Kurbani – normat dhe synimet e tij fisnike në Islam

 


Kurbani përbën një nga aktet më të rëndësishme të adhurimit në fenë islame, i cili është i lidhur ngushtë me ndjenjat e devotshmërisë, sakrificës dhe përkushtimit ndaj Allahut. Ai rrjedh nga një traditë e lashtë profetike, që kulmon me ngjarjen madhështore të Profetit Ibrahim a.s., i cili pranoi të sakrifikonte të birin si shenjë e bindjes së plotë ndaj urdhrit hyjnor. Ky akt simbolik është bërë një shembull i përjetshëm i nënshtrimit dhe besimit të palëkundur në vullnetin e Zotit. Në këtë trajtesë do të shqyrtojmë shkurtimisht rregullat e kurbanit në Islam, dispozitat që lidhen me të dhe synimet e tij fisnike.


Përkufizimi i kurbanit


Fjala kurban nënkupton therjen e një kafshe të caktuar nga bagëtitë, si: dele, dhi, lopë ose deve, gjatë ditëve të Kurban Bajramit, me qëllim afrimi tek Allahu i Lartësuar. Ky veprim bazohet në argumente të qarta nga Kurani, Suneti dhe konsensusi i dijetarëve. Disa ajete që e mbështesin këtë praktikë: "Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd." (El Keuther, 2); "Thuaj: Vërtet, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm Allahun, Zotin e botëve." (El En'am, 162); "Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim, dhe ju për fitoni prej tyre. Prandaj, për mendeni emrin e Allahut mbi to, kur t'i radhisni në këmbë për therje. Pasi të bien në tokë (të therura), hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të tregoheni mirënjohës." (El Haxh, 36).
Disa hadithe mbi kurbanin: "Pejgamberi a.s. ka therur me dorën e tij dy desh të bardhë me brirë, Ai tha 'Bismilah' dhe mori tekbir, duke e vendosur këmbën mbi anën e tyre gjatë therjes."(1) "Njeriu nuk bën ndonjë vepër më të dashur për Allahun në ditën e kurbanit sesa derdhja e gjakut (të kurbanit). Vërtet, ajo (kafsha e therur) do të vijë në Ditën e Kiametit me brirët, leshin dhe thundrat e saj. Dhe me të vërtetë, gjaku i saj arrin një vend të lartë tek Allahu para se të bjerë në tokë. Prandaj, bëjeni kurbanin me zemër të kënaqur."(2) Kur shokët e të Dërguarit të Allahut a.s., e pyetën: "O i Dërguari i Allahut, çfarë janë këto kurbane?", ai u përgjigj: "Janë tradita e babait tuaj, Ibrahimit." Ata thanë: "Çfarë përfitojmë ne prej tyre?" Pejgamberi a.s., iu tha: "Për çdo qime (të kafshës së kurbanit), ju fitoni nga një të mirë." Ata e pyetën: "Edhe për qimet, o i Dërguari i Allahut?" Ai tha: "Po, për çdo qime të leshit - nga një të mirë."(3) Dijetarët myslimanë janë pajtuar unanimisht (ixhma) se therja e kurbanit gjatë ditëve të Kurban Bajramit është një veprim i ligjësuar në Islam dhe përbën një nga ritet madhështore të kësaj feje.(4)


Dispozita e kurbanit


Sipas medhehebit hanefi, kurbani është vaxhib (i detyrueshëm) për çdo mysliman të lirë, të rritur, me shëndet të plotë mendor, që është banor vendas (mukim) dhe zotëron pasuri të mjaftueshme që arrin vlerën e nisabit (njësoj si për zekatin). Sa i përket therjes së kurbanit për të vdekurin, ajo nuk është e detyrueshme, përveç nëse i ndjeri e ka lënë amanet para vdekjes. Në një rast të tillë, përmbushja e këtij amaneti bëhet e domosdoshme.(5)


