Komentuesit (mufessirun) klasikë të Kuranit fjalës takva dhe formave urdhërore që dalin nga ajo kryesisht ia kanë dhënë kuptimin "Frikësojuni Allahut!" ose "Kijeni frikë Allahun!"
Termi takva përdoret për të shprehur përpikërinë që tregohet në ndjekjen e urdhrave dhe këshillave të fesë dhe në largimin nga haramet dhe mëkatet.
Përkufizimi
Termin takva, i cili rrjedh nga rrënja vikajeh, që në aspektin etimologjik nënkupton "të ruhesh, të mbrohesh, të kesh kujdes, të largohesh, të respektosh, të jesh i dëgjueshëm, të jesh fetar, të ndjekësh me përkushtim, të frikohesh, të druhesh", Sejjid Sherif el-Xhurxhani e përkufizon kështu: "Të ruhesh nga dënimi i Zotit duke e respektuar Atë. Kjo realizohet duke e ruajtur nefsin nga sjelljet për të cilat njeriu do të meritonte të ndëshkohej".
Përdorimi i këtij termi në Kuran dhe Sunet
a. Në kuptimin e dëgjueshmërisë
Termi takva dhe format tjera të derivuara nga rrënja e saj si ittika, tekijj, etka, muttekijj në Kuran përmenden 285 herë. Në Kuran dhe në hadithet e Pejgamberit a.s. termi takva ndonjëherë përmendet në kuptimin e tij etimologjik, kurse disa herë të tjera në kuptimin "të ruhesh nga dënimi i Zotit duke i ndjekur urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij". Përgjithësisht pejgamberët u janë drejtuar ummeteve të tyre me fjalët:"Ki ni frikë (dënimit të) Allahut e jini të dëgjueshëm ndaj meje!" (esh-Shu'ara, 26:108, 179). Duke qenë se ai që është i dëgjueshëm ndaj Pejgamberit a.s. është i dëgjueshëm edhe ndaj Allahut xh.sh. (en-Nisa', 4:80), takvaja nënkupton dëgjueshmërinë ndaj Allahut dhe ndaj Pejgamberit të Tij.
b. Në kuptimin e ruajtjes, mbrojtjes
Kur Kurani flet për besimtarët si zotërues të takvasë, zakonisht aty flitet edhe për mbrojtjen e tyre nga dënimi i Xhehenemit (ed-Duhan, 44:56; et-Tur, 52:18; el-Insan, 76:11); prandaj edhe besimtari kërkon nga Allahu ta mbrojë nga dënimi i Xhehenemit (el-Beka ra, 2:201; Alu Imran, 3:191). Emërtimi i Allahut me termin ehlu't-takva (el-Muddeththir, 74:56) nënkupton se Ai është mbrojtës dhe strehues i mirë për ata që e kërkojnë këtë prej Tij. Edhe shprehja "ruaj" në lutjen "Na ruaj nga dënimi i zjarrit!" (el-Bekara, 2:201; Alu Imran, 3:16, 191) dhe "ruajeni" te ajeti "Ruajeni vetveten dhe familjen tuaj nga zjarri!" (et-Tahrim, 66:6) vijnë nga e njëjta rrënjë.
c. Në kuptimin e frikës që lind nga respekti
Fjala takva në Kuran përmendet 17 herë (p.sh. shiko el-Bekara, 2:197; el Maideh, 5:2; el-A'raf, 7:26; et-Teubeh, 9:108; Taha, 20:132). Komentuesit (mufessirun) klasikë të Kuranit fjalës takva dhe formave urdhërore që dalin nga ajo kryesisht ia kanë dhënë kuptimin "Frikësojuni Allahut!" ose "Kijeni frikë Allahun!". Edhe pse kjo folje në vetvete përmban edhe kuptimin frikë, kjo nuk nënkupton druajtjen nga diçka e frikshme dhe e tmerrshme, porse shpreh druajtjen të mos ia lëndosh zemrën dikujt që e do, shpreh ndjeshmërinë e respektimit dhe përgjegjësisë ndaj Krijuesit. Në këtë kontekst, përkthimet si "Vetëdija për Zotin" ose "Vetëdija për përgjegjësinë ndaj Zotit", që ofrohen për fjalën tak va, na duket se i përgjigjen më mirë përmbajtjes së vetë termit. Frikën që e përmbajnë termet takva dhe ittika në fakt buron nga respekti dhe nder imi që njeriu e ndjenë karshi Allahut xh.sh. Një ndjenjë e këtillë besimtarët i largon nga veprat e këqija e mëkatet dhe i nxit drejt veprave të mira e të këndshme. Në Kuran dhe në hadithet e Pejgamberit a.s. kur flitet për frikën me rastin e fatkeqësive të ndryshme, të kiametit, të ringjalljes dhe të Xhehenemit përdoren fjalë që burojnë nga termet hauf, hashjeh, feza', rahbeh, vexhel, ru'b, ishfak. Në ajetet me kup timin "Mos kini frikë prej tyre, por prej Meje!" (el-Bekara, 2:150; Alu Imran, 3:176) frika nga Zoti përmendet me termin hauf dhe hashjeh. Ndërkaq në ajetin 52 të sures 24, en-Nur, përmenden njëra pas tjetrës fjalët hashjeh dhe ittika. Që të gjitha këto tregojnë se në vija të përgjithshme takvaja është diçka ndryshe nga frika. Është me rëndësi të përmendet se Pejgamberi a.s. shpesh bënte du'a, lutje, me këto shprehje:"O Allah, kërkoj strehim/ mbrojtje te Ti prej Teje!" ose: "Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga hidhërimi i Tij!" Sipas kësaj takva do të thotë të kërkosh mbrojtje dhe strehë tek Alla hu xh.sh. nga hidhërimi dhe zemërimi i Tij. Në Kuran kërkohet prej besimtarëve që ta ruajnë vetveten nga shejtani, nga fitneja (el-Enfal, 8:25), nga xhehennemi (Alu Imran, 3:131), nga kiameti (el-Insan; 76:11). Në këtë aspekt takva do të thotë të kërkosh mbrojtjen e Zotit kundër çdo gjëje të keqe e të dëmshme. Kjo ndërkaq realizohet duke u ikur mëkateve dhe duke iu drejtuar punëve të mira. Për ruajtjen nga e keqja Kurani e përdor termin hadher (el-Munafikun; 63:4; et-Tegabun, 64:14).
Muttekiu i devotshmi
Fjala muttekijj, që nënkupton njeriun e devotshëm, në Kuran përdoret 48 herë (p.sh. el-Bekara, 2:2; Alu Imran, 3:76; el-Maideh, 5:27; el A'raf, 7:128; el-Enfal, 8:34). Në këto ajete përshkruhen vetitë e njerëzve të devotshëm (muttekijjun). E kundërta e fjalës takva është fuxhur, ndërkaq e kundërta e fjalës muttekijj është faxhir (esh-Shems, 91:8; Tirmidhiu, Menakib, 73; EbuDavudi, Edeb, 111). Edhe fjala tekijj (Merjem, 19:13, 18, 63) përdoret në kuptim të muttekijj (i devotshëm). Edhe fjala el-vaki (er Ra'd, 13:34, 37; el-Mu'min, 40:21) që nënkupton "mbrojtës, ruajtës" rrjedh nga e njëjta rrënjë.
Përmendja e shpeshtë e fjalës takva dhe e formave derivuese të saj në Kuran, në raste të ndryshme dhe në forma të ndryshme, flet mjaftueshëm për rëndësinë që ka ky koncept në Islam. Për vlerën e takvasë në Kuran theksohen këto aspekte: Allahu është me ata që kanë takva (el-Bekara, 2:194; et-Teubeh, 9:36, 123); i mbron ata dhe u ndihmon; Ai i do ata që kanë takva (Alu Imran, 3:76; et-Teubeh,9:4, 7); Ai është mik, i dashur, mbrojtës i të devotshmëve (el-Xhathijeh, 45:18). Takvaja në të njëjtën kohë është një koncept që ka të bëjë me imanin (besimin) dhe me zemrën. Ata që sillen me respekt ndaj Pejgamberit a.s. përshkruhen si njerëz të cilëve Allahu xh.sh. ua kalit, ua përshtat ose edhe i sprovon zemrat e tyre për takvanë (el-Huxhurat, 49:3). Respektimi i vendimeve të Allahut xh.sh. pa dyshim që buron nga takvaja që ata kanë në zemrat e tyre (el-Haxhxh, 22:37).
Takvaja buron nga imani
Allahu xh.sh. e frymëzon takvanë në nefsin/zemrën e njeriut (esh Shems, 91:8). Pejgamberi a.s. duke shënjuar me dorën e tij në gjoks ka thënë: "Takvaja është këtu" , por e ka bërë edhe këtë lutje: "O Allahu im, jepja nefsit tim (zemrës sime) takvanë!" .Me fjalën takva e zemrës nënkuptohet imani (besimi), jakini (bindja e paluhatshme), sinqeriteti dhe respekti i thellë ndaj Allahut xh.sh. Në Kuran theksohet lidhshmëria që ekziston midis takvasë dhe besimit (imanit): "Druhuni nga Allahu po qe se jeni besimtarë!" (el-Maideh, 5:11, 57, 88). Të jesh i devotshëm, me takva, është kërkesë e besimit. Të gjithë pejgamberët kanë kërkuar prej ummeteve të tyre të jenë të devotshëm, me takva. Për të gjithë ata që janë të devotshëm Kurani është një libër udhëzimi (el-Bekara, 2:2; Alu Imran, 3:138; el-Maideh, 5:46). Edhe arsyeja dhe ndërgjegjja kërkojnë të jesh i devotshëm (et-Talak, 65:10).
Takvaja dhe shpëtimi në të dyja botët
Edhe nga aspekti që fjala takva nënkupton "ruajtjen dhe mbrojtjen", ka një lidhje të ngushtë me kiametin, ringjalljen, xhehennemin, xhenetin dhe me jetën e amshueshme. Kurani flet se ata që janë të devotshëm do të kenë përfundim të mirë (Taha, 20:132; el-Kasas, 28:83; Sad, 38:49; ez-Zuhruf, 43:35). Një ardhmëri e mirë që u premtohet të devotshmëve ka të bëjë edhe me jetën e kësaj bote, mirëpo për të arritur fundin e lumtur duhet me qenë i durueshëm (el-A'raf, 7:128; Hud, 11:49). Rruga e arritjes së shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër, që në Kuran shprehet me fjalët feuz (sukses), nexhat (shpëtim) dhe felah (mirëqenie), varet nga të qenët i devotshëm, me takva (el Bekara, 2:189; el-Maideh, 5:35, 100; ez-Zumer, 39:61; en-Nebe', 78:31). Zahireja (furnizimi) më e mirë për në botën tjetër dhe ajo që atje do të jetë më e dobishme është takvaja (el-Bekara, 2:197). Xheneti është përgatitur për të devotshmit (Alu Imran, 3:133; el Hixhr, 15:45; ed-Duhan, 44:51). Në Kuran thuhet qartë se ata që nuk kanë takva siç janë tiranët, zullumqarët, ngatërrestarët, ata që nuk ruhen nga kryerja e mëkateve dhe e punëve të këqija, do të dënohen në xhehennem.
Takvaja të ndriçon mendjen me dritën hyjnore
Takvaja bën të mundur që Allahu xh.sh. ta mësojë dhe ndriçojë robin e Tij (el-Bekara, 2:282; el-Enfal, 8:29). Një besimtar i devotshëm, të cilit zemra i ndriçohet me një dritë hyjnore (furkan), ka mundësinë të bëjë dallimin midis së mirës dhe së keqes, midis së vërtetës dhe së pavërtetës, midis sevapit (shpërblimit) dhe mëkatit; ai ikën me kujdesin më të madh nga e ndaluara dhe mëkati. Edhe nxjerrja e mësimeve nga ngjarjet historike dhe sociale bëhet në saje të takvasë (el-Bekara, 2:66; Alu Imran, 3:138; en-Nur, 24:34).
Takvaja dhe virtytet morale
Në Kuran flitet edhe për lidhjen midis vlerave morale dhe takvasë. Takvaja prezantohet si një arsyetim shpirtëror për largimin nga mëkatet e të këqijat dhe për orientimin drejt të mirave dhe sevapeve. Kështu që takvaja lidhet ngushtë me faljen (el Bekara, 2:189), me lidhjen farefisnore (en-Nisa', 4:1), me drejtësinë (el Maideh, 5:8), me korrektësinë (el Bekara, 2:177; ez-Zumer, 39:33), me fjalën e drejtë (el-Ahzab, 33:70), me mirënjohjen (Alu Imran, 3:123), me mëshirën (el-En'am, 6:155; Jasin, 36:45), me mirësinë (el-Bekara, 2:189)... Besimtari më i vlefshëm tek Allahu xh.sh. theksohet të jetë ai që ka më shumë takva, që është më shumë i devotshëm (el-Huxhurat, 49:13) dhe se petku i takvasë (el-A'raf, 7:26) është takvaja e zemrës e cila manifestohet në trupin dhe organet e besimtarit dhe e cila e mbron atë si një mburojë, parzmore. Edhe Pejgamberi a.s. ka thënë se ahlaku, morali i një besimtari të devotshëm, me takva, do të jetë vetëm i mirë dhe jo ndryshe. Forma më e përkryer e takvasë është të kesh një takva meritore ndaj Allahut xh.sh. Mirëpo besimtari e ka të vështirë ta arrijë një takva të tillë. Për këtë arsye Allahu xh.sh. në Kuran na thotë: "Andaj druhuni Perëndisë sa të mundeni, dhe dëgjoni, dhe përuluni dhe shpenzoni (prej pasurisë suaj) për të mirën tuaj. E ata që ruhen nga lakmia e madhe, janë fitues." (et-Tegabun, 64:16). Të devotshmin Kurani e quan tekijj dhe muttekijj, atë që është në një shkallë më të lartë të takvasë e quan etka (el-Huxhurat, 49:13; el-Lejl, 92:17). Kjo nënkupton se takvaja ka disa shkallë të saj. Besimtari është afër Allahut xh.sh. aq sa ai ndjen respekt ndaj Tij. Kush dhe sa është i devotshëm, këtë e di më së miri vetëm Allahu xh.sh. (Alu Imran, 3:115; et-Teubeh, 9:44). Besimtari mundohet të bëhet i devotshëm, mirëpo nuk pretendon se është i tillë. Pejgamberi a.s. ka qenë njeriu më i devotshëm në mesin e njerëzve. Në një hadith kudsij thuhet se evliatë (të dashurit e Zotit) janë besimtarët me devotshmëri të lartë.
Takvaja e tepruar shkakton vesvese
Takvaja kërkon një përpikëri të thellë kur është në pyetje sevapi dhe gjynahu, hallalli dhe harami. Në Islam hallallet (të lejuarat) dhe haramet (të ndaluarat) janë të qarta. Mirëpo midis tyre ndodhen edhe gjëra të dyshimta. Ai që ruhet nga këto të dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet. Në një hadith Pejgamberi a.s. na porosit t'u ikim sendeve të dyshimta dhe t'u drejtohemi atyre që nuk janë të tilla. Edhe dy hadithet në vazhdim tregojnë se është kërkesë e takvasë që t'u ikim gjërave që nuk janë hallall dhe mubah (të lejuara): "Mëkati (gjynahu) është ajo që nuk të lë të qetë dhe nuk të fle në zemër","Fetvanë (përgjigjen) lype nga zemra jote". Takvaja kërkon që në radhë të parë të largohemi nga sendet e dyshimta kur janë në pyetje të drejtat e njeriut, prandaj edhe ndalohet gjykimi i dikujt me dëshmi të dyshimta. Ruajtja nga sendet e ndaluara dhe të dyshimta ka rëndësi si për nga haku (e drejta) i Zotit ashtu edhe për nga haku i njeriut. Juristët islamë për shembull kanë thënë që nëse dikush bie në dyshim nëse namazin e ka kryer plotësisht ose jo, si kërkesë e takvasë ai duhet ta përsërisë atë namaz, mirëpo nëse bie në dyshim nëse i ka dikujt borxh ose jo, nuk ka nevojë që për çdo rast t'ia paguajë atij borxhin, pa ia kërkuar i zoti i tij. Për mallrat që shiten nëpër tregje e shitore, nuk duhet hulumtuar nëse këto janë të vjedhura ose jo. Sepse sendet në bazë janë të lejuara (përveç nëse nuk dëshmohet e kundërta - R.N.); dhe ne duhet të kultivojmë mendim të mirë dhe pozitiv për shitësin. Mirëpo, në shtetet jo-islame është kërkesë e takvasë të interesohesh për artikujt që i blen në mos kanë elemente të derrit ose të alkoolit. Të jesh i përpiktë kur është në pyetje ryshfeti, dhurata, vakëfi, autorizimi, trashëgimia, po edhe në raportet punëdhënës punëmarrës, në shërbimet publike, në shkollë, në spital etj. është kërkesë e lartë e takvasë. E njëjta vlen edhe në raport me natyrën, rrugët publike, gjallesat tjera etj. Edhe pse takvaja është një virtyt bazë, teprimi në këtë drejtim ndonjëherë mund t'u hapë rrugë dyshimeve dhe vesveseve. Kjo gjendje pastaj nuk ka lidhje me takvanë. Lidhur me këtë Muhammedi a.s. ka thënë: "Janë shkatërruar (mutenatti'unët): ata që e kanë tepruar në punët e fesë (duke i stërholluar gjërat dhe ndarë qimet katërsh)".
Prof. Dr. Süleyman Uludağ
Përktheu: Rejhan Neziri
* Ky artikull është përkthim nga turqishtja e profesorit tim të nderuar në Bursa të Turqisë, dhe përbën zërin "Takva" në Enciklopedinë islame të Dijanetit të Turqisë: İslam Ansiklopedisi, TürkiyeDiyanetVakfı İslam AraştırmalarıMerkezi (İSAM), Stamboll 2010, vëll. 39, f. 486-484. Fusnotat në këtë formë si dhe nëntitujt i kam shtuar unë, përkthyesi, R.N.