Komentimi i kaptinës “Et-Tur” (2)


Ndodhia e kiametit dhe vërtetimi i ndëshkimit për jobesimtarët


"Betohem për malin Tur (Sina), dhe librin e shkruar në rreshta, në lëkurë të shpalosur (shtrirë), dhe shtëpinë plot vizitorë (Qabenë ose Bejtul Mamurin në qiell), dhe kupën e ngritur (të qiellit), dhe detin e mbushur (ose detin e ndezur flakë në kiamet), se me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë dhe askush nuk mund ta pengojë." - (Et-Tur, 1-8)


Koment:


1. Betohem për malin Tur (Sina)


Edhe kjo sure, sikurse ajo paraprake "Edh-Dharijat" fillon me betime në shenjtëri madhështore që gjenden në tokë e në qiell, disa prej të cilave janë të shfaqura para nesh e disa janë jashtë perceptimit tonë pamor, por gjithsesi shpalosin urtësinë dhe madhështinë e Krijuesit fuqiplotë. Betimi i parë është në kodrën "Tur", e cila sipas shumicës së dijetarëve gjendet në gadishullin e Sinait në Egjipt. Në këtë kodër të bekuar, Allahu xh.sh. i zbriti Tevratin Musait a.s. në formë pllakash, në të cilat ishin të gdhendura porositë hyjnore për beni israilët. Në mbështetje të këtij konstatimi vjen edhe ajeti i dytë i sures "Et-Tin" ku Allahu xh.sh. betohet në kodrën "Turi Sina": "(Betohem) në kodrën e Sinait"(1)
Disa dijetarë mendojnë se fjala "Et-Tur"është me prejardhje nga gjuha e vjetër asiriane (sirjanishtja) dhe nënkupton çdo kodër apo mal, pa e specifikuar atë me ndonjë emër të veçantë. Është përcjellë nga Ibën Abasi, se fjala "et-tur"nënkupton kodrën me drunj dhe pemë, ndërkohë që fjala "el xhebel" përdoret si term gjuhësor për të përshkruar kodrën pa drunj.(2)
Imam Maturidiu, duke elaboruar dhe shpjeguar të gjitha kuptimet e mundshme të fjalës"Tur", thotë se kjo fjalë nënkupton të gjitha kodrat, duke ditur madhështinë dhe rolin e tyre në ekuilibrimin e tokës, e në fund sjell edhe një mendim tjetër kur thotë se mbase i Lartmadhërishmi është betuar në disa kodra të veçanta, për shkak të shenjtërisë së tyre, sepse në"Turi Sina", i foli Musait a.s. dhe ia zbriti Tevratin, kurse në kodrën "En-Nur", Muhamedit a.s. ia shpalli pesë ajetet e para të sures "El-Alek"etj.(3)


