Islami, Imani, Ihsani dhe shenjat e kiametit


Dallimi ndërmjet Islamit dhe Imanit


Nocioni Islam në aspektin leksikor d.m.th. - dorëzim dhe nënshtrim. Këtë e konfirmon ajeti që rrëfen ngjarjen e Ibrahimit a.s.:"Kur Zoti i tij i tha: "Nënshtrohu! Dhe ai iu përgjigj: E kam nënshtruar veten time (si mysliman) ndaj Zotit të Gjithësisë." (El Bekare, 131). Pra, Islami është nënshtrim dhe kryerje e detyrimeve të jashtme, pa dallim a kryhen me vullnet e bindje apo me imponim. Ndërsa nocioni "Iman" në aspektin leksikor është besim i prerë e i vendosur, pavarësisht se a pakësohet apo jo me veprim. Për sa u përket këto dy nocioneve (Islam dhe Iman) në aspektin terminologjik, kanë ardhur shumë tekste që tregojnë dallimin në mes tyre. Pra, Islami nuk është edhe Iman, dhe as anasjelltas. Këtë e dëshmon edhe hadithi bazë i Xhibrilit a.s.. Mirëpo, kemi edhe tekste që tregojnë se Imani dhe Islami janë një dhe secili prej tyre përdoret për tjetrin në kuptimin leksikor - gjuhësor. Siç është edhe ky hadith: " A e dini se ç' është Imani - Besimi në Allahun: Ata (ashabët) Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. (Pejgamberi a.s.) tha: Të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton, përveç Allahut, kryerja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit...".(7) këtu Imani është përkufizuar në kuptimin leksikor gjuhësor të Islamit. Disa hadithe tregojnë se Islami është një prej pjesëve të Imanit. Këtë e tregon edhe ky hadith:"Imani i ka shtatëdhjetë e ca apo gjashtëdhjetë e ca degë. Më e vlefshmja është thënia se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton, përveç Allahut, ndërsa më e ulëta (e imanit) është evitimi i pengesës nga rruga.
Ndërsa turpi është pjesë - degë e Besimit".(8) Resulullahu a.s., në këtë hadith, evitimin e pengesës nga rruga, e ka konsideruar prej degëve të Imanit. Ndërsa në të vërtetë një gjë e tillë është prej veprimeve të gjymtyrëve, që i takon Islamit. Disa hadithe të tjera tregojnë se Imani është një prej pjesëve të Islamit: Kur një njeri e kishte pyetur Pejgamberin a.s. "Cila është më e mira e Islamit. (Ai) i qe përgjigjur: Imani - besimi në Allahun...".(9) me këtë hadith kuptimi i islamit është në aspektin e plotë të domethënies së tij, d.m.th. në aspektin terminologjik, ndërsa kuptimi i Imanit është në aspektin gjuhësor, d.m.th. akideja - besimi është cilësia më e vlefshme e Islamit. E Kur'ani kishte bërë dallim ndërmjet Imanit dhe Islamit:"Beduinët e shkretëtirës thanë: "Ne kemi besuar! Thuaj: Ju nuk besoni, por thoni: ne jemi