Përmbyllet edicioni i shtatë i Panairit Ndërkombëtar të Librit në Tuz

 


Në Tuz të Malit të Zi është përmbyllur edicioni i shtatë i Panairit Ndërkombëtar të Librit, ku mori pjesë edhe Shtëpia Botuese "Dituria Islame", me mbi 60 tituj librash nga fusha të ndryshme.
Gjatë ditëve të panairit, stenda e "Diturisë Islame" u vizitua nga dashamirës të librit dhe të interesuar për literaturën e botuar nga kjo shtëpi botuese, duke krijuar mundësi për njohje më të afërt me botimet dhe titujt e saj.
Në ceremoninë përmbyllëse, në emër të Komunës së Tuzit, sekretarja Marina Ujkaj i ndau mirënjohje Shtëpisë Botuese "Dituria Islame" për pjesëmarrjen në këtë edicion të panairit. Mirënjohja iu dorëzua përfaqësueses së shtëpisë botuese, Mihana Goga-Bekteshi.
Panairin e vizitoi edhe drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Ramadan Shkodra, i cili me këtë rast vizitoi edhe Komunën e Tuzit, ku u prit nga sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, znj. Marina Ujkaj, dhe stafi i saj.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe të aktiviteteve kulturore e botuese, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit institucional në të ardhmen.