2. dhe librin e shkruar në rreshta,


Lidhur me betimin e radhës në"librin e shkruar në rreshta", dijetarët nuk janë të gjithë të një mendimi se çfarë me të vërtetë synon ai. Sipas një grupi të madh dijetarësh, me këtë betim synohet libri ynë i shenjtë- Kurani famëlartë, të cilin e lexojnë besimtarët nëpër mus'hafe, e të cilin e lexojnë edhe engjëjt-melaqet nga Levhi Mahfudhi,(4) ashtu siç jep shenjë për këtë edhe Allahu xh.sh.: "E me të vërtetë ai është Kuran i famshëm (fisnik). Është në një libër të ruajtur. Atë nuk e prek kush, vetëm të pastrit (melaqet)."- (El-Vakiatu, 77-79).
Në anën tjetër, ka dijetarë që mendojnë se në këtë ajet është për qëllim Tevrati, i cili i zbriti Musait a.s. në Turi Sina. Një mendim të tillë e përkrah Ibën Ashuri(5) dhe disa të tjerë. Sido qoftë, duket se mendimi më i saktë është se ky ajet përfshin të gjithë librat e shenjtë, Tevratin, Zebu rin, Inxhilin dhe Kuranin famëlartë, të cilët që më parë kishin qenë të shkruar në Levhi Mahfudh e prej aty, melaqja Xhibril ua përcolli Pejgamberëve të cilëve iu zbritën këto libra të shenjtë.(6)
Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se ky ajet nënkupton fletët në të cilat engjëjt fisnik (kiramen katibin) shënojnë veprat tona gjatë jetës në këtë botë, për ç'gjë jep shenjë edhe ajeti i 13-të i sures El-Isra: "Secilit njeri ia kemi varur në qafë fluturaken (shënimin - për veprimin) e tij, e në ditën e gjykimit, Ne do t'ia prezantojmë atij si libër të hapur."(7)
Dijetari Maverdi teksa sjell mendimet e dijetarëve se çka mund të synojë ky ajet, përveç tri mendimeve që i cekëm, sjell edhe mendimin e katërt se ky libër i përmendur mund të jetë edhe "Libri", të cilin Allahu xh.sh. ua ka shkruar engjëjve në qiej dhe ata e lexojnë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë në këtë ekzistencë.(8)
Në përmbyllje të gjithë asaj që u tha, do ta sjell edhe mendimin e dijetarit bashkëkohor Abdulhamid Kishkut, i cili mendon se këtu bëhet fjalë ekskluzivisht vetëm për Kuranin famëlartë, meqë sipas tij, i Lart madhërishmi dëshiroi t'i bashkonte në betim dy gjëra të shenjta që ndërlidhen me dy pejgamberë të mëdhenj të elitës së"Ulul Azmit", me Turi Sinanë aludohet në Musain a.s., kurse në librin e shkruar në rreshta-Kura nin, aludohet në më madhështorin e kësaj elite, Muhamedin a.s., ashtu siç është aluduar për ta edhe në suren "Vet-Tini vez-Zejtuni..."(9) (Allahu e di më së miri).


3. në lëkurë të shpalosur (shtrirë)


Në të kaluarën, kur njerëzimi ende nuk e kishte zbuluar letrën si mjet në të cilin shkruhen e radhiten librat, ashtu siç shtypen e botohen sot në kohën tonë bashkë kohore, çdo shënim shkruhej nëpër lëkura shtazësh, në pergamenë apo edhe në papiruse, siç ishte rasti në Egjiptin e lashtë. Edhe në kohën kur zbriste Kurani famëlartë, nuk kishte letër, por ajetet që zbrisnin, me porosinë e Resulullahit s.a.v.s. shkruheshin nga sahabët në rrasa gurësh, në lëkura të holla shtazësh, të regjura paraprakisht apo në gjëra pak a shumë të ngjashme, të cilat pastaj përcilleshin prej njërit te tjetri dhe mësoheshin përmendësh. Këto shkrime ishin ruajtur besnikërisht nëpër shtëpitë e sahabëve, dhe pas vdekjes së Resulullahit s.a.v.s. ishin tubuar në një koleksion të vetëm.


4. dhe shtëpinë plot vizitorë (Qabenë ose Bejtul Mamurin në qiell)


