Programi i kirurgjisë robotike me një hyrje të vetme, i drejtuar nga Dr. Amer Raza në Cromwell Hospital në Londër, ka realizuar më shumë se 400 ndërhyrje.
Kirurgu mysliman Dr. Amer Raza ka shënuar një arritje të re në Mbretërinë e Bashkuar, pasi programi i kirurgjisë robotike me një hyrje të vetme (single-port) që ai drejton në Cromwell Hospital në Londër ka realizuar më shumë se 400 ndërhyrje.
Dr. Raza është gjinekolog konsulent, i specializuar në trajtimin e endometriozës dhe kirurgjinë robotike. Programi nën drejtimin e tij është zgjeruar nga ndërhyrjet rutinë gjinekologjike në operacione më komplekse, veçanërisht për rastet e rënda të endometriozës.
Kirurgjia robotike single-port u mundëson mjekëve të përdorin kamerën dhe disa instrumente robotike përmes vetëm një hyrjeje në abdomen, ndryshe nga kirurgjia robotike tradicionale, e cila zakonisht kërkon disa prerje të vogla.
Programi në Cromwell Hospital është shndërruar gjithashtu në një qendër trajnimi. Më shumë se 100 kirurgë nga Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë vizituar qendrën për të ndjekur ndërhyrje komplekse dhe për t'u njohur me këtë teknikë.
Dr. Raza ka marrë dy akreditime "Master Surgeon" nga organizata amerikane Surgical Review Corporation, në kirurgjinë robotike dhe trajtimin e avancuar të endometriozës. Akreditimet janë dhënë pas një vlerësimi të jashtëm të praktikës kirurgjikale, rezultateve të trajtimit dhe standardeve të kujdesit.
Endometrioza mund të shkaktojë dhimbje të forta dhe të ndikojë në fertilitet dhe cilësinë e jetës. Në rastet e avancuara, sëmundja mund të prekë edhe zorrën, fshikëzën, traktin urinar, nervat dhe, në disa raste, diafragmën.
Dr. Raza kryen ndërhyrje komplekse për trajtimin e endometriozës, si dhe procedura të tjera të avancuara gjinekologjike, përfshirë histerektominë robotike dhe miomektominë.
Sipas tij, trajtimi i endometriozës nuk përfundon me operacionin. Menaxhimi i dhimbjes, fertiliteti, rikuperimi dhe mbështetja afatgjatë e pacientes janë pjesë e rëndësishme e kujdesit.
I trajnuar fillimisht në Pakistan, Dr. Raza ka punuar në Mbretërinë e Bashkuar për më shumë se 25 vjet, duke u specializuar në endometriozën e avancuar, kirurgjinë minimale invazive dhe kirurgjinë robotike.
Ai vazhdon të ruajë lidhje profesionale me Pakistanin, ku udhëton rregullisht për të mbështetur pacientet dhe profesionistët e mjekësisë, ndërsa synon të kontribuojë në formimin e brezit të ardhshëm të kirurgëve dhe në forcimin e bashkëpunimit mjekësor mes Pakistanit, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera.