Panair islam në Medresenë e Tiranës

Medreseja e Tiranës ka organizuar sot në ambientet e saj panairin e shkencave islame. Ky panair që është i vetmi në llojin e tij organizohet çdo vit në përfundim të vitit shkollor ku nxënësit prezantojnë punimet e tyre të ndryshme para prindërve, mësuesve e bashkëmoshatarëve të tyre.

Në këtë panair ishte i pranishëm edhe kreu i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça, funksionarë të tjerë të lartë të KMSH-së, myftinjtë e të gjithë rretheve si dhe imamë e besimtarë të shumtë të kryeqytetit.
Nxënësit paraqitën punime në miniaturë të bëra vetë apo dhe në bashkëpunim me mësuesit e tyre, që nga punime në allçi, dru e gurë, si: çezma e abdesit, shpella Hira, lufta e Bedrit, Uhudit, Hendekut, pamje të Qabes, xhami të ndryshme, etj. Nxënësit u shpjegonin të pranishmëve secili nga një pjesë të historisë dhe mesazhet që përfaqësonin punimet në fjalë.
Gjithashtu në panair ishin paraqitur edhe ushqime që përmenden edhe në Kuran si mjalti, mishi, peshku, qepa, kungulli, thjerrëza, ulliri rrushi, etj. Ndërkohë që vizitorët shkonin afër tryezave të produkteve, nxënësit u shpjegonin atyre vlerat ushqyese dhe kurative të këtyre produkteve, duke theksuar se ato përmenden në Kuran dhe se janë përdorur edhe nga profeti Muhamed a.s.
Më pas për pjesëmarrësit u dha një program special në sallën e konferencave, ku nxënësit kënduan ilahi, recituan dhe aktruan përmes skeçeve domethënëse, përçuese të moralit islam dhe vlerave njerëzore.
Atmosfera e këtij panairi vazhdoi edhe me këndimin e Kuranit në xhaminë e medresesë. /Drita Islame/