Edhe rreth kuptimit të këtij ajeti, dijetarët kanë mendime të ndryshme, se çfarë është synuar me fjalën "Bejtul Mamur". Shumica e tyre konsiderojnë se ky emërtim përfshin shtëpinë e shenjtë simetrike, e cila është në qiellin e shtatë, dhe vizitohet e bëhet tavaf nga engjëjt, ashtu siç vizitohet Qabeja në tokë nga njerëzit. Në lidhje me këtë konstatim të tyre ata sjellin edhe hadithin e Israsë, ku Pejgamberi a.s. thotë: "Pastaj mu shfaq (hap) para meje Bejtul Mamuri dhe e pyeta Xhibrilin: Ç'është kjo? Më tha: Kjo është Bejtul Mamu ri, në të, për çdo ditë hyjnë 70 mijë engjëj, të cilët nuk kthehen më kurrë në të..."(10)
Është transmetuar nga Aliu r.a., nga Ibën Abasi dhe të tjerë të kenë thënë: "Bejtul Mamuri është shtëpi e shenjtë në qiell, pikërisht mbi pozitën e Qabesë së ndershme (në aspektin vertikal), në të cilën hyjnë dhe bëjnë tavaf për çdo ditë 70 mijë engjëj, pastaj dalin dhe nuk kthehen më në të."(11)
- Transmeton Ibën Xheriri nga Katadeja të ketë thënë: "Na është përmendur neve se një ditë i Dërguari i Alla hut, i kishte pyetur as'habët e tij: "A e dini se çka është Bejtul Mamuri?" Ata thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Ai tha: "Ajo është një shtëpi në qiell, pikërisht mbi Qabe, dhe po të binte, do të binte mbi të. Në të për çdo ditë falen 70 mijë engjëj. Kur të dalin prej saj nuk kthehen më në të."(12)
Në anën tjetër ka dijetar si Hasen el Basriu që mendojnë se betimi i tretë në këtë sure është në Qabenë e ndershme në Mekë, e cila për çdo ditë vizitohet nga njerëz që kryejnë Umren apo Haxhin. Shenjtëria e kësaj shtëpie është e padiskutueshme. Si e tillë qëndron që prej hapërimit të njeriut dhe Pejgamberit të parë mbi fytyrë të tokës Ademit a.s., i cili e kishte dedikuar këtë faltore për adhurimin e Allahut xh.sh., e pastaj këto themele i kishin ringritur edhe njëherë Ibrahimi a.s. së bashku me të birin e tij Ismailin a.s. Thuhet së gjatë përmbytjes në kohën e Nuhit a.s. Qabeja është ngritur nga toka në qiellin e dynjasë, dhe qëndron në mënyrë simetrike pikërisht mbi pozitën e Qabesë, në qiell.
Abdurrahman Ixhi në lidhje me Bejtul Mamurin thotë: "Kjo është shtëpi adhurimi në qiellin e shtatë, pikërisht në simetri me Qabenë e ndershme, të cilën e bëjnë tavaf engjëjt (melaqet). Në secilin qiell ka nga një shtëpi në të cilën bëjnë ibadet banorët e tij, kurse shtëpia që gjendet në qiellin e dynjasë sonë quhet "Bejtul Izzeti".(13)
Ibën Kajimi, e ka dhënë një mendim të tij, i cili më duket shumë i arsyeshëm dhe logjik, në përpjekje për të bërë lidhjen dhe koherencën në mes këtyre dy mendimeve teksa thotë: "S'ka dyshim se të dyja shtëpitë (Bejtul Mamuri në qiell dhe Qabeja në tokë) janë të vizituara, kjo e qiellit vizitohet nga engjëjt që bëjnë ibadet pa ndërprerë dhe kjo e tokës çdo ditë vizitohet dhe bëhet tavaf nga ata që falen, bëjnë ruku dhe sexhde. Sipas të dyja mendimeve, secila prej tyre meriton të quhet zotëria i të gjitha shtëpive.(14)


5. dhe kupën e ngritur (të qiellit)


Qielli sipër nesh, është betimi i radhës nga ana e të Gjithëpushtetshmit, sepse madhështia e kësaj hapësire qiellore, është një prej mrekullive krijuese të Allahut xh.sh. Ne kur i hedhim syrin kësaj hapësire, ajo na shëmbëllen si një lloj kulmi apo mburoje, që e mbulon tokën, ndërkohë që parametrat e qiellit janë të pamatshëm për nocionet e njohurive tona të kufizuara. Allahu xh.sh. e përshkruan qiellin në disa ajete si: "Qiellin ua kemi bërë kulm të sigurt, por ata zmbrapsen prej atyre argumenteve." - (El-Enbija, 32), pastaj: "A është më i rëndë krijimi juaj apo ai i qiellit? E Ai e ngriti atë! Ngriti kupën e tij dhe e përsosi atë." (En-Na ziat, 27-28). etj.
Në Kuran, qielli së bashku me planetët është përmendur shumë herë. Në disa raste është përmendur edhe për betim, si f.v. "Ve semai ve tariki ", pastaj është betuar në galaktika "La uksimu bimevaki'inuxhum, e në disa raste të tjera edhe në yje e në trupa të tjerë qiellorë:"Ve Shemsi", "Ven Nexhmi","Vel Kameri", etj.
Qielli pa dyshim është gjëja më madhështore që Alla hu xh.sh. e ka krijuar në këtë ekzistencë. Tërë ajo hapësirë të cilën e përthekojmë me sytë tanë apo edhe me ndihmën e teleskopëve të fuqishëm, dhe e cila na duket si e pafund, quhet qiell. Për ne qielli apo qiejt kanë një domethënie të madhe. Kupa qiellore është aq shumë e lartë dhe aq shumë e gjerë, saqë është vështirë edhe ta imagjinosh këtë gjerësi. Qielli është vendqëndrim i engjëjve dhe i shumë gjallesave të cilat nuk i njohim e as nuk dimë për to. Është kulmi i botës sonë. Nga ai zbresin mirësi e bereqete të shumta, e në të ngritët fjala e mirë dhe veprat tona.