dorëzuar". (El Huxhurat, 14). Kjo thënie u drejtohej hipokritëve, përderisa ata faleshin, agjëronin, jepnin zekat, mirëpo në zemrat e tyre kishin mohim ndaj këtyre obligimeve. E kur ata pretendonin Imanin, Allahu xh.sh. u përgënjeshtroi pretendimin e tyre në besim - iman, për shkak se në zemra kishin mohimin. Në këtë kontekst Kur'ani thotë "... Allahu dëshmon se hipokritët janë me të vërtetë gënjeshtarë". (El Munafikun, 1) Ata pretendonin se e besonin mesazhin e Profetit a.s., por e mohonin me zemër. Apo gjuha e tyre nuk përputhej me zemrën. Po ashtu braktisja e ndalesave konsiderohet çështje e Islamit. Resulullahu a.s. thotë: "Prej Islamit të bukur të njeriut është braktisja e gjërave që nuk i interesojnë."(10) Në këtë çështje mbizotëron mendimi se islami dhe imani në aspektin e definicionit në terminologji kanë një kuptim apo janë një. Dhe secili prej tyre përfshin bindjen, vërtetimin me gjuhë, veprimin me gjymtyrë, përveçse nëse ka fakt a tregues që e nxjerr kuptimin e fjalës nga kuptimi terminologjik në kuptimin e saj gjuhësor. Ashtu siç tregon edhe hadithi bazë i Xhibrilit, kur Resulullahu a.s. bëri në mënyrë të qartë dallimin ndërmjet islamit dhe imanit, kur u pyet për to, në këtë hadith kemi tregues të qartë që secili nocion prej tyre dallon nga tjetri në kuptimin e vërtetë të përkufizimit - terminologjisë, dhe secilin prej tyre e nxjerr nga konteksti terminologjik në kuptimin gjuhësor, metaforik. Nëse nuk ka tregues që nxjerr njëri-tjetrin nga konteksti terminologjik, atëherë secili prej tyre në kuptim i përshtaten njëri-tjetrit. Nëse themi: "Filani është mysliman", ne nuk mohojmë tek ai besimin dhe bindjen. E nëse themi: "Filani është mu'min - besimtar", ne nga ai nuk mohojmë të vepruarit e gjymtyrëve. Këtë e konfirmojnë edhe citatet e Kur'anit: "Besimtarë janë vetëm ata, të cilëve, kur përmendet Allahu, u dridhen zemrat... Të cilët kryejnë faljet e namazit dhe që shpenzojnë (e japin zekatin) nga ato gjëra me të cilat Ne i kemi furnizuar. Mu këta janë besimtarët e vërtetë". (El Enfal, 2-4). Në këto citate Allahu xh.sh. ka bashkuar veprimet ndërmjet zemrës dhe gjymtyrëve. Pra, Imani është baza e veprës, ndërsa vepra është degë e Imanit. Nuk ka dyshim se baza është më e rëndësishme se dega. Njeriu pa iman është pabesimtar, pavarësisht se çfarë vepre bën nga hipokrizia dhe formaliteti. Ndërkaq, njeriu besimtar e me lëshime në veprat e tij, nuk konsiderohet pabesimtar (kafir), por konsiderohet njeri i dalë udhe (fasik). Pra, besimi (akideja) është më i rëndësishëm se vepra.


