Tmerret e kiametit dhe mjerimi i jobesimtarëve në atë ditë
"Atë ditë, kur qielli do të lëkundet fuqishëm, e malet do të shkulen nga vendi dhe do të lëvizin! Atë ditë, mjerë për gënjeshtarët (jobesimtarët), që, të zhytur (në gënjeshtra dhe mohim), argëtoheshin! Atë ditë, ata me vrazhdësi do të hidhen në zjarrin e xhehenemit. (Do t'u thuhet): "Ky është zjarri që e keni përgënjeshtruar! A është kjo magji apo nuk po shihni? Përcëllohuni në të! Për juve është njësoj, duruat apo nuk duruat. Në të vërtetë, "shpërbleheni" vetëm për atë që keni bërë." - (Et-Tur, 9-16).
Koment
9. Atë ditë, kur qielli do të lëkundet fuqishëm, 10. e malet do të shkulen nga vendi dhe do të lëvizin!
Prej shenjave të para të kiametit, është fillimi i lëkundjes së qiellit dhe lëvizja e kodrave, të cilat do të bëhen copë e thërrime. Copëtimi i qiejve dhe i tokës, është sinjal i fuqishëm për njerëzit të cilët do ta përjetojnë këtë ditë, se më nuk ka kthim mbrapa në jetën e kësaj dynjaje, sepse kushtet për jetë në të tanimë janë të pamundshme.(1) Jo vetëm Toka, por edhe planetët e tjerë, si dhe të gjitha galaktikat në këtë gjithësi do të shkatërrohen. Çdo gjë do të kthehet përmbys. Asnjë krijesë nuk do të mbijetojë, madje as engjëjt e afërm, (të cilët nuk merren në llogari), por që të gjithë do të vdesin, e pastaj me lejen e Allahut xh.sh. do të ringjallemi dhe do të dalim para Madhërisë së Tij, për llogarinë e fundit.
Dallimi në mes fjalëve "temuru" - "lëkundet", që është përdorur për qiellin dhe "tesiru" - "lëvizin", që është përdorur për kodrat, është se qielli do të lëkundet duke lëvizur fuqishëm para-prapa, ndërkohë që kodrat do lë lëvizin vetëm para, nga një vend në tjetrin, për shkak të paqëndrueshmërisë së tyre, meqë do të shkulen fare nga vendi i tyre.(2)
Se sa të llahtarshme janë këto momente, mjafton t'i hedhim një shikimin disa ajeteve kuranore, dhe do të kuptojmë realitetin e frikshëm të tij, për jobesimtarët. Ja disa prej këtyre ajeteve:
"O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e çastit të kiametit është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Do t'i shohësh njerëzit si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër"(El Haxh, 1-2),
Pastaj: "Kur të të pyesin ty (o Muhamed) për malet (kodrat), thuaj: "Ato do t'i bëj hi e pluhur Zoti im, ndërsa toka do të bëhet fushë e shkretë, dhe nuk do të shohësh në të as lugina e as brigje." - (Ta Ha, 105-107).
Çasti i kataklizmës do të jetë aq i rrufeshëm, saqë njerëzit nuk do të kenë kohë as të kthehen në shtëpitë e tyre nëse kanë dalë jashtë tyre për ndonjë punë të tyre, e as nuk do të arrijnë të lënë testament. Për këtë flasin ajetet 49-50 të sures Jasin: "(Allahu u përgjigjet) Nuk janë duke pritur tjetër vetëm se një britmë që i rrëmben ata kur janë duke u zënë mes vete. E nuk do të mund të lënë as porosi (vasiet-testament), e as të kthehen në familjet e tyre."
11. Atë ditë, mjerë për gënjeshtarët (jobesimtarët), 12. që, të zhytur (në gënjeshtra dhe mohim), argëtoheshin!
Momenti i kiametit, i cili fillon me fryrjen e parë në Sur, kur kjo gjithësi do të shkatërrohet me krejt çka ka në të, nënkupton mjerimin më të madh për mohuesit e Njëshmërisë. Kjo ditë do të jetë ditë e tmerrshme dhe e vështirë për ta, sepse përnjëherë, do të ndeshen me një realitet të hidhur. Ata në jetën e kësaj bote kishin qenë të shkujdesur nga ky moment i kiametit, duke u zhytur në një jetë të degjeneruar, ku dëlirësia e besimit nuk depërtonte dot tek ata. Zemrat e tyre të ndryshkura, nuk hapeshin për ta pranuar dritën e rrezeve të këtij imani të pastër.
