Doc. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha u lind më 01.10.1968 ne Prizren- Kosovë.
Rrjedh nga një familje me kulturë e traditë fetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm e vazhdoi në Damask- Siri (1983-1989), ku arriti të bëhej hafiz i Kur’anit. Studimet universitare i përfundoi në Universitetin Islamik të Medinës në Fakultetin e Kur’anit dhe të Studimeve Islame (1990-1994).
Studimet pasuniversitare (të magjistraturës) i vazhdoi në shkencën e Tefsirit në Departamentin e Studimeve të Kur’anit dhe Synetit në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në Kuala-Lumpur (Malajzi) (1997-2000), për të doktoruar më pastaj aty (Ph.D.) në Tefsir dhe Studime Kuranore (2000-2003).
Ka qenë ligjërues i Tefsirit dhe Shkencave Kuranore në Fakultetin e Shkencave Islame dhe Shkencave Humane në të njëjtin universitet, (1998-2002), pastaj ligjërues i Tefsirit dhe Shkencave Islame pranë universitetit “Taibah” në Medinë -Arabia Saudite, (2004-2009). Ndërsa aktualisht është profesor i Tefsirit dhe i Shkencave Kuranore pranë Fakultetit të Studimeve Islame, në Universitetin Shtetëror të Katarit.
Dr. Hafiz Hajredini, në mes të tjerash, veçohet edhe nga fakti se ka Diplomën për specializim në leximin e Kur’anit (Tilavet) sipas versionit të Imam Hafs nga Imam Asimi, me Senedin – Zinxhirin e Artë, që simbolizon vargun e lexuesve të besueshëm dhe profesionistë të hafizëve, linja e të cilëve shkon deri tek Pejgamberi a.s.. Kjo diplomë e radhit hafizin tonë të nderuar si të parin të këtij lloji në trojet shqiptare dhe të dytin në Ballkan, menjëherë pas hfz. Muhamed Porqës nga Bosnja.
Është pjesëmarrës aktiv në shumë seminare, simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare në Bahrejn, Malajzi, KSA, EBA, Marok, Jordani, Kosovë, Tajlandë, Japoni etj., gjithnjë në sferën e studimit në Tefsir dhe Shkenca Kuranore.
Ka botuar disa vepra autoriale, artikuj dhe përkthime, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në arabisht dhe anglisht. Para lexuesve shqiptarë është paraqitur edhe me veprën “Doktrinat e Tefsirit në trojet shqiptare, shek. 19 dhe 20”, e cila flet mbi jetën dhe veprat e dijetarëve dhe teologëve më eminentë shqiptarë bashkëkohorë në fushën e interpretimit dhe komentimit të Kur’anit, respektivisht Tefsirit.
Është anëtar i Shoqatës Shkencore për Kur’an me seli në Medinë të Arabisë Saudite, dhe anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Islamë me seli në Doha të Katarit etj..
Hfz. Hajredini është baba i katër fëmijëve (dy vajza e dy djem). Tashti jeton dhe punon në Doha të Katarit.
Dituria Islame: Meqë njohuritë tona për shtetin e Katarit janë të pakta, a mund të na thoni disa fjalë rreth karakteristikave kryesore të shtetit të Katarit.
Dr. Hajredin Hoxha: Shteti i Katarit është një nga shtetet e Gjirit Arabik me një sipërfaqe tokësore dhe me numër të banorëve përafërsisht sa Kosova. Populli i Katarit (vendësit përbëjnë një përqindje të vogël në krahasim me të huajt, afër 22-25 %). Shteti i Katarit në dekadat e fundit ka përjetuar një zhvillim të paparë në shumë rrafshe, si në atë politik, po ashtu edhe në atë ekonomik, kulturor e fetar. Shquhet si një shtet me demokraci të shumanshme, në krahasim më shtetet e tjera të Gjirit Arabik. Katari ka sistemin politik të Mbretërisë (Emirit-Princit), bazuar në Kushtetutën e tij demokratike, ndërsa kodi civil për popullatën në tërësi bazohet në
Sheriatin Islam. Gjykatat Islame funksionojnë dhe janë shumë aktive dhe objektive në zgjidhjen e problemeve familjare, sociale etj.. Populli i Katarit është i dashur, fisnik, bujar, modest, i respektueshëm, tolerant dhe punëtor. Këtu në Katar, të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Në Katar ekzistojnë sisteme të ndryshme edukativo-arsimore, ai perëndimor-amerikan (ku studentët meshkuj mësojnë së bashku me femrat), sistemi arab-islam (ku meshkujt janë të ndarë nga femrat) etj.. Po ashtu edhe universitetet ndërkombëtare e kanë të njëjtin sistem. Universiteti i Katarit, ku ligjëroj unë, e ka sistemin arab-islam, d.t.th. nuk ka përzierje të meshkujve dhe femrave në një klasë. Katari ka mbi 1000 xhami, të mbikëqyrura nga Ministria e Fesë (Vakëfit), ndërkohë që imamët dhe hatibët janë nga shtete të ndryshme islame, kryesisht nga Jemeni dhe Egjipti.
