Policia e Kosovës ka konfirmuar se një libër fetar është gjetur i dëmtuar sot në kodrën e Çabratit në Gjakovë, duke bërë të ditur se ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk janë identifikuar autorët dhe motivi i aktit.
Zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Vlera Krasniqi, tha se lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori i prokurorisë speciale, derisa policia po ndërmerr veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar menjëherë pas raportimeve për djegien e Kuranit.
Nëpërmjet një deklarate, Myftiu Naim Tërnava është shprehur i tmerruar dhe tronditur nga akti vandal dhe kriminal i djegies dhe përdhosjes së Kuranit, për të cilin akt ai ka thënë se është "i kryer me porosi dhe mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur.
"Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale humane të qytetërimit botëror dhe, njëkohësisht, godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit tonë", ka thënë Tërnava në reagimin e tij.
Ai tha se populli shqiptar ndër shekuj është njohur dhe identifikuar për harmoni, bashkëjetesë e mirëkuptim ndërfetar dhe se djegien dhe përdhosjen e Kuranit në Gjakovë e sheh si një akt konkret dhe alarmues, si pasojë direkte e ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë realizimin e projekteve dashakeqe sipas modeleve të huaja që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam.
"Kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve, mentorëve dhe ideologëve të kësaj ideologjie të rrezikshme, të cilët veprojnë duke u fshehur pas parullave të rreme të 'fjalës së lirë', 'të drejtës së besimit' dhe një shqiptarie të deformuar sipas interesave të tyre", ka shkruar Tërnava.