Nga Kisha në Xhami: Ruajtja e vendeve të adhurimit në Kanada


Në Kanada, komunitetet myslimane po marrin në shfrytëzim ish-kishat që rrezikojnë të braktisen, të shemben ose të shndërrohen në objekte me funksione të tjera. Në një kohë kur disa komunitete të krishtera po përballen me rënie të numrit të besimtarëve dhe kosto gjithnjë e më të larta të mirëmbajtjes, komunitetet myslimane po përballen me nevojë të madhe të hapësirave për lutje dhe aktivitete komunitare.


Në vend që këto objekte të prishën ose të zëvendësohen me ndërtime të reja, disa prej tyre po blihen ose po merren në shfrytëzim nga komunitetet myslimane dhe po përshtaten si xhami dhe qendra komunitare. Kjo qasje po mundëson ruajtjen e objekteve me vlerë historike, ndërsa ato vazhdojnë të shërbejnë si vende adhurimi dhe hapësira për komunitetin.


Një nga shembujt më të hershëm është Jami Mosque në Toronto, e cila ndodhet në një ndërtesë të ndërtuar në vitin 1930 si High Park Presbyterian Church. Komuniteti mysliman e bleu objektin në vitin 1969 dhe e shndërroi në xhaminë e parë të përhershme të Torontos. Pjesa e brendshme u përshtat për lutje, ndërsa ndërtesa ruajti pjesën kryesore të karakterit të saj arkitekturor.



Një tjetër rast është ai i Bramptonit, Ontario, ku ndërtesa në Salvation Road, e ndërtuar fillimisht si kishë, sot shërben si Masjid Al Salam dhe Mount Pleasant Islamic Centre. Qendra përdoret për lutje, edukim fetar, aktivitete për të rinjtë dhe shërbime të tjera komunitare. Në një zonë ku popullsia myslimane është rritur ndjeshëm, objekti është kthyer në një nga hapësirat kryesore për komunitetin lokal.



Në St. John's, Newfoundland, Shoqata Myslimane e Newfoundland dhe Labradorit bleu ish-kishën katolike Mary Queen of Peace, pas më shumë se 15 vitesh kërkimesh për një hapësirë të përhershme. Ndërtesa u përshtat si xhami për një komunitet që është rritur nga rreth 100 persona disa dekada më parë në më shumë se 10 mijë. Objekti u ruajt duke mbajtur parasysh edhe vlerat e tij arkitekturore dhe historike


Në Old Ottawa South, ish-kisha katolike St. Margaret Mary qëndroi bosh për rreth tre vjet, përpara se të blihej nga Islamic Supreme Council of Canada. Sot ndërtesa përdoret si xhami, por edhe si qendër komunitare ku zhvillohen programe për të moshuarit, kurse edukative dhe aktivitete të tjera.


Një shembull tjetër ndodhet në Halton Hills, Ontario, ku Istiqlal Islamic Centre of Toronto ka përshtatur një kishë historike të ndërtuar në vitin 1878. Pjesa e jashtme, përfshirë arkitekturën viktoriane dhe themelet prej guri, është ruajtur, ndërsa brendësia është përshtatur për falje dhe aktivitete komunitare.


Në Thornton, gjithashtu në Ontario, ish-kisha Countryside United është kthyer në qendrën Zainabiya Community Centre, e cila u shërben familjeve myslimane nga Thornton, Barrie dhe Innisfil. Ndërtesa kishte mbetur me një numër shumë të vogël pjesëmarrësish në shërbesat e së dielës përpara se komuniteti i krishterë të shpërndahej, ndërsa sot hapësira përdoret nga një komunitet mysliman në rritje.



Përshtatja e këtyre ndërtesave nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshimin e plotë të karakterit të tyre. Në shumë raste, strukturat historike dhe elementet kryesore arkitekturore ruhen, ndërsa brendësia përshtatet me nevojat e besimtarëve mysliman. Bankat e kishës hiqen për të krijuar hapësira të hapura, vendosen qilima në drejtim të Mekës dhe shtohen elemente si mihrabi, minberi dhe hapësirat për abdes. 
Ky proces po shihet gjithnjë e më shumë si një formë e ripërdorimit të ndërtesave ekzistuese, duke shmangur prishjen dhe duke i dhënë një funksion të ri një pjese të trashëgimisë arkitekturore. Për komunitetet myslimane, ndërkohë, blerja ose marrja në përdorim e këtyre objekteve ofron një zgjidhje për mungesën e hapësirave të mjaftueshme për lutje dhe aktivitete komunitare.
Në disa raste, kjo qasje është pritur pozitivisht edhe nga komunitetet që i kanë përdorur më parë këto ndërtesa. Në vend që një objekt fetar të shkatërrohet ose të humbasë funksionin e tij, ai vazhdon të mbetet një hapësirë kushtuar besimit, shërbimit ndaj komunitetit dhe jetës sociale.
Kështu, nga Toronto në Newfoundland dhe nga Ottawa në zona më të vogla të Ontarios, ish-kishat po marrin një jetë të re si xhami dhe qendra komunitare. Përtej ndryshimit të përdoruesve, këto raste tregojnë edhe një mënyrë për të ruajtur ndërtesat historike, duke i përshtatur ato me nevojat e komuniteteve që jetojnë sot në këto zona.