Falënderoj Allahun i Cili na bëri nga Ymeti i Kur'anit, Libri i qartë i Allahut: "Ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t'i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit". (Fusilet, 41-42). Në të nuk ka divergjenca e as kundërthënie: "A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur'anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie". (Nisa, 82). Libër në të cilin nuk gjendet shtrembërim: "Falënderimi I takon vetëm Allahut Që ia shpalli robit të vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë shtrembërim". (Kehf, 1). "Duke qenë Kur'ani arabisht që nuk ka shtrembërim, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar". (Zumer, 28). Në të gjendet sqarimi për çdo gjë: "Ne ta shpallëm ty librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët". (Nahl, 89). Allahu i Lartësuar e zbriti tek i Dërguari i tij që të na nxjerrë nga errësira në dritë: "Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që, me urdhrin e Zotit, t'i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; (t'i nxjerrësh prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit". (Ibrahim,1). "Është e vërtetë se ky Kur'an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira, i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh". (Isra, 9).
Mrekullitë e Allahut nuk përfundojnë
Nuk përfundojnë mrekullitë dhe nuk kanë fund fshehtësitë e tij, dhe nuk mundet dot nga kundërshtarët e shumtë. allahu i lartësua na lehtësoi, na e dërgoi të Dërguarin e Tij përgëzues për besimtarët dhe qortues për mohuesit: "Ne e bëmë atë (Kur'anin) të lehtë me gjuhën tënde, vetëm që me të t'i përgëzosh të devotshmit, dhe me të t'i tërheqësh vërejtjen një populli që është kryeneç". (Merjem, 97). Zoti ynë na këshilloi që të meditojmë në të, ai që flet me të, e thotë të vërtetën; ai që gjykon me të, sjell drejtësi; ai që kërkon udhëzim, udhëzohet në rrugën e drejtë, e ai që largohet devijon dhe shkatërrohet, në të gjenden lajmet e atyre që ishin para nesh dhe mirësia pas nesh. Vëlla im i dashur! Para se të paraqesim gjendjen e të parëve tanë me Kur'anin, këtu dëshirojmë të përkujtojmë gjendjen e të ngurtave dhe gjendjen e pabesimtarëve, bile edhe të exhinëve. Thotë Allahu i Lartësuar: "Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur'an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë". (Hasher, 21). Pabesimtarët nuk e kanë kundërshtuar madhështinë e tij, njëri prej tyre (Velid bni Mugire) ka thënë: "S'ka dyshim se ai ka ëmbëlsi, dhe se në të gjendet bukuria, dhe se fillimi i tij është i lartë, fundi frytdhënës, dhe se ai triumfon e nuk triumfohet". Sikur një citat i tij të kishte zbritur tek ata atë ditë, Çifutët do ta bënin festë, ndërsa të krishterët, të cilët besuan në Isain a.s. dhe nuk e mohuan ata: "Kur e dëgjojnë atë që i është zbritur të dërguarit (Kur'anin), prej syve të tyre rrjedhin lot, ngase e kanë kuptuar të vërtetën dhe thonë: "Zoti ynë, ne kemi besuar, pra na regjistro ndër ata që dëshmojnë (ndër umetin e Muhammedit)". (Maide, 83). Pasi dëgjuan atë, exhinët qortuan popullin e tyre dhe u mahnitën nga madhështia e tij dhe i besuan atij: "(Kujto) Kur disa prej exhinëve i drejtuam tek ti që ta dëgjojnë Kur'anin dhe kur u afruan dhe e dëgjuan atë, thanë: "Heshtni!" dhe kur u krye, u kthyen te populli i vet dhe e këshilluan". (Ahkaf, 29).
