Në Islam, adhurimet paraqesin një forcë të pjekurisë psikologjike, e cila bënë ekuilibrin në karakterin e njeriut, duke siguruar kështu kontroll të brendshëm dhe të jashtëm dhe duke drejtuar atë nga dashuria, respekti, durimi, dhembshuria dhe falja. Pra, ato përbëjnë një forcë e cila nxitë dhe strukturon njeriun në vendosmëri për t'u përballur me vështirësi të ndryshme. Pa dyshim njëra nga këto adhurime është edhe agjërimi, i cili ka si qëllim lartësimin shpirtëror, edukimin moral, përgatitjen e njeriut që t'i mbizotërojë emocionet e epshet dhe të bëhet i pavarur prej tyre. Përveç kësaj, ai është një mënyrë që ndihmon dhe kontribuon në kontrollimin e dëshirave dhe nevojave të njeriut si ngrënia, pirja etj., për të fituar zakonin e vetëkontrollit, për të rritur forcën e durimit dhe qëndrueshmërisë dhe për t`i flakur prirjet dhe zakonet e këqija.
Kuptimi i agjërimit
Agjërimi në Kuranin fisnik, në mënyrë koncize me shprehje dhe forma të ndryshme si "saum" dhe "sijam", përmendet në disa kaptina,(1) të cilat janë shpallur në intervale të ndryshme kohore. Ndërsa si një adhurim i detyrueshëm për besimtarët përmendet në kaptinën El Bekare.(2) Në leksik, fjalët "saum" dhe "sijam" kanë kuptimin "të përmbahesh, të heshtësh, të qëndrosh i pa lëvizur, të frenosh diçka, të ndalosh vetveten, të përmbahesh nga të bërit diçka dhe të mos flasësh".(3) Kurse në kuptimin terminologjik, agjërimi është një adhurim që çdo mysliman në moshën e përgjegjësisë (madhore) e kryen me qëllim adhurimi, duke ndërprerë ushqyerjen dhe marrëdhëniet intime nga agimi i vërtetë (el fexhru ssadik-agimi i vërtetë) gjer në perëndimin e diellit.(4) Ibën Kajjim el Xhevzi, në lidhje me agjërimin përmend se, meqenëse agjërimi është mënjanim i urisë dhe etjes, ai menaxhon forcën e nefsit, duke i kujtuar atij gjendjen e uritur dhe të mundimshme të të varfërve. Po ashtu thekson se me të pakësuar koha dhe mënyra e të ushqyerit të njeriut, rrugët e djallit për të hyrë në zemrat e tyre bëhen më të ngushta.(5) Kurse sipas disa dijetarëve, agjërimi është një nga masat parësore mbrojtëse në luftën e shpirtit për të mos qenë në varësi të vetvetes së tij.(6) Me fjalë të tjera, agjërimi është një metodë e kontrollit të shpirtit, fjalëve, sjelljeve të këqija.
Qëllimi kryesor i agjërimit
Agjërimi është një periudhë e edukimit intensiv për përfitime të mëdha shpirtërore. Me këtë ibadet, agjëruesi është më afër Zotit me lutjet dhe kërkesat e veta, dhe siç kuptohet nga Kurani, nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësuesi. Njëkohësisht, heqja dorë nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime në kohë dhe ditë të caktuara është një edukim i çmuar për sa i përket qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes. Ngase gjatë agjërimit, njeriu mbështetet në durim si një vepër e virtytshme për të fituar kënaqësinë e Allahut. Po ashtu, agjërimi si një formë adhurimi kërkon lavdërimin e Zotit për dhuntitë që i janë dhënë vetë njeriut. Dhe kjo lë të kuptohet se filozofia më e rëndësishme e agjërimit është gjendja shpirtërore e njeriut. Një person që në uri dhe etje ka ushqime dhe pije me bollëk, mund të mos jetë shumë i durueshëm kur ato i mungojnë. Por agjëruesi është si një bimë që rritet në shkretëtirë. Ai i reziston pamjaftueshmërisë së ujit, qëndron i palëkundur kundër stuhive të forta dhe është i durueshëm kur sfidohet nga mungesa. Agjërimi është një shkollë edukative për shpirtin i cili me kufizime të përkohshme i jep njeriut durim, fuqi vullneti, aftësi për të qëndruar ndaj privimeve ekstreme dhe e mban zemrën të butë dhe të pastër duke i kontrolluar instinktet.
