“Zoti nuk e ndërron gjendjen e një populli, përderisa ai popull
nuk e ndërron gjendjen e vet...” (Er-Rrad, 13).
Sot, në kohën e rrjedhjes dinamike të gjërave, në kohën e kalimit të çështjeve, dukurive, gjendjeve, trendeve a kaheve nga një skajshmëri në skajshmërinë tjetër, përkatësisht nga një ekstrem në ekstremin tjetër, në mjedisin tonë ndodhin gjëra, dukuri a fenomene (në kuptimin negativ të fjalës), të cilat fare pak ose, thënë më mirë, hiç nuk na e tërheqin vëmendjen, bile për disa as që çajmë kokën, thuajse ato nuk ndodhkan dhe as ekzistuakan, d.m.th. gjërat, dukuritë, posa nxjerrin krye, menjëherë marrin “vizë” pa asnjë problem në shoqërinë tonë, bëhet, si të thuash, një “ambientim” me to dhe më pas ato vërshojnë në segmentet e çdo pori të shoqërisë e përhapen me të madhe e mbijnë tamam si kërpudhat pas shiut, dhe më pastaj nuk ngurrojmë të japim “një mijë e një” argumente se “kjo” madje edhe “kjo” është “traditë” e moçme jona kaherë, por ja që okupimi (siç!) e ka bërë të veten dhe ne tani po e “zbulojmë” - d.m.th. po u kthehemi rrënjëve tona “autentike”... Ç’e do që “argumentet” (u thënçim argumente) nuk pinë ujë dhe janë ndër më anakroniket dhe më të palogjikshmet bërë ndonjëherë.
Në mijëvjeçarin e tretë që tashmë ka vite ta kemi shkelur, ne siç duket vazhdojmë të jetojmë me bagazhin e mykur: assesi t’i hapim sytë dhe të shohim se ja tashmë kanë filluar krimbat ta gërryejnë substancën tonë, për të cilën vetëm një Zot e di se kur dhe ku e ka mbarimin...
Kuptohet dhe është krejtësisht e qartë se okupimi njëshekullor sllav dhe luftërat e fundit në këto hapësira e kanë pasur ndikimin e tyre dhe kanë lënë gjurmë e trauma të pashërueshme dhe plagë të thella, të cilat akoma vazhdojnë të kullojnë gjak...
Por, kjo është nga i huaji, dhe është e qartë se i huaji, përveç gjakut, vdekjes, vajit dhe lotëve, asnjë peshqesh tjetër nuk mund të të sjellë... Mirëpo, kaherë në urtësinë filozofike të popullit është thënë: “Atë që ia bën vetvetes askush nuk mund të ta bëjë” – dhe aty duket sheshazi se fillon rruga e tatëpjetës sonë, që mjerisht kemi filluar ta marrim, druaj se pa kthim...
Ideologjitë e ndryshme e të mugëta, trendet dhe kahet që po vërshojnë me të madhe mbarë globin e po përhapen dita-ditës në çdo rajon të botës, kuptohet që nuk kanë lënë pa prekur as nënqiellin tonë...
“Morali është themeli i kombeve ”
Sot, në kohën e sfidave nga më të ndryshmet, ne, si të thuash, jemi bërë gati një fenomen në vete. Kemi marrë një rrugë që fare s’e dimë ku e ka zanafillën e mos Zot më keq – aq më tepër se ku e ka mbarimin, ose cili është në të vërtetë stacioni ynë i fundit...
T’ia nisim nga shtylla kryesore e një populli: MORALI .
“Morali është themeli i kombeve” - thotë një fjalë e urtë. Derisa në të
kaluarën ne shquheshim për virtyte dhe moral të lartë e të shëndoshë, realiteti jetësor i sotshëm, mjerisht na jep një tablo rrëqethëse: Ajka e kombit, shtylla kryesore që e mban gjallë një popull MORALI - ka pësuar një erozion e lëkundje të rëndë, saqë vetë themelet e ekzistencës sonë janë tronditur shumë. Në mjedisin tonë shfaqen gjëra a dukuri që kurrë nuk kanë qenë traditë jona dhe as që stërgjyshërit tanë kishin njohuri për to...
