OH “Kalliri i Mirësisë” arriti që me sukses te realizojë kampin veror rekreativ-edukativ, në të cilin morën pjesë mbi 40 jetimë dhe të rinj
Kampi u mbajt në Strugë gjatë periudhës 05-09 korrik 2011.
Kampi me moto “Për një rini aktive dhe humane” kishte për qëllim që pjesëmarrësve t’u ofrojë një program të begatshëm, në të cilin pos ligjëratave dhe prezantimeve të figurave të njohura kombëtare dhe fetare, të përpunuara në grupe punuese, pjesëmarrësve iu ofrua edhe një laramani e aktiviteteve të lira si: not, turnir në futboll dhe vizita e qyteteve të Strugës dhe Ohrit.
Në këtë kamp theks të veçantë iu dha aktivizimit të të rinjve nëpërmjet grupeve punuese, me ç’rast të rinjtë paraqitën punimet e tyre lidhur me dy tema:
1. Disa nga vetitë e dobëta morale te të rinjtë.
2. Format e aktiviteteve humane që mund të realizojnë të rinjtë.
Para përmbylljes së kampit u realizua edhe një program solemn dhe argëtues, si dhe u shpërndanë edhe mirënjohje për pjesëmarrësit e kampit, të cilët dolën mjaft të kënaqur nga ky aktivitet i realizuar nga OH “Kalliri i Mirësisë”.