“Duke ndarë vlerat, luftojmë jotolerancën”

Debat shkencor në mes Prof.Dr.Ekmeleddin Ihsanoglut dhe Ursula Plassnik

05.05.2010 Vjenë

Në kohën moderne jemi dëshmitarë të shumë keqkuptimeve ndaj Islamit dhe pasuesëve të tij nga ana e atyre që kanë pak informacion rreth kësaj feje, sidomos nga bota krishtere, e veqanërisht ajo perëndimore. Për pasojë disa herë ka ardhur puna edhe deri te tensionimi i raporteve ndërfetare. Organizma të rëndësishëm dhe personalitete të shquara nga të dy anët e kanë parë shumë të nevojshme që të shtohet dialogu ndërmjet tyre, me qëllim që duke kuptuar më mirë këndvështrimet e njëri-tjetrit dhe duke mësuar për vlerat e përbashkëta të shtohet toleranca dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë. Një takim i kësaj natyre së voni është mbajtur në Austri.
Nën organizimin e Asociacionit për Politikë të Jashtme të Kombeve të Bashkuara me seli në Austri, Akademisë Diplomatike të Vjenës (Shkolla e studimeve ndërkombëtare në Vjenë) dhe Organizatës së Konferencës Islamike, pasditen e ditës së Mërkurë me 05.05.2010 në ambientin e sallës festive të Akademisë Diplomaike të Vjenës në një panel debati ishte i ftuar special i nderuari Prof. Dr. Ekmeleddin Ihsanoglu - Sekretar Gjeneral i Organizatës së Konferncës Islamike, i cili para të pranishmëve që ishin nga figurat publike në Austri, duke filluar nga zyrtarë të Kombeve të Bashkuara me seli në Austri e deri te profesorë universitetesh mbajti fjalimin me titull ”Duke ndarë vlerat, luftojmë jotolerancën”
Tubimin e hapi Drejtori i Akademisë Diplomatike në Vjenë, Z. HANS WINKLER. Z. Winkler përveç se i përshëndeti të pranishimt, ai shpalosi gjithashtu shkurtimisht biografinë e Prof. Dr. Ekmeleddin Ihsanoglut duke përmendur disa nga veprat madhore të tij.
Pas fjalimit të Z. Winkler dhe pas kumtesës së Prof. Dr. Ihsanoglut pasoi debati shkencor në mes të Prof. Ihsanoglut dhe Ursula Plassnik - Ish Ministre e Punëve të Jashtme të Austrisë, Anëtare e Parlamentit si dhe e Bordit për Politikë të Jashtme dhe Asociacionit të Kombeve të Bashkuara me seli në Austri.
Pika qendrore e këtij debati ishte se si të arrihet që në mes botës së krishterë dhe asaj Islame të jehojë një tolerancë e mirëfilltë. Prof. Ihsanoglu përmendi se në mes nesh vazhdimisht ka pasur dhe vazhdon të ketë takime për këtë qëllim, por megjithatë ne asnjëhërë nuk jemi dëshmitarë të rezultateve pozitive nga këto takime. Si shembull konkret me këtë rast theksoi vendimin e Zvicrës në lidhje me ndalimin e ndërtimit të minareve të xhamive, kurse në anën tjetër ai ftoi të pranishmit t’i kthehen historisë dhe të shikojnë se si muslimanët kudo që kanë sunduar nuk kanë dëmtuar qoftë edhe një tullë të ndonjë kishe. Përkundrazi, me ligj është njohur dhe mbrojtur e drejta e praktikimit të pasuesëve të dy feve tjera qiellore, asaj krishtere dhe jehude, në territoret ku kanë sunduar muslimanët. Ekzistimi i kishave sot në vendet Islame është argument i fortë i kësaj tolerance shembullore të muslmanëve ndaj të krishterëve.
Debati u përmbyll me qëndrimin e Prof.Ihsanoglut se sot më tepër se kurrë kemi nevojë për dialog, për një dialog të mirëfilltë ashtu siq shekuj më parë ka bërë bota e krishterë me atë jehude. Nuk ka arësye që e njëjta gjë të mos bëhet sot edhe me atë Islame, rezultatet e së cilës do ti gëzonim të gjithë së bashku, pasi që ne ndajmë shumë vlera të përbashkëta.




ILIRE HALIMI
Universiteti i Vjenës
Instituti i Pedagogjise se fese Islame