Kush shkatërron dhe sulmon fenë, ai ka shkatërruar moralin
mëshirë e Zotit ishte që krijoi njeriun dhe e pajisi me mendje e fuqi, po ashtu mëshirë e Tij ishte që nëpërmjet pejgamberëve, dhe sidomos përmes Muhamedit a.s., t'ia ofronte programin e Vet Hyjnor, në mënyrë që atë mendje të njeriut dhe atë fuqi - ta orientojë në dobi të jetës së tij dhe të së ardhmes së tij përfundimtare. Zoti xh.sh. e njeh më së miri njeriun, sepse Ai Vetë e krijoi. E dinte se nga krijesat më të ndërlikuara është ai. Njeriu është i pajisur me aso fuqish, të cilat e tërheqin nga e mira, po edhe me sosh që anojnë nga e keqja. Prandaj, Allahu i Lartmadhëruar, nga mëshira e Tij, nuk deshi që kjo krijesë të sillet vërdallë në rruzullin tokësor e të mbetet i hutuar, veçse e pa të nevojshme dërgimin e pejgamberëve dhe librave të shenjtë kohë pas kohe, me udhëzime e këshilla dhe me qëllim që njeriu t'i aktivizojë anët pozitive të tij. Njeriu, përveç të tjerash, është qenie shoqërore dhe, si i tillë, është i detyruar të jetojë në familje dhe në bashkësi, që do të thotë se njeriu, nga vetë natyra e tij, është i krijuar të jetojë me të tjerët. Vetë jeta në bashkësi kërkon kushte dhe rregulla, të cilat duhet t'i respektojë çdo individ, me qëllim të arritjes së harmonisë në marrëdhëniet ndernjerëzore mirëpo, pa individë të shëndoshë, nuk ka bashkësi të shëndoshë, sikurse nuk ka individë të shëndoshë pa një moral të shëndoshë. Pra, normat e moralit janë ato që dirigjojnë sjelljet e përgjithshme të njeriut në bashkësi. Bazë e normave të moralit është feja, për arsye se ato norma nuk mund të respektohen si duhet nëse nuk burojnë nga ligji i shenjtë, siç është Sheriati. Tek njeriu ekzistojnë dy lloj prirjesh: të larta dhe të ulëta (shpirtërore dhe emocionale); ato të lartat duhet të zhvillohen, kurse të ulëtat (epshet) duhen kontrolluar-sunduar. Këtë e bën vetëm besimi në Krijuesin-Feja. Mu për këtë arsye, me plot të drejtë thotë dijetari i njohur Lajbninc: "Patjetër duhet të besojmë që të jetojmë moralisht". Ndërsa Gëte thotë: "Epokat e zhvillimit dhe ngritjeve të fuqishme kanë qenë gjithmonë epokat e besimit të fuqishëm". Përderisa Platoni, shumë shekuj më herët, pati thënë: "Kush shkatërron dhe sulmon fenë, ai ka shkatërruar moralin".
Pra, morali është fondamenti më se i nevojshëm për jetën e çdo individi a bashkësie, prandaj pa moral nuk mund të imagjinohet jeta e njeriut dhe e bashkësisë. Morali, pra, është pjesë e pandashme e njeriut. Gjithmonë fati i njerëzve është varur nga niveli i moralit të tyre, që do të thotë se bazë dhe kusht për jetë të lumtur në këtë botë, është respektimi i normave morale. Morali është ligj që i cakton njeriut detyrat që ka ndaj vetvetes dhe rrethit, qëllimi i të cilit është lumturia në këtë dhe në Botën tjetër. Mu për këtë shkak, feja Islame dallohet nga të gjitha kulturat dhe qytetërimet e tjera të mëparshme, sepse theksin kryesor e vë mbi moralin. Prandaj morali është porosi kryesore e fesë. Muhamedi.a.s., në lidhje me këtë, ka thënë:"Vërtet jam dërguar t'i plotësoj vlerat morale-(moralet e larta)". Pejgamberi a.s. thotë: " Zoti dëshiron që, nëse dikush prej jush vepron diçka, ta bëjë atë sa më mirë". mëshira e përsos natyrën e njeriut, e bën njeriun të jetë i ndjeshëm ndaj dhembjeve të krijesave dhe të orvatet për eliminimin e tyre, i vjen keq për gabimet e tyre dhe u dëshiron atyre udhëzimin. mëshira është përsosmëri në karakter, sepse mos kujdesi ndaj ndjenjave njeriun e shpie në një pozitë të ulët dhe ia rrëmben më të shtrenjtën që posedon, që është ndjenja e gjallë përplot me dashuri dhe butësi. Mëshira, në pikën e saj më të lartë vertikale dhe në shtrirjen e saj ekskluzive, është cilësi e Zotit të Madh, sepse mëshira e Tij i ka përfshirë të gjitha krijesat dhe sferat.
Mëshira e Allahut përfshin çdo send
Prandaj, prej lutjeve të melekëve drejtuar Atij, është: "… Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj ua fal atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, e edhe ruaj ata nga dënimi i Xhehenemit"! (Gafir, 7) Shumë prej emrave të bukur të Allahut burojnë nga kuptimet e mëshirës, fisnikërisë, mirësisë dhe faljes. Në hadith kudsij përmendet: "Mëshira Ime i ka paraprirë (ka tejkaluar) hidhërimin Tim". Që do të thotë se, falja e Tij për gabimet e njerëzve ia tejkalon ndëshkimit të Tij për njerëzit dhe hidhërimit të Tij me ta, e kështu, Ai është më i Miri Mëshirues: "E ti thuaj:" O Zoti im, më fal e më mëshiro, se Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve"! (El Mu'minun, 118)
Po njeriu mund t'u buzëqeshë shokëve të vet kur i takon, e po ashtu të tregohet i butë ndaj fëmijëve të vet, kur i sheh; kjo është e pranishme tek pjesa dërrmuese. Mirëpo, prej besimtarit kërkohet që rrethi i mëshirës së tij të jetë më i gjerë, ai e tregon gëzimin e tij, e manifeston dashurinë dhe mëshirën e tij për të gjithë ata që i takon. Janë përmendur një varg hadithesh që nxisin për këtë mëshirë gjithëpërfshirëse. Kështu, Pejgamberi a.s. thotë: "Kush nuk i mëshiron njerëzit, atë nuk do ta mëshirojë Allahu". Në një version tjetër u shtua: "Dhe, kush nuk ua fal të tjerëve, nuk do t'i falet as atij". Po ashtu thotë: "Kush nuk e mëshiron atë që është në tokë, atë nuk do ta mëshirojë kush është në qiell".
Allahu i madhërishëm e ka përshkruar shoqërinë myslimane si të lidhur me këtë ndjenjë reciproke; prandaj për njerëzit e saj tha: "(Një popull)… modest e i butë ndaj besimtarëve,…" e po ashtu tha: "…(ashabët) , janë të mëshirshëm ndërmjet vete…" islami është fe e mirësisë, paqes dhe butësisë ndaj të gjithë njerëzve. Allahu i tha Pejgamberit të Tij: "E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat". në këtë mëshirë nuk ka mangësi, po të metat qëndrojnë tek ata që e kanë privuar veten prej saj. A nuk e sheh se mëshira e Allahut ka përfshirë çdo gjë? Por, pavarësisht nga kjo, atë nuk do të mund ta arrijë as idhujtar e as mohues: Allahu i Madhërishëm thotë: "… e mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata që u ruhen (mëkateve), e japin zekatin dhe për ata që argumentet tona i besojnë. Që pranojnë të Dërguarin (Muhammedin), Pejgamberin arab (që nuk shkruan as nuk lexon)…" nëse themi: Kjo sallë nxë një mijë veta, mirëpo në të mund të hyjnë vetëm ata që kanë bileta, dhe nëse disa njerëz nuk pranojnë të blejnë bileta e për këtë shkak u ndalohet hyrja dhe mbeten jashtë, kjo nuk shpërfill madhësinë e sallës. E tillë është edhe fjala e Pejgamberit të Allahut: "Të gjithë pjesëtarët e umetit tim do të hyjnë në Xhenet, përveç atyre që e refuzojnë këtë". Shokët i thanë: "E kush refuzon?" Ai iu përgjigj: "Kush më pason mua, do të hyjë në Xhenet, e kush më kundërshton, ai ka refuzuar". ashpërsia, të cilën e injoron Islami, është rezultat i arrogancës së njeriut dhe nuk ka të bëjë me logjikë e as drejtësi. Është instinkt i lig, i cili ngopet prej të këqijave dhe ofendimeve, përkon me egoizmin ekskluziv dhe pasionin e verbër. Ndërkaq, mirësia dhe