Sprovat e botës digjitale dhe forca e durimit


Në epokën e rrjeteve sociale, ku çdo sekondë mbushet me shpejtësi, trillime, sulme dhe propagandë, si ta ruajmë shpirtin tonë të qetë? Si ta ruajmë baraspeshën e brendshme? Kjo pyetje nuk është më thjesht filozofike, por është një sfidë e përditshme. Nga momenti që zgjohemi dhe kontrollojmë telefonin, e deri në orët e vona të natës, jemi të zhytur në një lumë informacioni që shpesh nuk e kontrollojmë dot. Frika se mos humbasim diçka, lajmet e rreme që përhapen më shpejt se e vërteta, komentet helmuese që godasin dinjitetin, dhe presioni i vazhdueshëm për pëlqime e miratim, të gjitha këto krijojnë një realitet ku durimi dhe qetësia bëhen virtyte të rralla.
Në jetën time të përditshme, në qytetin ku jetojë dhe veprojë, në vendin tim të punës, ka rregull dhe qetësi, mirëpo kontrasti me botën digjitale e bënë dallimin. Në rrugë, në autobus, apo edhe në xhami, njerëzit janë të heshtur, të përqendruar, ndërsa në ekranet e tyre shpërthen një botë kaotike. Ky kontrast më ka bërë të reflektoj: Ndoshta sfida nuk është jashtë nesh, por brenda nesh dhe pyetja është se si të reagojmë ndaj kësaj rrjedhe të pakontrolluar?
Sprovat kryesore të botës digjitale
Sprova e parë është shpejtësia. Rrjetet sociale na nxisin të reagojmë menjëherë, të jemi të nxituar, të komentojmë, të ndajmë, të gjykojmë, pa e verifikuar informacionin. Një lajm i rremë mund të përhapet brenda minutash dhe të shkaktojë panik real. Në këtë kontekst, kujtesa se njeriu nuk është i detyruar të përballojë më shumë sesa mundet është thelbësore. Nuk kemi pse të ndjekim çdo zhvillim, çdo debat, çdo krizë virtuale. Ka një kufi mes informimit dhe mbingarkesës.
Sprova e dytë janë sulmet dhe propaganda. Platformat që supozohej të na lidhnin dhe të na bashkonin, shpesh janë kthyer në arena përçarjeje. Përdoruesit dhe komentuesit anonimë sulmojnë pa përgjegjësi, duke nxitur dhe përhapur urrejtje dhe mosbesim. Në momente të këtilla për njeriun është lehtë të përgjigjet me të njëjtën monedh, por ai duhet të di se sulmi është provë, jo për të treguar forcën në debat, por për të matur durimin dhe qetësinë e tij.
Sprova e tretë është mungesa e shpresës. Algoritmet favorizojnë lajmet negative, konflikte, kriza, skandale, pasi ato tërheqin më shumë vëmendje. Kjo krijon një perceptim të shtrembëruar të realitetit, ku duket sikur gjithçka po shkon keq, sikur botën e kanë kapluar kronikat e zeza, etj. Në këtë atmosferë, është rrezik të humbasësh besimin dhe qetësinë, ndërsa realiteti mund të jetë ndryshe dhe nuk është vetëm ajo që shfaqet në ekranin digjital.
Roli i durimit në epokën digjitale
Përballë këtyre sfidave, durimi nuk është thjesht vetëm një virtyt moral, por tashmë është një strategji mbijetese. Ai na ndihmon të mos reagojmë me nxitim, të mos biem pre e manipulimeve, dhe të ruajmë integritetin tonë.
Si mund ta përkthejmë këtë në praktikë? Cilat do të ishin ato veprime të thjeshta, por që do të na ndihmonin shumë? Ja disa shembuj praktikë: Kur të përballemi me lajme të dyshimta, të ndalemi dhe t'i verifikojmë para se t'i ndajmë, sepse jo çdo informacion meriton vëmendjen tonë. Kur sulmohemi apo provokohemi online, të zgjedhim heshtjen ose një përgjigje të matur, sepse jo çdo debat meriton pjesëmarrjen tonë. Kur ndjejmë mbingarkesë apo zhgënjim nga negativiteti që shohim dhe dëgjojmë në ekran, të shkëputemi përkohësisht dhe të rikthehemi tek burimet që na japin qetësi dhe kuptim.
Një praktikë që më ka ndihmuar personalisht është vendosja e kufijve të qartë: jo më shumë se 60 minuta në rrjete sociale në ditë. Fillimisht duket e vështirë, por me kalimin e kohës krijon një hapësirë të çmuar për reflektim, lexim dhe qetësi mendore. Po ashtu, momentet e ibadetit, lutjes dhe të meditimit shërbejnë si një rikthim në thelb: një kujtesë se vlera jonë nuk matet vetëm me pëlqime apo ndjekës.
Shpresa si armë
Në fund, beteja me botën digjitale nuk fitohet duke e braktisur atë, duke e injoruar atë krejtësisht, por duke e përdorur me vetëdije dhe me maturi, ngase sfida nuk është teknologjia në vetvete, por mënyra se si ne zgjedhim ta përdorim atë.
Triumfi nuk qëndron në shmangien e provave, por duke u përballur me vetëkontroll dhe besim. Në një botë që kërkon reagim të menjëhershëm, të zgjedhësh të mendosh para se të veprosh është një akt force dhe mençurie. Në një hapësirë që shpërblen zhurmën, të ruash qetësinë është një formë rezistence.
Dhe thirrja është e qartë: të mos bëhemi skllevër të ekranit, por përdorues të vetëdijshëm. Të mos lejojmë që algoritmet të formësojnë shpirtin tonë, por të ruajmë busullën tonë të brendshme që na udhëheq. Sepse në fund të fundit, paqja nuk gjendet në ekran, por te bota jonë e brendshme. Jemi ne, njerëzit, që u japim kuptim dhe vlerë gjërave dhe jo e kundërta.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Promovohen “Akaidi islam: Parimet, zhvillimi dhe shkollat” dhe “Ixhazetnamet e Sherif ef.Ahmetit”