Urrehet ngritja nga rukuja para imamit


Hyrje


Gjersa në temën paraprake e kam shtjelluar temën e arritjes së rekatit, që faktikisht nëse i vonuari në namaz e arrin imamin në ruku, veçse e ka arritur rekatin. Edhe tematika në vazhdim ka të bëjë gjithashtu me rukunë, por jo me vonesën e falësit të namazit, mirëpo me ngritjen e tij nga rukuja, para imamit. A prishet namazi, nëse ai që falet pas ima mit ngritët nga rukuja apo sexhdeja para imamit?


Ngritja para imamit është veprim tejet i qortuar


Namazi është adhurim që kërkon rregull e rend. Ai nuk bëhet shkel e shko, dhe nuk kryhet sipas dëshirave personale. Ai ka norma që duhet përmbushur dhe rregulla që duhen plotësuar. Kur namazi falet me imam, atëherë namazfalësit duhet ta përcjellin imamin dhe të veprojnë ashtu siç vepron ai, e assesi t'i paraprijnë veprimeve të tij.
Ai që falet pas imamit, duhet ta përcjell imamin, e jo të bëjë veprime që i paraprijnë atyre të imamit. Fatkeqësisht, realiteti nëpër xhamitë tona, por edhe më gjerë, na tregon se shpeshherë disa nga falësit e namazit janë të padurueshëm dhe në momentin që imami zgjat rukunë apo sexhden, më tepër se herëve tjera, ata edhe ngritën para tij. Ndoshta, edhe janë të pavetëdijshëm për veprimin e tyre, mirëpo në anën tjetër, ka imamë që e zgjasin qëndrimin në ruku e sexhde në namazet farze, dhe me këtë ua vështirësojnë disa falësve qëndrimin në ruku e sexhde, ngase ka prej tyre që janë të sëmurë apo të moshuar dhe nuk mund të qëndrojnë gjatë në këto vende.
Namazfalësit duhet ta përcjellin imamin gjatë faljes së tyre dhe të veprojnë në pajtim me veprimet e tij, pa i paraprirë atij. Autori i "Tebjinul Hakaik", kur flet për këtë çështje, shprehet se pasimi i imamit brenda për brenda namazit është obligim (vaxhib).(1) Po kështu shprehet edhe Ibën Abidini, i cili flet për pasimin e imamit nga xhemati dhe mos ngritjen e tyre para imamit, as në ruku e as në sexhde. E ngritja e falësit të namazit para se të ngritët imami, qoftë nga rukuja apo sexhdeja është veprim tejet i qortuar.(2) Sepse pasimi i imamit është obligim (vaxhib), e lënia e vaxhibit është veprim i qortuar.(3)
Abdullah ibën Mesudi e shikoi një namazfalës teksa ngrihej para imamit, e më pas i tha atij: "As nuk u fale i vetëm, e as me imamin tënd." Po kështu transmeto het edhe nga Ibën Omeri, dhe ai e kishte urdhëruar ta përsërisë namazin. Ndonëse pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit se nuk ka nevojë ta përsërisë.(4) Ahmedi është i mendimit se ai që ngritët qëllimisht para imamit në namaz, për të nuk ka namaz,(5) duke u bazuar në hadithin që do ta shtjellojmë. Të këtij mendimi janë edhe dhahiritë.(6) Sipas pjesës dërrmuese të dijetarëve namazi në rastin kur dikush ngritët para imamit nuk prishet, por ai pa dyshim që është mëkatar dhe se një veprim i tillë konsiderohet tejet i urryer.(7) Ky njëherësh është mendimi më i përzgjedhur dhe më i pranuar në këtë çështje. Namazi në rast të tillë nuk prishet, por vepruesi i tillë sigurisht se ka bërë mëkat dhe llogaritet mëkatar.


Në rast të ngritjes para imamit, çfarë duhet të veprojmë?


