Me 23 janar 2012, u mbushën plot 21 vjet nga koha kur institucioni zyrtar i Islamit në Shqipëri, Komuniteti Mysliman, mori formë zyrtare dhe nisi misionin e tij në përhapjen e mesazheve të Islamit dhe ngritjen e vetëdijes fetare e kombëtare tek shqiptarët, pasi ishte rithemeluar pak muaj më parë, më 16 nëntor 1990.
Këtu na jepet rasti të kujtojmë me nderim pishtarin e Islamit në Shqipëri, hirësinë e tij, Hafiz Sabri Koçi, si një individualitet që jetën e vuri në shërbim të besimit në Zot dhe në dobi të kombit shqiptar, si dhe të gjithë ata që treguan ndjenjë të lartë fetare e atdhetare në shërbimin e tyre ndaj Islamit dhe shoqërisë shqiptare të paskomunizmit.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion me traditë në Shqipëri, themelimi zyrtar i të cilit daton më 1923 dhe për t’u rihapur më 1990. Ai është një person juridik dhe një bashkësi fetare jopolitike e pavarur nga shteti, ku përfshihen të gjithë besimtarët myslimanë në territorin e Republikës së Shqipërisë që pranojnë parimet themelore të fesë islame.
Në ushtrimin e veprimtarisë së tij, është munduar të përhapë, zgjojë dhe forcojë tek besimtarët myslimanë, besimin islam, të ruaj traditën e trashëguar nga të parët tanë, të mbrojë dinjitetin, të drejtat dhe interesat e myslimanëve, të rrisë e zhvillojë ndjenjën e dashurisë e të besnikërisë ndaj fesë dhe atdheut, si dhe të ruaj e forcojë dialogun mes Komuniteteve Fetare Tradicionale në vendin tonë.
Historia e rithemelimit të KMSH-së
Tymi i zi ateist që kishte pushtuar Shqipërisë për 46 vjet, u shua me sinjalin e parë të hapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër në 16 nëntor 1990. Kjo shkëndijë filloi të përhapet si rrymë elektrike në Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat e në mbarë vendin tonë. Kudo tubime, kudo thirrje për organizim e për ngritje këshillash në rang lagjeje, fshati e qyteti, derisa u krijua një Komision, detyra e të cilit ishte hartimi i një projekt-statuti nismëtar për legalizimin e fesë, gjë që u konkretizua me themelimin e Bashkësisë Islame të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje, disi në ilegalitet, u vendos krijimi i “Bashkësisë Islame Shqiptare” me qendër në Shkodër dhe u krijua kryesia e përbërë nga 20 anëtarë të përkohshëm.
Menjëherë, pa humbur kohë shoqata hartoi 3 dokumente themelore:
1 – Kërkesën për të miratuar shoqatën “Bashkësia Islame Shqiptare”
2 – Statutin e shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare”
3 – Programin e veprimtarisë së Shoqatës
Realizimi i këtyre detyrave, i statutit dhe i programit filloi menjëherë, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, pa pritur ende miratimin e Shoqatës.
Më dt. 23.1.1991, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Kodifikimit lëshon Urdhrin Nr.2/1 për miratimin dhe krijimin e Shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare”.
Ndërkohë që më 14 shkurt 1991 u organizua mbledhja e parë zyrtare me përfaqësues nga të gjitha rrethet, zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” Tiranë.
Në këtë mbledhje, pasi u diskutua gjendja dhe mundësitë, u shtrua për miratim statuti dhe programi i Bashkësisë Islame nën emrin tashmë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me kryetar Hafiz Sabri Koçin.
Ishte një barrë e rëndë dhe e vështirë në kushtet e krijuara, pas një periudhe kaq të gjatë kohe, qoftë në aspektin material, ashtu edhe në atë moral. Nuk kishte fonde, mungonin ambientet ku do të kryheshin ritet dhe shërbesat fetare, nuk kishte asnjë qendër a zyrë prej nga ku do të lëshoheshin udhëzimet organizative; ishte vetëm vullneti Zotit pastaj dëshira e mirë e grupeve nismëtare në qendër e në rrethe për ta parë fenë edhe një herë të funksionojë lirisht e pa ndrojtje.
Në çdo rreth u caktuan myftinjtë përgjegjës për veprimtarinë fetare në juridiksionin e tyre dhe në qytete e fshatra imamë e myezinë, që të drejtonin lutjet e përditshme fetare.
Në maj të vitit 1993 u bë tubimi i Këshillit të Përgjithshëm që përfaqësonte gjithë vendin. Me këtë rast u shqyrtua statuti i Komunitetit Mysliman dhe u bënë ndryshimet e nevojshme.
U riorganizua sistemi i medreseve, zyra e shtypit, përbërja e redaksisë së gazetës “Drita Islame”, që kish nxjerrë numrin e saj të parë në janar 1992.
Dalëngadalë feja filloi të zërë vendin që i takonte në shoqërinë shqiptare. Paralelisht edhe Komuniteti Mysliman ndërmori një rol aktiv në jetën social-kulturore të vendit.
Komuniteti Mysliman sot është institucioni zyrtar juridik i njohur nga shteti si përfaqësues i mbarë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë. Ai e ka shtrirë aktivitetin e tij në të gjithë territorin e Republikës me strukturat dhe institucionet e tij.
Duke parë zhvillimet globale dhe ato në Shqipëri, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në këto 21 vite ka treguar një kujdes të veçantë ndaj arsimit dhe formimit të brezave të rinj. Një nga treguesit më objektiv dhe më të qartë të këtyre strategjive që ai ka ndjekur, është edhe modeli i medreseve të Shqipërisë, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë elementë të edukuar me frymën fetare dhe patriotike dhe nga ana tjetër të formuar me dijet e shkencës dhe teknologjisë. Ky formim u hap dritaret e botës përreth këtyre intelektualëve të ardhshëm, si individë premtues për veten dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
Për të plotësuar ciklin e vet arsimor Komuniteti Mysliman i Shqipërisë themeloi më 15 shtator 2010, Universitetin “Bedër”, duke u kthyer në një qendër e promovimit të vlerave unikale të vendit tonë. /kmsh/