Kushtet e kurbanit


Kurbani duhet të jetë nga kafshët shtëpiake: deve, lopë ose dele. Kafsha duhet të jetë e shëndoshë dhe pa të meta të dukshme. Nuk lejohet të jetë e verbër, e sëmurë rëndë, e çalë apo jashtëzakonisht e dobët. Duhet të ketë arritur moshën e përcaktuar nga Sheriati: deveja - pesë vjeç, lopa - dy vjeç, delet - një vjeç. Përjashtimisht, lejohet therja e një qengji gjashtëmuajsh, nëse është aq i zhvilluar sa nga pamja i ngjan një deleje njëvjeçare. Therja e kurbanit duhet të bëhet brenda kohës së caktuar fetarisht: nga përfundimi i namazit të Kurban Bajramit (më 10 dhulhixhe), e deri në perëndimin e diellit të ditës së 13 dhulhixhe.(6)


Rregullat e therjes


Sipas Sheriatit, këto janë kushtet që kërkohen për therje: Kafsha duhet të theret me një mjet të mprehtë, në mënyrë që gjaku të rrjedhë nga damarët e saj. Duhet të prehet gryka ose të shpohet zgavra e saj. Mënyra më e plotë e therjes është prerja e kanalit të frymëmarrjes, ezofagut (gabzherri) dhe dy damarëve kryesorë të qafës. Gjatë therjes, duhet të përmendet emri i Allahut, duke thënë "Bismilahi, Allahu Ekber".(7)


Shpërndarja e mishit të kurbanit


Sipas medhhbit hanefi, është e pëlqyeshme (mustehab) që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë: Një pjesë për vetën dhe familjen - për konsum personal. Një pjesë për të afërmit dhe miqtë - si shenjë solidariteti dhe afrimiteti. Një pjesë për të varfrit dhe nevojtarët - si akt bamirësie dhe ndihme.(8)


Synimet dhe urtësitë fisnike të kurbanit


Kurbani nuk është vetëm një akt i jashtëm, por përmban një sërë synimesh dhe urtësish që e bëjnë atë një nga format më domethënëse të adhurimit në Islam. Ja disa prej tyre:


Përkushtimi dhe bindja ndaj Zotit


Prerja e kurbanit është një shprehje e përkushtimit dhe bindjes ndaj Allahut. Ajo tregon se besimtari është i përgatitur të zbatojë urdhrat e Zotit, edhe nëse është në pyetje pasuria dhe jeta e tij, ashtu siç bëri Profeti Ibrahim a.s., i cili ishte i gatshëm të sakrifikonte më të dashurin e tij për Allahun. Ky është kulmi i përkushtimit. Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: "Thuaj: Vërtet, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve." (El En'am, 162).


Arritja e devotshmërisë - takvaja


Qëllimin i vërtetë i kurbanit na tregohet qartë nga Zoti në Kuran, kur thotë: "Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbaneve), por arrin përkushtimi juaj..." (El Haxh, 37). Ky ajet madhështor i drejtohet besimtarëve për t'u bërë të qartë se Allahu nuk ka nevojë për asgjë materiale nga krijesat e Tij. Therja e kurbanit, e shoqëruar me derdhjen e gjakut dhe ndarjen e mishit, është një akt simbolik. Megjithatë, ajo që ka vlerë tek Allahu është qëllimi i pastër i besimtarit (nijeti) dhe devotshmëria.(9) Zoti nuk pranon nga robërit e Tij veprat që nuk bëhen me sinqeritet dhe për hir të Tij.(10)


Mbështetja për të varfrit


Një nga qëllimet kryesore të therjes së kurbanit është ndarja e të mirave materiale me të tjerët, veçanërisht me shtresat që janë në nevojë. Kjo shpërndarje nuk është vetëm një akt bujarie, por një pjesë përbërëse e adhurimit dhe shprehje e solidaritetit islam. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "...hani nga ato (kurbanet) dhe ushqeni nevojtarin e varfër." (El Haxh, 28).


