Besimi në botën e ahiretit si motiv për një jetë më të mire

 


Njeriu, e vetmja krijesë fizike të cilën e preokupon e ardhmja dhe fundi final i tij. Ai është kureshtar të dëgjojë e të dijë rreth rrjedhës së ndodhive pas përfundimit të tij nga kjo botë.
Mëshira e Allahut nuk e la krijesën njeri në enigmë e të hutuar në lidhje me jetën e pastajme dhe ngjarjet e saja, madje jo vetëm që e njoftoi me atë jetë, por edhe ia ilustroi detajet e saja në mënyra dhe peizazhe të ndryshme. Bile njohuritë e asaj jete dhe përjetimet e saja ia bëri myslimanit pjesë të fesë dhe kusht nga kushtet esenciale të besimit. Ky kusht është aq i rëndësishëm sa që gati ku do që përmendet në Kur'an e hadith, besimi në Zotin, i bashkëngjitet edhe besimi në jetën e pastajme.
Besimi në botën e ahiretit i jep kuptim jetës së njeriut ngase nëpërmjet këtij besimi ai e kupton qëllimin e jetës në dunja. Pa një besim të tillë njeriu do të ndjente një zbrazëtirë, madje edhe kotësi të kësaj jete, prandaj ky besim është i rëndësisë së veçantë për njeriun.
Nga mirësitë e këtij besimi, është edhe ajo se njeriu arrin të kuptojë që jeta e kësaj bote është kalimtare, dhe se ajo merr kuptim vetëm po që se shfrytëzohet si mekanizëm nëpërmjet të cilit arrihet të fitohet mirësia e botës tjetër.


Besimi në botën tjetër shton ndjenjën e përgjegjësisë së individit


Njeriu që beson se me vdekje nuk mbaron gjithçka, por se ai kalon në një fazë të "marrjes në pyetje", domosdo është më i vëmendshëm në jetën e kësaj bote, dhe gjithë çka që vepron e bën me vetëdijen se ato nuk shkojnë së koti, mirëpo i nënshtrohen një shqyrtimi që do të vlerësohet në botën tjetër. Kjo ngulit te besimtari ndjenjën e përgjegjësisë për veprimet e veta. Alla hu xh.sh. thotë: "A mos mendon njeriu se do të lihet duke mos zënë asgjë (pa kurrfarë përgjegjësie."(1)
Kush është i bindur në botën tjetër dhe beson në të fuqishëm, pa dyshim se do të veprojë punë që shfaqin respekt ndaj Allahut, do të motivohet për to, do të ikë nga mëkatet dhe punët e liga duke e jetuar kështu jetën e tij fisnike dhe të lumtur.(2)
Ai që arrin të kuptojë se çfarë është përgatitur për besimtarët nga mirësitë dhe kënaqësitë e përhershme, pa dyshim që i tilli nuk e konsideron jetën e kësaj bote si gjithçka, është i bindur se ajo është e përkohshme dhe paraqitet në të si asket. I tilli synon ta fitojë botën tjetër, e cila meriton të veprohet për të, të lodhemi për të dhe të derdhet kontribut për hir të saj. Në Kuran qëndron:
"E, përgëzoji ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: "Ky është që me te u ushqyem edhe më parë". Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë."(3)
Besimi në botën tjetër dhe ndikimi i tij në jetën sociale:
Në sferën e jetës sociale, solidaritetit, mirëkuptimit, tolerancës e bashkëjetesës, besimi në botën tjetër është ndër indikatorët më të rëndësishëm pozitiv. Kjo lidhet me porosinë fetare se njeriu nuk është përgjegjës vetëm për raportin e tij personal me Krijuesin, por se atë e presin edhe përgjegjësi ndaj mesit ku jeton e vepron. Madje, shembuj nga literatura islame shënjojnë se përmes kujdesit ndaj të tjerëve dhe sjelljes së mirë sociale, njeriu mund të fitojë Xhennetin (duke pasur paraprakisht qëllime të tilla). Në këtë kuptim, kjo shënon një motiv shtesë për rindërtimin e sjelljeve sociale. Thotë Allahu xh.sh. në Kuran: "Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skam je, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit."(4)


Besimi në botën tjetër motivim ndaj sfidave dhe sprovave të dynjasë


Në konceptin fetar islam, sfidat dhe sprovat janë një testim që u bëhet besimtarëve për të shpalosur ata besimin e tyre ndaj Zotit Fuqiplotë dhe për të demonstruar fuqinë shpirtërore për ballafaqim me atë që vjen nga ana e Krijuesit. Ky testim është i atillë që besimtarin e radhit në taborin e durimtarëve dhe të të shpëtuarve, varësisht nga perceptimi dhe sjellja në raport me sprovën. Besimi se në botën tjetër do të shpërblehet durimi ndaj sprovave apo do të fshihet "sevapi" që do të fitohej përmes sprovës, mo tivon besimtarët që të jenë të durueshëm dhe t'i tejkalojnë sfidat me një bindje të fortë në atë që qëndron mbi sprovën dhe tej sprovës.(5)
Pa një sprovë të tillë nuk do të ar rihej shpërblimi i madh në botën tjetër në saje të përballimit të tyre me durim, siç thotë Allahu xh.sh. në Kuran: "Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, por ti përgëzoji durimtarët. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: "Ne jemi të Alllahut dhe ne vetëm te Ai kthehemi!" Të tillët janë ata që kanë bekime prej Zotit të tyre dhe mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit."(6)
Pos tjerash, sprovimet e kësaj bote në raport me jetën tjetër sjellin edhe dobi të tjera, si:


