Problemi i shamisë.

Shamia nuk është simbol i grupeve të veçanta. Ajo është pjesë e mbulimit të trupit, është pjesë e rëndësishme e kostumit tonë kombëtar.

Tani problemi i shamisë është bërë problem kronik. Përkrahësit dhe kundërshtarët janë ballafaquar disa herë. Kundërshtarët e vlerësojnë si të vjetërsuar, simbol të fesë Islame e duhet hequr, qoftë edhe me dhunë, qoftë edhe me zhdukjen e tërë myslimanëve të Shqipërisë. Kështu shprehet Andis Gjoni e Kastriot Myftaraj e ndonjë grekoman apo serbomadh.


Ç’është shamia?

Shamia nuk është simbol islam. Feja Islame nuk ka simbol. Simboli është shenjë dalluese nga të tjerët. Myslimanin e dallojnë qëllimet e mira, punët e mira, dashuria për njerëzimin, për jetën në përgjithësi dhe dashuria e përkushtimit për atdheun.
Shamia është pjesë e veshjes siç janë rrobat e tjera. Veshja është domosdoshmëri për njeriun, qoftë grua apo burrë. Pra edhe shamia është domosdoshmëri. Mbulimi i trupit të njeriut ka filluar që me krijimin e tij. Gruaja dhe burri e kanë mbuluar kokën edhe kur kanë jetuar në mal apo në shpella. Ata me degë bimësh bënin mbulesë koke, ashtu siç mbulonin me mjetet e kohës trupin e tyre. Ka qenë porosi e Krijuesit mbulimi.
Mbulimi vazhdon edhe sot, duke iu përshtatur kohës. Mbulimi i kokës, në veçanti për gratë, ka qenë detyrë e domosdoshme edhe para se të vijë profeti Muhamed (a.s.). E kanë mbuluar kokën çifutët, e kanë mbuluar të krishterët, etj.. Edhe sot e kësaj dite ata e mbulojnë kokën. Vëzhgo Nënë Terezën e krishterë, gratë që shërbejnë në Vatikan apo nëpër kisha. Shiko gratë katolike në Shkodëra Mirditë. Të tëra kanë shami. Shiko gratë çifute në Izrael, të cilat lënë pa mbuluar vetëm një sy.
Kokën e mbulojnë edhe gratë myslimane. Pra shamia që vjen nga prehistoria nuk është simbol, por rrobë mbuluese dhe ruajtje e nderit, e seriozitetit të gruas në përgjithësi. Vajzat kanë mbajtur shami me lule, ndërsa gratë shami të bardhë, për të treguar pastërti shpirtërore ndaj burrave të tyre.
Disa mjeranë, patjetër kundërshtarë e, ndoshta të nxitur kundër fesë Islame, kërkojnë të fshehin qëllimet e tyre të vërteta pasi gjoja myslimanët janë në luftë me Amerikën, gabojnë rëndë. As nuk mund të fshihen e as nuk i afron kjo me Amerikën. Amerika ka miqësi të thellë me shumë vende arabe myslimane. Sot, feja Islame numëron rreth 1 miliard e 500 milion besimtarë e, ky numër rritet çdo ditë. Është fe e së vërtetës, e zhvillimit, e prosperitetit, e paqes dhe e mirëqenies, prandaj e njohin, e respektojnë dhe e mbrojnë tërë vendimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe tërë konventat në shkallë botërore.


Ligjet Ndërkombëtare

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor 1948, neni 18) - “Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet, vetëm për vetëm ose bashkërisht, si në publik ashtu edhe privatisht, nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes së riteve.”
Konventa mbi luftën kundër diskriminimit në fushën e arsimit (miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e OKB-së për arsimin, shkencën dhe kulturën, më 04 dhjetor 1960; hyri në fuqi më 22 maj 1962)
Në këtë konventë fjala “diskriminim” përfshin çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë, e cila e bazuar në racën, ngjyrën…fenë e që ka për qëllim të prishë barazinë e trajtimit në lëmin e arsimit…

a) Të ndalojë që një person ose një grup të ketë të drejtë të frekuentojë ciklet e ndryshme të arsimit;
b) Të kufizojë në një nivel të ulët arsimimin për një person, ose për një grup personash;
c) Të vërë një person ose një grup në një pozitë të papajtueshme me dinjitetin njerëzor;

Në këtë konventë fjala “arsim” ka parasysh të gjitha ciklet e ndryshme të arsimit dhe përfshin frekuentimin etj.