Pastrim i shpirtit nga egoizmi


Në të vërtetë, kurbani është një ritual që na mëson të ndajmë, të dorëzohemi dhe të pastrohemi nga egoizmi, duke jetuar me më shumë dashuri për Allahun dhe për njerëzit. Me sakrifikimin e diçkaje me vlerë, njeriu mëson të largohet nga lakmia dhe materializmi.


Forcimi i lidhjeve familjare dhe shoqërore


Një prej synimeve dhe urtësive të kurbanit është forcimi i lidhjeve familjare, farefisnore dhe shoqërore. Shpërndarja e mishit i gëzon dhe i afron njerëzit. Fëmijët, prindërit, gjyshërit dhe fqinjët përjetojnë së bashku atmosferën e sakrificës dhe falënderimit.


Përkujtim i sakrificës dhe i durimit


Kurbani na kujton se besimi kërkon durim dhe sakrifica në jetë për hir të Zotit. Sa herë që besimtari kujton sakrificën dhe durimin e Profetit Ibrahim dhe Profetit Ismail a.s., kjo e nxit të ketë mendim të mirë për Allahun dhe ta kuptojë se durimi është shkak për dhunti dhe largimin e fatkeqësive.


Përmbyllje


Kurbani është më shumë se një veprim i jashtëm adhurimi, ai është një shprehje e fortë e nënshtrimit ndaj Allahut, e mirënjohjes për begatitë që na janë dhënë dhe një thirrje për të qenë më të mëshirshëm, më bujarë dhe më afër njëri-tjetrit. Normat që rregullojnë kurbanin e bëjnë atë një adhurim të qartë dhe të drejtë, ndërsa synimet e tij fisnike e ngjisin në një shkallë më të lartë morale e shpirtërore. Përmes kurbanit, mësojmë se feja islame nuk është një ritual i thjeshtë, por edukim i zemrës dhe ndërtim i shoqërisë, përmes vlerash të qëndrueshme, si: sakrifica, solidariteti, falja dhe dashuria për Zotin dhe krijesat e Tij.
Sot, më shumë se kurrë, kur njerëzit po përballen me vetmi shpirtërore dhe ndarje shoqërore, mesazhi i kurbanit na kujton nevojën për lidhje të sinqerta me Zotin dhe me njëri tjetrin. Le të jetë kurbani një mundësi për të pastruar zemrat, për të afruar njerëzit dhe për të forcuar lidhjet e familjes, shoqërisë dhe të kombit tonë. Amin!


______________________________________________
1. Transmetojnë Buhariu me numër 5565 dhe Muslimi me numër 1966.
2. Transmeton Tirmidhiu në Sunenin e tij, në kapitullin e kurbanit, hadithin nr. 1493.
3. Transmeton Ibën Maxheh me numër 3127.
4. En-Neveviu, El Mexhmu' (Bejrut: Dar al Fikr, n.d). Ibën Kudamah, El Mugni (Kajro: Maktabat al Kahira, n.d).
5. Muhamed ibën Ahmed al Sarakhsi, El Mebsut, vol. 12 (Bejrut: Dar al Ma'rifah, n.d), 11.
6. Burhan el Din el Marghinani, El Hidaje, vol. 4 (Bejrut: Dar al Kutub al Ilmiyyah, n.d), 357.
7. Jusuf el Karadawi, Hallalli dhe harami në Islam, për kthyes: Muhamed Mustafa (Shkup: Logos-A, 1988).
8. Imam el Kudur, Muhtasar el Kuduri (Medinë: Dar al Siraj, 2014), 419.
9. Fakhr el Din el Razi, Mefatih el Gayb (Tesiri i madh), në www. altafsir.com, qasur më 13 maj 2025.
10. Abd el Rahman el Sa'di, Tefsiri i Sadiut, komenti mbi suren El Haxh, ajeti 37, në Quran.com, qasur më 13 maj 2025. https://quran. com/al-hajj37.


 



Dituria Islame 415


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë bën thirrje për ndihmë në ndërtimin e xhamisë