Agjërimi në tekstin kuranor
Praktikimi i agjërimit është shumë i hershëm. Lashtësia e tij flet për rëndësinë e tij dhe për faktin se në shpirtin e njeriut përherë është ushqyer ndjenja për adhurimin e Allahut në forma të ndryshme. Ashtu siç shprehet edhe në Kuran, agjërimi, është një ibadet që ka ekzistuar edhe në fetë e tjera qiellore dhe shkon deri në kohë shumë të vjetra, lashtësi e cila kuptohet edhe nga ajeti i agjërimit: "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim, sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush".(7) Komentatori bashkëkohor, Muhamed Reshid Rida, gjatë komentimit të ajetit në fjalë, ndër të tjera thotë: "Allahu i Madhërishëm na bëri me dije se agjërimi në Islam është detyrim, siç ishte detyrim edhe për popujt e tjerë të mëparshëm dhe në këtë mënyrë është ruajtur kontinuiteti i institucionit të agjërimit në të gjitha fetë qiellore."(8) Po ashtu, në librat e tefsirit, gjenden njohuri të bollshme të bazuara në Kuran që agjërimi në forma të ndryshme ishte i njohur dhe praktikohej edhe nga të dërguarit e tjerë para Muhamedit a.s. dhe ymetet e tyre. Është e ditur se Musai a.s. ka agjëruar 40 ditë para se ta pranonte Teuratin (Dhiatën e Vjetër). Po ashtu ka agjëruar Davudi, Jusufi, Isai a.s., si dhe shumë profetë të tjerë. Mirëpo duket se pas ndërhyrjeve në mësimet burimore, tek ithtarët e librit agjërimi është reduktuar në një traditë fare simbolike.
Pas një agjërimi të pastër, besimi merr një ngjyrë të re, ngase njeriu fillimisht fillon një adhurim që e afron te Zoti i tij pastaj duke i bërë lutje Atij, ai përfiton një edukim shpirtëror dhe kështu vendoset një lidhje në të cilën ai ndihet afër Zotit të tij me besim të sinqertë. Pra, kjo është një rrugë që fillon me një besim të thjeshtë dhe rezulton me një rend më të lartë besimi. Në lidhje me këtë, në Kuran thuhet: "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim... kështu që të bëheni të devotshëm."(9) Agjërimi është një akt adhurimi që devotshmërinë e shndërron në një mburojë të pathyeshme. Agjëruesi me përmbajtjen e tij nga veprat e këqija, kalitet në drejtim të kënaqësisë hyjnore duke arritur lumturinë në të dy botët. Në këtë kontekst, në hadithin e Pejgamberit a.s. thuhet: "Kush e agjëron Ramazanin me besim të sinqertë për shpërblimin e tij (vetëm nga Allahu), atij i falen mëkatet e kaluara".(10) Andaj në dritën e këtyre argumenteve, agjërimi vlerësohet si një rrugë, fundi i së cilës kurorëzohet me piedestalin më të lartë të devotshmërisë. Në lidhje me këtë, Raziu thekson se agjërimi është një akt që thyen kërkesa dhe dëshira njerëzore të tilla si ngrënia, pirja dhe marrëdhënia intime. Sa më e madhe që të jetë dëshira e njeriut për diçka, aq më i vështirë është mosplotësimi i saj. Pikërisht, për shkak të natyrës së tij si krijesë, ngrënia, pirja etj., zënë vend kryesor mes kërkesave dhe dëshirave të njeriut dhe përmbajtja ndaj tyre është e mundur vetëm me agjërim. Personi i cili me anë të agjërimit mëson veten të përmbahet nga të tilla shprehi e dëshira, do ta ketë edhe më të lehtë t'i vë nën zotërim kërkesat dhe dëshirat e tjera.(11)
Agjërimi është i tëri mirësi dhe begati, ai ushqen shpirtin, shëron trupin dhe vërteton sinqeritetin e zemrës, bashkon zemrat e besimtarëve Pas një agjërimi të pastër, besimi dhe mbjell ndjenjën e mëshirës dhe të dashurisë. Islami, për dallim nga fetë e tjera, shtron si kusht që agjërimi të vishet me sjellje të njerëzishme, ngase nuk ka për qëllim vetëm heqjen dorë nga ngrënia dhe pija, por përmban një tërësi urdhrash dhe ndalesash.