Neni 9: “Nuk pranohet asnjë rezervë ndaj kësaj konvente”.
Deklarata mbi eliminimin e të gjitha formave të intolerancës dhe të diskriminimit në fenë ose bindjen (shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me 25 nëntor 1981, rezoluta 35/55)

Neni 1: Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë.

Neni 2: Askush nuk mund të bëhet objekt diskriminimi nga një shtet, nga një institucion, nga një grup apo individ i çfarëdoshëm për arsye të fesë, ose të besimit të tij.

Neni 3: Diskriminimi midis njerëzve për arsye feje ose besimi përbën një fyerje të dinjitetit njerëzor dhe një mohim të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ai duhet të dënohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të shpallura në Deklaratën Universale të Njeriut…

Neni 4: Të gjithë shtetet do të marrin masa të efektshme për të parandaluar dhe eliminuar çdo diskriminim të bazuar në fenë ose besimin lidhur me njohjen, ushtrimin dhe gëzimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore në të gjitha fushat e jetës…

“Të gjithë shtetet duhet të përpiqen të marrin masa legjislative ose do të mbështeten në ato që janë në fuqi, sipas rasteve, me qëllim që të ndalojnë çdo diskriminim të kësaj natyre, si dhe të marrin të gjitha masat e përshtatshme për të luftuar intolerancën e bazuar në fenë ose besimin përkatës.”

II

Kushtetuta jonë (e Republikës së Shqipërisë): Hartuesit e Kushtetutës sonë janë bazuar në këto urdhëresa e konventa ndërkombëtare të dala nga OKB dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Neni 24: 1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar; 2. Secili është i lirë të zgjedhë fenë e tij si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.”

Neni 15: “Të drejtat dhe liritë themelore janë të pandalshme, të patjetërsueshme dhe qëndrojnë në themel të gjithë rendit publik.”

Neni 18: “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për bindjet fetare.”

Neni 10: 2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike… 4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.”

III

Ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella (ligji 10056, dt. 22/01/2009, shih Fletoren Zyrtare nr. 7, 04 shkurt 2009)

Neni 1: “Kjo marrëveshje rregullon çështje të bashkëpunimit e marrëdhëniet midis tyre mbi bazën e parimeve kushtetuese që garantojnë lirinë e shfaqjes dhe të ushtrimit të fesë dhe të bindjeve fetare, si dhe dëshirës së përbashkët për të forcuar e zhvilluar marrëdhëniet e ndërsjella.”


A është shamia simbol fetar?!

Feja Islame nuk ka simbol dallues. Pra as shamia është simbol dallues islam, siç është kryqi për të krishterët. Shamia është pjesë e rrobës që mbulon trupin për gratë. Për të mbuluar kokën e kanë mbajtur të gjithë në mijëra vjet, e kanë mbajtur çifutët, e kanë mbajtur budistët, e kanë mbajtur të krishterët, e kanë mbajtur edhe myslimanët. Ajo është nevojë dhe mbrojtje e ndershmërisë. Të gjithë e mbajnë edhe sot. Gjithashtu me forma të tjera e mbulojnë kokën edhe sot gjykatësit, ushtarakët (në ushtri dhe polici), e mbajnë kuzhinierët për shenjë pastërtie. Hidhini një sy Nënë Terezës dhe motrave në Vatikan, apo nëpër kisha. Me rastin e Pashkëve ortodokse edhe gruaja e presidentit rus Medvedev, u prezantua me dinjitet me shami në kokë. Shamia është mbrojtje nga mendimi i keq, syri i keq dhe agresori, që kërkon të poshtërojë e dhunojë femrën.
Filozofë e shkencëtarë janë prononcuar për problemin e shamisë dhe ka prej tyre që quajnë moshë pjekurie mendore moshën 20 vjeç. Nuk na vjen çudi, sepse politika na ka mjegulluar mendjen. Pjekuria mendore fillon herët, shumë herët, që kur fëmija fillon të vërejë e të perceptojë. Por mosha kur arrin standardi fillon me fillimin e pubertetit e zhvillohet shpejt deri në pjekurinë e plotë, pra në moshën 9-15 vjeç. Andaj adoleshentët e quajnë veten të burrëruar dhe të pjekur për të vepruar të pavarur. Zotërinj, ju keni shkruar se këtë moshë duhet ta lëmë individin të vetëveprojë. Tani, pse mohoni shkrimet tuaja?! Apo e keni vetëm me shaminë islame dhe harroni se kjo shami ka qenë kombëtare para ardhjes së fesë Islame në vendin tonë, është dhe, pavarësisht nga lufta që i bëni ju fesë Islame dhe myslimanëve, ajo do të marrë jetë nga myslimanët e ju kurrë nuk do të mund t’u nxirrni nga shpirti myslimanëve ndjenjat kombëtare.
Në Shqipëri, si kudo në botë, shamia është mbajtur në mijëra vjet. Ajo është mbajtur nga pellazgët, nga ilirët, nga arbëreshët, mbahet edhe nga ne. Shamia, në tërë historinë e popullit tonë, ka qenë pjesë e kostumit kombëtar e, ne myslimanët, jemi mbajtës dhe ruajtës besnikë të këtij kostumi dhe të traditës sonë kombëtare. Lufta kundër shamisë është luftë kundër pastërtisë së gruas, është dëshirë për t’i zhveshur gratë deri në nudo, për t’i poshtëruar ato, për t’i vënë në vitrina. Lufta kundër shamisë është edhe luftë kundër trashëgimisë sonë kombëtare, për ta zhveshur kombin tonë nga e kaluara e tij krenare. Lufta kundër shamisë është luftë kundër nderit, është luftë kundër trashëgimisë kombëtare, që avash-avash të zbehet kostumi kombëtar aq domethënës për ruajtjen e historisë dhe të traditave të kombit tonë, shkurt është zhveshje e identitetit të popullit tonë.
Le të mos i duket pak askujt heqja e shamisë. Për arsyet që përmendëm më sipër, heqja e saj është dënuar e paguar shtrenjtë. Kush hiqte shaminë nga koka e gruas, kush hiqte (sherveten) ose qeleshen nga koka e burrit, dhunonte nderin dhe kombësinë, andaj paguhej deri me kthim në miqësi (martohej me vajzën), ose me gjak. Ju zotni ministër, këtë vlerë mijëra vjeçare e fshini me një majë lapsi, kur atë nuk ka mundur ta asgjësojë as pushka.
Vendi ynë ndodhet në qendër të rrethit që rrethohet nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Italia dhe Greqia. Të tëra e mbajnë shaminë. Shamia nuk nëpërkëmbet as në Amerikë, Angli, Gjermani, Rusi, etj. Në Amerikë edhe në Selinë e Kongresit Amerikan, ka gra me shami në kokë.
Në shtete të Evropës po fusin edhe mësimin e fesë në shkolla, kurse ju merreni me shaminë, sikur nuk keni punë tjetër. Këto akte vandale ndodhin vetëm në vendin tonë. Në shkolla, institucione shtetërore apo media nuk është diskutuar problemi i mbajtjes së kryqit, i cili është vërtet simbol kishtar. Për ne myslimanët nuk ka asgjë të keqe. Aspak nuk i kemi zili.
Sot, kryqe mbahen në shkolla nga nxënës dhe mësues, kryqe mbahen në prezantimet televizive, në teatro, estrada, nëpër zyra, etj. Bluza e këmisha me kryqe mbahen kudo. Kryqe ka edhe nëpër libra jashtëshkollorë për fëmijë e të rritur. E për të gjitha këto askush nuk shqetësohet. Kundërshtarët e shamisë i fyejnë myslimanët se shamia qenka injorancë, kthim prapa etj., ndërsa lakuriqësia deri në nudo qenka civilizim! A harrojnë se feja Islame në botë hapi horizonte e rrugë për ta studiuar, për ta njohur e për të marrë sa më shumë nga botërat për jetën e njerëzimit?
Kujtoni pse ideologët e revolucionit borgjez të vitit 1789 vendosën ta ndajnë shtetin nga feja?
Aspak nuk bëhet fjalë për fenë Islame. Jam i bindur se mjafton edhe kaq për të ruajtur më tej seriozitetin tonë. Pse kërkojnë t’i fyejnë myslimanët shqiptarë si “al-kaidas”, e kjo pse thonë “jemi shqiptarë, nuk jemi grekë, nuk jemi serbë, nuk jemi bullgarë, nuk jemi turq!” Ne kemi mbajtur peshën kryesore dhe udhëheqëse në luftën për liri dhe për pavarësi. Ne jemi shumica e popullsisë shqiptare. Ortodoksët e katolikët kurrë nuk do të siguronin pavarësinë e as lirinë të vetëm.
Mos na ndani zotërinj! Mos na detyroni, mos bëhi nismëtarë të prishjes së tolerancës ndërfetare, aq të shtrenjtë për popullin tonë. Ne kemi bërë gjithçka që ta ruajmë bashkëjetesën.


Ç’është laicizmi?!

Çudi me gazetarët. Ka prej tyre që nuk njohin akoma gjuhën shqipe. Në fjalorin e gjuhës shqipe sqarohet dukshëm kuptimi i fjalës “laike” = “që nuk është fetar e kishtar, që nuk ka përmbajtje fetare, që nuk merret me fenë, që nuk i përket fesë dhe klerit”. Siç shihet, bëhet fjalë për fenë e krishterë. Në Revolucionin Borgjez Francez të vitit 1789 kontradiktat ishin me kishën e, prandaj e larguan nga pushteti. Nuk duhet abuzuar me fjalën “fe”. Secila fe ka specifikën e saj. Sa i përket programit shkencor të shkollës nuk ka asnjë problem me fenë Islame. Shkenca është bijë e fesë Islame. Feja Islame i hapi asaj horizonte pa kufij për të njohur tokën e kozmosin e për t’i vënë ata në shërbim të njeriut e, shkenca, çdo ditë e më tej, bëhet vërtetuese e thënieve të Kuranit të shpallur 1400 vjet më parë. Kështu do të jetë gjithmonë. Shamia nuk i sjell asgjë të keqe shkollës. Nxënëset me shami janë shembullore në sjellje, në të mësuar, janë vajza të edukuara dhe larg plagëve që po rrënojnë themelet e shkollës sonë, që po shkatërrojnë jetën e fëmijëve e të të rinjve. Ja disa nga plagët e shkollës sot e që duhet të shqetësojnë këta mësues, gazetarë e qeveritarë:

-Rritja e analfabetizmit;
-Shkëputja nga shkolla para kohës së mbarimit të saj;
-Përgatitja e dobët ditore e nxënësit dhe e mësuesit;
-Mosruajtja e figurës morale të mësuesit;
-Droga në shkolla që me fillimin e adoleshencës;
-Duhani për djem e vajza;
-Celularët në orët e mësimit;
-Korrupsioni për notat etj.

Një gazetar (Sokol Balla) në Top Channel tha se vajzat me shami po sfidojnë ligjin. Kush po i sfidon ligjet kombëtare e ndërkombëtare?!
Gazetarët dhe ata që largojnë vajzat nga e drejta për të vazhduar shkollën. Ne myslimanëve na takon e drejta t’u drejtohemi personave që sjellin shqetësime serioze dhe gazetarëve: “Zotërinj, i zgjidhni së pari problemet që po shkatërrojnë e degradojnë shkollat e pastaj merruni me veshjen e zhveshjen e vajzave myslimane dhe të tjerave!”


Rregulloret e shkollave

Meqë nuk kanë asnjë bazë ligjore, kuadrot që përzënë nga shkollat vajzat me shami në kokë, disa kuadro drejtues dhe disa gazetarë justifikohen se mbështeten në rregulloren e shkollës.
Së pari, nuk ka rregullore shkollash që nxënëset t’i largojnë nga shkolla pa vendime të shkruara dhe asnjë vajze a prindi, nuk i është dhënë vendim përjashtimi. Ky veprim është i dëmshëm e i dënueshëm.
Së dyti, për të hartuar një rregullore shkolle duhet mbështetur në ligjet kushtuese, prej të cilave dalin tërë ligjet e urdhëresat e dikastereve të shtetit. Si bëheshka rregullorja e shkollës në kundërshtim me vendimet e konventat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në kundërshtim me vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit tonë?! Këto rregullore janë të pafuqishme dhe të dënuara. Ligji i një shteti ligjor të zbatohet për të gjithë pa përjashtim.


A ka racizëm në trajtimin e çështjes së shamisë?
Kush janë racistët?
A duhen lejuar?

