe "Përmendja - përkujtimi i emrit të Allahut është në zemër të çdo myslimani". Aishja r. a., ka thënë: "Bedevitë na binin mish, ndërsa ne nuk e dinim nëse ata kanë thënë bismil-lah apo jo. E Pejgamberi a. s. na ka thënë: Ju bëni bismil-lah kur të hani, dhe vazhdoni ngrënien". Po të ishte kusht që të bëhet besmelja kur të pritet kafsha, nuk do të lejonte gjindjen e tyre që të hanin mishin e prurë nga bedevinjtë. ka disa prodhime cilësia e të cilave ndryshon dhe ato llogariten nga të papastrat - el-habaithu -, mirëpo ato mund të kalojnë në grupin e të pastrave, të mirave - et-tajjibatu. Si p. sh. shndërrimi i pijes alkoolike në uthull, apo i prodhimeve ushqimore që përmbajnë cilësi të ndyra, si mjalti dhe vaji - këto mund të pastrohen duke i djegur në zjarr apo duke i zier. Mirëpo është e nevojshme që, pasi të bëhen këto procedura, të bëhet edhe analiza nëpër laboratorë. Në ditët e sotme duhet zgjedhur nga ato kafshë që priten sipas rregullores islame, prej të cilave mund të përftojmë farën e parë të djathit dhe xhelatinën. Sot duhen bërë analizat mjekësore të atyre produkteve që përmbajnë anomali, alergji, astma, urtikarie, alergji e fituar nga bimët e bari, dhe kërkohet që këto prodhime të etiketohen në grupin e prodhimeve ushqimore. Konsumatori ka të drejtë të informohet në mënyrë të drejtë e të saktë për prodhimet para se ta marrë prodhimin për përdorim. Sepse ai ka të drejtë të organizojë sistemin e jetës sipas besimit që ka. Lusim Allahun që të na mundësojë fitimin e kafshatës hallall, të fitojmë pasurinë përmes rrugëve të lejuara dhe të na mundësojë që ne, familja jonë dhe të afërmit tanë, të hamë nga ajo që është e lejuar - hallall.


Prof. Dr. Hamdi Döndüren
Përktheu: Mr. Zymer Ramadani
Dituria Islame 241