Zemrat s'ngopen nga leximi i Kur'anit
Ndërsa shokët e të dërguarit të Allahut, Muhamedit a. s., dhe të parët tanë gjendjen e tyre me Kur'anin nuk mund ta përshkruanin, nga ai u ishte dridhur trupi dhe shpirti i tyre, dhe me të u ishte shtuar besimi, - ishin lidhur me të në aspektin shkencor dhe shpirtëror, në lexim dhe meditim, praktikuan ligjet e tij para se t'i praktikonin shkronjat e tij. Thotë prijësi i besimtarëve Othman ibni Afani r.a.: "Nëse zemrat tona pastrohen, nuk do të ngopen nga leximi i Kur'anit". Prijësi i besimtarëve Omeri r.a., nëse lexonte një citat të tij, ndalej tek ai duke qarë derisa përplasej përtokë, pastaj shkonte në shtëpi dhe njerëzit e vizitonin sikur të ishte i sëmurë. Sufjan bin Ajine thoshte: "Ai që e do Kur'anin, e ka dashtë Allahun". Muhamed ibni Shuxha, kur iu afrua vdekja, shikoi shtëpinë dhe tha: "Në këtë shtëpi kam përfunduar së lexuari Kur'anin në namaz, tre mijë herë". Ebu Alije thotë: "Ne kemi konsideruar se nga mëkatet e mëdha është që njeriu të mësojë diç nga Kur'ani e pastaj të flejë e të mos lexojë diçka prej tij".
Vlera e bartësve të Kur'anit
1. Ngritja në shkallën e të mirëve: "Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur'anin dhe ua mëson atë të tjerëve".
2. Allahu ia ngre shpërblimin: "S'ka dyshim se Allahu me këtë Kur'an i ngre lart popujt".
3. Ndërmjetëson për shoqëruesin e tij: "Lexoni Kur'an, se me të vërtetë Kur'ani ndërmjetëson për lexuesit e tij".
4. Për çdo shkronjë që lexon, ke shpërblim.
5. Në Ditën e Gjykimit ngrihet pozita e tyre: "I thuhet poseduesit të Kur'anit, lexo ashtu siç e ke lexuar në dynja, vendi yt është në fundin e citatit që lexon".
6. Tregtia e tij me Allahun nuk përfundon e as humb:
"Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe, nga begatitë që Ne u kemi dhënë, japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë një fitim që kurrë nuk humbet". (Fatir, 29).
Edukata e mirësjelljes me Kur'anin
1. Sinqeriteti e lutja për pranimin e leximit, dhe largimi nga mendjemadhësia: "Njëri nga tre që do të zvarriten të parët në zjarr, është lexuesi që ka lexuar Kur'an që t'i thuhet lexues Kur'ani".
2. Kujdesi që çdoherë të jetë me Abdes: "S'ka dyshim se ai është libër i lartë, nuk e prekin përveçse të pastrit."
3. Drejtimi nga Kibla sipas mundësive.
4. Ndjenja se Allahu i Lartësuar është ai me të cilin flet.
5. Meditimi, frika dhe droja, dhe të lexojë Kur'an sikur është duke i zbritur atij.
6. Nënshtrimi dhe të qarët, e nëse nuk mund të qajë, atëherë le të përpiqet.
7. Të vepruarit me atë që ke lexuar, të lejon të lejuarën e tij dhe të ndalon të ndaluarën e tij.
8. Dhe të falënderojë Allahun për atë që i ka dhënë dhe ta lusë që të mos ia ndalojë shpërblimin.
Pas këtij përkujtimi, a je mallëngjyer që të jesh nga ithtarët e Kur'anit, të cilët janë edhe ithtarët e veçantë të Allahut? A e kujton lutjen tënde: "O Allah, furnizona leximin e Kur'anit gjatë natës e ditës, në mënyrën që Ti je i kënaqur nga ne? Nëse është kështu, falëndero Allahun, e në të kundërtën, ki kujdes që të jesh nga ata që janë cilësuar braktisës të Kur'anit.
Detyrat praktike:
1. Përkushtimi që të kesh një pjesë gjatë ditës për të lexuar Kur'an, dhe përpiqu që Kur'anin ta përfundosh së lexuari brenda një muaji.
2. Shfrytëzimi i kohës, dhe sidomos gjatë pritjes së namazit, gjatë udhëtimit, pas namazit të mëngjesit dhe para gjumit.
3. Shoqërimi i Musafit.
4. CD të Kur'anit, sidomos për pronarët e veturave; dëgjuesi ka shpërblimin e lexuesit: "E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve, kur përmendet All-llahu, u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm tek Zoti i tyre". (Enfal, 2)
5. Meditimi për atë që lexon, dhe përfitimi i disa mësimeve dhe veprimi sipas tyre.
6. Përsëritja e asaj që ke mësuar përmendsh dhe sidomos në namazet vullnetare.
7. Ndihma e familjes për realizimin e leximit ditor.
Fatos Gërvalla
Dituria Islame 242