Pikërisht me përshkrimin e kësaj gjendjeje të mjerë e të pashpresë për ta, fillon ajeti i 11-të, me fjalën: "Fe vejlun"-"mjerë". Kjo fjalë nënkupton mjerimin dhe trishtimin që do t'i kaplojë jobesimtarët në Ditën e Fundit të tyre mbi këtë tokë, dhe në ditën e parë të ringjalljes së tyre. Jobesimtarët dhe idhujtarët, që gjatë jetës në këtë botë talleshin me besimtarët rreth ringjalljes dhe jetës së Ahiretit, tash do të mbesin të ngurtësuar nga habia dhe trishtimi.
Në lidhje me talljen e tyre flet edhe ajeti i 65-të i sures "Et-Tevbe" ku thuhet: "E nëse i pyet (përse tallen), ata sigurisht do të thonë: "Ne vetëm jemi mahitur e dëfryer". Thuaj: "A me Allahun, ajetet (fjalët) e Tij dhe me të dërguarin e Tij talleni?"
Momenti i ringjalljes do t'i rikthejë në kujtesën e tyre të gjitha ato thirrje të ngrohta të të dërguarve dhe besimtarëve, teksa i thërrisnin në besim. Vetëm tash, ata do të përmenden nga injoranca e cila ua kishte verbuar sytë dhe zemrat, por tashmë është vonë, sepse rikthimi në këtë jetë është më i pamundshëm. Ata i pret ndëshkimi i tmerrshëm. Argëtimit dhe dëfrimit të tyre u erdhi fundi. Para tyre është vetëm skëterra e xhehenemit, e cila do t'i përpijë me ndëshkim të tmerrshëm, i cili do të zgjasë përjetësisht.
13. Atë ditë, ata me vrazhdësi do të hidhen në zjarrin e xhehenemit.
Pas përfundimit të llogarisë së tyre, verdikti i fundit për ta do të jetë ndëshkimi në zjarrin e xhehenemit. Ata do të tërhiqen zvarrë në mënyrën më përbuzëse për ta. Allahu xh.sh., në suren "Ez-Zumer", ajeti i 71-të, e përshkruan gjendjen e tyre në këtë mënyrë: "Jobesimtarët me vrazhdësi do të shtyhen grupe-grupe në xhehenem..." si dhe në ajetin tjetër: "Ditën kur ata me fytyrat e tyre do të tërhiqen zvarrë në zjarr, (e do t'u thuhet): "Shijoni (vuani) prekjen e zjarrit të xhehenemit (Sekar)!" - (El Kamer, 48).
Ata e merituan këtë nënçmim dhe përbuzje, sepse shpërfillën urdhëresat hyjnore dhe përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut. Për ta nuk ka shefat-ndërmjetësim. Për ta nuk do të qajë as qielli e as toka, sepse ligësitë e tyre ishin aq të mëdha, saqë nuk meritojnë as ndjenjën më të vogël të dhembshurisë a keqardhjes.
14. (Do t'u thuhet): "Ky është zjarri që e keni përgënjeshtruar! 15. A është kjo magji apo nuk po shihni?
Rojat e xhehenemit (zebaninjtë), atyre që tashmë i kanë sjellë turma-turma pranë greminave të tij, do t'u thonë: "Ky është ai xhehenemi që ju e mohonit dhe e përgënjeshtronit. Ju i morët fjalët e të dërguarve me tallje, dhe si dënim për këtë përbuzje tuajën, shijojeni flakën përcëlluese të këtij zjarri ndëshkues".
