Mulla Avdi Efendi Ejup Shabani
(01.01.1948 - 14.01.2026)
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të imamit Mulla Avdi Efendi Ejup Shabani, ish-imam i Xhamisë "Mahmud Pasha" dhe arkëtar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë.
Ai ia kushtoi jetën shërbimit të fesë islame, edukimit fetar dhe përkushtimit të sinqertë ndaj xhematit. Me diturinë, urtësinë dhe përgjegjësinë e tij, la gjurmë të pashlyeshme në jetën fetare dhe institucionale të komunitetit.
Lusim Allahun e Madhëruar ta mëshirojë, ta falë dhe ta shpërblejë me Xhenetin Firdeus. Amin.
Prejardhja familjare
Mulla Avdi Efendi Shabani ishte ndër hoxhallarët, ulematë dhe imamët më të dalluar e më të respektuar në territorin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, Deçan dhe më gjerë.
Ai ishte biri i Mulla Ejup Efendi Shabanit dhe nënës Nazlije.
Babai i tij, Mulla Ejup Efendi Shabani (i njohur në xhemat si Mulla Jupa), lindi në vitin 1924 në fshatin Rahovicë të Preshevës, në një familje me tradita të theksuara kombëtare dhe fetare. Ishte biri i Mulla Shabanit, i cili gjithë jetën shërbeu si imam në fshatin Zhunicë të Preshevës.
Qysh i ri mbeti pa baba, por përkujdesjen për të e mori vëllai i madh, Mulla Jakupi. Mësimet fetare i vazhdoi në mektebet e Preshevës, te hoxha i njohur Hafuz Nexhati Aliu.
Për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, u detyrua t'i ndërpresë mësimet dhe të përfshihet në aktivitete për mbrojtjen e popullatës. Si pasojë e veprimtarisë së tij kombëtare e fetare, u burgos disa herë.
Pas luftës, në kohën kur po nxitej shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi, ai punoi pareshtur për vetëdijesimin e popullatës që të mos braktiste vendlindjen. Për këtë arsye u thirr shpesh në biseda informative dhe u përball me presione të vazhdueshme, por nuk u tërhoq kurrë nga misioni i tij. Nga puna e tij shumëvjeçare, fshati nxori dhjetëra hoxhallarë e studentë të dijes fetare.
Lindja dhe fëmijëria
Mulla Avdiu lindi më 1 janar 1948 në fshatin Rahovicë, Komuna e Preshevës. Në vitin 1954, familja e tij u shpërngul në fshatin Sllupçan të Kumanovës, ku babai i tij u caktua imam.
Shkollimi
Shkollën fillore e kreu në SH.F. "Jeta e Re" në Sllupçan me sukses të shkëlqyeshëm. Me dëshirën e tij dhe të prindërve, vazhdoi mësimet fetare në Medresenë "Alauddin" në Prishtinë, ku përfundoi shkollën e mesme.
Më pas ndoqi mësime shtesë fetare për disa vite te hoxhë Musli Musliu në Letovicë. Me synimin për studime të larta, në vitin 1967 shkoi në Siri, ku u regjistrua në Medresenë "Eminije" në Damask për të përvetësuar gjuhën arabe dhe shkencat fetare.
Në vitin 1969 u regjistrua në Universitetin "Xhamiatu Muhamed Es-Senusi" në El-Beida të Libisë, në Fakultetin e Sheriatit, së bashku me disa studentë të tjerë nga trevat shqiptare.
Pas diplomimit, në vitin 1974 u kthye në vendlindje dhe kreu shërbimin ushtarak. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike familjare, nuk arriti të vazhdojë studimet pasuniversitare.
Shërbimi fetar
Në vitin 1975/76 u emërua referent arsimor-fetar në Këshillin e Bashkësisë Islame në Manastir, ku shërbeu dy vjet. Për shkak të rrethanave të rënda politike dhe presioneve ndaj popullatës shqiptare, u detyrua të largohej.
Më pas u vendos në Gjakovë. Fillimisht u emërua imam, mualim dhe hatib në xhaminë e fshatit Irzniq (Deçan), ndërsa nga viti 1979/80 u transferua në Xhaminë "Mahmud Pasha" në Gjakovë, ku shërbeu si imam dhe arkëtar deri në vitin 1995.
Të jesh imam në Gjakovë gjatë sistemit komunist nënkuptonte të jetoje mes besimit dhe frikës. Xhamitë ishin të mbikëqyrura dhe imamët përballeshin me presione e marrje në pyetje të vazhdueshme. Edhe Mulla Avdiu u thirr shpesh në biseda informative nga organet shtetërore. Megjithatë, ai qëndroi i palëkundur, duke ruajtur me dinjitet fenë, traditën dhe identitetin kombëtar.
Ai u bë jo vetëm udhëheqës fetar, por edhe simbol i qëndresës morale dhe shpirtërore për komunitetin.
Pas një periudhe të gjatë larg familjes, vendosi të kthehej në Kumanovë, ku shërbeu si imam në fshatin Llopat për gjashtë vjet, më pas në Vaksincë dhe në Nikushtak, deri në vitin 2016, kur u tërhoq nga shërbimi aktiv.
Përmbyllje
Gjatë gjithë jetës së tij, Mulla Avdi Efendi Shabani mbeti shembull i përkushtimit, durimit dhe besnikërisë ndaj fesë dhe popullit të vet. Ai e mbrojti fenë jo me fjalë të mëdha, por me vepra dhe qëndrim të pathyeshëm. Për këtë, do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.
Lusim Allahun e Madhërishëm ta mëshirojë, t'ia falë mëkatet, t'ia shpërblejë mundin dhe dijen, dhe ta bëjë banor të Xhenetit Firdeus.
Familjes, miqve, shokëve, kolegëve dhe të gjithë besimtarëve u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
Esat ef. Rexha