Xhemaluddin Llatiq
Në shumë vende në librin e vet Ali Bulaç përfundon se njerëzimi, për shkak të konceptit të shtetit modern nacional dhe “shtetit-kompani”, gjendet në qorrsokakun epokal, “në fund të historisë”, si ka thënë Fukuyama. Koncepti i rrezikshëm i shtetit, për të cilin është fjala, nuk e përfshin tërë Planetin, por ai me siguri përfshin rajonet dhe qendrat më të mëdha e më të rëndësishme të forcës, të vendosura në Perëndim, të cilat thelbësisht përcaktojnë proceset historike të botës moderne në dy shekujt e fundit. Shteti modern është më represiv dhe më i rrezikshëm nga pararendësit e vet në shekujt e mëhershëm!
Edhe sikur mos ta kishim lexuar librin e Bulaçit, ne, pjesëmarrësit e fundit të shekullit më të përgjakshëm në historinë njerëzore, trashëgimtarë të përvojës politike evropiane, ne që e shijuam edhe fashizmin, dhe, si thotë Bulaçi, “vëllain e tij – komunizmin”, sot e dimë që punët qëndrojnë ashtu. Por, në katastrofat e mëdha, dora e Zotit gjithherë jep po ashtu gjasa të mëdha për shpëtim, ta parafrazoj Novalisin. Ato gjasa për shpëtim Ali Bulaçi i sheh në filozofinë politike islame – si të doni – të hedhur, të mbyllur e të rraskapitur, të asfiksuar, të margjinalizuar, në konceptin islam, krejtësisht tjetërfare, të shtetit dhe pushtetit. “Krejtësisht në kundërshtim me fjalët e Fukuyames, konsideroj se i vetmi Islami mund t’i kundërvihet fundit të historisë, përkatësisht, të drejtë dhe forcë për këtë konfrontim, posedojnë vetëm muslimanët”, shkruan Bulaçi, dhe shton:
“Kur’ani dhe Sunneti autentik dhe orientimet e tyre politike edhe sot paraqesin shpresën dhe zgjidhjen e vetme për njerëzit që jetojnë nën regjimet edhe tash ekzistuese diktatoriale dhe totalitare, në sistemet e përfaqësimit, sikur edhe në demokracitë e gjymtuara të tipit pluralist”.
Në çka Ali Bulaçi e ndërtoi bindjen e vet?
Së pari, duhet thënë se ai nuk është kurrfarë mesianisti, as utopist. Bulaçi shkruan mjaft seriozisht dhe në mënyrë të argumentuar. Përparësia e madhe e këtij autori është në atë që pas tij ekziston, e në njëfarë përmase edhe vazhdon, përvoja politike e Islamit të hershëm, klasik dhe bashkëkohor që sot i ofrohet botës moderne si alternativë shpëtimtare dhe liridashëse. Bulaçi drejton gishtin në këtë alternativë.
Duke e ndarë librin e vet në tri pjesë, në të cilat rrënjësisht analizon tri regjime dominante, nga të cilat të gjitha të tjerat janë vetëm variante të njërit prej tyre, d.m.th.: demokracinë, teokracinë dhe totalitarizmin (perëndimor), Ali Bulaçi, sipas fjalëve të tij në hyrje të librit të vet, në plan të parë përgjigjet në pyetjet cili nuk është modeli politik i Islamit. Bulaçi ka arsye të thella që e bën këtë, pasi që kundër Islamit si mësim gjithëpërfshirës në Perëndim sikur edhe në Lindjen e Largët joislame zhvillohet luftë mediumesh in continuo veçanërisht pesëmbëdhjetë – njëzet vjetët e fundit, prej kur pjesa më vitale e botës islame e ka filluar rilindjen fetare, kulturore dhe politike në baza të fesë së vet, të ashtuquajtur sahwe (zgjim). Islami njësoj është i larguar si nga teokracia ashtu dhe nga totalitarizmi, pohoi Bulaçi. “Nëse dëshirojmë të vijmë deri te përfundimi korrekt mbi vlerat e demokracisë, atë para së gjithash duhet krahasuar me Kartën (Dokumentin) e Medines – frutin e një kulture politike tjetërfare, e pastaj të testohet realizimi i idealeve që demokracia i ka planifikuar...” (fq. Error! Bookmark not defined.).
Duke i analizuar dobësitë e demokracisë, si shpikje politike tipike perëndimore, pasi që ai, Perëndimi, nga sfera politike e ka mënjanuar Kishën, por jo edhe fenë (e krishterë), Bulaçi thekson se demokracia është vetëm “modeli mjaft përkatës i sistemit shoqëror-politik”. Në të vërtetë, demokracia është një mashtrim epokal i njeriut bashkëkohor, sidomos i muslimanit bashkëkohor. Sepse, thotë Bulaçi, derisa në Perëndim keni kritikët e demokracisë, të cilët janë të vetëdijshëm për të metat e saj, muslimanët e shekullarizuar në mënyrë jokritike kopjojnë këtë model shoqëror-politik, duke mos u kujtuar në përvojën vetjake, origjinale politike islame në të cilën janë eliminuar të metat e demokracisë. Muslimanët nuk janë të përkryer, thotë Bulaçi, por ata pranojnë porosinë nga i Përkryeri: “Demokracia nuk paraqet rendin më ideal... Filozofia perëndimore e Dijes së Mirëfilltë, në tërësi mohon ekzistimin e zgjidhjes me anë të Shpalljes dhe Urtësisë së Zotit... Vetëm aktivitetet dhe dukuritë në harmoni me harmoninë e Zotit janë ideale... Ne, natyrisht, nuk mund ta arrijmë përsosurinë, por neve për këtë na drejtohet i Përkryeri duke na dëftuar rrugët më të mira. Çdo injorim yni i Rrugës së Vërtetë (Siratu’l-mustekim) do të na kushtojë me humbje katastrofike dhe me destruksione të mëdha.” (fq. Error! Bookmark not defined.).
Thelbi i demokracisë perëndimore përmbahet në parullën e popullarizuar “Çdo gjë për popullin – krahas popullit”. Bulaçi zbulon atë eksperiment të organizuar, të rrezikshëm politik, duke treguar mungesat e zgjedhjeve statistikore, përfaqësimit dhe vullnetit të shumicës (d.m.th. vullnetit të partisë sunduese) dhe kurthet e individualizmit, ato karakteristikat themelore të demokracisë politike të Perëndimit. Në të, shkurtimisht, fjala është për dominimin e sasisë ndaj cilësisë, rrenës ndaj të vërtetës, padrejtësisë ndaj drejtësisë, demagogjisë ndaj parimit dhe moralit. Pakicat nacionale dhe fetare nuk mund t’i sendërtojnë të drejtat e veta elementare pasi që gjithherë mund të mbivotohen me shumicën e manipuluar, kurse familja dhe individi shkapërderdhen në ngarendjen e pamëshirë, johumane “të rosës dhe krokodilit”, të fuqishmëve e të dobtëve, në të cilën që më parë fituesi dihet.
Dhe, ndonëse thotë e përgjigjet se cili nuk është modeli politik i Islamit, Bulaçi në çdo pjesë krahason zgjidhjet politike islame me ato që i analizon dhe, më së shpeshti, i atakon. Kështu, në pjesën për demokracinë shpjegon rolin e muxhtehidit, si ruajtës të vlerave të proklamuara të bashkësisë muslimane, ummetit, atë determinator të pushtetit të konstituar në ligjet universale të Zotit. Zgjidhjet, betimi (bej’a), vendosja kolektive (shûrâ) dhe muxhtehidët, komentuesit dhe ruajtësit e ligjit – këto janë institucionet me të cilat bashkësia muslimane mbrohet edhe nga pushteti i të a.q. spiritualistë, teokracisë, edhe nga despotët, totalitaristët, dhe këto janë institucionet që i eliminojnë dobësitë e modelit demokratik evroperëndimor.
Duke insistuar në demokracinë e vet politike si model global, Evropa eksporton vlerat e veta kulturore (më shpesh: “vlerat”) në vendet dhe popujt joevropianë, me çka e siguron dominimin e vet mbi ta. Ka të bëjë me shantazhin global për popujt e të a.q. Botës së tretë, të cilët nuk kanë gjasa që të dalin nga mjerimi pasi që pikërisht Perëndimi ua ka imponuar regjimet marionete që i shërbejnë Perëndimit, e jo popujve të vet. “Në rast se gjendja e këtillë vazhdon, ekzistenca dhe planeti ynë përgjithësisht nuk do të mund të ruhen nga katastrofa kërcënuese. Rezultatet e vazhdimit të zhvillimit të kësaj situate do të jenë zgjerimi rapid dhe rritja e mjerimit, urisë dhe vdekjeve masive, përkatësisht zhdukja totale e shoqërive joperëndimore”. (fq. Error! Bookmark not defined.).
Vendi kyç i librit të Bulaçit mbetet Karta e Medines, kushtetuta e parë e shkruar në histori të njerëzimit të cilën e ka hartuar pejgamberi, Muhammedi alejhis-selam, me hebrenjtë dhe me mushrikët (politeistët). Fjala është për dokumentin që hedh poshtë parimin e individualizmit dhe të shumicës, por e ruan parimin e pluralizmit. Karta e Medines lindi në gjurmë të Islamit, jo si fe e re, por si zanafillore që i konfirmon shpalljet dhe pejgamberët e mëhershëm, që konsiderohet si fe e përkryer (kemalijeh), që zë fill në realitetin në të cilin All-llahu xhel-le shanuhu i ka krijuar njerëzit dhe bashkësitë e tyre-tjetërfare. Islami zë fill në përbashkësinë e fesë (“O, ithtarë të Librit (hebrenj e të krishterë), ejani të tubohemi rreth një fjale – edhe për ne edhe për ju e përbashkët” – Kur’ani) dhe pluralitetin e ligjit fetar. Kjo është ide kruciale e organizimit politik në bazë të monoteizmit. Të gjithë anëtarët dhe të gjitha bashkësitë, të nënshkruarit e Kartës së Medines konsiderohen një ummet, kurse çdo bashkësi është bashkësi e veçantë juridike me autonominë e vet fetare dhe kulturore. Shoqëritë që atëherë dhe më vonë në histori i ka ngritur Islami, në parim janë multietnike dhe multikonfesionale, por edhe – multikanonike. Thjesht, në ato shoqëri, në të cilat kushtetuta garanton autonominë e bashkësive më të vogla, nuk mund të vijë deri te mbivotimi i shumicës dhe shkelja e të drejtave minoritare. Ky model në masë të barabartë e largon Islamin edhe nga totalitarizmi dhe nga dobësitë e demokracisë.
Në fund, një fjalë – dy mbi teokracinë dhe Islamin. Bulaçi drejt e vrojton se duhet nisur nga përvojat e ndryshme të Lindjes islame dhe Perëndimit kristian. Derisa Perëndimi e njeh organizimin dhe shtresat në bazën sociale dhe ekonomike, Lindja islame e njeh fenë si themel (edhe) të organizimit politik edhe të grupacionit fetar si variant i dhënë shoqëror. Pas Islamit nuk qëndron mesjeta e errët në të cilën spiritualistët, teokratët, viheshin në vend të ligjit të Zotit. Pas Islamit nuk qëndrojnë turrat e druve me të cilat ndizej mendimi i lirë. Natyra e Islamit, ku nuk ka ndërmjetës midis Zotit dhe njeriut, e pamundëson shfaqjen e teokracisë. “Në Kristianizëm Kisha sundon në vend të Zotit, derisa në Islam askush nuk mund të sundojë në vend të All-llahut, populli qeverisjen ua beson atyre që ai i cakton ose i zgjedh. Ky është parim i pandryshueshëm që tregon se Islami nuk është teokraci”, shkruan Bulaçi.
Në kohën kur në këto hapësira jo vetëm serbët dhe kroatët, por edhe boshnjakët (e në masë shumë më të madhe shqiptarët, v. N.I.) inxhinierët e shpirtrave njerëzorë, “demokratët” dhe fashistët i kanë frikësuar nga Islami – që ithtarët e tij t’i privojnë jo vetëm nga të drejtat, por edhe nga ekzistenca biologjike në truallin e tyre, kur muslimanët boshnjakë (dhe shqiptarët, N. I.) ende u janë të kthyer pallateve evropiane e amerikane të drejtësisë si kibleve të veta, në kohën e shkretimit epokal shekullarist dhe imperializmit evropian kulturor, me të cilin përgatitet deislamizimi i muslimanëve në Ballkan dhe i pakicave muslimane në Perëndim, derisa të zgjasin mashtrimet mbi njëmendësinë politike të epokës bashkëkohore në rrafshin e njëjtë sikur edhe mashtrimet mbi Islamin, libri i Bulaçit në gjuhën tonë i gjason burimit të vet, nga i cili ka buruar: elifit intelektual, asaj shpate që pret barojat e shirkut bashkëkohor, politeizmit. “Islami dhe demokracia – teokracia dhe totalitarizmi” është ngritur kundër haramit më të madh: pushtetit jo të drejtë dhe totalitar, kurse Islami në të paraqitet në rolin kryesor: çlirimin e individit dhe popullit.
Perktheu: Nexhat Ibrahimi
zeriislam