mëshira janë gjurmë prej bukurisë hyjnore, që në krizat e rënda u dhuron atyre një erë të këndshme që ua ngjall jetën dhe u freskon zemrat. Pejgamberi i Allahut ka thënë: "Allahu mëshirën e ka ndarë në njëqind pjesë, ndërkaq në Tokë zbriti vetëm një pjesë, dhe prej kësaj pjese mëshirohen krijesat, saqë kafsha e ngre shputën e vet nga i vogli i saj që të mos e shkelë". Në një transmetim tjetër thuhet: "Allahu i Lartësuar, ditën kur i ka krijuar qiejt dhe Tokën, ka krijuar njëqind mëshira, çdo mëshirë e ka madhësinë sa ka në mes qiellit dhe Tokës, dhe prej tyre në Tokë lëshoi një mëshirë. Me të nëna e mëshiron fëmijën e saj dhe egërsirat e shpezët njëra-tjetrën". ashtu siç zhvillohet mendja dhe pasurohet me njohuri të ndryshme, edhe kjo mëshirë zhvillohet me metoda të ndryshme, që të zgjerohet e të rritet. ndërkaq, nëse lihet të shkrihet dhe të vdesë, bartësi i saj bëhet lëndë djegëse e Xhehenemit. Transmetohet prej Ebu Hurejres, i cili thotë: "E kam dëgjuar të sinqertin e vërtetuar, pronarin e kësaj dhome, babain e Kasimit, Pejgamberin a.s., duke thënë: "mëshira u merret vetëm fatkeqëve". islami vuri në spikamë se ka disa njerëz të veçantë të cilëve duhet t'u takojë më shumë hise prej mëshirës dhe mbikëqyrjes. Prej tyre janë të afërmit, sepse afërsia buron prej mëshirës, prandaj duhet të përputhet me mëshirën në kuptimin e saj. Pejgamberi a.s. thotë: "Të mëshirshmit do t'i mëshirojë Allahu i Lartësuar. Mëshironi ata që janë në tokë, t'ju mëshirojnë ata që janë në qiell. Afërsia është degë e të Mëshirshmit. Kush e respekton atë, atë do ta respektojë Allahu, e kush nuk e respekton atë, atë nuk do ta respektojë Allahu".
Mirësia dhe Mëshira me jetimët
Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe çështjes së jetimit nga aspekti i edukimit, trajtimit dhe sigurimit të ekzistencës së tij, në mënyrë që ai të jetë një element dobiprurës për shoqërinë; të kryejë obligimet ndaj saj dhe të jetë përgjegjës për veprimet në raport me të. islami ka urdhëruar që jetimi të respektohet dhe të mos shqetësohet kurrsesi. thotë Allahu: "Pra, mos e përul jetimin" Prej atyre që jemi të obliguar t'i mëshirojmë, janë edhe jetimët. Kështu, mirësia ndaj tyre, bamirësia, sigurimi i ekzistencës së tyre dhe mbrojtja e ardhmërisë së tyre, - janë prej devotshmërive më të mëdha; madje edhe ndjenjat e devijuara drejtohen në këtë rrugë dhe bëhen serioze. Transmetohet prej Ebu Hurejres, se një njeri u ankua te Pejgamberi a.s. se është shumë i ngurtë në zemër, e ai i tha: "Përkëdhele kokën e jetimit dhe ushqeji të ngratët". Në një transmetim tjetër qëndron, se një njeri erdhi të ankohej për zemërgurtësinë e tij, e Pejgamberi a.s. i tha: "A dëshiron që zemra jote të zbutet dhe nevoja jote të kryhet? Mëshiro jetimin dhe përkëdhele kokën e tij, ushqeje atë prej ushqimit tënd, do të zbutet zemra jote dhe do të kryhet". muhamedi a.s.ka thënë: "unë dhe ai që u del garant jetimëve, do të jetë me mua në Xhennet, vetëm një gradë poshtë meje". si dhe: "shtëpia më e mirë e myslimanëve është ajo shtëpi që ka jetimë ndaj të cilëve sillen mirë, dhe shtëpia më e keqe e myslimanëve është ajo shtëpi që ka jetimë ndaj të cilëve sillen keq".
Me të sëmurët
Mëshirë duhet pasur ndaj të sëmurëve dhe të hendikepuarve, sepse ata njerëz të vuajtur inkuadrohen në jetë në rrethana mungesash, të cilat i pamundësojnë të ecin në të dhe ta arrijnë hisen e vet në të. këta i ka arsyetuar allahu, e ne nuk bën t'i fajësojmë për atë që u ka falur Allahu:"Nuk është mëkat (të ngelë pa dalë) për të verbrin, për të çalin, e as për të sëmurin. E kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, Ai atë e shtie në Xhenete ku rrjedhin lumenj, e kush ngel prapa, Ai atë e ndëshkon me një dënim të dhembshëm!" I sëmuri është njeri të cilin e ka lidhur sëmundja, e ka penguar ashpërsia e sëmundjes dhe hidhësira e barit shërues. Ai, me durimin e vet ndaj dhembjeve të tij, është afër Allahut dhe meritor për mëshirën e Tij. Nëse një gjemb ia fshin besimtarit mëkatet, atëherë ç'mund të thuhet për atë që e kanë lodhur sëmundjet dhe e kanë bërë t'i shijojë vuajtjet më të rënda? Kjo e bën të jetë nën mbikëqyrjen e Allahut! Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm e të mos jemi arrogantë ndaj të sëmurëve dhe të mos nënçmojmë sëmundjet e tyre, sepse arroganca ndaj tyre është krim i rëndë.
Me kafshët
Prej mëshirës së kërkuar, është edhe butësia ndaj kafshëve. Një njeri e kishte shtrirë përtokë delen e tij për ta prerë dhe pastaj nxori thikën e madhe për ta mprehur. kur e pa këtë veprim të tij, Pejgamberi a.s. i tha: "A mos do ta presësh dy herë?! Ai i tha: - Po çfarë të bëj, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi a.s. i tha: - "Së pari mprehe thikën e pastaj shtrije delen përtokë". Në një rast tjetër një njeri tha: "O Pejgamber i Allahut, unë e mëshiroj delen që pres". Pejgamberi i tha: "Nëse e mëshiron atë, do të të mëshirojë ty Allahu". Islami ua zë shumë për të madhe atyre që kanë zemra të ngurta ndaj kafshëve dhe që nuk brengosen për dhembjet e tyre; prandaj e ka sqaruar se njeriu, me gjithë vlerën e tij të lartë, hyn në Xhehenem për një të keqe që i bën një kafshe. Pejgamberi a.s. thotë:"Një grua hyri në zjarr për shkak të një maceje, të cilën e kishte lidhur dhe nuk i jepte për të ngrënë, e po ashtu nuk e linte të hante as prej gjallesave të tokës". Gjithashtu, Islami sqaroi se mëkatet e mëdha i fshin edhe një ndjenjë mëshire, e cila e përshkon zemrën, qoftë edhe ndaj një qeni! Pejgamberi a.s. thotë: "Derisa një njeri ishte duke udhëtuar, e kapi etja; gjeti një pus dhe zbriti në të e piu ujë. Pastaj doli përsëri, kur pa një qen duke gulçuar, i cili nga etja hante bimët. Njeriu tha: 'Këtë qen e paska kapluar etja, siç më kishte kapluar mua!' Andaj, zbriti në pus, e mbushi këpucën e vet me ujë, pastaj e kapi me gojë, e nxori dhe i dha ujë qenit. Këtij ia njohu këtë punë Allahu dhe ia fali". Shokët i thanë: "O Pejgamber i Allahut, a edhe për kafshët shpërblehemi ne"? Pejgamberi tha: "Për çdo gjallesë ka shpërblim". Në një transmetim tjetër: "Një grua amorale pa një qen, një ditë të nxehtë, duke u sjellë rreth një pusi; gjuha i ishte tharë nga etja, e ajo i nxori nallanet e veta (për t'i dhënë ujë), dhe për këtë asaj iu falën mëkatet"! Nëse mëshira ndaj qenit i fal mëkatet e të pamoralshmeve, atëherë mëshira ndaj njerëzve me siguri që bën çudira !
Përfundim.
Nga mësimet brenda kësaj teme, mund të përfitojmë këto:
1. Mirësia dhe mëshira janë dy veti etiko morale, pa të cilat nuk plotësohet morali.
2. Mirësia dhe mëshira janë rruga për në Xhennet.
3. Nëse dëshiron të fitosh mëshirën e Allahut, bëhu i mëshirshëm ndaj të tjerëve.
4. Besimtarët, me mirësinë, mëshirën dhe afërsinë që kanë ndërmjet tyre, janë si një trup, të cilit, po iu sëmur një organ, i tëri do të jetë në ethe - i sëmurë.
E përfundojmë këtë diskutim duke lutur Krijuesin e Gjithëmëshirshëm që mirësinë dhe mëshirën, si dhe sjelljet e mira, të mos i largojë nga zemrat tona, po gjithmonë t'i bëjë cilësi tona e të përhershme. Amin!
Dituria Islame 273