Për çfarë bëhet fjalë vërtet? Fjala është për dukuri të errëta, që nga dita në ditë, si lumi vërshojnë mes nesh. Ishim dëshmitarë të zhvillimit me të madhe të manifestimeve të ndryshme gazmore gjatë ditëve të verës së shkuar. S’do mend, është e natyrshme që pjesëmarrësit t’i gëzohen gazmendit të tyre dhe të këndojnë e të luajnë, mirëpo ajo që fatkeqësisht na ra në sy dhe tërhoqi vëmendjen tonë, ishte mënyra sesi zhvilloheshin ato manifestime.
Harxhimet e shumta e pa vend në këtë kohë krize globale e skamjeje, defilimet e tyre rrugëve të qytetit si të çoroditur, lakuriq e të zhveshur... Ishin dukuri këto që, për një çast, duhet të na stopojnë, të mendojmë thellë dhe të pyesim ndërgjegjen tonë:
Vallë, a ka qenë traditë jonë që vajza shqiptare-myslimane të ekspozojë trupin lakuriq në mes të rrugës para një turme të tërë njerëzish?
O Zot, o Zot! Brenda natës po na rrënohen vlerat për të cilat dikur mburreshim para botës dhe të tjerët na merrnin si model të paprekshmërisë familjare.
Shundi, kiçi, pseudo-vlera, mediokriteti, ideja e shijimit dhe e konsumimit të gjithçkaje, mania e hapjes para çdo të huaji, - janë gjëra që po marrin hov me të madhe në mjedisin tonë. Lakmia për gjithçka, sa vjen e shtohet, harrojmë të vërtetën:
“Lakmia është një pus pa fund, që e ezauron personin, në përpjekjen e pareshtur për të kënaqur nevojën pa e arritur kurrë kënaqjen.” (Erich Fromm).
Ndjekja e epshit, për të cilin Platoni thoshte: “Valuptas omnium maxime vanilaqua.” (“S’ka gjë më boshe se epshi.”) - është në kulm. Në mjediset tona urbane, dhe veçanërisht në ato rurale (në fshatrat tona) me popullatë puro shqiptaro-myslimane, rendin një pas një (thuaja se garojnë kush më shumë) caffe-baret e natës me “bukuroshet” shqiptare, sllave, aziatike a djalli ta dijë se çfarë janë të cilat u ofrojnë klientëve të vet (të
rinjve tanë) “mish të bardhë”, duke denigruar kështu tërësisht çdo normë,
moral a vlerë jo vetëm kombëtare e fetare, po madje edhe etike njerëzore...
Nuk ka kurrfarë dyshimi se tërë kjo është idiotizëm, çmenduri, destruktivitet dhe dukuri e shëmtuar, do të thosha sui generis. Dhe, gjërat vazhdojnë të ecin me monotoninë e zakontë: Pra, defilimi i vashave
lakuriq rrugëve të qytetit dhe më gjerë, caffe-baret e natës me striptizeta në mes të fshatit - janë “virtyte” tona apo çfarë? E po, ku jeni burra, ku?
“Pra ku jeni, nga shkoni?!” (El-Enfal, 26).
Pra, themeli i popullit: MORALI - është lëkundur thellësisht. Mirëpo, ja që të gjithë heshtim, thuaja se këto që përmenda më lart, po ndodhin diku larg nesh dhe jo aty te rruga, lagjja, te pragu ynë. Heshtim, siç duket harrojmë postulatin: “Heshtja është pajtim (miratim).” Heshtin intelektualët, “truri i kombit” është i “zënë me punë madhore”; lëviz siç duket një hap para e dy prapa mbase është tepër i “zënë” me “fatet
e mëmëdheut” dhe rreh ujë në havan duke debatuar për “shansin a momentin historik të kthimit tek rrënjët, gjegjësisht konvertimin në Krishterim, fenë e të parëve tanë” apo diskutojnë “tragjedinë që i ndodhi popullit tonë që nga dita kur pranoi Islamin-këtë incident tragjik(!)” dhe hedhja gurë e drurë në adresë të Islamit, thuaja se ai na qenka fajtori kryesor për dështimet tona të njëpasnjëshme. Turp i pashembullt që një çetë “intelektualësh” komplet të vihet në krye të një fushate denigruese, përçmuese e të egër kundërislame, d.m.th. “elita” e popullit të shajë, të fyejë e të përbuzë fenë e vet, të mohoj identitetin shpirtëror e kulturor të vetin, sepse, ta sulmosh fenë tënde, d.m.th. të mohosh vetveten tënde dhe të dalësh jashtë lëkurës sate (siç duket ne edhe në këtë aspekt nuk hezitojmë të japim fenomenin e më të çuditshmëve në botë...) Nga ana tjetër, heshtin edhe pedagogët, këta të fundit, të cilët do të duhej të ishin kuruesit e shpirtit, - heshtin...
Heshtin sepse edhe këta merren me “çështje madhore intelektuale” dhe i ka kapluar mania e të qenit në poste (dekanë, rektorë, a kushedi çfarë), heshtin se mjerisht i ka trullosur ‘materialja’ (paraja). Mbase kishte të drejtë bejtexhiu ynë Hasan Zyko Kamberi, i cili para dy shekuj e
gjysmë, fort bukur shprehej në vargjet:
Dhe pashallarë, bejlerë
Edhe avamë të tjerë
Për para apënë krerë
Ja di kimenë parasë
Heshtin, heshtin dhe assesi të luajnë rolin për të cilin edhe janë zotuar se do ta kryejnë: Kahëzimin e drejtë të popullatës...; heshtje pas heshtjeje,
dështim pas dështimi, zhgënjim pas zhgënjimi...E, retë e zeza vazhdojnë edhe më tej ta mbushin qiellin tonë, sipas asaj: Pas stuhisë...përsëri re të zeza...
Ne, mjerisht nga dita në ditë po zhbëhemi, po tretemi dhe rrokullisemi në greminë, thjesht kemi arritur gjer atje sa të mos mund të ndajmë shapin nga sheqeri, të keqen nga e mira. Punët, siç po venë, druaj se të na dalë për të mbarë, asnjë fushë e jetës nuk ka mbetur imune nga sindroma e përçarjes, meskiniteti a pseudovlera, thjesht është ngatërruar lëmshi dhe assesi të zgjidhet...Me te drejtë lind pyetja: Çfarë më tej?
Kuptohet së pari duhet bërë një spiritual catharsis dhe kthim në vetvete, sepse, përndryshe, e nesërmja do të vij gjithqysh, e ne do të jemi ndoshta gjithçka tjetër, po vetëm vetvetja jonë jo...
“Zoti nuk e ndërron gjendjen e një populli, përderisa ai popull nuk e ndërron gjendjen e vet...” (Er-Rrad, 11).
Ky shkrim imi modest nuk pretendon për t’i thënë të gjitha, përkundrazi... Është vetëm një ofshamë, e ofshamës e së sotmes është një paralajmërim i gjëmimit të së nesërmes. “Ndryshoje veten - të ndryshohet historia; Ndryshoni vetvetet tuaja - ta ndryshojë Zoti gjendjen tuaj!” (Jusuf Kardavi).
Dhe, pas tërë kësaj, me të drejtë shtrohet pyetja: E po, ku shkojmë, ku?!...
Ahmed R. Ramadani
DITURIA ISLAME 233