Reagim - lidhur me fyerjet qe ndodhën gajtë “Festivalit të Vevçanit”

Forumi Rinor Islam në Maqedoni dënon ashpër fyerjet të cilat iu bënë fesë islame dhe muslimanëve nga disa persona (apo grupe) të pandërgjegjshëm që duan të prishin marëdhëniet e mira ndërfetare në mesin e popullatës së Maqedonisë e që kanë qenë shembull për rajonin dhe duhet të vazhdojnë të mbeten si të tilla.

Për ne është e papranueshme çdo lloj fyerje dhe urrejtje ndaj fesë islame dhe ndaj çdo feje tjetër, duke u tallur me parimet dhe normat themelore të feve, sepse aktet e tilla të papërgjegjshme mund të shpiejnë deri në probleme dhe incidente të paparashikueshme, që do ta dëmtonin në masë të madhe harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyeshme disa shekullore në këto troje. Gjithashtu I njoftojmë të gjithë ata qëllimkëqinjë se feja islame është shumë larg nga etiketimet e tilla banale dhe keqëdashëse. Pamjet dhe skenat që u shfaqën në Festivalin e Vevçanit ishin tronditëse, shokuese dhe joetike, e më e keqja është se ky festival financohet nga Ministria e kulturës, para këto që mblidhen edhe nga tatimpaguesit muslimanë të këtij shteti dhe ky institucion nuk e pa të arsyeshme të dalë me reagim apo ndonjë formë tjetër të mospajtimit me veprimet e paraqitura në këtë eveniment të turpshëm.
Kërkojmë që organet shtetërore të marrin masa adekuate, e në veçanti nga Ministria e Kulturës që të distancohet nga këto akte dhe të kërkojë që të ndërprejë finansimin e këso lloj aktivitetesh që fyejnë të tjerët dhe ndjellin urejtje ndërfetare. Njëherit kërkojmë nga organet e rendit që të marrin masat e duhura për iniciatorët e këtij incidenti që para syve të opinionit publik e çka është më e keqja në mesin e fëmijëve paraqesin pamje që nuk përkojnë me moshën e tyre.
Forumi Rinor Islam do të promovojë në vazhdimësi vlerat e mirëfillta islame dhe njerëzore, si dhe do të ngrejë çdoherë zërin kundër “vlerave” çoroditëse që mundohet t’i imponojë dikush duke fyer mbi parimet dhe identitetin e tjetrit. U bëjmë thirje edhe përfaqësuesve të muslimanëve që kanë marrë votat e popullatës muslimane në vend që të dalin publikisht dhe të kërkojnë llogari për këto raste, sepse ky është obligim i tyre moral dhe njerëzorë.



Forumi Rinor Islam
Shkup, 26.01.2012
Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë FRI-së