Ç'është Ihsani (Përsosmëria)?


Me nocionin El-Ihsan nënkuptojmë: Që ta adhurosh Allahun sikur të jesh duke E parë, dhe, nëse ti nuk e sheh, atëherë adhuroje Atë, se Ai të sheh ty". Kështu e definoi Resulullahu a.s. kur ia parashtroi pyetjen meleku Xhibril. Kjo është pozita kulmore, të ndiesh gjithnjë praninë e Krijuesit dhe vëzhgimin e Tij. Në këtë situatë djalli nuk mund të të lajthitë dhe të të devijojë asnjëherë. Ajo është pozita e të kujtuarit të vazhdueshëm të Allahut xh.sh., dhe në asnjë çast nuk të mungon nga vëmendja jote. Pasi ti në asnjë çast nuk mund t'i shmangesh shikimit dhe vëzhgimit të Krijuesit Fuqiplotë, atëherë a është e mundshme të mëkatosh ndaj Allahut, kur dihet fort mirë se ne E shohim dhe Ai na sheh ne, e, nëse ne në këtë botë nuk E shohim Allahun, s'ka dyshim se Ai na sheh, e kjo është e rëndësishme për ne. Pra, njeriu e bën mëkatin, kurse Allahu është Dëgjuesi, Shikuesi, I Gjithëdijshmi dhe Fuqiploti. Ndjenja e vëzhgimit dhe mbikëqyrjes së Allahut është çështje shumë e rëndësishme, që ndikon në kulturën, sjelljen dhe jetën e njeriut.
Allahu i Lartësuar, jo rrallë, në Librin e Tij ka theksuar mbikëqyrjen: "Nuk ka bisedë të fshehtë të tre (vetave) veçse Ai është i katërti i tyre (me dijen e Tij), e as në mes pesë (vetave), veçse Ai është i gjashti i tyre (me Dijen e Tij), edhe as për më pak se aq, edhe as për më shumë se aq, veçse Ai është me ta (me Dijen e Tij) kudo që të ndodhen. Pastaj Ai do t'i njoftojë ata Ditën e Kiametit për atë që kanë punuar. Vërtet që Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë". (El Muxhadele, 7). Prej metodave më të spikatura në udhëzimin e njeriut për t'i kryer detyrimet dhe për t'u tërhequr nga ndalesat, pa dyshim se është ndjeshmëria e mbikëqyrjes së Allahut xh.sh.. Kjo ka prodhuar efekt të jashtëzakonshëm që njeriu më tepër të nderojë dhe të respektojë ligjet hyjnore sesa ligjet njerëzore. Vlen të ceket se Allahu xh.sh. me disa ajete të shkurtra ka arritur të evitojë nga njerëzit pirjen e alkoolit dhe shoqërinë islame ta pastrojë nga dukuritë degjeneruese, sa kohë që Bota Perëndimore, me nxjerrjen e shumë ligjeve kundër dukurive negative, nuk ka arritur ta pastrojë shoqërinë, po, përkundrazi, dukuritë janë shtuar edhe më shumë. P.sh. pirja e alkoolit është e njëjtë me pirjen e ujit, madje martesat në mes personave të së njëjtës gjini - homoseksualizmi, pastaj droga, prostitucioni, kamata etj..
Në kryerjen e ibadeteve besimtari kalon nëpër tri shkallë:
Shkalla e parë është kur i kryen ibadetet në atë formë që vlen për të shlyer detyrimin ndaj Allahut, duke i plotësuar të gjitha kushtet dhe rregullat.
Shkalla e dytë është kur ibadeti kryhet në të njëjtën mënyrë sikurse në shkallën e parë, por duke u thelluar a zhytur në detin e zbulimit dhe dëshmimit, aq sa adhuruesit i duket sikur E sheh Allahun gjatë adhurimit. Kjo ishte grada e Resulullahut a.s., siç ka thënë: "Namazi më është bërë kënaqësi e syve të mi".(11)
Shkalla e tretë është kur adhuruesi, gjatë ibadetit, më tepër e ndien se Allahu po e shikon atë, sesa sikur ai vetë po E sheh Allahun. Kjo shkallë quhet El-Murakabe (mbikëqyrja) e Allahut. Siç tha Resulullahu a.s.: "E nëse ti nuk E sheh Atë, të sheh Ai ty", tregon një zbritje nga shkalla El-Mushahed në shkallën El-Murakabe.(12) në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë: "dhe, kur robërit e mi të pyesin ty (o Muhamed) për Mua, atëherë (përgjigjju atyre):Unë janë shumë afër (pranë tyre)". (El Bekare, 186) Pra, Ihsani është shkaktar kryesor që njeriu t'i kryejë detyrimet në formën më të përsosur dhe më të sigurt, qoftë në raport me Zotin dhe qoftë me robin. Ihsani ishte shkaktar që e bëri vajzën të pengonte nënën e saj që qumështin të mos e përziente me ujë. Kjo ngjarje ka ndodhur në kohën e hilafetit të Omerit r.a., kur një nënë i kishte thënë vajzës së saj që qumështit t'i shtonte ujë, sepse: "Udhëheqësi i besimtarëve - Omeri nuk të sheh". Vajza i qe përgjigjur s'ëmës se mashtrimi është i ndaluar. Dhe i thotë: Dhe, nëse Omeri nuk na sheh, Zoti i Omerit na sheh". Këtë vajzë Omeri r.a. e kishte kërkuar për të birin. E nga loza e saj ka lindur Omer bin Abdul Aziz, që ishte njëri prej halifëve më të drejtë emevitë.(13)


Kur do të ndodhë Ora - Çasti i fundit i kësaj bote?


