Të dielen mbrëma u mbyll edicioni i 15-të i Panairit të Librit, i cili shënoi një përfaqësim dinjitoz të botuesve shqiptarë dhe një numër rekord vizitorësh në pesë ditët e organizimit të tij.
Këtë vit në panairin e librit ka marrë pjesë edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me një larmi botimesh në gjuhën shqipe, që i kanë ofruar lexuesit shqiptar tematika me mjaft vlera.
Ndër botimet e reja për të cilat ka patur edhe më shumë interes kanë qenë: Enciklopedia e parë e Komunitetit Mysliman, “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”; Revista shkencore “Zani i Naltë” e themeluar pas disa dekadash shkëputje; Vëllimi i dytë i buletinit, apo vjetarit “Aktivitete të KMSH-së 2011-2012”, i cili këtë vit vjen i dyfishuar me aktivitete; Revista “Drita Islame”, e cila pas 20 viteve si gazetë, këtë vit ka ardhur para lexuesit shqiptar si një revistë mjaft tërheqëse dhe familjare; Libri “40 hadithe mbi moralin”; Libri “Argumentet e namazit”, si dhe shumë libra të shtëpive të ndryshme islame nga Shqipëria dhe trevat tjera shqiptare, që këtë vit kanë gjendur vendin e vet në librarinë e parë dhe të vetme zyrtare të KMSH-së “Miqtë e Librit”.
Sipas Drejtorisë së Kulturës në KMSH, këtë vit ka patur një rritje të konsiderueshme të interesit për librin islam, sidomos nga të rinjtë.
Në edicionin e 15-të të Panairit të Librit mbi 100 botues nga treva të ndryshme shqiptare, por edhe universitete dhe shtëpi botuese të huaja kanë ekspozuar në Pallatin e Kongreseve mbi 60 mijë tituj botimesh, ndër të cilët 1500 të rinj. Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese dhe sallat e konferencave u zhvilluan më shumë se 60 promovime autorësh e librash të rinj, ndërkohë që në serinë e aktiviteteve nuk munguan diskutimet mbi tema profesionale, për komunikimin, konferencat, apo dhe ekspozetë, përfshirë edhe atë që Shoqata e Botuesve Shqiptarë kishte parashikuar në këtë vit të 20 vjetorit të saj. I shtrirë në të tre katet e Pallatit të Kongreseve, me një pjesëmarrje më të madhe se asnjë vit tjetër, në këtë edicion panairi ka zënë një sipërfaqe prej 1800 metrash katrorë.
“Asnjë veprimtari tjetër kulturore nuk arrin të mbledhë e të tërheqë me mijëra propozime leximi, pra kulturore pothuajse 100 mijë vizitorë që kemi parë këto 5 ditë në Pallatin e Kongreseve”, tha kryetari i shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri. Gjatë pesë ditëve Panairi i Librit u vizitua nga më shumë se 100 mijë vizitorë, u bënë më shumë se 80 veprimtari librore, u shitën më shumë se 600 mijë libra. Vizitorët kryesisht ishin nga qyteti i Tiranës, por kishte edhe mijëra lexues, të organizuar ose shoqërisht e familjarisht të ardhur jo vetëm nga Durrësi, Shkodra e Korça, nga Prishtina e Tetova, nga Gjakova e Shkupi, por deri edhe nga Italia e Greqia. /Drita Islame/