6. dhe detin e mbushur (ose detin e ndezur flakë në kiamet)


Betimi i pestë dhe i fundit në këtë sure është në detin (oqeanin) e mbushur me ujë, apo të mbushur me flakë e zjarr, momente këto të Ditës së Fundit kur detet-oqeanet do të trazohen, kurse planetët do të shkapërderdhen.
Fjala "mesxhur", nënkupton diçka të mbushur plot, e në këtë rast detin e mbushur me ujë. Megjithatë, mufesirët janë të mendimit se ky ajet sikur flet për detin e trazuar dhe pothuajse të zjarrtë në momentet e kataklizmës, ashtu siç ka ardhur edhe në tefsirin e Ibën Kethirit, kur thotë: Në ditën e kiametit, deti do të ndizet (flakë) dhe do të shndërrohet në zjarr.(15)
Nga shkenca e gjeologjisë, mësojmë se brendia e tokës (bërthama) përbëhet nga magma apo llava e zjarrtë, e cila nganjëherë si pasojë e lëkundjes së pllakave tek tonike, arrin të shpërthejë mbi sipërfaqe të tokës, duke formuar vullkane tokësore apo edhe vullkane në thellësi të oqeaneve. Për një gjë të tillë sikur jep shenjë edhe ajeti i 6-të i sures "Et-Tekvir": "dhe kur detet të vlojnë" Ka disa dijetarë që mendojnë se ky betim ka të bëjë me Detin e Kuq, në të cilin Allahu xh.sh. e ka fundosur Faraonin e kohës së Musait a.s. Kjo sipas Ebu Bekër el Xhezairit mund të ndërlidhet me betimin e parë në kodrën e Turi Sinasë, ku Allahu xh.sh. i foli Musait a.s, e pastaj sipas disave ndërlidhet edhe me ajetin e dytë: "dhe librin e shkruar në rreshta", i cili sipas disa dijetarëve, ashtu siç kemi theksuar më parë, ka për synim Tevratin.(16)
Megjithatë, betimi në detin-oqeanin, që është një prej gjërave më madhështore në këtë planet, mund të ketë domethënie edhe më gjithëpërfshirëse, sepse duke studiuar e vrojtuar planetin tonë, shohim se mbi 75 % e tokës përbëhet nga uji, i cili është bazë e jetës sonë, duke u thirrur në ajetin e 30-të, të sures "El-Enbija: "... dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë!". (Allahu aëlem-Alla hu e di më së miri!).


7. se, me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë. 8. dhe askush nuk mund ta pengojë.


Këto dy ajete, janë përgjigje e pesë betimeve madhështore paraprake, së pari në malin Turi Sina, pastaj në librin e shkruar në rresht (Kuranin ose të gjitha librat e shenjta) në Qabenë ose Bejtul Mamurin, në kupën e ngritur qiellore dhe në detin e mbushur me ujë ose me zjarr, se ndëshkimi i Ahiretit për ata që e mohuan Njëshmërinë e Allahut, do të ndodhë patjetër dhe atë nuk do të mund ta ndalojë askush. Momenti i kataklizmës është momenti më trishtues dhe më i tmerrshëm që mund ta përjetojë ndonjë qenie njerëzore. Në këtë ditë të fundit të gjithësisë, me urdhrin e Allahut do të shembet tërë ky univers, sikur të ishte një kështjellë prej rëre, duke u bërë hi e pluhur. Do të shkatërrohen yjësitë, galaktikat, kodrat dhe detet, madhështinë e të cilave e shihnim para nesh. Vetëm tash, ata që e mohuan llahtarinë e këtij çasti, do të shohin tmerrin me sytë e tyre, por ndëshkimi i Allahut do t'i arrijë. Ata do të vdesin me turpin dhe damkën e mosbesimit, e të tillë do të ringjallen, duke u turpëruar botërisht para krejt njerëzimit, në ditën e llogarisë së madhe.
Arsyeja pse i Madhërishmi e ka përdorur këtu shprehjen: "adhabe rabbike" është që i Dërguari a.s. dhe të gjithë besimtarët, ta kuptojnë se ndëshkimi i Zotit të tyre do t'i arrijë jobesimtarët, e në të njëjtën kohë, besimtarët të ndjejnë siguri dhe strehim pranë mëshirës së Allahut fuqiplotë. Kur përmendet emri "Allah", ai zakonisht vjen në kuptim të madhështisë, ndërsa kur përmendet emri "Rabb", zakonisht vjen në kuptim të butësisë, ngrohtësisë dhe përkujdesjes. Nga kjo kuptojmë se Zoti i Madhërishëm, i ka vënë nën mbrojtjen e Tij të Dërguarin dhe besimtarët, kështu që ata nuk do t'i kaplojë trishtimi i tmerreve të kataklizmës e as ndëshkimeve të Ahiretit, e kundërta e asaj që do të ndodhë me jobesimtarët.
Fjala e fundit në këtë ajet. "le vakië" - "do të ndodhë", nënkupton një gjuhë të ashpër dhe kërcënuese, nga i Gjithëfuqishmi, se ky dënim gjithsesi do të ndodhë dhe do të bëhet realitet. Atë nuk mund ta pengojë askush, sado që të përpiqen, dhe sado që ta mohojnë...


- vijon -


___________________________________________
(1) Ibën Adil ed-Dimeshkijel Hanbelij, El-Lubabfi Ulumi-l Kitab, Bejrut, 1998, vëll. XVIII, f. 113. (2) Ebul Ferexh, Xhema luddinel Bagdadi, Zadu-l Mesir fi Ilmi-t-Tefsir, Bejrut, 1984, vëll. VIII, f. 45. (3) Imam Maturidiu, Te'vilatuEhli-s-Sunne, Bejrut, 2005, vëll. IX, f. 400. (me redakturë të dr.Mexhdi Basel-lum). (4) Et-Tefsirel Mevdui li suveri-l Kuranin-l kerim, vëll. VII, f. 469. (5) Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. XVII, f. 37. (6) Dr. Vehbeez-Zuhajli, Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XVII, f. 59. (7) El-Ferrai, Meani-l Kuran, vëll. III, f. 91. (8) Ebul Hasen ElMaverdi, En-Nuket ve-l Ujun, Bejrut, pa vit botimi, vëll. V, f. 377. (9) Abdulhamid Kishk, FiRi habi-t-Tefsir, vëll. XXVII, f. 5919. (10) Muslimi (164) dhe (264); Buhariu (3207); Ahmedi (17836). (11) El-Kurtubi, El-Xhamiu li ahkami-l Kuran, vëll. XIX. f. 514. (12) Ibën Xherir, vëll. XXI, f. 565. (13) Muhamedbin Abdurrahman El-Ixhi, Xhamiul Bejan fitefsiril Kuran, Bejrut, 2004, vëll. IV, f. 200. (14) FiRihabi-t-Tefsir, vëll. XXVII, f. 29. (15) Muhtesar Tefsir Ibën Kethir, Bejrut 1981, vëll. III f. 389 (redaktuar nga Muhamed Alies Sabuni). (16) Ebu Bekër El Xhezairi, Ejseru-t-Tefasir, vëll. V, f. 174.


 


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Njihuni me hafëzin fitues që e vendosi Kosovën numër 1 në garat ndërkombëtare të Kuranit