Për t'i nënçmuar e përbuzur, edhe më tutje këta jobesimtarë, të cilët në jetën e kësaj bote e mohuan Kur anin, duke thënë se fjalët e tij ishin magji, duke mohuar Ahiretin dhe ndëshkimin në zjarrin e xhehenemit, tash engjëjt do të vazhdojnë me pyetjet: "A mos vallë ky ndëshkim me zjarr që po e shihni, është magji? A mos vallë sytë tuaj po ju tradhtojnë, dhe po mendoni se ky xhehenem nuk është realitet"?! Ju në këtë dynja thoshit: "... Neve na është mbyllë të pamurit, madje na kanë magjepsur".(3) Engjëjt vazhdojnë edhe më tutje bisedën me ta, duke u thënë: "Ju, i akuzonit të dërguarit e Alla hut se janë magjistarë, të cilët po i turbullonin mendjet dhe shikimet e njerëzve, e tash, tërë kjo, a mos vallë ende po ju duket si magji apo është realitet, të cilin së shpejti do ta përjetoni fizikisht dhe shpirtërisht. Po, po, binduni tash se kjo flakë që po ju pret është vërtetë flakërima përcëlluese e xhehenemit".
16. Përcëllohuni në të! Për juve është njësoj, duruat apo nuk duruat. Në të vërtetë, "shpërbleheni" vetëm për atë që keni bërë."
Ky është fundi i rrugëtimit të jobesimtarëve dhe mohuesve drejt skëterrave të xhehenemit. Atyre do t'u thuhet: "Hyni në të, digjuni dhe përcëllohuni! Për ju nuk ka mëshirë. Për juve nuk qau as qielli e as toka. Ju këtë dënim të ashpër e merituat me kufrin tuaj. Ju nuk e late dritën e besimit të ndriçonte zemrat tuaja, prandaj sot do të hidheni në këto skëterra të zjarrta, që të shijoni dënim pas dënimi, përjetësisht". I Lartmadhërish mi për të tillët tri vendeve për betim, vende të cilat ndërlidhen me tre të dërguar të Zotit, ku ata në vetmi i qenë lutur Allahut të Gjithëmëshirshëm, për falje e mëshirë. Betimi në kodrën "Tur", ndërlidhet me Musain a.s., të cilit Allahu xh.sh. i foli duke e graduar në Pejgamber, dhe në po këtë kodër, ai shkonte shpesh dhe vetmohej, kur i fliste i Madhërish mi, për t'i dhënë porosi për umetin e tij. Betimi në Qabenë e ndershme dhe fisnike, ose në thotë: "... Sa herë që do të duan të dalin nga ai (xhehenemi), do të kthehen në të dhe do t'u thuhet: Shijoni dënimin e zjarrit, të cilin e mohonit!" (Es-Sexhde, 20).
Ky është ndëshkimi i tyre poshtërues e nënçmues. Asnjë klithmë a rënkim i tyre nuk do të merret para sysh. Është njësoj për ta, duruan apo nuk i duruan tmerret e këtij ndëshkimi, ata gjithsesi do të "shpërble hen" për prapësitë dhe paudhësitë që i bënë në jetën e dynjasë. Në kuptim të këtij kuptimi vjen edhe ajeti tjetër kur banorët e skëterrës flasin për mjerimin e tyre: "... Rënkojmë apo durojmë, për ne njësoj është, nuk do të ketë shpëtim" (Ibrahim, 21), ajet i cili pasqyron gjendjen e pashpresë të këtyre jobesimtarëve. Dyert e mëshirës së Allahut, përfundimisht janë të mbyllura për ta, kështu që asnjë klithmë, asnjë rënkim, asnjë ankesë dhe madje as durimi i tyre, nuk do merret para sysh. Ata do konsiderohen të vdekur për së gjalli, në mundime të vazhdueshme, meqë siç dihet, në Ahiret nuk do të ketë vdekje fizike.
Madje zebanijtë(4) e xhehenemit do t'i pyesin këto njerëz që janë duke u ndëshkuar pamëshirshëm në zjarrin e xhehenemit me fjalët:"... Sa herë që aty (në xhehenem) të hidhet ndonjë grup, rojtarët e tij do t'i pyesin ata: A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues?! Po - do të përgjigjen ata - na kanë ardhur vërtet paralajmërues, por ne i quajtëm ata gënjeshtarë dhe thamë: Allahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe! Ata do të thonë: Sikur të kishim dëgjuar ose logjikuar, nuk do të ishim midis banorëve të skëterrës! Kështu, ata e pranojnë gjynahun e tyre, andaj larg qofshin (prej mëshirës së Zotit) banorët e skëterrës!" (El-Mulk, 7-11).
