Hyrje
Në temën paraprake kam shtjelluar mënyrën e bërjes sexhde, jam ndalur te hadithi i njohur që flet për gjymtyrët me të cilat duhet bërë sexhdeja dhe kam shpjeguar se çfarë konkretisht synohet nga hadithi. Ajo që vlen të përmendet këtu është fakti se, sipas hanefive, ndonëse hadithi përmend shtatë gjymtyrë me të cilat duhet bërë sexhdeja, vetëm balli është obligim (farz). Gjymtyrët e tjera, sipas mendimit të përzgjedhur të shkollës hanefite, janë sunet, por ka mendime se edhe disa prej gjymtyrëve të tjera janë farz apo vaxhib, sikurse që ka mendime se të gjitha këto shtatë gjymtyrë konsiderohen farz gjatë sexhdesë, i tillë është opinioni i Ibën Humamit.(1) Hanefitë thonë se me të gjitha këto gjymtyrë duhet bërë sexhdeja, por farz konsiderohet vetëm balli, gjegjësisht një pjesë e tij, ndërsa gjymtyrët e tjera janë sunet, me përjashtim të gishtave të këmbëve, lidhur me të cilët ka mendime të ndryshme. Të këtij mendimi janë Ebu Hanifja, Ebu Jusufi, Muhamedi dhe shumica e dijetarëve hanefitë.(2)
Gishtat e duarve të jenë të bashkuar
Gjatë qëndrimit në sexhde, gishtat e duarve duhet të jenë të bashkuar e jo të hapur mes vete. Pra, ndryshe nga rukuja, gjatë së cilës gishtat e duarve mbesin krejtësisht të hapur, dhe ndryshe nga tekbiri fillestar, gjatë të cilit gishtat e duarve mbesin në formën natyrale: as të bashkuar e as të hapur, por që lihen krejtësisht të lirë. Gjatë sexhdesë, gishtat duhet të jenë të bashkuar me njëri-tjetrin. Shumë namazfalës i vërejmë që, gjatë qëndrimit të tyre në sexhde, i lënë gishtat e duarve krejtësisht hapur. Është e gabuar kjo praktikë. Arsyeja se përse urdhërohemi që gishtat e duarve të jenë të bashkuar njëri pranë tjetrit gjatë qëndrimit në sexhde, qëndron në faktin se ata duhet të jenë të shtrirë nga kibla, e po të lihej hapësirë mes tyre, atëherë sigurisht se jo të gjithë gishtat do të ishin në drejtim të kiblës, sidomos gishti i vogël që mund të kthehej nga koka e namazfalësit.(3)
Sipas një transmetimi të përcjellë nga Ebu Humejd es-Saidij(4) potencohet se gishtat nuk duhet të zgjerohen e as të mbesin krejtësisht të hapur, por hanefitë kanë për zgjedhur transmetimet e tjera, ku potencohet se i Dërguari i Allahut bashkonte gishtat e tij gjatë sexhdesë, siç është edhe transmetimi i përcjellë nga Vail ibën Huxhri.(5)
Gishtat e këmbëve në drejtim të kiblës
Gjatë qëndrimit në sexhde, gishtat e të dyja këmbëve të jenë të kthyer në drejtim të kiblës e jo të ngrihen lart. Duke u bazuar në transmetime të ndryshme të përcjella nga sahabë të ndryshëm në lidhje me këtë çështje, siç është edhe hadithi i gjatë i përcjellë nga Ebu Humejd es-Saidij: "... i kthente majat e gishtave të këmbëve të tij në drejtim të kiblës..."(6)
Madje Kuduriu është i mendimit se, nëse gjatë qëndrimit në sexhde, ngrihen gishtat e të dyja këmbëve, një gjë e tillë e zhvlerëson namazin, pasi që paraprakisht një veprim i tillë nuk lejohet brenda namazit. Ndërsa, nëse ngrihen gishtat e njërës këmbë, gjegjësisht njëra këmbë, atëherë konsiderohet brenda suazave të lejimit. Kështu e përmendin edhe Kerhi dhe Xhessasi. Ndërsa Kadi Han-i një veprim të tillë e sheh si të qortuar (me kruh).(7) Arsyeja e një opinioni të tillë si ky i Kuduriut (dhe i të tjerëve që mendojnë kështu) qëndron në faktin se Kuduriu për këmbët, si gjymtyrë, mendon se janë pjesë e domosdoshme e sexhdesë, i konsideron si farz. Por versioni i shkollës hanefite këmbët (si gjymtyrë me të cilat kryhet sexhdeja) i konsideron si sunet dhe, rrjedhimisht, ngritja e tyre apo moskryerja e sexhdesë me to, nuk e prish namazin. Ibën Nuxhejmi kur e shpjegon këtë çështje thotë që ngritja e këmbëve në sexhde kon siderohet si tallje dhe lojë, pikërisht në vendin ku duhej shprehur madhërimi.(8) Pasi përmend të dyja mendimet, arrin në përfundimin se ata që mendojnë se prekja e këmbëve (gishtave) gjatë sexhdesë është obligim (vax hib), atëherë ngritja e tyre gjatë sexhdesë është veprim tejet i qortuar, krejtësisht fare pranë haramit (el kerahetahrimijeh), ndërsa ata që mendojnë se prekja e këmbëve në tokë gjatë sexh desë është sunet, atëherë ngritja e tyre është veprim i qortuar (el kerahetenzihijeh).(9)
Bërrylat të largohen nga trupi
Gjatë sexhdesë bërrylat nuk duhet të jenë të shtrirë përtokë, që të mos ketë ngjasime me shtrirjen e qenit. Bërrylat duhen larguar si nga toka ashtu edhe nga trupi i namazfalësit (kofshët), e jo të jenë të ngjitura për trupin e namazfalësit. Ndërsa për femrat obligo het që duart e tyre të jenë të lëshuara dhe të ngjitura për trupin e tyre, me qëllim të fshehjes së pjesëve të turpshme të trupit dhe ndalimit të provokimit.(10) Siç kemi cekur edhe më herët për disa dallime të vogla mes mashkullit dhe femrës gjatë namazit, edhe këtu në sexhde kemi dy dallime.(11)
Na ka treguar Sulejman ibën Davudi, na ka treguar Ibën Vehbi, na ka lajmëruar Hejveh ibën Shurejhi, nga Salim ibën Gajlani, e ky nga Jezid ibën ebi Habibi se i Dërguari i Allahut kaloi pranë dy femrave që faleshin dhe u tha atyre: "Kur bëni sexhde, bëni përtokë (lësho ni duart përtokë), ngase femra në këtë çështje nuk është sikurse mashkulli."(12)
Pra, duart gjatë lëshimit për në sexhde nuk mbesin të ngjitura për trupin, gjë që nënkupton se ato largohen nga trupi dhe gjithashtu bërrylat nuk mbesin të shtrirë përtokë. Barku duhet të largohet nga kofshët,(13) duke u bazuar në hadithin që përcillet në Sahihun e Muslimit: Na ka treguar Kutejbeh ibën Seidi, na ka treguar Bekër ibën Mudar, nga Xhafer ibën Rebiah, ky nga el-A'rexhi, e ky nga Abdullah ibën Malik ibën Buhajneh se i Dërguari i Allahut gjatë faljes i ka larguar duart (nga trupi) aq saqë i është dukur pjesa e bardhë e nënsqetullave të tij."(14)
Gjithashtu edhe hadithi tjetër: Na ka treguar Jahja ibën Jahja i cili ka thënë: "Na ka lajmëruar Ubejdullah ibën Ijadi, nga Ijadi e ky nga Berrai, i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut tha: "Kur të bësh sexhdenë, vendosi shputat e duarve dhe ngriji bërrylat e tu."(15)
Këto dy hadithe meritojnë një ndalje apo një analizë të shkurtër, qoftë sipërfaqësore, sepse ndryshe mund të keqkuptohen dhe keqinterpretohen. Zgjerimi i duarve, gjegjësish i bërrylave, mund të shkaktojë çorientim dhe pengim tek ai që falet pranë, sidomos nëse, në safin ku falen, ka hapësirë shumë të ngushtë, siç ndodh shpesh në namazin e xhumasë. Për këtë arsye, ulemaja e medhhebit hanefi, si autori i "Muxhteba-së", i "Hida je-s", i "Kafi-t", e deri te autorët si Ibën Nuxhejmi dhe Ibën Abidini, e kanë trajtuar këtë mesele në përpikëri dhe që të gjithë pohojnë se, nëse namaz falësit janë brenda një safi (gjatë farzit), bërrylat nuk zgjerohen shumë, me qëllim që të mos pengo het tjetri që falet pranë, sidomos në raste kur ka masë të shtuar. (16)
Faktikisht këtë dukuri e vërejmë nëpër xhamitë tona, ku disa në emër të ndonjë hadithi të lexuar apo të dëgjuar, zgjerojnë bërrylat e tyre aq shumë saqë tjetri pranë tij e ka të vështirë ta plotësojë sexhdenë siç kërkohet. E, po t'i thuash që t'i ngushtojë pak bërrylat kur bën sexhde, ai të thotë se është duke e praktikuar sunetin. Në realitet ai nuk e ka kuptuar sunetin, por skajshëm e ka keqkuptuar atë, ngase hadithi kuptohet nga shpjegimet e dijetarëve të mirëfilltë dhe nxjerrja e dispozitave nga hadithet bëhet nga juristët e dijetarët dhe jo nga masa e thjeshtë e as nga ata që sapo kanë filluar të lexojnë për Islamin.
Përfundim
Kjo temë nuk mund të kuptohet krejt drejt e qartë nëse nuk lexohet edhe tema e kaluar, për shkak të lidhjes së varësisë e përplotësimit që kanë këto dy tema me njëra-tjetrën. Gjatë shtjellimit të tyre, jemi munduar të shpjegojmë sa më hollësisht rreth mënyrës së bërjes sexhde dhe rreth pozicionimit të gjymtyrëve përkatëse që janë pjesë e sexhdesë.
_____________________________________
(1) Ibën Humam, Fet'hu-l Kadir, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, pa vit botimi, v. I, f. 304.
(2) Kasani, Bedaiu-s Sanai, v. I, f. 105; Merginani, el-Hidajeh, v. I, f. 308; Zejlei, Tebjinu-l Hakaik, v. I, f 302.
(3) Ibën Abidin, Redul Muhtar, v. I, f. 498.
(4) BuhariunëSa hih, nr. 828.
(5) Ibën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzi-d Dekaik, v. I, f. 339.
(6) BuhariunëSahih, nr. 828.
(7) Ibën Abidin, Redul Muhtar, v. I, f. 499.
(8) Ibën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzi-d Dekaik, v. I, f. 336.
(9) Ibën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzi-d Dekaik, v. I, f. 336.
(10) Ibën Nuxhejm, el Bahru-rr Rraik sherh Kenzi-d Dekaik, v. I, f. 339.
(11) Es-Sugdi, En-Netfu fi-l Fetava, v. I, f. 71.
(12) Ebu Davudi në Merasil, nr. 87; Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr. 4054 ; Bejhekiu në Ma'rifetu-s Sunen ve-l Athar, nr. 3201. Nuk kam hulumtuar rreth saktë sisë së hadithit.
(13) El-Mevsilij, El-Ihtijar lita'li-l Muhtar, v. I, f. 178.
(14) Muslimi në Sahih, nr. 495; Ibën Hibani në Sahih, nr. 1919. Hadithi është autentik.
(15) Muslimi në Sahih, nr. 494; Ibën Huzejme në Sahih, nr. 656; Ahmedi në Musned, nr. 18491. Had ithi është autentik.
(16) Ibën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzi-d Dekaik, v. I, f. 338; Ibën Abidin, Redul Muhtar, v. I, f. 503; Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajeti-l Mubtedi',v. I, f. 52.
Dituria Islame 323