Arroganca si antivirtyt i fetarisë së vërtetë


Thellë në brendësinë e vet, feja e vërtetë e synon dëlirjen e shpirtit të njeriut dhe përulësinë e tij, apriori para Krijuesit Fuqiplotë, e pastaj në përmasën racionale edhe para njerëzve të tjerë. E, kur njeriu, për cilëndo arsye, braktisë përulësinë dhe krekoset me arrogancë përballë të tjerëve, ai veç ka braktisur një virtyt të pazëvendësueshëm që Islami e ka synuar ta çelikosë në karakterin e secilit njeri. Në konceptin bazik islam, besimtari nuk mund të jetë i përulur në xhami, i devotshëm dhe i përmbajtur në Ramazan, ndërkaq i krekosur e mburravec në jetën e tij civile të rëndomtë. Këtë çarje personaliteti Islami nuk e njeh si të mirëqenë.
Personalitetet më të spikatura të brezave të mëhershëm, me gjithë devocionin e dëshmuar çdoherë, ruanin një modesti të çuditshme dhe vetëpërmbajtje në lavdërim të vetvetes. Njëri prej tyre ishte edhe Ebu Bekri r.a., i cili jepte leksione me peshë lidhur me këtë çështje, kur thoshte: "Të mos e nënçmojë askush askënd prej myslimanëve, sepse ai që shihet te myslimanët si i vogël, tek Allahu mund të jetë njeri i madh." (It'haf es Sade el Muttakiin bi Sherh Ihja Ulum ed Di, Ez Zubejdij, 343). Nëse këtë përshtypje vlerësuese për të tjerët kishte ai që ne s'patëm njeri më të përmbushur e më të sinqertë, pas Pejgamberit tonë, në tërë historinë e lavdishme të Islamit, atëherë çfarë mund të thuhet për të tjerët?!
Po aq interesante është edhe rasti kur Hudhejfetu ibën el Jemani r.a., ishte bashkë me Umerin r.a. në përcjellje të një xhenazeje, dhe Umeri iu kthye Hudhejfes r.a., duke e pyetur nëse emri i tij ishte në listën e hipokritëve, të cilën listë i Dërguari i Allahut ia kishte lënë në besë Hudhejfes. Ai (Umeri) tha: "Të lutem për Allahun, a jam unë prej tyre?" I tha: "Jo (nuk je në listën e hipokritëve), por nuk do të rrëfejë për askënd tjetër pas teje?" (Mexhmea' ez Zevaid, El Hejthemi, me citat autentik). Llogarite një gjë, Umeri r.a., si njeri i përgëzuar me Xhenet nga vetë Muhamedi a.s., edhe pyeste nëse ai vetë gjendej i listuar në listën e hipokritëve! Pra, ai nuk pyeste se kush nga të tjerët ishte aty, por e kishte hallin e vetes së tij nëse ishte apo jo në një listë të tillë. Ky devocion i përmbushur me modesti e virtytshmëri, shpërfaq më së miri modelin e besimtarit të vërtetë se si ai duhet t'i shoh të tjerët, e si ta shoh veten e tij në peshojën e fetarisë së vërtetë.
Devocioni i sforcuar e i veshur me petkun e konsekuencës fetare, shpesh bëhet arsye për të shmangur përballjen me dobësitë e brendshme te vetë personi që e pretendon një shkallë të lartë të fetarisë së tillë. Ai i sheh të tjerët më syrin nënvlerësues dhe i mendon ata se janë më pak meritorë për mëshirën dhe ndihmën e Zotit. Të tillët ndiejnë nevojë për t'u dukur të përkushtuar, thjesht sa për ta përmbushur një vetëkënaqësi të stisur e për afirmim personal. Shumë psikologë do ta konsideronin këtë një iluzion të virtytit dhe alibi për të përçmuar të tjerët, por asnjëherë rrugë për vetëkontroll e përulshmëri fisnike. Është thjesht një lakmi e shthurur për të fituar admirim publik, komente pozitive dhe pëlqime, qoftë edhe spontane, apo eventualisht edhe ndonjë pozitë në një shoqëri, e cila e ka humbur taktin e vlerësimit të vërtetë të njerëzve të vet.
Vetëkrekosja dhe vetëpëlqimi, qoftë edhe në emër të fetarisë, apo si mënyrë e të menduarit, ka babanë e vet ideologjik, Iblisin, i cili që në origjinë refuzoi urdhrin e Zotit për t'i rënë në sexhde Ademit a.s., me alibi vetëvlerësuese. Ai tha: "(Allahu) tha: "Çka të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?" Ai (Iblisi) tha: "Unë jam më i vlershëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!" (El Araf, 12). Pra, edhe Iblisi mori mundin që t'i justifikohet Zotit të tij për mosnënshtrim ndaj urdhrit të Tij, e për krekosjen mbivlerësuese të tij, i tha se Ti më krijove mua më të mirë, sesa që e ke krijuar atë-njeriun. Andaj, s'është çudi që sot, kushdo që ndihet dhe pretendon vetëpërmbushjen, të gjejë këso lloj alibish djallëzore të rrëfyera në Librin tonë fisnik si tipare djallëzore, për të shkelur në qafë të të tjerëve, pastaj edhe për t'i poshtëruar ata. Vetë Muhamedi a.s., na rrëfeu për një kategori njerëzish, të përsëritur si soj në çdo kohë, që ne "e shohim të pa vlerë e me sy nënçmues namazin tonë karshi namazit të tyre, dhe agjërimin tonë karshi agjërimit të tyre", por që ngushëllimi më i dëlirë mbetet fakti se llogaria finale, do të jetë pranë Gjykatores së Drejtë te Zoti ynë në Ahiret.


 


Editorial
Dituria Islame 425


Artikulli i kaluar
Sistemi ekonomik sipas Islamit
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë