Arabia Saudite ka nisur një nga projektet e saj urbanistike më ambicioze pranë Xhamisë së Madhe në Mekë, me synimin për të zgjeruar më tej kapacitetet për pelegrinët dhe për të përmirësuar përvojën fetare, kulturore dhe turistike në qytetin më të shenjtë të Islamit.
Projekti, i quajtur "Portat e Mbretit Salman", u prezantua zyrtarisht javën e kaluar dhe u shpall nga princi i kurorës, Mohammed bin Salman. Zgjerimi i planifikuar përfshin një sipërfaqe mbresëlënëse prej 12 milionë metrash katrorë dhe do të realizohet përmes ndërtimit të kullave të larta dhe ndërtesave shumëfunksionale pranë Xhamisë së Shenjtë.
Sipas Agjencisë Saudite të Lajmeve (SPA), kompleksi i ri parashikon mbi 900.000 vende për lutje, si në ambiente të mbyllura ashtu edhe në hapësira të hapura, dhe do të ofrojë gjithashtu kapacitete akomodimi, shërbime hotelerie, hapësira tregtare dhe institucione kulturore. Pamjet vizuale të projektit tregojnë kulla imponuese me lartësi të ndryshme që ofrojnë pamje mbi Qaben.
Projekte të tilla të mëdha infrastrukturore në qytetet e shenjta më parë janë pritur me reagime të përziera. Kulla Mbretërore me orë, e hapur në vitin 2012 në Mekë, është kritikuar për përmasat e saj gjigante, pasi mbizotëron mbi rrethinën dhe, sipas shumëkujt, cenon qendrën simbolike të Qabes. Gjithashtu, përmbajtjet luksoze brenda kullës kanë shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e besimtarëve, të cilët mendojnë se vendet e shenjta nuk duhet të komercializohen.
Projekti i ri, për shkak të përmasave dhe karakterit modern, mund të ndeshet me reagime të ngjashme. Megjithatë, autoritetet Saudite besojnë se përfitimet për pelegrinët do të jenë shumë më të mëdha, veçanërisht në kuadër të planit për ta rritur numrin e vizitorëve të huaj në mbi 30 milionë në vit deri në vitin 2030.
Ndryshe nga megaprojektet e tjera Saudite si qyteti futuristik The Line apo ishulli Sindalah, që synojnë turistët e pasur, zgjerimet në Mekë dhe Medinë mbështeten në një prurje të vazhdueshme e të qëndrueshme të besimtarëve nga e gjithë bota për haxh dhe umre.
Në këtë kontekst, Arabia Saudite vitet e fundit ka lehtësuar procedurat e vizave për umre, duke u mundësuar më shumë njerëzve, sidomos nga vendet më të varfra, të përmbushin detyrimet e tyre fetare.