Shamia është pjesë e veshjes, e mbulimit të trupit. Në mijëra vjet e kanë mbajtur të gjithë. Gjoja në emër të civilizimit disa e kanë hequr, të tjerë vazhdojnë ta mbajnë. Zhveshja për ne myslimanët nuk është civilizim. Sot quajnë civilizim të zhvishet gruaja e të vishet burri me veshje hermetike, duke filluar nga kollarja e deri tek këmbët.
Ndërsa gruaja të hapë kraharorin për të bërë publik gjoksin e zhveshur në atë mënyrë që të tërheqë sa më shumë shikues dhe, domosdo, simpatizantë të shumtë. Një grua, që mbante në shtëpinë e saj pesë vajza kundrejt qirasë, tha: “Vitin tjetër do t’i largoj. Po më prishin fëmijët. Ato vetëm 30 minuta mësojnë, ndërsa 3 orë rregullojnë flokët, vetullat e sytë.”
Burri t’i zgjasë pantallonat deri në fundin e këpucëve, ndërsa gruaja ta shkurtojë fundin deri edhe 10-20 cm mbi gju. Burri të mos përdorë makiazh, të jetë sa më natyral, ndërsa gruaja të tjetërsojë veten, duke përdorur ngjyra, pudra e pomada të shumta. Pse civilizim është ky?! Lufta kundër shamisë bëhet në emër të këtij civilizimi.
Kur veçon në kundërshtim me gjitha ligjet ndërkombëtare e kombëtare, kur i shpall luftë të hapur atij/asaj që kërkon të jetojë sipas ideologjisë së vet e të pranuar nga të gjitha institucionet, deri në OKB, do të thotë se bën luftë raciste dhe, shteti, shoqëria e shëndoshë, intelektualët e mirëfilltë duhet t’i dënojnë këta racistë të mbrapshtë.
Këta kundërshtarë e kanë provuar veten edhe në çështje të tjera se janë shqetësues në shoqëri dhe kanë qëllime të errëta, që çojnë në prishje qetësie, në intolerancë, në degradim moral, janë edhe antikombëtarë. Me këtë lloj “civilizimi” që kërkojnë këta njerëz, a është e nderuar gruaja?!
Dëshirat e këtyre njerëzve e çojnë gruan deri në diskriminim të plotë. Shenjat e këtij diskriminimi sot janë më të dukshme e më të qarta se në çdo kohë tjetër. Gruaja sot është e detyruar të punojë më shumë se burri. Ajo punon në zyrë e prodhim. Edhe në shtëpi ajo është e detyruar t’u shërbejë fëmijëve, të moshuarve dhe burrit. Të vështirë e ka. E fillon punën më herët e shkon të flejë më vonë. Zhveshja deri në nudo dhe e pëlqyer nga këto grupe njerëzish e bën atë mall vitrine, e nxjerr në pazar për të vlerësuar pjesë të trupit të saj ose të tërën. Për të ngrihen lokale të veçanta, shtëpi publike, për të tregtuar trupin e për ta bërë atë mjet jetese.
Zëvendësimi i gruas me burrin e bën gruan të pavlefshme për rolin që i ka caktuar Krijuesi për shtimin e njerëzimit, e çon njerëzimin drejt zhdukjes. Gruaja, që është kombinati i shtimit të njerëzimit, bëhet tankiste apo pilote për të shfarosur atë që ka lindur vetë, pra të zhdukë qenien e saj.
Trafiku i vajzave dhe i grave është veprim diskriminimi për gruan. Të tëra këto janë dëshira të atyre që kërkojnë ta shohin gruan pa shami e të zhveshur deri në nudo, prandaj e luftojnë shaminë dhe veshjen islame.
Të tërë këta precedentë duhen ndaluar e duhen luftuar që të mund ta ruajmë e ta rrisim personalitetin e gruas, që ajo ta kryejë detyrën e saj si pjesëtare e denjë e njerëzimit, si gjysmatare në të tëra aspektet e jetës. Hiqni nenin 36 (pika 4) të projektligjit. Nuk do të miratohet e as nuk do të zbatohet.
Zotni ministër, zotërinj të thurjes së këtij neni, vitin që kaloi Kryeministri është informuar për problemin e shamisë dhe publikisht është prononcuar: “Pse, për një shami t’i largojnë vajzat shembullore nga shkolla?!” A thua edhe ju keni vendosur t’i kundërviheni?! Gaboni rëndë zotni ministër dhe stafi hartues i këtij neni! Regjimi i Enver Hoxhës ndaloi fenë, por shaminë nuk e hoqi nga koka e gruas. Janë të gabuara-heqja e shamisë, dënimi i myslimanëve, koha e zgjedhur prej jush. Sipas mendimit tonë: Ju, për fenë Islame, por edhe të qeverisjes suaj, tregoheni të pakujdesshëm. Myslimanët nuk do ta zbatojnë.



Ahmet Çaushi
Myfti i Zonës Dibër
Drita Islame