• Shlyerje e mëkateve. 
• Ngritje e gradave të xhenetit.
• Shijim i ndjenjës së nevojës për mbështetjen te Zoti i Madhërishëm.
• Hapje e dyerve të pendimit, nënshtrimit dhe përuljes ndaj Tij xh.sh.
• Pasje në kujtesë e njerëzve të sprovuar dhe dhembshuria ndaj tyre.
• Forcim i bindjes në vendimin dhe caktimin e Allahut xh.sh.
• Njohje me realitetin e njëmendtë të kësaj jete.(7)


Besimi në botën tjetër dhe ndikimi i tij në kontekstin psikologjik


"Fundi" në mendimin njerëzor zakonisht mbjell trishtim, frikë e pasiguri, por jo edhe te besimtarët, të cilët një fenomen të tillë e marrin si nor mal. Aq më tepër kur flitet për fund jetësor. Besimi në botën tjetër, si vazhdim i jetës dhe si jetë e pas "dynjasë", motivon një siguri dhe qetësi të rëndësishme për stabilitetin psikologjik.
Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për ve prat e tyre."(8)
Tashmë nuk është frika te "fundi" por te ajo se çka kemi vepruar nga mirësitë për ta fituar shpërblimin e përjetësisë? Besimi në vazhdimësinë e ekzistencës në një trajtë tjetër dhe mohimi i fundit jetësor, është një lloj shprese që lë ndikim pozitiv në mendimin njerëzor.
Shpresa për shpërblimin në ahiret i mundëson njeriut një jetë të qetë e të rehatshme në këtë botë. Ai nuk dëshpërohet nga mos arritja e shijim it të të gjitha të mirave të kësaj bote, duke shpresuar në shpërblimin dhe kompensimin që do t'i dhurohet atij në jetën e pastajme.
Me këtë besim njeriu arrin që të kënaqet me pak. Në fakt mos ngopja është natyrë e njeriut, ngase i tillë u krijua, por kur ai kujton vdekjen dhe fundin, dhe kupton natyrën e kësaj bote ai kënaqet me pak. E kur njeriu kënaqet me pak, e shijon atë që ka, qoftë ajo edhe e pakët.
Duke besuar në një jetë, e cila është e ndërtuar mbi veprën e njeriut në këtë botë, ajo gjithsesi e motivon atë për punë dhe aktivitet.


Besimi në botën tjetër dhe ndikimi i tij në aspektet morale


Morali i njeriut është një nga mënyrat që, në bazë të konceptit fetar, njeriu e fiton ose e humb lumturinë e përjetshme. Nga këtu, ky besim motivon moral të lartë shoqëror duke thirrur në pastërti etike, për të fituar kënaqësinë e Zotit në këtë botë dhe në botën tjetër. Muslimani gjithmonë praktikon normat morale dhe largohet nga ato jo morale nisur nga dëshira për shpërblimin dhe frika nga dënimi i Alla hut. Kur ai pajiset me moral të mirë është i bindur plotësisht se Allahu do ta shpërblejë atë me një shpërblim të madh për këtë. Po ashtu e di se ajo është rruga për në Xhennet. Në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush beson në Allahun dhe botën tjetër le të mos e dëmton fqiun e tij, kush beson në Allahun dhe në botën tjetër le të nderojë mysafirin e tij, kush beson në Allahun dhe në botën tjetër le të thotë të mirën ose të hesht".(9)


___________________________________
1. 75-Kijame: 36.
2. Shih: Abdullah ibn Humejd, "El Iman bil jevmil ahireti ve etheruhu fi hajati el muslimi", Boton: Daru ibën Huzejme, Rrijad, pa vit botimi.
3. El Bekare: 25.
4. El Bekare: 177.
5. Shih: Dr. Jusuf Kardavi, "Durimi në Kur'anin Fisnik", boton Furkan ISM, Shkup 2002, f. 15 - 22.
6. El Bekare: 155-157.
7. http://www.saaid.net/arabic/119.htm.
8. 16-Nahl: 97.
9. E transmeton Buhariu në Sahih, hadithi nr. 5672.


 


 


Dr. Besim Arbanashi
Dituria Islame 337


Artikulli i kaluar
A lexohet pas imamit në namaz?
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

“Origjina e numrave” – arti, matematika dhe shpirtërorja në një ekspozitë