Nëse falësi i namazit ngritët nga rukuja, para se ima mi të ngritët prej saj, çfarë duhet të bëjë ai?
Të presë imamin derisa të ngritët edhe ai, apo të rikthehet në ruku? E nëse kthehet në ruku, a llogaritet se ai ka bërë dy ruku brenda një rekati?
Në këtë rast i tilli, nuk duhet ta presë imamin derisa ai të ngritët nga rukuja, por duhet të kthehet edhe një herë në ruku, e më pas të ngritët pas imamit. Veprimi i tij pa dyshim që është i qortueshëm rreptësisht, mirëpo nuk llogaritet se ai ka bërë dy ruku brenda një rekati, ngase kthimi në ruku është pjesë e rukusë, e jo ruku e veçantë.(8) Me fjalë tjera, kërkohet përkushtim dhe ma turi në namaz, në mënyrë që namazi të jetë në pajtim me konditat dhe rregullat e tij. Aty ku shkelën konditat dhe thyhen rregullat, aty bie edhe shpërblimi dhe në raste të shpeshta prishet edhe namazi. Falësit e namazit ngjajnë me masën, përderisa imami me mbretin. Aty ku masa merr guximin dhe i paraprinë veprimeve të mbretit, dihet çfarë me ta. Edhe në rastin konkret, aty ku falësi i namazit është ngritur qoftë nga rukuja apo sexhdeja para imamit dihet se ka bërë shkelje dhe ka prishur rendin e kërkuar në namaz. Ai kur ta kuptojë gabimin që ka bërë, kthehet aty ku ka bërë shkeljen dhe nuk i përsëritë shkeljet e tilla. Përndryshe, nëse ato përsëriten me vetëdije, atëherë veprimi tejet qortues kalon direkt në gjë të ndaluar.


Kërcënimi i ashpër ndaj atyre që ngrihen para imamit


Në lidhje me çështjen e ngritjes së namazfalësit para imamit, ka një mori hadithesh, që përveç që tërheqin vërejtjen, ato janë edhe mjaft kërcënuese në formën që kanë ardhur. Do të ndalemi në analizën e tyre, sepse në të kundërtën skajshmërisht ato mund të keqkuptohen. Meqë tema është te rukuja, duhet të bëjmë paralele se vlen për tërë namazin, mirëpo te rukuja dhe sexhdeja, ndodh më tepër që falësit të ngritën para imamit.
Hadithin për të cilin paralajmëruam është ai që transmetohet nga Ebu Hurejreja, të cilin e gjejmë thuajse në të gjitha koleksionet e njohura të hadithit, me disa ndryshime të vogla. Në koleksionin e Buhar iut ka ardhur në këtë formë: Na ka treguar Haxhaxh ibën Minhali, i cili ka thënë: "Na ka treguar Shu'beh, nga Muhamed ibën Zijadi, i cili e kishte dëgjuar Ebu Hurejren, se i Dërguari i Allahut kishte thënë: "A nuk frikësohet ndokush prej jush, kur ta ngrit kokën e tij para imamit që t'ia shndërroj Allahu kokën e tij në kokë të gomarit, apo t'ia bëjë pamjen (fizionominë) e tij në pamje të gomarit."(9)
Në koleksionin e Muslimit në vend të kokës apo pamjes (fizionomisë) si në hadithin paraprak, ka ardhur me shprehjen e fytyrës:"...që t'ia shndërroj Allahu fytyrën e tij në fytyrë të gomarit."(10)
Hafidh Ebu Musa el Medini rreth hadithit të parë, i cili është në koleksionin e Buhariut, shprehet: "Dijetarët janë pajtuar për vërtetësinë e hadithit përmes asaj rruge (siç transmeton Buhariu); transmetojnë nga Muhamed ibën Zijadi përafërsisht pesëdhjetë persona, ku disa prej tyre thonë: "fizionomia e tij", disa tjerë: "fytyra e tij"..."(11) Ajo që transmetuesit janë më të shumtë në këtë çështje është versioni "koka", e përkundër që versionet janë të ndryshme, Ijadi është shprehur: "Që të gjitha këto transmetime janë në përputhje me njëra tjetrën, sepse fytyra është prej kokës dhe se shumica e pamjes është prej saj."


Si kuptohet hadithi?


Në shikim të parë hadithi duket tejet kërcënues, sepse kërcënon atë që i paraprinë imamit në namaz në shndërrimin e kokës së tij në kokë të gomarit. Faktikisht, ai që shkon në ruku para imamit, ngritët prej saj para tij, apo shkon dhe ngritët prej sexhdes para imamit, ballafaqohet me një kërcënim të hapur dhe shumë të frikshëm. Një kërcënim i tillë si ky, i ka shtyrë dijetarët të polemizojnë se hadithi në fjalë a e ka realisht qëllimin e shndërrimit të njeriut në një krijesë tjetër, apo mos ndoshta është përdorur alegoria nga i Dërguari i Allahut për të fshehur një domethënie tjetër, apo ndoshta hadithi është në formën e metaforës me kuptim të figurshëm, që synon një krahasim.
Kirmani dhe Ebu Bekër ibën el Arebij janë të men dimit se hadithi ka për qëllim metaforën, ngase umeti ynë është i mbrojtur nga shndërrimi në krijesa tjera, e qëllimi i këtij hadithi është krahasimi me gomarin, i cili nuk është fare largpamës dhe është shumë kryeneç.
Është shumë e mundshme që hadithi ta nënkuptojë metaforën në mënyrë që të bëhet një krahasim mes gomarit kryeneç që nuk di asgjë, me injorantin i cili nxiton në namaz, nuk di për obligimet brenda namazit dhe nuk e pason imamin.
Ajniu, pasi që sjell mendimet paraprake rreth qëllimit të hadithit, shprehet se është e mundshme që të ketë transformime, ngase tregohet nga shumë sahabë se në fund të këtij umeti do të ketë transformime. Ai po ashtu shprehet se ka hasur në libra dhe ka dëgjuar nga njerëz të besueshëm, se një grup prej shiitëve që kishin fyer e mallkuar sahabët, pamja e tyre ishte shndërruar në pamje të gomarit dhe derrit në prag të vdekjes së tyre.(12)
Ibën Dekik el Id, në lidhje me këtë thotë: "Nuk ka sinjalizim në hadith se një gjë e tillë (transformimi apo shndërrimi) duhet të ndodh patjetër, mirëpo hadithi tregon se vepruesit (ai që ngritët para imamit), i kanoset një rreziku të tillë." Ka mendime se shndërrimi apo transformimi i ardhur në hadith mund ta ketë kuptimin e shndërrimit mendor apo fizik, sikurse që mund ta ketë kuptimin e të dyjave.(13)
Ndoshta për qëllim është metafora, sepse përkundër që ka shumë falës të namazit që ngrihen e bien para imamit, transformimi nuk ka ndodh, mirëpo hadithi sinjalizon se vepruesi i tillë mund të ballafaqohet me një ndëshkim të tillë dhe se është e mundur të realizo het një kërcënim i tillë.(14)
Ibën Xhevzi në këtë kontekst është shprehur: "Ajo që duket është fakti se një kërcënim i tillë i përmendur është i ngjashëm me fjalët e Allahut të Madhërishëm(15) :"...para se të shlyejmë fytyra (t'ua fshijmë shqisat) dhe t'i rrotullojmë..."(En-Nisa, 47)


Përse krahasimi me gomarin?


Shëmbëllimi i atij që ngritët apo bien para imamit me gomarin, apo shndërrimi i fytyrës së tij në fytyrën e gomarit është padyshim një kërcënim i frikshëm për atë që merr guximin që qëllimshëm të ngritët para imamit, gjegjësisht t'i paraprijë imamit në veprimet e namazit. Arabët e përdorin një fjalë që thonë: "Mendja në kokë",(16) prandaj edhe veçimi i kokës ka të bëjë me atë se veprimi i tij sikurse llogaritet një veprim jo i menduar dhe jashtë funksionimit mendor. Gjithashtu, veçimi i kokës është bërë për faktin se gabimi ka ndodh si pasojë e saj.(17)
Veçimi i gomarit prej shtazëve, pa përmendur shtazët tjera është bërë për faktin se ai konsiderohet si shtaza më e paditur, madje është bërë shembull në kontekst të paditurisë e injorancës. Allahu i Madhëruar e portretizoi dijetarin e keq që ka dije, por ajo dije nuk i bën dobi të tjerëve, me gomarin që bartë libra:"Shembulli i atyre, që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është shembulli i ndonjë gomari që bart libra."(El-Xhumua, 5). Ibën Rexhebi ndërlidhet me këtë duke thënë: "Adhuruesi injorant (i paditur) ngjason me gomarin, i cili e lëviz kokën e tij, ose duke e ngritur ose duke e ulur atë, pa ndonjë kuptim."(18)
Veprimi i atij që ngritë kokën para imamit, qoftë në ruku apo në sexhde, është sikurse veprimi i gomarit, i cili shquhet për arrogancë e injorancë dhe si i tillë ai nuk njeh rend e as rregull. Në këtë kontekst, falësi i namazit që bën një veprim të tillë, prish rendin dhe rregullin e namazit, duke u ngritur para imamit, dhe me këtë tregon arrogancën dhe injorancën e tij. Kuptohet nëse veprimi i tij është i qëllimshëm, ngase nëse veprimi i tij është jo i qëllimshëm, atëherë sigurisht se një shëmbëllim i tillë nuk vjen parasysh e as që vlen për të.


_____________________________________________
(1) Zejleiu, Tebjinul Hakaik, v.I, f.115.
(2) Ibën Abidin, Reddul Muhtar aled Durril Muhtar, v.I, f.496.
(3) El Haxheh Nexhah el Halebij, Fikhul ibadat alel medhhebil hanefij, v.I. f.92.
(4) Bed rudin el Ajni, Umdetul Kari Sherh Sahihil Buhari, v.V, f.224.
(5) Ibën Kudame, El Mugni, v.I, f.378.
(6) Zurkani, Sherhuz Zurkani ala Muvetta, v.I, f. 345.
(7) El Adhim Abadi, Avnul ma'bud sherh Sunen Ebu Davud ve Hashijetu Ibnul Kajim, bot.II, Darul Kutub el Ilmijeh, Bejrut-Liban, 1415, v.II, f. 232.
(8) Ibën Abidin, Red dul Muhtar aled Durril Muhtar, v.I, f.496.
(9) Buhariu në Sahih, nr.691.
(10) Muslimi në Sahih, nr.116 (427).
(11) Ibën Rexheb el Hanbelij, Fethul Bari Sherh Sahihil Buhari, bot. I, Mektebetul Guraba el Etherijeh, Medine-Arabia Saudite, 1417-1996, v.VI, f.166.
(12) Bedrudin el Ajni, Umdetul Kari Sherh Sahihil Buhari, v.V, f.224.
(13) Abdulbaki Zurkani, Sherhuz Zurkani ala Mu vetta, me recensent Taha Abdurreuf Sa'd, bot. I, Mektebetuth Thekafetud Dinijeh, Kajro-Egjipt, 1424-2003, v.I, f. 345.
(14) El Adhim Abadi, Avnul ma'bud sherh Sunen Ebu Davud, v.II, f. 232.
(15) Ahmed ibën Salim es Sekarini, Keshful litham Sherh Umdetul ahkam, bot. I, Darun Nevadir, Syria, 1428-2007, v.II, f.231.
(16) Ahmed ibën Ismail ibën Uthman el Kevrani, El Kev therul xhari ila rijad ehadithil Buhari, bot.I, Dar Ihjaut Turath el Arebij, 1429-2008, v.II, f.335.
(17) Ibën el Mulekkin, Et Tev dih lisherhil xhami es Sahih, bot.I, Darun Nevadir, Damask-Siri, 1429-2008, v.VI, f.691.
(18) Ibën Rexheb el Hanbelij, Fethul Bari Sherh Sahihil Buhari, v.VI, f.166.


 


 


Dituria Islame 316


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Njihuni me hafëzin fitues që e vendosi Kosovën numër 1 në garat ndërkombëtare të Kuranit