Në shumë qytete të Gjermanisë, tabelat informuese në hyrje të zonave urbane shërbejnë për të treguar oraret e shërbesave fetare katolike dhe protestante. Por në Penzberg, një qytet në landin e Bavarisë, këto tabela kanë marrë një element të ri: për herë të parë është përfshirë edhe simboli i një xhamie, së bashku me informacionin për orarin e namazit të xhumasë.
Sipas mediave gjermane, hyrjet e qytetit të Penzbergut do të shfaqin tashmë, përkrah njoftimeve për shërbesat katolike dhe protestante, edhe simbolin e xhamisë lokale, me informacion mbi kohën e namazit të xhumasë.
Tabela e parë u vendos të martën, ndërsa tre të tjera pritet të vendosen në hyrjet e tjera të qytetit gjatë ditëve në vijim. Ideja lindi nga një proces bashkëpunimi mes bashkisë së Penzbergut dhe komuniteteve katolike, protestante dhe myslimane. Gjatë rinovimit të tabelave ekzistuese u vendos që edhe komuniteti islam të përfshihej në këtë sistem informimi.
Imami i Penzbergut, Benjamin Idriz, tha se propozimi u mbështet nga kryetari i bashkisë dhe përfaqësuesit e kishave të krishtera, të cilët e zbatuan së bashku këtë nismë. Shpenzimet për tabelat do të mbulohen nga komunitetet fetare pjesëmarrëse.
Reagimet në qytet kanë qenë kryesisht pozitive. Shumë banorë e kanë parë këtë vendim si një shenjë respekti të ndërsjellë dhe bashkëjetese mes komuniteteve të ndryshme fetare.
Për komunitetin mysliman, tabela shihet gjithashtu si një mënyrë për të treguar hapjen ndaj shoqërisë. Namazi i xhumasë dhe ligjërata fetare zhvillohen në gjuhën gjermane dhe janë të hapura edhe për personat që nuk i përkasin fesë islame.
Tabelat që tregojnë shërbesat fetare kanë një histori që daton në vitin 1960, kur një rregullore e Ministrisë Federale të Brendshme të Gjermanisë lejoi vendosjen e tyre për komunitetet katolike dhe protestante.
Në vitin 2008, Ministria Federale e Transportit e zgjeroi këtë mundësi për të gjitha komunitetet fetare, duke hapur rrugën që edhe komunitetet e tjera, përfshirë ato myslimane, të mund të përfshihen në tabela të tilla informuese.