Për shekuj me radhë anëtarët e familjes Nuseibeh, çdo ditë, dy orë pas perëndimit të diellit, i mbyllin dyert e kishës dhe i hapin ato para agimit.
Festimi i krishtlindjeve është një ditë e madhe në, ndoshta kishën më të shenjtë krishtere, bazilikën e varrit të shenjtë. Por, për të parandaluar incidentet në mes të anëtarëve të kishave të ndryshme krishtere, çelësat gjenden në duart e një muslimani.
Familja Nuseibeh ka jetuar gjithmonë në Jerusalem. Ata janë muslimanë, në atë qytet kanë jetuar që prej kohës kur ka jetuar edhe Muhamedi a.s. Ata mbajnë çelësat e bazilikës së varrit të shenjtë, vend ku thuhet se u varros Krishti. Për shekuj me radhë familja Nuseibeh, çdo ditë, dy orë pas perëndimit, i mbyllin dyert e kishës dhe i hapin ato para agimit.
Sot, Wajih Nuseibeh është njeriu i cili i mban çelësat e bazilikës dhe kujdeset për te. "Kjo është një punë që është trashëguar nga i ati tek i biri, që nga koha kur muslimanët së pari e pushtuan Jerusalemin në shekullin e shtatë. Megjithatë, ne këtë e bëjmë për më shumë se 1300 vjet, por ka pasur edhe ndërprerje, një periudhë prej 88 vitesh, kur kryqtarët sundonin Jerusalemin në shekullin e 12-të", thotë Nuseibeh.
Nga i ati tek i biri
Është traditë që kreu i familjes ta ruaj kishën, por kjo s’do të thotë se djali i madh duhet të presë derisa t’i besohet kjo punë. Kohë më parë, Wajih ka punuar diçka krejtësisht tjetër, ai ka shitur aparate elektrike, edhe djali i tij, i cili pritet ta trashëgoj këtë detyrë, punon si floktar. Kur ta marrin këtë detyrë, nga ata kërkohet një përgjegjësi e madhe, për faktin se ata tani jetojnë jashtë qytetit të vjetër, ku gjendet bazilika. Kjo do të thotë se ata duhet të zgjohen shumë herët për ta hapur në kohë kishën: "Ndonjëherë duhet të zgjohem para orës katër të mëngjesit, por e tillë është jeta. Kur shohim se njerëzit janë të lumtur, kjo na gëzon. Dhe sigurisht, Jezusi nuk ka jetuar vetëm për të krishterët, por për të gjithë njerëzit. Muslimanët besojnë se ai ishte një nga Pejgamberët e Zotit", thotë Wajih.
Kush e mbikëqyr kishën?
Ati Dergus Clarke është një prift françeskan, që jeton në kishë: "Në kohën kur kjo ka ndodhur, muslimanët kërkuan të tregojnë superioritetin e Islamit ndaj Krishterimit. Kjo është arsyeja pse ata ia dhanë çelësin familjes muslimane dhe i mbyllën të gjitha dyert - përveç atyre që ata i mbikëqyrnin. Me këtë ata kontrollojnë portën kryesore të kishës më të rëndësishme krishtere", tha prifti.
Por, ka edhe një arsye tjetër: vërtetë kjo kishë është shenjtëria më e madhe e besimtarëve të krishterë, por një numër i kishave pretendon se ajo është e vetmja dhe e vërteta. Në këtë kishë në Jeruzalem, koha është ndalur shekuj më parë, kështu në te jetojnë përfaqësuesit e gjashtë kishave të besimit të krishterë: Kisha Katolike, ortodoksët grekë të patriarkatit të Jerusalemit, kisha lindore ortodokse Armene, si dhe koptët, etiopianët dhe sirianët.
Më mirë i huaj se "vëllai"
Edhe pse ata të gjithë me shekuj jetojnë nën të njëjtën çati, është pothuajse e pamundur t’i bindësh të gjithë ata të dakordohen rreth gjërave banale, riparimeve të vogla në kishë, madje edhe rreth çështjes se kush duhet ta pastroj kishën. Dhënia e çelësit të kishës njërit prej tyre hap mundësinë e madhe që përfaqësuesit e kishave tjera të krishtere të mbesin pas dyerve të mbyllura.
Wajih Nuseibeh pothuajse çdo ditë përballet me këtë problem, prandaj edhe ankohet: "Çdo grup beson se është pronarë i kishës, dhe nëse ju jeni pronar, atëherë ju mund të bëni çfarë të doni, t’i lëni disa njerëz brenda, e disa jo. E gjithë kjo është e vështirë, shumë e vështirë."
Secila kishë i kryen ritet e saj në të njëjtën kishë dhe shërbesat shpeshherë mbahen në të njëjtën kohë. Ndonjëherë duket sikur njëra kishë dëshiron t’i imponohet tjetrës, por ati Fergus thotë se kjo nuk ndodh me qëllim.
Epilogu jokrishterë i pashkëve të fundit
Por, ky prift françeskan pranon se jeta nuk është e lehtë: "Ne kemi gjashtë grupe të krishtera, unë do të thoja familje, sepse ne të gjithë ndajmë të njëjtin mendim mbi atë se çfarë ka bërë Zoti këtu, kjo është një shenjë e madhe e unitetit, por imagjinoni t’i vënë gjashtë familje në një kuzhinë: ju duhet të keni rregull dhe rend, dhe nëse të gjithë ata festojnë ditëlindjet e tyre në të njëjtën ditë, sigurisht se do të ketë mendime të ndryshme."
Në fakt, kjo bazilikë është unike edhe për faktin se është e vetmja kishë në të cilën adhurohet i njëjti Zot, në të njëjtën kohë dhe nën të njëjtën çati, edhe kisha perëndimore dhe ajo lindore. Por, ato "mendime të ndryshme" ndonjëherë eskalojnë në përleshje të hapura: Gjatë pashkëve, tre vjet më parë, ka pasur një konfrontim mes ortodoksëve greke dhe murgjve armenë, kur mendohej se një bashkësi dëshironte të vijë në kishë në vendin që i takonte bashkësisë tjetër. Epilogu nuk kishte aspak frymë krishtere, dy murgj përfunduar në spital dhe dy të tjerë i arrestoi policia.
Ati Fergus pranon se "nuk ka dyshim se gjëra të tilla ndodhin herë pas here, por neve na vjen turp kur ndodhin. Imagjinoni, këtu 360 ditë në vit mbahen shërbesa fetare, dhe duke pas parasysh dallimet në gjuhë, kulturë dhe qasje ndaj fesë, në fakt është mrekulli që çdo gjë funksionon aq mirë. "
Për këtë kujdeset edhe muslimani, me çelësa në xhep. Prandaj të gjithë përpiqen që besimtarët mos të vërejnë asgjë nga këto mosmarrëveshje.