Një 86-vjeçar nga Malavi ka shpenzuar rreth 35 milionë kwacha malaviane (K35 milionë), ose afërsisht 20 mijë dollarë amerikanë, nga paratë e tij për ndërtimin e një xhamie në fshatin Chilombo, në distriktin Mangochi.
Bëhet fjalë për Chikhwaya Kamuloni, banor i zonës së Monkey Bay, i cili vendosi të financojë vetë ndërtimin e xhamisë, pasi besimtarët myslimanë të zonës nuk kishin një hapësirë të përshtatshme për falje.
Përpara ndërtimit të xhamisë, ata përdornin një strukturë të improvizuar për t'u lutur, ndërsa në disa raste duhej të udhëtonin në zona të tjera për të gjetur një vend të përshtatshëm për falje.
Kamuloni e nisi projektin në shtator të vitit 2025, duke e financuar tërësisht me fondet e tij.
"Fillova ndërtimin e kësaj xhamie në shtator të vitit të kaluar dhe përdora paratë e mia. Nuk mora asnjë ndihmë financiare për projektin", tha ai.
Sipas Kamulonit, ndërtimi i xhamisë ishte edhe një mënyrë për të falënderuar Zotin që e kishte ruajtur dhe i kishte mundësuar të arrinte moshën 86-vjeçare.
Ai tha se një nga synimet kryesore të projektit ishte të zvogëlonte distancën që banorët e fshatit duhej të përshkonin për të gjetur një vend ku mund të luteshin.
Pas përfundimit të punimeve, xhamia iu dorëzua komunitetit gjatë një ceremonie të zhvilluar në fund të gushtit. Nisma e 86-vjeçarit përbën një kontribut të rëndësishëm për besimtarët myslimanë të zonës, duke u ofruar atyre një hapësirë të re dhe më të përshtatshme për ushtrimin e besimit të tyre.