Rregullat e para të dëshmuara në Kuranin famëlartë mbi formën e agjërimit janë këto ajete të Kuranit që vijojnë pas ajeteve të obligueshmërisë së agjërimit të cekura më lartë. "(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim, atëherë ai (le të agjërojë) më vonë po aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë) janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo po qe se e dini agjërimi është më i mirë për ju."(12) Sipas komentatorëve të Kuranit, koha e agjërimit në Islam është muaji i nëntë i vitit hënor, e që është muaji Ramazan. Pra agjërimi në ditë të caktuara është për qëllim agjërimit i këtij muaji fisnik. Sipas dijetarit Alusi, shprehja "Ditë të caktuara" nënkupton ditët e kësaj bote që do të përfundojnë së shpejti. Këto ditë përfshijnë jetën kalimtare. Duke menduar se jeta e njeriut është e përkohshme, ai duhet të jetojë një pjesë të saj sikur të ishte duke agjëruar.(13)
Fryma humane në fenë islame në përmbushjen e adhurimeve manifestohet edhe në agjërim. Allahu i Lartësuar, në Kuran, me vënien e kësaj dispozite na bënë me dije se duhet të kihen parasysh rrethanat, kushtet dhe gjendja e besimtarit. Për këtë duke urdhëruar: "Kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë po aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë) janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri,"(14) vërteton se i sëmuri, i cili nuk ka mundësi ta përballojë agjërimin, ose udhëtari që merr një rrugë të gjatë lirohet nga ky detyrim. Lirimi nga agjërimi i njerëzve të këtillë, argumenton faktin se me obligueshmërinë e agjërimit nuk synohet vështirësimi ndaj besimtarëve, por kalitja e tyre, arritja e devotshmërisë dhe manifestimi i nënshtrimit ndaj Krijuesit të tyre. Urtësia dhe delikatesa në këtë shihet nga përmendja e agjërimit si një adhurim i aplikuar edhe te popujt e mëhershëm, dhe obligueshmëria e tij edhe për ne, me synimin e vetëm të arritjes së devotshmërisë. Më pas theksohet përcaktimi i kohës së agjërimit në ditë të caktuara. Dhe në fund fare përcakton lehtësimin, shtyrjen e kohës ose kompensim (fidje) për kategoritë e veçanta.
Dhe kjo skenë e bukur përmbyllet me inkurajim për mirënjohje ndaj Zotit të Plotfuqishëm: "Plotësimi i këtyre ditëve dhe orientimi juaj për në rrugë të drejtë janë që ta njihni madhështinë e Allahut e që ta falënderoni Atë." Në këtë ajet, Allahu xh.sh. tërheq vëmendjen për plotësimin e ditëve të pa agjëruara, për njohjen e madhështisë së Allahut, i Cili i krijoi këto lehtësi dhe se për të gjitha këto, Ai duhet falënderuar.(15)
Gjatë historisë, pothuajse në të gjitha fetë, agjërimi është zhvilluar si një shkollë edukative shpirtërore që forcon besimin. Agjëruesit prirën drejt një jete të shëndetshme fizike dhe shpirtërore. Rizgjimi dhe dhembshuria që sjell agjërimi te njeriu e bën atë një individ të ri, i cili mendon ta bëjë jetën e tij më të mirë duke hequr dorë nga një shpirt ambicioz, duke lënë luksin për të kontribuuar në eliminimin e varfërisë dhe duke krijuar lehtësira për të tjerët. Pra, agjërimi ofron përfitime të panumërta për njeriun, sikur që përmendet në këtë ajet kuranor: "Mirëpo po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju." (16)
_________________________________________
1. Bekare, 2/184, 196, 187;Nisa, 4/92; Maide, 5/89,95; Merjem, 19/26; Muxhadele, 58/4.
2. Bekare 2/183-186.
3. Kasani, Sana'i'f, v. II, fq.75.
4. Er-Razi, Mefatihu'l-Gajb, v. V, fq. 75.
5. Ibën Kajjim el Xhevzijje, Zadu'l-Mead, v. II, fq.621.
6. Ibën Kethirr, Tefsîru`l-Kur`ani`l-Adhim, v. I, fq. 497, Sulemi, Hakaiku't Tefsir, fq. 80.
7. Bekare, 2/183.
8. Muhamed Reshid Rida, El-Menar, v. I. Fq. 70.
9. Bekare 2/183.
10. Buhari, Iman, 28.
11. Er Razi, Mefatihu'l-Gajb, v. II, fq. 77.
12. Bekare 2/184.
13. Alusi, Ruhu`l-Meani, V. II, fq. 70.
14. Bekare, 2/184.
15. Zemahsheri, Keshshaf, v.I, fq. 172.
16. Bekare 2/84
Dituria Islame 389