Porosia e ajeteve (1-16)
- Allahu xh.sh. në këtë sure është betuar në pesë gjëra: Në kodrën "Tur", në Librat e shenjtë të zbritur, në Bejtul Ma'murin, në qiell, ose në Qabenë e ndershme në tokë, në qiellin e ngritur dhe në detin e mbushur me ujë. Mirë po urtësia që i ndërlidh këto betime, është përzgjedhja e tri vendeve për betim, vende të cilat ndërlidhen me tre të dërguar të Zotit, ku ata në vetmi i qenë lutur Allahut të Gjithëmëshirshëm, për falje e mëshirë. Betimi në kodrën "Tur", ndërlidhet me Musain a.s., të cilit Allahu xh.sh. i foli duke e graduar në Pejgamber, dhe në po këtë kodër, ai shkonte shpesh dhe vetmohej, kur i fliste i Madhërish mi, për t'i dhënë porosi për umetin e tij.
Betimi në Qabenë e ndershme dhe fisnike, ose në Bejtul Ma'murin në qiell, të cilën e vizitoi Muhamedi a.s. natën e Israsë dhe Miraxhit, shpërfaq edhe më tepër thellësinë e dimensionalitetit shpirtëror për të gjithë myslimanët, vend ku Muhamedi a.s. shpeshherë në qetësinë më të thellë shpirtërore i lutej Allahut xh.sh. me këto fjalë: "Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi Ne dhe mbi robërit e mirë të Allahut. Nuk mund t'i numëroj lavdërimet ndaj Teje. Ti je ashtu siç e ke lavdëruar Veten".
Dhe betimi në detin (oqeanin), ndërlidhet me Junusin a.s., i cili i "robëruar" në errësirë pas errësire në brendinë e peshkut dhe thellësitë e oqeanit, e kishte pranuar gabimin e tij dhe i qe lutur Krijuesit të Gjithëmëshirshëm: "... Nuk ka Zot pos Teje. Lavdia të takon vetëm Ty (Je i pa të meta). Unë vërtet i bëra padrejtësi vetes!" - (El-Enbija, 87)(5)
- Shkaku i të gjitha këtyre betimeve, është ndëshkimi i jobesimtarëve që do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, dënim të cilin askush nuk mund ta shtyjë e as ta evitojë. Secili njeri do ta marrë "shpërblimin" e merituar për veprat e tij në këtë botë.
- Dita e cila përfundimisht do të shkatërrojë ëndrrat dhe iluzionet boshe të jobesimtarëve, është dita e kataklizmës, ku do të çahen e copëtohen qiejt e kodrat, ato do të lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, duke u ndeshur me njëra tjetrën. Po ashtu do të trazohen e vlojnë edhe detet, nga të cilët do të del zjarr, i cili do të djeg e përcëllojë çdo gjë mbi tokë.
- Në jetën e Ahiretit, mjerimi e vuajtja do të pllakosë jobesimtarët, të cilët do të tërhiqen zvarrë deri tek greminat e xhehenemit, ku do të futen për ta shijuar hidhësinë e veprave të tyre. Mbi ta nuk do të kihet as pak mëshirë, sepse për shkak të kufrit dhe arrogancës së tyre, ata do të ndëshkohen tmerrësisht në zjarrin e xhehenemit. Njësoj do të jetë për ta, rënkuan nga ankesat apo jo, duruan apo jo, ata do të përballen me këtë dënim, pa mbarim.
- vijon-
_______________________________________
(1) Tefsiri i Meragiut, Kajro 1946, vëll. XXVII, f. 20. (2) Abdulh mid Kishk, Fi Rihabi-t Tefsir, vëll. XXVII, f. 5920. (3) Mustafa el Mensuri, El-Mukteta fminujuni-t-Tefasir, Damask, 1996, vëll. V, f. 96. (4) Rojat, kujdestarët e xhehenemit - (Sqarim yni-S.B.) (5) El-Lubabfi Ulumi-l Kitab, vëll. XVIII, f. 115-116.; Shih edhe Ha daiku-r-rrevhi ver-rrejhan, vëll. XVIII, f. 44-45
Sabri Bajgora