Ndër pyetjet që meleku Xhibril ia parashtroi Resulullahut a.s., ishte edhe pyetja: "Kur do të ndodhë Ora - Çasti i fundit të kësaj bote, Kiameti"?
Nocioni Es-sa'ah - Ora, përfshin një pjesë të kohës, e cila nuk është e caktuar dhe as e kufizuar. Ajo është një pjesë e njëzet e katër orëve a një pjesë e kohës së natës dhe ditës. Ndërkaq, në terminologjinë fetare nënkupton ndodhinë e Kiametit (Katastrofës). Është quajtur - Es-sa'ah, ngase kohën e ndodhjes së saj nuk e di askush, as Resulullahu, as meleku Xhibril, as dijetarët, as ekspertët, as astronautët. Ajo është kompetencë e Dijes së Allahut xh.sh., prandaj ajo do të ndodhë në mënyrë të befasishme. Kur'ani thotë: "Ajo nuk ju vjen, përveçse befasisht". (EL E'araf, 187). Me një të fryrë do të vdesin tërë krijesat. Çështja e Orës (Katastrofës) do të ndodhë shumë shpejt: ...Çështja e Orës (Katastrofës) është (në shpejtësi) vetëm sa hedh një shikim, ose ajo është edhe më afër...". (En Nahl, 77). Është një ditë e gjatë (Kiameti), por tek Allahu xh.sh. është sa një orë. Transmeton Ebi Seid El-Hudrij r.a., se Resulullahu a.s. ka thënë: "Në një ditë që sipas llogarisë është pesëdhjetë mijë vjet. (Ebi Seidi) I thashë: "Sa e gjatë është ajo"? Atëherë Profeti s.a.v.s. tha: "Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ajo do t'i lehtësohet (shkurtohet) besimtarit saqë për të do të jetë më e lehtë se një namaz farz që ka falur në dynja".(14) Pra, Dita e Gjykimit do të jetë shumë e gjatë për jobesimtarët, ndërsa për besimtarët do të jetë më e lehtë sesa kryerja e një namazi farz në këtë botë. Disa dijetarë kanë thënë se kjo Ditë e Kiametit ka pesëdhjetë stacione, e secili zgjat nga një mijë vjet. Kjo pyetje ishte bërë, sepse njerëzit edhe në atë kohë ishin kureshtarë të dinin për këtë ndodhi, kështu që kjo pyetje u përmbyll dhe u vulos - se është çështje sekrete e Allahut xh.sh.. Kjo ditë nuk arrihet me ekspertiza të ndryshme, po vetëm në bazë të informacioneve që Allahut xh.sh. na i përcjell përmes Xhibrilit tek Resulullahu a.s. E kur Xhibrili nuk e di, e as Resulullahu a.s. nuk e di, siç u shpreh: Për këtë i pyeturi nuk di më shumë se ai që pyet", të gjitha parashikimet dhe llogaritë e njerëzve për kohën e ndodhjes së kësaj dite, janë të kota. Për të mësuar ndodhinë e saj kanë bërë përpjekje edhe jehudët, duke e caktuar përmes llogarive të fjalive, duke i dhënë secilës shkronjë një numër për t'i mbledhur pastaj. Pastaj i kanë tubuar shkronjat hyrëse të kaptinave, i kanë mbledhur, e pastaj kanë caktuar kohën e Kiametit. Vinte koha, por nuk ndodhte Kiameti. Kësaj date e tërë bota i kishte kushtuar rëndësi. Edhe mediet, lajmet gazetat, interneti i kishin dhënë hapësirë dhe kishin përhapur frikë e panik dhe terror, saqë disa persona kishin bërë edhe vetëvrasje. Shumë qendra tregtare kishin shitur tërë rezervat e lëndëve bazë - ushqyese. Por të gjitha ishin të kota. Kjo injorancë ishte jo pak e besueshme edhe tek myslimanët injorantë. Kushdo që beson për momentin e caktuar se do të ndodhë Kiameti (në ndonjë datë të përcaktuar), ai njeri konsiderohet pabesimtar - kafir. Ngase ka përgënjeshtruar shumë ajete të Kur'anit që tregojnë se momenti i ndodhisë së kiametit është sekret i Allahut xh.sh..


_______________________________
7. "Sahihu Muslim" v.1, f.48, nr.6, nr.17.
8. Po aty, v.1 f.63, nr.12, nr.35.
9. "Musned Ahmed", v. 4 f.114; El-Hejthemi, "Mexhmeu z-zevaid", v.1, f.59.
10. "Sunen Et-Tirmidhij", v.3 f.382, nr.2419.
11. "Sunen En-Nesaij", v.7 f.61, nr.3939.
12. El Feshenij, "El-Mexhalis Es-Senije sherh El-Erbein En Nevevije", f.48.
13. Aid El-Karnij, "Fi hutab el-minber", f.483.
14. "Musned Ahmed", v.23, f.337, nr.11292


 


Dituria Islame 276


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë