(Intervistë e Dr. Feti Mehdiu dhënë revistës “Flaka”, 11 dhjetor 1999, Shkup)
1. Këto ditë doli nga shtypi botimi i dytë i përkthimit tuaj të Kur’anit në gjuhën shqipe. Ç’risi sjellë ky ribotim?
Botimi i parë i përkthimit të Kur’ani Kerimit që doli nga shtypi në vitin l985, si botim i Bashkësisë Islame në Prishtinë, kishte vetëm tekstin e përkthyer në gjuhën shqipe, nuk e kishte origjinalin arabisht. Kjo trajtohet si mungesë në përkthimet e Kur’anit në gjuhët e ndryshme të botës. Kjo ndodhi si rrjedhojë e frikës së botuesit se nuk do të mund t’i përballonte shpenzimet materiale. Meqë ishte hera e parë për lexuesin shqiptar që i jepej në dorë teksti integral i Kur’anit, i përkthyer në gjuhën shqipe, atij botimi i bashkëngjita një hyrje që shpjegon hollësisht se ç’është Kur’ani, mësimet kur’anore, legjislaturën e Kur’anit, si edhe disa tekste që japin një pasqyrë historike e kulturore të periudhës nga lindja e pejgamberit Muhammed a.s. e deri kur ndërroi jetë ai, me qëllim që t’u ngushtohet hapësira për manipulime rreth jetës së Muhammedit a.s. dhe shpalljes së Kur’anit.
Risia në botimin e dytë është se tani përkthimi është vënë përballë tekstit origjinal, në gjuhën arabe, në mënyrë të barabartë pa e minimizuar asnjërin tekst. Këtu është ruajtur faqosja e origjinalit që mbizotëron në tërë botimet klasike, që njihet si botim ‘Sajfeli’. Kjo është forma më e rekomanduar nga ekspertët e Kur’anit. Tekstet përcjellëse që ishin në botimin e parë nuk janë në këtë botim, kurse sqarimet që vijnë në fund të përkthimit mbesin njëlloj edhe në këtë botim. Kuptohet se në botimin e dytë janë evituar disa gabime që na ishin përvjedhur në botimin e parë, falë sugjerimeve të lexuesve që na kanë ardhur në forma të ndryshme. Përgatitja teknike e botimit të dytë është në nivelin që e meriton Kur’ani, si libër i shenjtë.
2. Ribotimi ka dalë i titulluar “Kur’ani dhe hija e tij shqip”, përse?
Kjo çështje i ka preokupuar edhe përkthyesit e tjerë në gjuhën turke, angleze dhe gjermane. Titujt që kanë përdorur, si: Përkthimi i kuptimeve të Kur’ani Kerimit, Përkthimi i përafërt i Kur’anit Famëlartë, nuk janë adekuat. Për këtë çështje kam folur më gjerësisht në monografinë për përkthimet e Kur’anit… [Shkup, “Logos-A”, l996]. Emërtime të ngjashme kemi edhe te përkthyes të hershëm në gjuhën shqipe, por aty kemi të bëjmë me përkthim të interpretimit – tefsirit – të Kur’anit. Kjo duhet dalluar qartë.
M. Picthal – përkthyesi i Kur’anit në gjuhën angleze – thotë se përkthimi i Kur’anit nuk mund të jetë besnik si origjinali dhe me këtë pajtohen të gjithë përkthyesit konstruktivë të këtij Libri. Asnjë përkthim i veprave kapitale artistike nuk e përcjellë në tërësi porosinë e origjinalit, sidomos kur bëhet fjalë për një vepër multidimensionale siç është Kur’ani. Dhe unë, pas botimit të parë, më l985, kam vërejtur se ka lexues që mendojnë se me leximin e përkthimit e kanë thithur tërë përmbajtjen e Kur’anit, prandaj me titullimin e ri dëshiroj të vë në spikamë se përkthimi nuk është si Kur’ani në origjinal.
