Sa herë që njeriu është larguar nga mësimet dhe udhëzimet e shpalljes hyjnore ka pësuar deformime, të cilat, shpeshherë kanë tejkaluar edhe imagjinatën njerëzore. Këto deformime, që nga besimi, morali e deri te zhveshja e njeriut nga humanizmi, i kanë sjell njerëzimit pasoja të paparashikueshme. Zoti i gjithësisë, me urtësinë e Tij, është kujdesur që njeriu të jetë i udhëzuar me një udhëzim i cili i garanton njeriut jetë të dinjitetshme dhe shpëtim në të dyja botët. Për këtë, Ai ka dërguar pejgamberë dhe ka zbritur libra te ta. Por, megjithatë, me kalimin e kohës, njerëzimi arriti në një pikë kritike, ku pothuajse nuk kishte mbetur asnjë shenjë e besimit të drejtë mbi sipërfaqen e tokës, e mos të flasim për moral apo për ndjenja humane. 
Në këtë kohë krize, Allahu xh.sh. deshi të na tregojë se e vërteta do të triumfojë dhe se fitorja e vërtetë e vlerave ishte afër. Për këtë zgjodhi muajin Ramazan për ta shpallur mesazhin e fundit për njerëzimin, si një shenjë e parë e fitores dhe e dallimit përfundimtar ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, e me këtë i hapi rrugën edhe fitoreve më të mëdha, e të cilat do të pasonin më pas, e do të vazhdojnë deri në ditët e fundit.
"Muaji Ramazan që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra)." (El Bekare, 185).
E s'ka si të mos jetë fitorja më e madhe, kur edhe njëherë njerëzimit iu kthye shpresa e humbur, kur edhe njëherë u ndal vrulli i fundosjes përfundimtare të besimit të pastër, kur edhe njëherë iu kthye shpresa të dobëtit, të varfrit, kur gruas, e cila nga nderi dhe dinjiteti i saj i kishte ngelur vetëm emri "grua", tashmë po fitonte ndaj padrejtësisë që iu kishte bërë. A ka fitore më të madhe se sa të vendoset edhe njëherë lidhja e tokës me qiellin përmes rahmetit të Zotit, i Cili, me gjithë kryeneçësinë dhe rebelimin e njeriut, zgjodhi pikërisht Ramazanin për ta zbritur Librin që nuk ka dyshim në saktësinë e lajmeve për të kaluarën e për të ardhmen, për dispozitat e për vlerat të cilat i përmban. Vetë Zoti i Madhëruar për Kuranin ka thënë: "Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut)." (El Bekare, 2).
Duke e edukuar që ta mposht egon, e t'i marrë frerët e vetvetes në duar, e duke ngadhënjyer ndaj së keqes, kjo fe vazhdon t'i sjell fitore edhe sot besimtarit. Dëshmi e kësaj është edhe muaji Ramazan, i cili në mënyrë mahnitëse e edukon besimtarin me atë se fitorja arrihet vetëm duke qenë vetvetja, duke luftuar në radhë të parë me lakminë, urrejtjen, hasedin etj., e këto nuk arrihen nëse nuk e mposhtim nefsin tonë. Për t'i dëshmuar të gjitha këto, njeriu e ndalon veten e tij jo vetëm ndaj të ndaluarave, por e ndalon edhe ndaj atyre që janë të lejuara në esencë, dhe kështu, ai dëshmon se me ndihmën e Zotit, nëse ai e mposht lakminë dhe egon, ai është në gjendje ta mposht çdo armik.


Beteja e Bedrit ose "Dita e Furkanit"


