Nxënësit më të mirë të 18 qyteteve të Kosovës u mblodhën sot në Prishtinë, për të garuar për njohuritë e tyre fetare të fituara nga mësim-besimi në xhamitë gjithandej vendit.
Gara e njohurive fetare u organizua nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria Fetaro-Arsimore, Departamenti i të Rinjve.
Nxënësit garuan në disa fusha, përfshirë Kuranin, Akaidin, Fikhun, dhe Historinë Islame, ndërsa përveç pjesës garuese, aktiviteti u shoqërua edhe me programe artistike të përgatitur nga nxënësit.
Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, tha se mësim-besimi mbetet një nga prioritetet kryesore të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke se shtuar se sot të gjithë janë fitues teksa nxënësit po shpalosin dijen e fituar.
Gara e njohurive të përgjithshme fetare organizohet tash e 14-vjet me radhë, teksa marrin pjesë nxënësit më të dalluar nga secili qytet.
Në përfundim të garës, vendi i parë u takoi nxënësve nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Vushtrrisë, ndërsa vendin e dytë e zunë nxënësit nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Skenderajt dhe vendin e tretë ata nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Fushë Kosovës.
Kjo garë kishte për synim që të rinjtë të nxitën në thellimin e njohurive fetare dhe të ruajnë interesimin për mësim-besimin.