Për emërtimin e botimit të ri “Kur’ani dhe hija e tij shqip” po veçoj:
Këtu e kemi në njërën anë Kur’anin, ajo faqe që është në gjuhën arabe është Kur’an, kurse përballë kësaj faqeje është thënë me fjalë shqip, aq sa ka qenë e mundur, përmbajtja e tekstit arabisht. Pastaj unë tekstin shqip e konsideroj si hijen e një figure në pasqyrë, e cila sado që ta imitojë objektin, sado që të jetë besnike, nuk është si objekti, është vetëm imitim, dhe unë jam përpjekur që ky imitim të jetë sa më besnik. Ky mund të jetë edhe një emërtim simbolik, që do të thotë Kur’ani me përkthim në gjuhën shqipe, por në asnjë mënyrë përkthim i domethënieve ose i kuptimeve të Kur’anit. Nuk është e mundur të përkthehen kuptimet që ka Kur’ani, ato vetëm mund të interpretohen, dhe ky pastaj quhet tefsir.
3. Ç’mund të thoni për rëndësinë e Kur’anit në përgjithësi për kulturën shqiptare?
Kur’ani është njëri nga katër librat e shenjtë që i njeh qytetërimi botëror [Teurati, Zeburi, Ingjili, Kur’ani], dhe si libër i shpallur hyjnor ka bërë kthesë të madhe në historinë e qytetërimit botëror dhe është përkthyer në rreth tetëdhjetë gjuhë të ndryshme të botës. Si burim kryesor i fesë islame te shqiptarët, krahas Ingjilit [Besëlidhja e Re dhe e Vjetër] është i pranishëm qysh në shekullin katërmbëdhjetë, dhe tani në këtë libër besojnë rreth 8o përqind e popullit shqiptar. Me praninë e këtij kodi universal ndër shqiptarët është ndërtuar një mënyrë e re e jetës, me veçori specifike, duke dalluar nga sjelljet individuale, besimi, higjiena personale, jeta familjare e shoqërore, mënyra e ushqimit etj. Me këtë, kultura [populli] shqiptare bëhet anëtare e një bashkësie njëmiliardëshe dhe është nga ato kultura të rralla në botë që bëjnë pjesë në dy konfesionet më të përhapura në botë, ai islam dhe ai i krishterë. Kjo ka rëndësi të veçantë, sidomos për kulturën e një populli të vogël siç është ai shqiptar. Rëndësi të veçantë ka edhe për faktin se si popull specifik me gjuhë të veçantë nga fqinjët sllavo-helenë, e ka shpëtuar nga asimilimi sllav. Me përkthimin e kësaj vepre në gjuhën shqipe, edhe gjuha shqipe është radhitur me ato gjuhë të botës në të cilat është përkthyer Kur’ani që në vitin l5l5, d.m.th. në gjuhën latine, angleze, frënge, gjermane, italiane, persiane, turke, kineze, japoneze, urdu etj.
4. A mund të bëni një krahasim të përkthimeve më të hershme të Kur’anit me përkthimet e tashme?
Shikoni. Në gjuhën shqipe kanë filluar relativisht vonë përpjekjet për ta përkthyer Kur’anin. Me sa dihet deri më tash Kur’ani është përkthyer pjesërisht, vetëm disa sure, në vitin l92l, l926 dhe l929, dhe këtu kemi të bëjmë edhe me përkthimin e tefsirit – interpretimt të Kur’anit. Ajo që i dallon përkthimet e para me këto të sotmet është fakti se ato ishin përkthime në dy dialektet e gjuhës shqipe; dy nga tri prej tyre janë në dialektin e jugut kurse njëri është në dialektin e veriut. Si të tillë këto përkthime nuk kanë më vlerë praktike, por kanë vlera historike shumë të rëndësishme për historinë e kukturës shqiptare në përgjithësi e të gjuhës shqipe në veçanti. Ato janë të ngarkuara me arkaizma dhe barbarizma, por për kohën kur janë bërë këto përkthime shihet se përkthyesit Qafëzezi, Korça dhe Dalliu ishin në nivel të kohës së vet.
5. Cilat janë vështirësitë me të cilat jeni ballafaquar gjatë përkthimit?
Vështirësitë kanë qenë të shumëllojshme. Çdo rrugë që shkelet për herë të parë është më e vështirë për ta kapërcyer. Në një anë kishte mendime se Kur’ani nuk mund të përkthehet, nuk i duhej hyrë fare asaj pune se bën gjynah, mendim ky që nuk ishte i pranishëm vetëm te shqiptarët, por kjo është një çështje më vete. Në anën tjetër ishte mungesa e fjalorëve përkatës të gjuhës arabe, si edhe fakti se nga përkthyesit e parë kishte kaluar shumë kohë dhe nuk kishte se me kë të konsultohej. Mandej, gjuha e Kur’anit me fleksion shumë të zhvilluar paraqet vështirësi të veçantë për të gjetur shprehjen adekuate në gjuhën shqipe. Për shembull, folja kadhaba – ka gënjyer, në llojin e zgjeruar kadh-dhaba merr kuptimet; përgënjeshtrim, akuzë për gënjeshtër, demantim etj., që në kontekstin konkret, për shembull,kadh-dhabat kavmu Nuhin… duhet përkthyer “Populli i Nuhit i përgënjeshtroi, i konsideroi gënjeshtarë…, e jo siç ka dalë në një botim “Populli i Nuhit gënjeu…” [Kur’an, 26:105] – Ramazani… 45]. Kur kësaj i shtojmë edhe përmbajtjen multidisiplinare e multidimensionale, si atë juridike, astronomike, ekonomike, historike etj., vështirësitë bëhen edhe më të mëdha, prandaj po them se nëse kam arritur që në përkthimin tim të prezantoj sadopak nga ajo përmbajtje e larmishme, do të jem i kënaqur me punën time. Përkthimi i Kur’anit nuk është sikurse përkthimi i ndonjë vepre letrare. Kjo është një punë shumë më e ndërlikuar.
6. Kujt i dedikohet përkthimi i Kur’anit, nxënësve të shkollave islame e studentëve të fakulteteve fetare, apo lexuesve pa përjashtim?
Kur’ani është libër me përmbajtje universale gjithënjerëzore dhe si i tillë edhe përkthmi në gjuhën shqipe u dedikohet tërë shtresave të lexuesve shqiptarë, pa përjashtim feje e profesioni, gjinie apo moshe. Thirrja e Kur’anit u drejtohet dy kategorive të njerëzve. Në fillim të shpalljes i thërret tërë njerëzit ‘ejjuhan-nasu…’ [2:21] e më pas i dallon njerëzit që besojnë‘ejjuhal-ladhina amenu…’ [5:90] etj. Për këta të dytët ka caktuar obligime dhe normalisht shpërblime për ata që i kryejnë dhe ndëshkime për ata që nuk i kryejnë këto detyrime. Prandaj këtu do ta gjejë veten edhe besimtari edhe jobesimtari, edhe tregtari edhe luftëtari, bujku dhe zejtari, mashkulli dhe femra, pasaniku dhe i varfëri, i sëmuri dhe i shëndoshi e të tjerë. Këtu ka punë, njëlloj, ai që studion fenë islame edhe ai që studion biologjinë, ekonominë, astronominë, historinë, embriologjinë, gjeologjinë, historinë, etj. Me fjalë të tjera tërë ata që Kur’ani i ka emërtuar ‘ulu-l-ilmi’ d.m.th. që merren me ndonjë disiplinë të dijes.
Kategoritë që përmendët ju mund ta shfrytëzojnë më tepër, por ky u përket të gjithëve, pa përjashtim, me kusht që t’i jenë përgjigjur thirrjes së parë të Kur’anit ”Ikre bismi rabbikal-ladhi halak…” (Mëso në emër të Zotit) [96:1].
7. Kur’ani dhe gjuha shqipe?
Në Kur’an, përveç gjuhës arabe që përmendet tri herë asnjë gjuhë tjetër nuk është emërtuar. Por aty flitet për gjuhë ‘të atyre’ [3:78] dhe gjuhët ‘tuaja’ [l6:116], në kontekste të ndryshme që nënkupton se me vullnetin e Allahut gjallojnë edhe shumë gjuhë të tjera, ku bën pjesë, sigurisht edhe gjuha shqipe. Ndërkaq ajeti 4 i sures l4 dhe ajeti 159 i sures 2 hapin shtegun për trajtim të barabartë të të gjitha gjuhëve të popujve të botës dhe secilit i duhet folur ‘…bi lisani kaumihi…’ në gjuhën e popullit. Prandaj përkthimi integral i Kur’anit në gjuhën shqipe ka rëndësi të madhe për gjuhën shqipe si në planin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Allahu ka dashur që përkthimet e para në gjuhën shqipe të mbeten të papërfunduara. Ato përkthime ishin në variantet veriore dhe jugore të shqipes, kurse përkthimi integral në vitin l985 e deri më l999, kur po flasim për këtë çështje, është në gjuhën letrare standarde shqipe. Ky fakt është i rëndësishëm sepse nuk e ndan popullin shqiptar por e bashkon. Këtë rol Libri i shenjtë Kur’ani, si edhe Bibla, për fat, të dy të përkthyer në gjuhën standarde shqipe, e luan më mirë se çdo tekst tjetër sepse është një vepër që i dedikohet masës së gjerë të popullit nga 7 vjeç deri në 77 vjeç, pa përjashtim profesioni e gjinie.
Në planin ndërkombëtar, mendoj se ka rëndësi për gjuhën shqipe, sepse pas përkthimit të Kur’anit në vitin l985, në vitin l986 gjuha shqipe është e pranishme në Simpoziumin Ndërkombëtar në Stamboll, që i kushtohet përkthimeve të Kur’anit, si gjuhë e barabartë me të gjitha gjuhët e botës me çka është dëshmuar aftësia e gjuhës shqipe për të pasur një vepër kapitale të kulturës botërore të përkthyer në shqip. Kjo prani ka vazhduar edhe më vonë, më 1998 në Jordani etj.
8. Si duket raporti mes origjinalit të Kur’anit në arabisht dhe përkthimit?
Po përmend një mendim të një përkthyesi të Kur’anit në gjuhën angleze. Ai, ndër të tjera, thotë: “…edhe ky përkthim nuk mundet kurrë që ta zëvendësojë Kur’anin origjinal e as që mund t’i shërbejë ndonjëherë atij qëllimi”. Kjo, në njëfarë mënyre, vlen për tërë veprat e përkthyera, e veçanërisht për Kur’anin, ngase Kur’ani nuk është një vepër letrare e cila mund të mjaftojë të përkthehet bukur. Kur’ani duhet përkthyer, në radhë të parë saktë, dhe unë personalisht kam ndjekur këtë parim. Madje me vetëdije e kam flijuar bukurinë në dobi të saktësisë, sepse Kur’ani është një kod universal i cili përveç vlerave letrare e gjuhësore për gjuhën arabe, ai përmban edhe norma për ndërtimin e sistemit shoqëror në tërësi, me tërë segmentet, pronësoro-juridike, ekonomiko-financiare, politiko-shoqërore, madje ka edhe karakter historik për qytetërimet botërore [kujto p.sh. faraonët, Babiloninë, Bizantin, Persinë]. Përpjekjet që një vepër e përkthyer të barazohet me origjinalin janë të kota. Nëse arrin të kënaqë anën formale cenon përmbajtjen e veprës. Posaçërisht në Kur’an kur duhet ruajtur edhe rendi i fjalëve në ajet, sepse nuk është njëlloj kur tekstin ‘Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën…’ e përkthen ‘All-llahu ka krijuar tokën dhe qiellin…’ siç është vepruar në një përkthim në gjuhën ruse [I. Hatem, 136-1998].
9. Botimi i përkthimit të Kur’anit është për lexuesit shqiptar, por ky botim është realizuar nga botuesit Logos-A nga Shkupi dhe I.H.H. nga Stambolli. Përse?
Po, kjo është punë fati. Unë jam i lumtur që deshi Zoti dhe unë të jem përkthyesi i Kur’anit Famëlartë – shpalljes së All-llahut për tërë njerëzimin. Është nder të marrësh pjesë në shërbim të veprave kapitale siç është Libri i shenjtë islam. Me rastin e botimit të dytë të përkthimit tim për këtë fat u treguan të denjë dy botuesit e përmendur që e realizuan këtë vepër dhe i Gjithëfuqishmi ua mundësoi që këtë ta kryejnë në një moment shumë të rëndësishëm historik për popullin shqiptar, sidomos atë të Kosovës. Përkundër ofertës sime, Bashkësia Islame në Prishtinë dhe Bashkësia Islame në Shkup, nuk treguan gatishmëri për t’i dalë zot këtij fati. Zotërinjtë Adnan Ismaili dhe Murat Jasha që përfaqësojnë shtëpitë botuese Logos-A dhe I.H.H., treguan interesim dhe qysh në nëntor të vitit 1998 ranë dakord për realizimin e këtij botimi, për çka, me këtë rast u shpreh mirënjohje dhe uroj që Zoti xh.sh. t’i shpërbleje me mirësitë e Tij, si di Ai. Ky botim ka edhe një simbolikë, realizohet në vijën Prishtinë, Shkup-Stamboll-Ankara [sepse shtypi është kryer në Ankara]. Këta kanë nderuar fjalën e Zotit, kanë ndihmuar lexuesin shqiptar dhe kanë nderuar punën time, Zoti i ndihmoftë. Fillimi i luftës intensive në Kosovë, në mars l999 na nxiti të tri palëve të mendojmë që sa më shpejt ky përkthim të vendoset në duart e lexuesve, dhe siç e shihni në fillim të librit, u jepet falas. Edhe kjo është një risi për këtë botim.
10. Cila është pesha e përkthimit shqip për studimet islame?
Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për studimet islame në gjuhën shqipe. Kjo dëshmohet me faktin se pas përkthimit të Kur’anit janë botuar edhe shumë vepra të tjera me karakter islam, qofshin përkthime ose vepra e artikuj origjinalë ku trajtohen çështje fetare. Dihet se temat islame nuk mund të trajtohen pa u mbështetur në Kur’an ose në hadith – fjalët e Pejgamberit a.s.. Njohës të këtyre dy burimeve në origjinal ka pak ndër ne, prandaj mund të thuhet se pesha e përkthimit të Kur’anit qëndron se u ka hapur rrugë edhe studiuesve të tjerë shqiptarë që merren me këto çështje. Ilustrimi më i mirë për këtë është se në një sërë studimesh e përkthimesh, ku ka ajete të Kur’anit, figuron se janë marrë nga përkthimet ekzistuese. Kjo flet për një nxitje dhe ndihmë të atyre që nuk e njohin gjuhën arabe por janë të interesuar për këtë fushë. Të jemi objektivë ne jemi në fillim, bëjmë hapat e parë, për studime të mirëfillta islame, sado që pas vitit l990 janë botuar një sërë tekstesh me karakter islam, për të cilat mendoj se po të mos ishte përkthimi i Kur’anit nuk do të ishin as këto botime në këtë shkallë as për nga kuantiteti e as për nga kualiteti.
11. Përkthimi i Kur’anit dhe vetëdijesimi fetar e kombëtar i popullatës shqiptare
Përkthimi i Kur’anit i ka hequr drojën shqiptarit se Kur’ani nuk mund të përkthehet në shqip dhe me këtë e ka bërë të vetëdijshëm se edhe ky është i barabartë me popujt e tjerë të botës. Me këtë ai është bindur se edhe shqiptari mund të jetë edhe shqiptar edhe t’i përkasë fesë islame. Ai tani e ka kuptuar se përkatësinë fetare dhe kombëtare Kur’ani nuk ia imponon askujt [krahaso Kur’an, 2:256] dhe se All-llahu ka krijuar popuj të ndryshëm dhe secilit i ka drejtuar thirrje për rrugë të drejtë [Kur’an, 49:13] dhe të sillesh ndryshe do të thotë të jeshë kundër këtij parimi Kur’anor. Përkthimi e ka ngritur gjithashtu edhe vetëdijen fetare në masë më të gjerë, sepse opinioni shqiptar i ka kuptuar burimisht obligimet e domosdoshme dhe ndalesat që përbëjnë themelin e fesë, por edhe dobitë praktike nga ato norma.
Aty ku ka vetëdije të lartë fetare ka edhe vetëdije të lartë kombëtare. Të dy këto kategori kanë të bëjnë me edukimin shpirtëror që është pasuria dhe virtyti më i lartë i një populli. Populli shqiptar gjatë pranverës së vitit 1999, kur shqiptarët e Kosovës u gjendën në flakë të pushkës e në grykën e topit serb dhe morën botën në sy – dëshmoi një shkallë të lartë të edukimit fetar dhe kombëtar. Ai e hapi zemrën dhe pragun e shtëpisë duke ndarë kafshatën e gojës me vëllezërit e vet të përndjekur. Kujtoni Bllacën, Kukësin, Glloboçicën, Shkodrën etj. Nëse ka pasur ndonjë simptomë të lakmisë e të keqpërdorimit të asaj situate, ajo pa dyshim u referohet atyre që janë edukuar vetëm në frymën materialiste besimi i të cilëve mbështetet vetëm në monedhë që vlen aq sa vlen fytyra e një matrapazi. Vetëdija fetare, përkundër përmirësimit që është arritur përmes literaturës pas vitit 1991, ajo nuk do të arrijë shkallën e duhur përderisa mësimbesimi të trajtohet sikurse ishte në sistemin e komunizmit bolshevik, i cili në fushat e tjera të sistemit shoqëror ka vdekur që para dhjetë vitesh.
12. Rëndësia e interpretimit të Kur’anit dje dhe sot
Kur’ani si shpallje hyjnore që përmban norma për rregullimin jo vetëm të sferës fetare por edhe të asaj shoqërore në kuptimin më të gjerë, është e vështirë të kuptohet në hollësi. Prandaj interpretimet kanë qenë të pashmangshme gjatë këtyre shekujve. Interpretime (tefsire), janë shkruar në kohë të ndryshme dhe nga personalitete të ndryshëm, por unë mendoj se sot nuk kemi një interpretim (tefsir) të Kur’anit që në mënyrë meritore do t’i plotësonte kërkesat interdisiplinare bashkëkohore. Duke hequr interpretimet që janë bërë në kohën e Muhammedit a.s., me fjalë ose me veprimet e tij, si p. sh. namazi si obligim individual dhe kolektiv [pesë kohët e namazit, namazi i xhenazes, i xhumasë etj.]. Interpretimet e tjera janë relativisht të njëanshme. Arsyeja është se asnjë dijetar – komentues i Kur’anit [mufessir] – objektivisht nuk mund t’i njohë të gjitha fushat e dijes për të cilat flitet në Kur’anin Famëlartë, sado me qëllim të mirë që të jetë ai interpretim. Interpretimi (tefsiri) – ka qenë dhe mbetet një disiplinë shumë e rëndësishme por edhe e vështirë. Për një tefsir meritor duhet punë e përbashkët nga studiues e njohës të fushave të ndryshme të dijes nga lëmi i disiplinave fetare, disiplinave të shkencave ekzakte dhe të atyre shoqërore. Kjo punë nuk është bërë akoma.
Në anën tjetër edhe më përpara edhe sot janë të pranishme tendenca për interpretime subjektive që i shërbejnë një grupi apo klase të caktuar, fjala vjen lidhur me përdorimin e alkoolit, martesën, respektimin e pushtetit etj. Në raste të tilla cenohet integriteti i ajetit përkatës. Po përmend këtu vetëm një shembull. All-llahu xh.sh. në Kur’an thotë: ‘…përuluni All-llahut dhe nderoni Profetin edhe përfaqësuesit tuaj…” [4:59], kurse individë të caktuar nga paria islame këtë e kanë kufizuar në ‘…përuluni All-llahut dhe nderoni Pejgamberin dhe pushtetin…’, pa e përcaktuar se cilin pushtet, që në Kur’anin Famëlartë është shprehur shumë qartë me parafjalën min dhe përemrin kum. Meqë Kur’ani është një libër fetar dhe shoqëror normativ për të gjitha kohët dhe hapësirat, rëndësia e interpretimit (tefsirit) është gjithmonë aktuale, por duhet të lexohet dhe të vështrohet me kujdes çdo pjesë e ajetit që është objekt interpretimi.