Duke qenë se feja e ka edukuar njeriun që puna e tij nuk përfundon vetëm me mposhtjen dhe kontrollin ndaj vetvetes, përkundrazi m'u këtu fillon beteja e gjatë e përhapjes së vlerave, mësimeve e udhëzimeve për njerëzit, pikërisht në Ramazan, në vitin e dytë të hixhrit, saktësisht në ditën e 17 të këtij muaji, për besimtarët erdhi një provim i madh, ballafaqimi me armikun në betejën e Bedrit. Këtë betejë, Zoti me të drejtë e emërtoi si "Dita e Furkanit". "... atë (Kuranin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhamedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallua e vërteta nga e shtrembëta), ditën e konfrontimit të dy grupeve..." (El Enfal, 41).
Në këtë betejë, numri i myslimanëve luftëtarë ishte vetëm 314. Ata kishin vetëm 70 deve, dy kalorës dhe një armatim shumë modest. Ndërkaq, numri i jobesimtarëve luftëtarë ishte tri herë më i madh sesa ai i myslimanëve. Ata kishin rreth njëmijë luftëtar, 700 deve dhe hiq më pak se 100 kalorës.(1)
Ky numër i pakrahasueshëm me këtë fuqi superiore, nuk mposhtet ndryshe vetëm se me ndihmën e Zotit Fuqiplotë. Kjo fitore e myslimanëve erdhi për të na treguar mësimin jetik se myslimanët do të fitojnë, dhe se ndihma e Zotit asnjëherë nuk do të mungojë, por kjo do të vjen vetëm atëherë kur besimtarët do t'i nënshtrohen pa rezervë Atij dhe kur të jenë të bindur se mësimet dhe rruga që ndjekin është e pa alternativë, pavarësisht numrit të kundërshtarëve.
Zoti në Kuranin fisnik na dëshmon për ndihmën që ju erdhi besimtarëve në betejën e Bedrit: "Allahu ju ndihmoi juve në Bedër, kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti." (Ali Imran, 123).
Kjo ndihmë nuk ishte e zakonshme, marrë parasysh numrin e luftëtarëve, por, kur besimtarët i flakin dallimet e bëhen tok rreth qëllimeve të larta, ani pse nuk kanë përgatitjen e duhur, e aq më pak atë fizike siç është puna në Ramazan, por kanë imanin e plotë, ndihma e Allahut është prezentë, e ndoshta edhe e papritur jo vetëm nga armiku, por edhe nga besimtarët, ngase as ata nuk e kishin pritur një gjë të tillë. Për këtë, Zoti xh.sh. në Kuran na thotë: "Zoti juaj ua vazhdon ndihmën me pesë mijë prej engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar." (Ali Imran, 125).
Ditët kalojnë e sfidat asnjëherë nuk përfundojnë. Çdoherë ne ballafaqohemi me sfida të reja e me momente kritike, për të na e vërtetuar se betejat nuk përfundojnë asnjëherë deri në ditën kur ta takojmë Zotin e Madhëruar. "Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)." (Hixhr, 99).


Çlirimi i Mekës


Pas shumë vitesh përpjekje, si në formimin e duhur, ashtu edhe në ngritjen e besimit, në ngritjen morale e në forcimin e lidhjeve ndërmjet vete, erdhi edhe një sfidë e radhës, erdhi momenti final i dëshmisë së vërtetësisë së kësaj feje. Erdhi koha për kthimin e myslimanëve në bazat e veta, në Meken e bekuar, për t'ia dhënë goditjen përfundimtare idhujtarisë dhe për ta pastruar Qabenë, e për ta kthyer atë në origjinalitetin e vet, që në të të adhurohet vetëm Një Zot. Një ngjarje kaq e rëndësishme e ngritjes së flamurit të fitores së thirrjes së Pejgamberit a.s., nuk mund të ndodh në një muaj tjetër, përveçse në Ramazan, ngase në këtë muaj filloi edhe zbritja e Kuranit, e nuk përmbyllet ndryshe kjo ngjarje përveç se me çlirim dhe pastrim të Qabesë, me kthimin e Muhamedit a.s. dhe të shokëve të tij si triumfues. Edhe pse distanca ishte e largët e vështirësia ishte e madhe në udhëtim, Zoti zgjodhi ta bëjnë çlirimin e Mekës, ndonëse ata mund të ishin të dobët fizikisht, por dihet mirëfilli se për punë e fitore të mëdha historike duhet imani e ndihma e Zotit. Zoti xh.sh. na e përshkruan triumfin e jashtëzakonshëm të Pejgamberit a.s. dhe të shokëve të tij në suren Isra, në ajetin 81: "Dhe thuaj: "Erdhi e vërteta e u zhduk e kota." Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur." (Isra, 81).
Këto dy fitore janë shembulli praktik i vërtetësisë së Islamit dhe shembulli i asaj se Ramazani është muaji i fitoreve. Kjo gjë nuk ka ndryshuar, por do të vazhdojë edhe përgjatë historisë, edhe në të ardhmen, ngase rregulli i tillë mbetet ne fuqi, e nga ne kërkohet vetëm që ta zbatojmë atë.


___________________________
1. Imam Ahmedi në "Musned", nr. hadith, 948, Shtëpia Botuese "Risale".


 


Dituria Islame 389


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë