Përderisa i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ndjeu barrën e rëndë të Shpalljes që posa kishte pranuar nga Zoti i tij, i shqetësuar shkoi për të gjetur pak ngushëllim te 'miku' i tij, Vereka ibën Neufeli. Ai ishte nga ata pak që ende kishin mbetur në "fenë monotesite", në një rreth politeistësh, që kishin lajthitur skajshmërish rrugën e vërtetë. Njihte shumë mirë edhe rrëfimet e pejgamberëve të mëhershëm dhe sigurisht se kishte diç për t'i thënë edhe Muhamedit a.s. në shqetësimin e tij të ri. Posa dëgjoi atë që i kishte ndodhur të Dërguarit të Zotit, Vereka i tha: "Ah sikur të isha i ri, dhe të isha gjallë kur populli yt do të të nxjerrë (nga vendi yt), do të kisha dalë krahë për të të ndihmuar!" Muhamedi a.s. me një pëshpëritje të mekur, krejt pafajësish pyeti: "A vërtet do të më dëbojë populli im mua?!" Ai iu përgjigj: "Po! Nuk ka ardhur kurrë askush me atë që ti ke ardhur, përveçse është sulmuar nga populli i vet." (Muslim, 160). Logjika ishte e thjeshtë, kushdo që ecën në të njëjtën rrugë, do të përjetojë gjithë vuajtjet që ka përjetuar secili që para tij eci në rrugën e tij. Nuk e ka gëzuar asnjëri privilegjin e luksit, ose i të qenit i kursyer nga ato vuajtje. E po, shpërngulja vërtet ndodhi 13 vjet më vonë, veçse aromën e saj të hidhur, Muhamedi a.s. e ndjeu qysh herët, madje ende pa e kuptuar në tërësi krejt peshën e misionit të tij.
Në një ambient ku qe ngrysur qielli i lirisë dhe ku ishte ngulfatur zëri i së vërtetës, vazhdimi i një misioni të dëlirë nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, u bë i pamundur. Slogani i proklamuar kuranor: "A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migroni në të? (e ta praktikonit lirisht fenë e Zotit)…" (En Nisa, 97), para se t'ju thuhej cilitdo besimtar që jeton në rrethana të vështira me fenë e tij, në të vërtetë disi do t'i thuhej vetë Muhamedit a.s. në Mekë, por edhe shokëve të tij. Ajo që duhej ruajtur ishte më e çmueshme e më e shenjtë se vetë shenjtëria e Mekës, ishte pra feja e Zotit të Madh. Andaj, ligjet e Zotit dhe premtimi i Tij për ta ndihmuar fenë e Tij, doemos kthejnë mbrapsht pa kursyer gjithë kurthet e pabesitë ndaj atij misioni të dëlirë. Andaj hixhreti s'mund të jetë ndryshe veçse "...nga bukuritë e Islamit, me të cilin u ruajt bastioni i fesë, u ndal derdhja e gjakut dhe u përhap thirrja." (El Maverdi, Ahkam es Sultanijje, 24).
Kujtojeni një fakt se sa u përpëlit i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të dhe sa gjatë duroi atë dramë famëkeqe të shtypjes, abuzimit të sinkronizuar nga ata që ia vunë detyrë vetes eliminimin e tij dhe shkuljen me rrënjë të fesë së tij. Ai insistonte për të mos braktisur me asnjë çmim truallin e lindjes së tij. Atë truall që kishte qëlluar të ishte edhe vendi më i bekuar mbi faqen e dheut. Aty ishte ngritur faltorja e parë monoteiste në historinë njerëzore.
Fati i misionit të Muhamedit a.s. në atë moment historik ndërlidhej disi me vetë shpëtimin ose jo të tij. E donin atë të vdekur, paçka se do të fikej e do të përfundonte pastaj përjetësisht edhe misioni i tij. Duket se antagonistët nuk gjetën kohë të dëgjonin zërin kumbues të së vërtetës: "Me të vërtetë, Zoti yt i pret ata në pusi (i përcjellë punët e tyre)." (El Fexhr, 14). Andaj, periudhën e shtypjes së egër po e përmbyllte Muhamedi a.s., për të gjetur një oazë lirie ku feja e Zotit do të merrte frymë lirshëm e do të kalonte nga dobësia në fuqi. Kjo do të përbënte arsye të mjaftueshme që të kuptojmë se "hixhreti nuk ishte ikje, por planifikim për ndërtimin e një shteti, përgatitje për ngritjen e një ymeti dhe një mesazhi për tërë njerëzimin." (J.Kardavi, Fikh el Hixhreh, 21).
Andaj asgjë nuk ishte aksidentale që Omeri r.a. në epokën e hilafetit të tij, por edhe shumica e sahabëve ranë dakord që fillimi i vitit islam të llogaritet nga hixhreti i Profetit a.s. nga Meka në Medine. Si të mos ishte fillim i një historie kur Islami, nga një thirrje individuale dhe e përndjekur, u shndërrua në një shtet që ishte i bazuar në rend e ligj. Për më tepër, u bë edhe ymet premtues për përndritje dhe udhëzim edhe i atyre që e sulmonin me mëri. Kjo ngjarje përbënte atë kthesën historike që misioni profetik, nga ideja kaloi në dinamikë dhe në realitet. Andaj, kjo ngjarje ishte edhe një fillim i ri.
Dituria Islame 416