13. Përveç Kur’anit, çfarë literature tjetër islame kanë shqiptarët në gjuhën e tyre?
Kur’ani pa mëdyshje është bosht i literaturës islame, prandaj edhe janë bërë shumë interpretime, sidomos në gjuhën arabe dhe turke. Të përmendim me këtë rast se edhe lexuesi shqiptar ka në gjuhën e vet dy tefsire të Kur’anit; Almuntahab fi tafsiri-l-Kur`ani-l-karim që është botuar në Tiranë, jo në nivelin që e meriton libri i shenjtë, dhe Fi zilali-l-Kur’an të botuar në Gjilan që deri tash kanë dalë pesë vëllimet e para, nga tridhjetë sa duhet të dalin gjithsej. Mandej janë botuar edhe libra që si objekt studimi kanë Kur’anin, si: Kur’ani Kryevepër, Kur’ani – mrekullia më e përsosur, Kur’ani – përpjekje bashkëkohore për ta kuptuar, Mrekullia e Kur’anit, Rruga e Kur’anit, Përkthimet e Kur’anit, etj. Domethënë se ka një literaturë relativisht të pasur për t’u njohur me tekstin, historikun dhe përmbajtjen e Kur’anit.
Për fat shqiptarët kanë në gjuhën amtare edhe një pjesë të haditheve të Pejgamberit Muhammed a.s. që vijnë si burimi i dytë autentik për disiplinat islame. Në vitin l994 botohen dhjetë vëllime me hadithe; Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe 1-8, ku janë përfshirë 3648 hadithe që përbëjnë gjysmën e koleksionit të përmendur; Kështu fliste Muhammedi a.s. 1-2; Rijadus-Salihin, si edhe botime të tjera më të vogla si Katërdhjetë hadithe, Njëqind e një hadith etj. Por akoma nuk kemi një biografi të Muhammedit a.s. siç është vepra e Muhammed Hamidullahut, përkundër faktit se ky libër është përkthyer në gjuhën shqipe.
Përveç kësaj, në gjuhën shqipe, pas vitit l990 janë botuar libra nga fusha të ndryshme; akaid, e drejta e sheriatit, morali islam, historia islame etj., dhe vetëm në Kosovë kanë dalë mbi dyqind tituj të ndryshëm librash [shih Bibliografia e botimeve islame në gjuhën shqipe në Kosovë 1957-1997]. Me një fjalë, ka literaturë të llojllojshme, shumë të nevojshme për kultivimin e vetëdijes islame, madje ka edhe ndonjë botim që për lexuesit tanë nuk është edhe aq i domosdoshëm. Sidoqoftë nuk ka vend për ankesa. Tani mendoj se është koha për një analizë që do të tregonte se sa lexohet kjo literaturë, çfarë lexohet më shumë dhe çfarë mungon, në mënyrë që të bëhet një seleksionim objektiv i literaturës islame. Këtë, sipas mendimit tim, duhet ta bëjnë organet botuese, si Bashkësia Islame në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë [Dituria Islame, Hëna e Re dhe Drita Islame].
14. Ju, përveç përkthimit të Kur’anit keni botuar edhe vepra të tjera. Nga cilat fusha janë ato?
Në veprimtarinë e çdo individi, në orientimin e tij ndikojnë shumë faktorë. Unë pasi fillimisht kam punuar në Institutin e Historisë së Kosovës, në kontributet e mia mund të ketë edhe histori, por kryesisht botimet e deritashme – siç i shihni nga titujt – janë nga fusha e filologjisë dhe islamologjisë. Përgatitja ime universitare është Orientalistika [gjuha arabe dhe gjuha turke] por Islamistika është e lidhur ngushtë me Orientalistikën. Kështu është në tërë botën. Islamistët europianë janë kryesisht orientalistë. Personalisht u jam kushtuar – përveç studentëve – përkthimit të burimeve të fesë islame; Kur’anit dhe hadithit.
15. Veprimtaria juaj e mëtejshme
Tani për tani janë studentët, përgatitja e tyre për institucionet tona kulturore e shkencore ku do të vjelin lëndën e parë për historinë kombëtare nga arkivat e Turqisë, pa të cilat nuk mund të kemi histori objektive e reale. Pastaj, vazhdimi në përkthimin e haditheve nga Sahih al-Buhariu, sistemimi i disa kontributeve të mëhershme, etj. Ashtu siç na thotë Kur’ani: “…punoni, se punën tuaj do ta shohë All-llahu, pejgamberi dhe njerëzit…”
Faleminderit për intervistën.
Edhe unë ju falemnderit për këtë bisedë që ma mundësuat me lexuesit e revistën Flaka me të cilët bashkëpunoj që prej vitit l97l.
Intervistoi: Faik MUSTAFA