Dituria Islame: Çfarë ju shtyri të bashkëpunoni me Kryesinë e BIK-së për organizimin e seminarit me temën “Fikhu i pakicave, rregullat e fetvasë dhe dialogu fetar”?
Dr. Hajredin Hoxha: Jam edukuar në universitete të ndryshme të Botës Islame, dhe kudo që kam shkuar e studiuar, kam vërejtur se sa rëndësi dhe prioritet kanë institucionet fetare nëpër ato vende. Edhe BIK-ja për ne paraqet Institucionin e vetëm dhe më të lartin shpirtëror, të cilin duhet ta respektojmë të gjithë. Fatmirësisht, në BIK kam gjetur gjithnjë përkrahjen morale dhe vëllazërore për të çuar përpara proceset e ndryshme që kanë të bëjnë me shumë fusha e segmente, qofshin fetare, kulturore apo humanitare. Qysh kur kam qenë në Malajzi, kam bashkëpunuar ngushtë me institucionet e BIK-së, madje një kontribut të rëndësishëm kam dhënë edhe për dërgimin e ndihmave gjatë viteve të luftës në Kosovë, po edhe pas luftës, në ndërtimin e xhamive dhe dërgimin e disa haxhinjve në Haxh, gjithnjë të organizuara nga BIK. Ndërkohë që organizimi i këtij Seminari trajnues me imamë ka qenë një dëshirë imja që prej ditës kur kam arritur në Katar. Duke parë organizimet e shkëlqyera trajnuese për imamë nga vise të ndryshme të botës, sidomos në Qendrën e Kardavit për ripërtëritje dhe mendim mesatar, tash e sa muaj i qeshë rrekur këtij projekti ambicioz, gjithnjë duke bashkëpunuar ngushtë me Myftiun tonë të nderuar, shkëlqesinë e tij Mr. Naim ef. Tërnava, në përzgjedhjen e atyre imamëve që do ta përfaqësonin denjësisht Kosovën në këto trajnime. Fatmirësisht, kësaj ia arritëm, dhe shpresoj që shpërblimin për këtë
kontribut tonin modest ta marrim vetëm prej Allahut xh.sh..
Dituria Islame: Meqë tash jeni edhe zyrtarisht përfaqësues i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës për Katar, cilat janë fushat në të cilat do të mund të kontribuonit për Kosovën?
Dr. Hajredin Hoxha: Ky emërim zyrtar nga ana e Kryesisë së BIK-së për mua, si përfaqësues zyrtar i saj në Katar, është një nder dhe privilegj i madh. Unë do të përpiqem, tash e tutje edhe më shumë, duke intensifikuar përpjekjet e mia që të kemi një kooperim edhe më të madh në mes Institucioneve të Vakëfit dhe Institucioneve të tjera arsimore-edukative në Katar, me BIK-në. Mendoj se bashkëpunimi në nivel akademik, pastaj trajnimet e vazhdueshme të imamëve nga Kosova këtu në Katar, do të jenë prioritete tona në të ardhmen. Ne jemi të vetëdijshëm se, pa fuqizimin e BIK-së si Institucioni i vetëm legjitim i fesë islame në Kosovë, nuk do të arrijmë suksesin e dëshiruar. Jam shumë optimist, sepse udhëheqja aktuale e BIK-së, është duke bërë një punë të shkëlqyer në avancimin e jetës fetare në Kosovë, dhe, me një angazhim të përbashkët, do të arrijmë që aktivitetet e përbashkëta në shumë fusha e segmente të jetës fetare e kulturore, t’i realizojmë në tërësi, natyrisht me Lejen dhe Vullnetin e Allahut Fuqiplotë.
Dituria Islame: Në përfundim të seminarit trajnues me Kryeimamët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, a jeni të kënaqur me nivelin e pjesëmarrësve të seminarit?
Dr. Hajredin Hoxha: Pa dyshim që jemi shumë të kënaqur, sepse niveli i pjesëmarrjes ka qenë më i larti i mundshëm. Jam i vetëdijshëm që një javë trajnimi, për këto tema kaq të ndjeshme e të rëndësishme, nuk është e mjaftueshme. Këto tema është mirë të diskutohen edhe një herë në mes atyre kryeimamëve që kanë marrë pjesë në këtë trajnim dhe pastaj ata, me imamët gjithandej Këshillave të BIK-së, të zhvillojnë seminare, në mënyrë që të përvetësohen këto çështje sa më mirë dhe të kuptohen sa më qartë.
Dituria Islame: Për fund, cila është porosia Juaj për imamët dhe kolegët tuaj në Kosovë?
Dr. Hajredin Hoxha: Porosia ime për kolegët e mi kudo që janë, është që ata, së pari, të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre para Allahut xh.sh. të mos i largohen rrugës dhe Synetit të vërtetë të Muhamedit a.s., dhe të dijetarëve Islamë. Kolegët e mi, imamët e Kosovës dhe të gjithë të punësuarit e tjerë në institucionet edukativo arsimore të BIK-së, duhet ta kenë të qartë se Kur’ani famëlartë i obligon që Kryesinë e BIK-së, cila në këtë rast konsiderohet si “Ulul Emri”, ta respektojnë dhe t’u nënshtrohen rregullave dhe ligjeve të saj, përderisa ata na urdhërojnë për të mirë dhe na ndalojnë nga e keqja. Duke u bazuar në ajetet kuranore dhe në hadithet e Muhamedit a.s., në asnjë mënyrë nuk lejohet që dikush të rebelohet kundër saj, duke themeluar ndonjë qendër, shoqatë apo institucion që kundërshton BIK-në. Të gjithë ne duhet të çojmë ujë në interesin e përgjithshëm fetar e kombëtar, në këtë rast figurativisht në mullirin e BIK-së. Kolegët e mi duhet ta konsiderojnë veten si studentë a talebe gjer në vdekje, në kërkim të diturisë dhe realitetit, e kurrsesi të mos vetëmashtrohen e të vetëkënaqen se janë bërë dijetarë me një fakultet të kryer. Kur njeriu e kryen fakultetin, ai mëson se si të lexojë mirë e pa gabime; kur të mbarojë masterin, mëson se si të shkruajë një artikull a një ese, e kur të mbarojë Doktoraturën, vetëm atëherë mësohet se si të ligjërojë e t’i analizojë pak më mirë dukuritë dhe problemet e Ymetit. Kolegët e mi duhet të jenë sa më unikë e të vëllazëruar, dhe duhet të kenë parasysh dallimin në mes këtyre tri terminologjive fetare, gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre fetar: të kuptojnë se ç’do të thotë të jesh Da’ij (Thirrës në Islam dhe predikues i tij); të kuptojnë se ç’do të thotë të jesh Myfti, (ai që merr vendime dhe verdikte, nxjerr fetva për popullin); dhe të kuptojnë se ç’do të thotë të jesh Kadij, (ai që gjykon dikë dhe merr vendime të prera ndaj dikujt). Ne të gjithë jemi të thirrur në kategorinë e parë dhe jemi (Da’ij apo Du’atë) thirrës në praktikumin e Islamit, thirrës të popullit në bukurinë e Islamit, të Kur’anit, të Synetit të Muhamedit a.s., të shokëve të tij dhe të dijetarëve të mëdhenj të këtij Ymeti. Ne kurrsesi nuk bën të pretendojmë se jemi të gjithë Myftilerë dhe Kadilerë, por duhet t’i përmbahemi maksimës: (Nahnu Du’atu ve lesna Kudatun-Ne jemi Thirrës e nuk jemi Kadij). Për vendime të prera, për nxjerrjen e fetvave në hak të popullit, është kompetente vetëm Bashkësia Islame e Kosovës, dhe jo persona privatë dhe me detyrë të caktuar.
Ju falënderoj sinqerisht, për interesimin dhe mundësinë që të paraqitem para lexuesve të revistës Suaj dhe Tonë - Diturisë Islame, të cilët i përshëndes përzemërsisht..
(Doha-Katar, Janar, 2013 Intervistën e realizoi: Nusret Abazibra)
DituriaIslame 272