E xhumaja e 18 tetorit 2013 do të mbahet mend si ditëlindja e xhamisë më të re në qytetin e Shkodrës, asaj në lagjen Dërgut.
Në prag të namazit të xhumasë së kësaj dite, Myftinia Shkodër dhe Shoqata “Burimi” kanë organizuar ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së re në Dërgut, realizuar falë donacioneve të kuvajtianit Hamed El-Faris, me ndërmjetësimin e Shoqatës “Burimi”.
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit të xhamisë së re nga Myftiu i Shkodrës, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër dhe Drejtori i Shoqatës “Burimi”, është mbajtur një ceremoni hapje, në prag të namazit të parë të xhumasë në këtë xhamitë re.
Fillimisht, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, ka falënderuar Shoqatën “Burimi” për bashkëpunimin me Myftininë Shkodër, që solli edhe realizimin e kësaj xhamie të re shumë të dashur për besimtarët.
Në fjalën e tij, Myftiu ka theksuar se: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk ka falënderuar as Zotin. Kësisoj unë dua të falënderoj interesimin dhe lobimin e Myftiut të Shkodrës në kohën e realizimit të këtij bashkëpunimi, Imam Ndriçim Sulejmani, si dhe Drejtorin e Shoqatës “Burimi”, z. Sokol Mandi, për këtë arritje të dashur për krejt komunitetin tonë”.
Myftiu ka vënë theksin te rëndësia që ka ngritja e xhamive të reja, në një kohë kur akoma në Shqipëri vazhdon të ndjehet ndikimi i mësimeve të sistemit ateist që prishi dhe shkatërroi xhamitë dhe institucionet islame të kultit.
Ceremoninë e ka përshëndetur edhe Drejtori i Shoqatës “Burimi”, z. Sokol Mandi, i cili shprehu kënaqësinë e madhe të mbërritjes së kësaj dite të begatë dhe falënderoi donatorin nga Kuvajti, z. Hamed El-Farissi dhe bashkëpunëtorët e shoqatës së tij për kontributin dhe sakrificën në plotësimin e këtij projekti të bukur.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, i cili vlerësoi ndërtimin e xhamisë së re në lagjen Dërgut, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen e tij për Myftininë Shkodër dhe bashkëpunëtorët e saj, që po punojnë për herë e më shumë për ngritjen e xhamive të reja në qytet.
Me përfundimin e kësaj ceremonie, është kënduar ezani i parë i xhumasë, nga teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë, si dhe është mbajtur hytbeja e parë e xhumasë nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari. /myftinia-shkoder/
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1382522703.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1382522714.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/4_1382522725.jpg[/img]