Përfundon Kampionati i Minifutbollit mes Xhamive të Tiranës

Myftinia e Tiranës, në vazhdim të disa veprimtarive të tjera të zhvilluara prej saj, organizoi kampionatin e parë të minifutbollit për besimtarët e rinj dhe dashamirët e këtij sporti, me pjesëmarrjen e ekipeve të xhamive të kryeqytetit.

Pjesëmarrëse në këtë garë sportive ishin xhamitë e Kamzës, Kombinatit, Dine Hoxhës, Medresesë, Tabakëve, Xhurës, Et’hem Beut dhe Kokonozit. Ndeshjet e para të zhvilluara me sistem eliminimi nxorën si gjysmëfinaliste xhamitë: Dine Hoxha, Kombinati, Kamza, Medreseja. Ndeshja e parë vuri përballë njëra-tjetrës Dine Hoxha-Kombinati, që u fitua me rezultatin 3-1. Ndërsa ndeshja e dytë ishte ajo ndërmjet Kamzës dhe Medresesë që u mbyll me fitoren e Kamzës me rezultatin e ngushtë 6-5.

Në finale u takuan Dine Hoxha me Kamzën. Ndeshja u luajt në sallën sportive “Farie Hoti”, shkallët e të cilës u mbushën plot me tifozë duke tejkaluar disa herë masën e takimeve të Superiores. Supersfida u mbyll me rezultatin 5-4 në favor të skuadrës së Xhamisë Dine Hoxha.

Dine Hoxha shpallet kampione e kryeqytetit
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/finalja-2_1365751597.jpg[/img]

Dine Hoxha është shpallur fituese e kampionatit, duke zhvilluar një garë interesante dhe të fortë. Lojtarët e kësaj skuadre kanë thyer në finale suprizën e këtij kampionati, Kamzën. Ndeshjen e parë ata kanë kaluar xhaminë Et’hem Beu kurse në gjysmëfinale atë të Kombinatit.

Në finale gjithçka ka shkëlqyer për lojtarët e xhamisë së rrugës së Kavajës, një pjesë e tyre pjesë e ekipeve të Superiores dhe futbollit të sallës, të cilët kanë vuajtur presionin e lojtarëve të skuadrës kundërshtare gjatë gjithë lojës, çfarë e tregoi dhe rezultati i ngushtë i krejt takimit.

Ilahitë dhe disa numra cirku nga trupa e kryeqytetit gjatë pushimit mes dy pjesëve i dhanë edhe më tepër gjallëri kësaj finaleje.

Myftiu Gurra dhe prof. Shyqyri Rreli u dorëzojnë kupën fituesve
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/finalja-1_1365751656.jpg[/img]

I ftuar special i këtij aktiviteti ka qenë ish trajneri i Kombëtares dhe i Tiranës së viteve ’80-90, prof. Shyqyri Rrelli, i cili e ka ndjekur ndeshjen në shoqërinë e Myftiut të Tiranës, Ylli Gurra.

Pas përfundimit të finales, Myftiu Gurra, duke e cilësuar sportin si pjesë të rëndësishme të jetës së besimtarit, theksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të investojë në pasurimin e aktiviteteve sportive, sepse siç u shpreh ai “sporti nënkupton një jetë të gjallë e të shëndetshme, si dhe shërben për edukimin e të rinjve.” Më tej myftiu Gurra nënvizoi se ky aktivitet nuk pati humbës e as fitues, pasi mbi gjithçka ishte vëllazëria islame, dashuria që ne si besimtarë të kësaj feje të lartë ushqejmë për njëri-tjetrin, prandaj edhe u quajt “Kupa Vëllazërimi”. Sipas tij jeta e besimtarit mysliman është një gërshetim mes potencialit shpirtëror dhe atij fizik.

Në një atmosferë elektrizuese dhe mes ovacioneve të shumta, Myftiu Gurra dhe prof. Rreli i dorëzuan kapitenit të skuadrës fituese, Elton Muçollari kupën e edicionit, duke i falënderuar dhe uruar skuadrës dhe imamit të saj suksese të mëtejshme.

Për të dyja skuadrat u shpërndanë stimuj material dhe dhurata të ndryshme.

Ky aktivitet u pëlqye shumë dhe u përshëndet jo vetëm nga shikuesit besimtarë, për mënyrën e organizimit, për lojërat e bukura me korrektesë e disiplinë dhe luftë të pastër sportive, por edhe nga vetë futbollistët dhe të ftuarit në këtë edicion të parë të këtij turneu sportiv të organizuar nga Myftinia e Tiranës. /dritaislame/

Aktiviteti u pasqyrua gjerësisht në mediat sportive.

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/finalja-4_1365753699.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/finalja-6_1365753746.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/finalja-7_1365753785.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/finalja-11_1365753894.jpg[/img]